Dritëro Agolli
Mëzi i vogël
Hëna si e verdha e vezës
Çau guaskën e malit dhe doli,
I shkanë këmbët e lodhura pelës
Dhe ra në hendek dhe gjaku i rrodhi.
Karroca e përmbysur s’bënte më zhurmë
Dhe dridhej pela ende e mbrerë,
Mëzi i vogël shikonte gjakun me shkumë,
Gjakun që dilte nga goja e nënës së mjerë.
I zoti ia hoqi pelës palldëmë e litarë
Dhe mëzin e mori për jele me vete,
Mëzi kthente kokën nga nëna e vrarë,
Mëzi thundrat përplaste dhe dridhej në ethe.
Pastaj në shtëpi ai heshti me kokë nga hëna,
Vetëm kur porta u hap e rënduar,
U nis përsëri me trok nëpër natë nga nëna
Dhe ishte vrapimi i parë në jetë krejt i vetmuar.
U fut në hendek dhe pelën në ballë lëpiu
Dhe ndjeu ftohtësinë e tmerrshme në gjuhë,
Ngriti kokën lart e në qiell hingëlliu,
Hingëlliu fillikat nën hënë i përhumbur.
Kjo ndodhi një natë kur të verdhët e hënës pikonte,
Mëzi këtë e mbajti në mendej aq gjatë
Dhe kur hënë në cepin e qiellit vështronte
Hingëllinte përnatë...
Krijoni Kontakt