Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Falmerajeri, dijetari që rrëzoi mitin grek

    Shkruan:· Prof. Dr. Peter BARTL


    "Vetëm kur je i frymëzuar nga një e vërtetë dhe vetëm kur qëndron larg interesit të përgjithshëm mund të vihesh në kontradiktë me gjithë ndjenjat e kohës tënde dhe me korifejtë e saj". Kur Falmerajeri (Fallmerayer) shkroi këta rreshta, ai tanimë ishte quajtur "Fragmentisti" dhe mbahej si njëri prej shkencëtarëve e publicistëve më të nderuar, por njëkohësisht edhe nga më të diskutueshmit. Ai qe historian, gazetar dhe politikan i lavdëruar për gjuhën e tij. Franc Babingeri (Franz Babinger), p.sh., e quan atë "forca e interpretimit" dhe shprehet: "Bukuria e gjuhës së tij të lë pa mend".

    Falmerajeri lindi më 10 dhjetor 1790 në Vajler Pairdorf (Weiler Pairdorf), komuna e Çëçit (Tschoettsch) në Briksen (Brixen), në Tirolin Jugor të sotëm, ku u rrit në kushte të mjerueshme. Prindërit e tij ishin fshatarë të varfër. Falmerajeri ishte i katërti ndër dhjetë fëmijët e familjes. Hyri në shkollën popullore të Çëçit dhe, që nga viti 1801, kur i ati hoqi dorë nga ferma (e cila ekziston ende sot), vazhdoi shkollën në Briksen. Më 1803 u fut në korin e shkollës së katedrales së atjeshme, ku mori një "formim të përsosur humanist". Më 1809-1811 studioi teologji dhe filozofi në Salcburgun që dikur i përkiste Bavarisë, por shumë shpejt tregoi më tepër interes për historinë dhe gjuhët semitike. Pasi kishte hequr dorë nga dëshira për t'u bërë prift, më 1812 Falmerajeri shkoi në Landshut për të studiuar jurisprudencë. Por edhe kjo nuk e kënaqi plotësisht. Më 1813 vendos të bëjë karrierë ushtarake, prandaj hyn në ushtrinë bavareze si nëntoger. Mori pjesë në fushatën e Francës, ku edhe u shqua. Më 1818 u shkëput nga ushtria dhe punoi si mësues në gjimnazin e Augsburgut, ndërsa më 1821 dha mësim në gjimnazin e Landshutit, ku u bë përfundimisht "mendimtar i lirë liberal". I nxitur nga çmimi i Shoqërisë Mbretërore Daneze për Shkencat në Kopenhagë, më 1822 filloi të merrej me historinë e Perandorisë së Trapezundës, e cila në atë kohë ende nuk ishte hulumtuar plotësisht.

    Për studimet e tij Falmerajeri nuk shfrytëzoi vetëm kronikat bizantine, por edhe dorëshkrimet e pabotuara greke, turke e perse të bibliotekave të Parisit, Vjenës dhe Venedikut, që iu vunë në dispozicion nga bibliotekarët e atjeshëm. Ndër ta qe edhe sllavisti Bartolome Kopitar (Bartholemeus Kopitar), i cili i mundësoi konsultimin me dorëshkrimet orientale nga Vjena. Shoqëria e Kopenhagës e vlerësoi punimin e Falmerajerit. Ai qe i vetmi konkurrues i regjistruar që pretendonte këtë çmim.

    Më 1827, në Mynih doli nga shtypi "Historia e Perandorisë së Trapezundës" (Geschichte des Kaiserthums von Trapezunt). Në parathënien e saj, Falmerajeri, jo pa njëfarë krenarie për veten, pohon meritën se "fillimisht historinë kritike dhe të dokumentuar të Perandorisë së Trapezundës ka filluar ta shkruajë pa pasur një paraardhës, udhërrëfyes apo ndonjë yll orientues (f. XV)". Kjo vepër edhe sot e kësaj dite vlen si bazë për historinë e mbretërisë së Komnenëve të famshëm. Me historinë e Trapezundës u përcaktua edhe drejtimi themelor i përpjekjeve shkencore të Falmerajerit në vitet e mëvonshme. Që prej vitit 1826, profesori i historisë së përgjithshme në liceun e Landshutit vazhdoi të merrej me Bizantin dhe grekët. Këtu ai zhvilloi teorinë e vet për grekët, e cila u hodh poshtë nga shumë bashkëkohës të tij.

    Në parathënien e veprës "Historia e Perandorisë së Trapezundës" ai kishte shkruar se "kombi i famshëm i helenëve është zhdukur nga radhët e popujve dhe është zhytur në errësirën e një nate katërshekullore" (f. XV). Kjo tezë u zhvillua më tej në veprën tjetër të Falmerajerit "Historia e gadishullit të Moresë gjatë mesjetës" (Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters), vëllimi i parë i së cilës doli në Shtutgart më 1830. Sërish në parathënie gjejmë informacion për idetë e autorit. Ajo fillon me tezën provokuese: "Fisi i helenëve është asgjësuar në Europë. Bukuria e trupave, fluturimi diellor i shpirtit, harmonia dhe thjeshtësia e zakoneve, arti, pista e vrapit, qyteti, fshati, madhështia e kolonave dhe tempujt, madje edhe emri i tyre thuajse është zhdukur fare nga sipërfaqja e kontinentit grek" (f. III).

    Grekët e sotëm janë një popullsi e përzier sllavësh, "sepse në dejet e popullit të krishterë të Greqisë së sotme nuk rrjedh asnjë pikë e vetme gjaku të pastër helen". Tani atje "jeton një fis i ri i vëllazëruar me fisin e madh të sllavëve". Si element i dytë i popullsisë së atjeshme janë për t'u përmendur shqiptarët: "Dhe një revolucion i dytë, ndoshta jo më pak i rëndësishëm, i sendërtuar nëpërmjet dyndjes së shqiptarëve në Greqi e plotësoi skenën e asgjësimit. Sllavët skithikë, arnautët ilirë, fëmijët e vendeve veriore, të një gjaku me serbët e bullgarët, dalmatët e moskovitët (rusët) janë ata që ne sot i quajmë helenë" (f. IV).

    Kundër teorisë së Falmerajerit për grekët shpërthyen menjëherë protesta e kundërshtime. Por, prapëseprapë, ajo teori ua hoqi filohelenëve objektin e admirimit të tyre.

    Për njerëz si mbreti i Bajernit, Ludvig I, vetëkuptohej që grekët rebelë ishin pasardhësit e drejtpërdrejtë të helenëve antikë. Megjithatë, më 1830 Falmerajeri u pranua në Akademinë Mbretërore Bavareze të Shkencave si anëtar korrespondent. Gjatë viteve 1831-1834 Falmerajeri shoqëroi gjeneralin rus, kontin Aleksandër Ivanoviç Osterman - Tolstoj në një udhëtim të gjatë drejt Orientit: në Aleksandri, Kajro, Siri, Jeruzalem, Kostandinopojë, Peloponez e Atikë. Gjatë qëndrimit në Greqi ai ndeshi vërtetësinë e tezave të tij, sidomos të atyre për karakterin shqiptar të popullsisë së Atikës dhe të Beotisë. Në një letër të 11 shkurtit 1834, ai thotë se "e tërë Atika është e populluar nga njerëz shqipfolës dhe në kryeqytet gjejmë njerëz që e dinë greqishten vetëm se u nevojitet. Në Beoti, përjashtuar tre lokalitete, vihet re e njëjta gjendje".

    Në gusht të vitit 1834, pas një mungese trevjeçare, Falmerajeri rikthehet në Bajern. Liceu i Landshutit ishte zhvendosur në Frajzing (Freising), pra ai s'kishte më ku të jepte mësim. Por, më 1835, ai u pranua në Akademinë e Shkencave si anëtar i rregullt, ku do të merrte një rrogë, e cila paguhej nga buxheti i liceut të Frajzingut. Kështu Falmerajeri u bë dijetar privat dhe, më 1835, botoi në Shtutgart një tjetër studim, me anë të të cilit synonte të përforconte teorinë e tij për grekët. Ai titullohej: "Ç'ndikim pati për fatin e qytetit të Athinës dhe të krahinës së Atikës pushtimi i Greqisë nga sllavët?".

    Studiuesi konstaton se popullsia e famshme e athinasve të lashtë, ashtu si grekët klasikë të Peloponezit, është shkatërruar nga dyndjet e fiseve barbare. Në rastin e Athinës pasardhës të grekëve paskëshin qenë sidomos shqiptarët. Shqipja atje paska qenë gjuhë zotëruese.

    Përktheu nga origjinali: Nestor Nepravishta


    Marre nga revista Pasqyra
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

Tema të Ngjashme

  1. Humanizmi dhe filantropizmi i një dijetari globalist
    Nga Davius në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 21:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •