gazeta shqiptare

-----

DOSSIER I

Historia e panjohur e historianes së famshme moskovite, e cila ia kushtoi të gjithë jetën e saj çështjes shqiptare dhe polemikat e saj me kolegët sovjetikë e serbë

Nina Smirnova, rusja që punoi gjysmë shekulli për Shqipërinë


------------------------------------------------

Shaqir Vukaj


Para pak kohësh doli në qarkullim në Moskë libri i prof. dr. Nina. D.Smirnovës "Histo ria e Shqipërisë në shekullin XX", botim i Akademisë së Shkencave të Rusisë. Autorja është marrë me historinë e Shqipërisë gjatë gjithë jetës së saj, duke filluar që në vitin 1952, kur ka shkruar artikullin e parë, e deri ditën që u nda nga jeta, më 29 qershor 2001. Ajo është vlerësuar si historiania më e shquar ruse që është marrë me historinë e popullit tonë. Siç thuhet në një parathënie të shkurtër të këtij libri, "Nina Smirnova u dashurua pas popullit shqiptar, me shpirtin e tij krenar dhe të pavarur, që shpesh, për fatin e tij u gjend në situata krizash. Veçoritë e zhvillimeve historike të Shqipërisë bënë që N.Smirnova të merrej me studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, zgjuan interesin e saj për t'u thelluar në mosmarrëveshjet ballkanike dhe në vendet fqinje"…
Megjithëse ajo la një trashëgimi të pasur për Ballkanin e me gjerë, Shqipëria e historia e popullit tonë mbeti "dashuria e parë" e saj, të cilën nuk e harroi asnjëherë, as në ditët më të vështira për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Edhe libri i botuar në Moskë është fryt i kësaj pune shumëvjeçare.

Interesimi i Akademisë Ruse
Në ceremoninë e varrimit të saj, në fjalën time si përfaqësues i Shqipërisë në Rusi në atë kohë, ndërmjet të tjerave fola për kontributin e veçantë të Nina Smirnovës për historinë e popullit tonë, ku theksova se ajo shkruante mbi bazën e fakteve, e të vërtetës historike, pa i mbajtur anën askujt, pavarësisht se ndoshta u binte ndesh kolegëve të saj apo politikës zyrtare. Aty hodha idenë e krijimit të një fondi të posaçëm me këtë trashëgimi, që ne shqiptarët do të ishim të gatshëm ta merrnim e ta ruanim në arkivat tanë. Kjo, duket, bëri efektin e vet, sepse mbas dy ditësh Akademia e Shkencave të Rusisë mori gjithë këto materiale me vlerë për ruajtje. Ndërmjet materialeve të lëna në dorëshkrim, ishte dhe "Historia e Shqipërisë në shekullin XX", për hartimin e së cilës e kisha nxitur edhe unë Nina Smirnovën dhe së bashku me përfaqësuesin e Firmës "Mabeteks" në Moskë i kishim premtuar mbështetje për botim. Firma "Mabeteks" u tregua e gatshme të merrte përsipër të gjitha shpenzimet, dhe gjej rastin të falënderoj publikisht z. Bexhet Pacolli për gadishmërinë e ndihmën e dhënë. Qëllimi im ishte që libri të botohej jo si botim privat, por si botim shkencor i një institucioni serioz. Që në takimin e parë gjeta mirëkuptim me drejtorin e Institutit të Historisë së Përgjithshme pranë Akademisë së Shkencave, akademikun A.Çubarjan.

Në mbrojtje të çështjes së Kosovës
Duke marrë shkas nga botimi i librit të Nina Smirnovës (me analizën e tij le të merren specialistët ), unë do të përqendrohem në kontributin e veçantë që ajo ka dhënë për problemin e Kosovës, në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë e veçanërisht në ditët e nxehta të pranverës së vitit 1999, atëherë kur të flisje për kërkesat e drejta të shqiptarëve ishte tepër e veshtirë…
Pr. dr. A. Zadohin, shef i katedrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Akademinë Diplomatike të Moskes, shkruan: "Duhet pranuar se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ka qenë tepër proserb. Këtu nuk është fjala vetëm për ruajtjen e balancës së forcave në Ballkan, por edhe si shfaqje e orientimit tradicional sllavofil. Kjo i ka bërë Shqipërinë dhe diasporën shqiptare, vendet e popujt e tjerë ballkanikë që, në periudha të ndryshme, të përplasen me shfaqjet e shovinizmit serbomadh dhe të rusocentrizmit"(A. G. Zadohin. A. J. Nizovski. Fuçia e barotit e Europës. Luftërat ballkanike në shekullin XX. Moskë, 2000, fq. 385). Dëshmia më e mirë e këtij pohimi është qëndrimi i Rusisë ndaj problemit të Kosovës, veçanërisht ato ditë të vështira të vitit 1999. Pikërisht në këtë periudhë, kur shumë politikanë, ushtarakë, përfaqësues të shkencave të ndryshme shoqërore e veçanërisht të atyre historike, analistë e gazetarë, me qëndrimet e shkrimet e tyre, duke ecur në gjurmët tradicionale proserbe kishin krijuar një psikozë të tillë sa, të ngrije zërin në mbrojtje të kërkesave të drejta të shqiptarëve, duhej guxim e kurajo e fortë qytetare. E ndërmjet atyre intelektualëve rusë që folën e shkruan realisht u shqua Nina Smirnova, e cila doli para opinionit rus e atij ndërkombëtar në mbrojtje të shqiptarëve, në mbrojtje të të drejtave të tyre në Kosovë e më gjerë, në mbrojtje të së vërtetës. Për të kisha dëgjuar shumë vite më parë, atëherë kur dy popujt e vendet tona, për arsye që tani duken absurde, ishin ndarë me një perde të hekurt. Pavarësisht se ç'flisnin e shkruanin propogandat zyrtare të të dy vendeve, ajo punonte e shkruante për shqiptarët, për historinë tonë. E, kryesorja, si një shkencëtare e vertetë, duke u bazuar në fakte e dokumente, shkruante të vërtetën për ne, duke na mbrojtur me të gjitha mënyrat. Madje, duke iu kundërvënë shumë herë kolegëve e shokëve të saj të punës, e jo rrallë herë politikës zyrtare të Moskës.

50 vjet me Shqipërinë
Për herë të parë jam takuar me të në vitin 1998, kur kam filluar punën në Ambasadën tonë në Moskë. Shumë shpejt pashë se tek kjo grua me shtat të vogël fshihej një karakter i fortë, një studiuese skrupuloze që nuk i bënte lëshime askujt, një analiste e thellë, një natyrë krenare, por tepër e drejtë. Siç shkruante ajo vetë pak muaj para se të ndërronte jetë, në një letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Moskës, "Unë jam marrë me historinë e Shqipërisë gjatë gjithë jetës sime shkencore, që në vitet '50-të. Këtë vit mbush 73 vjeç. Dhe sot, unë jam i vetmi historian "klasik" që merrem me këtë vend". Dhe kur merrej me historinë e Shqipërisë, ajo nuk e ndante Kosovën e viset e tjera shqiptare, "të shkëputura padrejtësisht nga trungu i vet", siç e përsëriste shpesh ajo, nga kjo histori. Veprimtaria e saj përfshin dhjetëra e dhjetëra artikuj, referate, intervista, broshura, monografi e deri vëllime të plota për historinë tonë. Duke studiuar me kujdes veprimtarinë e saj në periudhën 1990-2000 shihet se një vëmendje të posaçme ajo i ka kushtuar Kosovës dhe zhvillimeve atje. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Pikërisht në këtë periudhë historiografia ruse sikur ishte rizgjuar dhe autorë të ndryshëm filluan të merren me këtë problem të "harruar", duke shtuar shkrimet e tyre në raport me intensifikimin e ngjarjeve në Kosovë e ndërkombëtarizimin e këtij problemi, aq sa sot mund të flitet për një bibliotekë të tërë me referate, artikuj, studime, broshura, intervista e dhjetëra libra të tërë vetëm për Kosovën ose rreth saj. Dhe në këtë larmi shkrimesh me autorë historianë, politikanë, ushtarakë, diplomatë, analistë, gazetarë etj., me disa përjashtime, shihet qartë "qëndrimi tepër proserb i Rusisë ndaj çështjes shqiptare". Ishte Nina Smirnova, pothuajse e vetme nga historianët rusë, që mori përsipër detyrën e vështirë, tepër të vështirë, që me fakte e dokumente, nga njëra anë t'i kundërvihej gjithë këtij vreri antishqiptar që sa vinte e rritej, e nga ana tjetër t'i bënte të qartë publikut të gjerë rus të vërtetën e asaj që po ndodhte në Kosovë, dhe shumë të vërteta të tjera për ne si komb e për historinë tonë. Në mënyrë tepër të saktë ajo i bënte të qartë publikut të gjerë rus se këta autorë (autorët rusë-shënimi im) "praktikisht nuk marrin parasysh palën shqiptare, nuk marrin parasysh interesat dhe pikëpamjen e vetë popullsisë shqiptare të Kosovës (kosovarëve), mendimet e tyre për atë që po ndodh aty"(Libri-Kosova, aspekte ndërkombëtare të krizës. Moskë,1999, fq. 79). Shumica e historianëve e politikanëve rusë, duke u mbështetur në tezat serbe, gjithmonë kanë shkruar e folur se "Kosova është tokë e shenjtë serbe", se "ajo është djepi i serbizmit"se "ajo për serbët është si Jeruzalemi për çifutët" etj. etj. (Me gjëra të kësaj natyre janë të mbushura libra, artikuj, referate e deri citate politikanësh rusë, përfshi edhe ata më kryesorët).

Kundër pretendimeve serbe
Nina Smirnova në shumë studime, artikuj e intervista i është kundërvënë haptazi këtyre pretendimeve serbe, të përsëritura me shumicë në Rusi, duke shkruar se "Kosova për herë të parë ka hyrë në përbërje të Serbisë mbas Luftërave Ballkanike 1912-1913" dhe se "Përcaktimi për Kosovën si krahinë serbe, e banuar kryesisht me shqiptarë, i përhapur gjerësisht në literaturën publike (ruse-shënimi im) më e pakta është i gabuar."(Po aty, fq.116). Në të gjithë veprimtarinë e vet shkencore ajo nuk e shkëpuste luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi. Për të ajo vazhdimisht ka qenë një e tërë, e pandarshme, pavarësisht se në ç'krahinë a në ç'periudhë bëhej. Duke dashur t'u kundërvihej disa kolegëve të vet, dhe të shpjegonte shkaqet e vërteta për atë që po ndodhte në Kosovë në vitet '90-të, ajo shkruante se "Shkaqet e konfliktit në Kosovë shkojnë thellë në shekuj, dhe i kanë rrënjët në historinë e luftës së popullit shqiptar për pavarësi kundër pushtuesve të huaj". Literatura publike ruse është e mbushur me legjendat serbe për betejën e Fushë-Kosovës së vitit 1389, ku gjithçka paraqitet si luftë midis serbëve dhe turqve. Dhe kjo është e kuptueshme, mbasi për ta ajo "është tokë e shenjtë serbe". Nina Smirnova, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për historinë dhe autoktoninë e shqiptarëve në Kosove, është marrë shumë herë me këtë temë, duke e trajtuar në shumë artikuj e studime. Në të gjitha këto materiale ajo ka mbrojtur tezën se lufta e Fushë-Kosovës ka qenë një betejë e koalicionit ballkanik (serbë, shqiptarë, boshnjakë, bullgarë etj.) kundër turqve. Madje, duke u bazuar në fakte e dokumente të nxjerra nga arkivat serbe, ajo shkruan se "heroi i kësaj beteje, Millosh Kopiliqi, ai që vrau sulltan Muratin, ka qenë shqiptar". Është tepër interesant pohimi i saj, se "mbasi serbët ja mbathën nga fusha e betejës, shqiptarët luftuan deri në fund…"(Letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Moskës. Dt. 24. 3. 2001). Duke u bazuar në materiale të arkivave serbë (ku ajo ka punuar shumë herë), në vazhdim të tezës së luftërave të përbashkëta të serbëve dhe shqiptarëve kundër të njëjtit armik, disa herë ajo ka shkruar për pjesëmarrjen në to si aleatë në luftërat midis Austrisë dhe Turqisë në vitet 1689-1690 dhe 1737-1739. Kosovën ajo e cilëson si "Qendër të lëvizjes çlirimtare shqiptare" (Broshurë. Çështja shqiptare: Ku qëndron thelbi i saj. Moskë. 1998, fq. 38). Në këtë kuadër një rëndësi të posaçme i ka kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një Lidhje Mbarëshqiptare.

Mbron Lidhjen e Prizrenit
Ajo ngrihet në mbrojtje të veprimtarisë së Lidhjes, duke e trajtuar disa herë në materialet e veta edhe për një arsye tjetër. Shumë autorë rusë të fushave të ndryshme në shkrimet e kohëve të fundit kanë hedhur baltë mbi Lidhjen e Prizrenit, duke e cilësuar atë si një organizëm të krijuar nga Porta, si një lëvizje që kishte si qëllim t'i kundërvihej luftërave çlirimtare të popujve të Ballkanit etj. Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për të argumentuar më mirë veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit ajo në disa shkrime flet për kontributin e shkencëtares sovjetike I. Senkeviç, e cila, siç shkruan Smirnova, "është e para në historiografinë botërore që ka shkruar një monografi për Lidhjen e Prizrenit, të dokumentuar kryesisht mbi bazën e materialeve të arkivave rusë dhe austriakë". Në këtë vazhdë, një vend të rëndësishëm ajo u ka kushtuar kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, në Kosovë, të cilën ajo e quan "Vatra e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar". Disa herë në shkrimet e saj ka pohuar në mënyrë të prerë e kategorike se "Pothuajse gjysma e tokave shqiptare u përfshinë në përbërje të Jugosllavisë… Çështja shqiptare përmblodhi të gjitha problemet e të ashtuquajturve popuj të ndarë" (Broshurë e përmendur më lart, fq.38). Prej kohësh në letrat ruse ka zënë vend teza se shqiptarët janë të ardhur në Kosovë, madje vonë. Shkruhen e thuhen lloj-lloj gjërash, sikur shqiptarët kanë ardhur aty nga Shqipëria në shek. XVII-XVIII, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e mbas kësaj Lufte. Madje, ndonjë politikan arrin deri aty sa të thotë se ata i solli aty Tito, siç është rasti i kryetarit të Bashkisë së Moskës, J. Llushkov, i cili në artikullin e botuar në gazetën "Izvestia", dt. 24 mars 2001, ndërmjet të tjerave shkruan "Krahina e Kosovës nuk u ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli aty Tito, në kuadrin e planit të krijimit të Federatës Ballkanike".
*Ambasadori i Shqipërisë në Pragë

(vijon nesër)