Përpos luftës së paprinciptë politike pozitë-opozitë, vërehen zhvillime pozitive
Kompani të njohura ndërkombëtare, amerikane dhe evropiane, po hedhin vështrimin drejt tregut shqiptar. Investime miliona dollarëshe janë në pritje. Por mund të ecet edhe më shpejt. Pengon korrupsioni dhe imazhi i keqpërdorur prej vetë shqiptarëve. Shifrat, në vlerë absolute, të investimeve të huaja direkte në Shqipëri janë dukshëm më të ulta se sa dy vjet më parë. Privatizimet strategjike të telefonisë së lëvizshme, por edhe një pjesë e objekteve të tjera shtetërore kishin sjelllë në buxhetin e shqiptarëve jo më pak se 200 milionë dollarë. Por askush nuk e analizonte këtë shifër. Politika e komentonte “an bloc”, pa e ndarë investimin. Kësisoj investimet e huaja direkte (pra investitorë që investojnë dhe jo thjesht blejnë) nuk shënonin ndonjë tregues sinjifikativ. Ka një lëvizje drejt pozitives në vitin e fundit. Kompani të njohura ndërkombëtare, me mjaft reputacion, si fjala vjen “Lokeed Martin” e “General Electric” apo edhe shoqëri italiane, greke, austriake e gjermane kanë shpeshuar “vizitat” nëpër institucionet qendrore shqiptare, këtë herë në projekte me “çelësa në dorë”. Ka kërkesa për investime në terminalet kryesore rrugore, ajrore e detare. Rusët vetëm ditët e fundit kërkuan më shumë hapësirë për investimet e tyre, sidomos në Portin e Durrësit dhe në ndërtimin e rrugëve. Amerikanët janë të interesuar për investime në trafikun ajror, në hekurudha dhe në infrastrukturën e telefonisë me kabëll optik. Austriakët po negociojnë për investime në tregun bankar, pa haruar naftën dhe gazin. Italianët janë duke punuar për ndërtimin dhe shfrytëzimin e depozitave bregdetare dhe të infrastrukturës portuale detare në Gjirin e Vlorës. Turqit po vazhdojnë investimet e tyre në infrastrukturën rrugore, duke iu afruar edhe përfundimit të investimit të tyre, ndërsa arabët e Emirateve të Bashkuara po ndërtojnë aeroportin e Meteorit në Kukës dhe synojnë edhe rrugën Kukës-Morinë. Ja disa nga projektet e fundit:

Gjiri i Vlorës
Qeveria shqiptare ka miratuar kohët e fundit vendimin “Për miratimin e procedurës së dhënies me koncesion, si propozim i pakërkuar, sipas projektit të shoqërisë “La petrolifera italo rumena” s.p.a, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e depozitave bregdetare dhe të infrastrukturës portuale detare në Gjirin e Vlorës” Miratimi i këtij vendimi krijon mundësinë e realizimit të një projekti të rëndësishëm të shoqërisë italiane “La petrolifera italo rumena S.p.A”, projekt i cili synon ndërtimin dhe shfrytëzimin e depozitave bregdetare (depozita dhe linja infrastrukturore portuale detare) për naftën e nënprodukteve të saj, të gazit të lëngshëm, sipas këtij projekti. Projekti i shoqërisë PIR vlerësohet, jo thjesht dhe vetëm në aspektin e rritjes së kapaciteteve depozituese për naftën e nënproduktet e saj, të gazit të lëngshëm të naftës, sipas projektit, por edhe si një ndër burimet e mundshme për furnizimin e objekteve që do të të konsumojne energji termike, që do të ngrihen në zona të ndryshme të vendit. Duke ju referuar projektit, sipas të cilit këto depozita do t’i ofrohen për përdorim operatorëve vendas e të huaj në formën e shërbimeve, shtohet mundësia jo vetëm për hapjen e tregut të hidrokarbureve në Shqipëri dhe balancimin e tij me parametrat ndërkombëtare, përsa i përket cilësisë dhe çmimit, por edhe për një kontroll më rigoroz nga autoritetet doganore e tatimore mbi produktet që do të kalojnë nëpërmjet këtyre depozitave.

Korridoret rrugore
Drejtoria e Pergjithshme e Rrugëve është duke shqyrtuar dhënien me koncesion për ndërtimin e disa rrugëve nacionale. Me këtë mënyre pritet angazhimi i financimeve të sipërmarrjeve private në hartimin e projekteve dhe zbatimin e tyre. Tuneli i rrugës së re Durrës-Kukës, disa segmente të korridorit Veri-Jug dhe rrugët turistike do të jenë ndërtime me koncension. Ministria e Transportit e ka marrë këtë inisiativë pas orientimeve të Bankës Botërore dhe hapësirave që janë krijuar për përdorimin e kësaj forme nga miratimi i ligjit të ri për prokurimet publike, i cili lejon aktivizimin e sipërmarrjeve private me fondet e veta në ndërtimin e veprave publike. Kjo formë e re investimi në infrastrukturën rrugore, përveç burimeve të reja të financimit pritet të krijojë hapësira për aktivizimin e kompanive shqiptare në tenderat që do të zhvillohen për ndërtimin e segmenteve të rrugëve nacionale. Zyrtarë të DPR-së thanë se forma e koncensionit mund të përdoret për ndërtimin e veprave të tilla rrugore që kërkojnë financime të mëdha. Dhënia me koncension pritet të shqyrtohet edhe për disa akse rrugore në Korridorin Veri-Jug, si Lushnjë-Fier dhe Fier -Vlorë. Ministria e Transportit ka filluar të përdorë formën e koncensionit edhe në sektorë të tjerë të infrastrukturës. Për Aeroportin e Rinasit është hapur gara për ndërtimin me koncension të një terminali të ri për pasagjerë dhe po në këtë formë parashikohet të kryhen disa shërbime infrastrukturore në portet detare të Durrësit, Vlorës dhe të Shëngjinit.

Italia, asistencë teknike dhe me specialistë për transportin
Italia do të marrë përsipër rolin zgjidhjen e të gjitha problemeve të korridorit të 8-të në Shqipëri. Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, i ka kërkuar ministrit italian të Infrastrukturës dhe Transporteve që, në kuadër të Presidencës italiane të 6-mujorit të dytë, të marrë përsipër rolin e kordinatorit në problemet që lindin në konceptimin intermodal të këtij korridori. Italia ka mirëpritur këtë kërkesë dhe i ka ofruar vendit tonë ndihmën dhe asistencën në specialistë dhe teknikë për problemet që kalon sektori i transporteve në vendin tonë dhe sidomos ndërtimi i korridorit të 8-të. "Kjo ndihmë do t`i jepet Shqipërisë jo vetëm si vend fqinjë e mik, por si një vend europian me të cilin ka interesa të përbashkëta" është shprehur ministri Italian i Transporteve Lunardi.

Rusia, për Portin e Durrësit
Rusia e interesuar për supervizionimin e rikonstruksionit të Portit të Durrësit dhe për pjesëmarrjen në rikonstruksionin e disa akseve rrugore. Kështu ka pohuara Zv.ministri i parë në Ministrinë e Financave ruse, Aleksei Ulukajev, gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Financave, Kastriot Islami. Ministri rus ka shprehur në emër të Rusisë interesin për forcimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, si dhe rritjen e shkëmbimit të mallrave midis vendeve. Gjatë viteve të fundit ndërmjet dy vendeve ka një rritje e dukshme të shkëmbimeve tregtare me Rusinë, nga ku Shqipëria ka importuar rreth 9 milionë euro produkte, ndërkohë që gjatë vitit 1997 kjo shifër ishte vetëm 0.4 milionë euro. Gjatë vitit 2003 mendohet që këto shkëmbime të arrijnë në 20 milionë euro. Palët kanë shprehur vullnetin e përbashkët për marrjen e masave të nevojshme për përfundimin e procedurave të brendshme respektive, me synim realizimin e nënshkrimit të marrëveshjeve në fushën e doganave gjatë ditëve të punimeve të Sesionit të 4-t Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar që do të mbahet brenda muajit qershor në Moskë.

Austriakët & Grekët, sukses në kërkimin e naftës
Qeveria shqiptare miratoi vendimin “Për miratimin e amendamentit nr.1 të kontratës me ndarje prodhimi, nëpërmjet ministrisë së Ekonomisë dhe Shoqërive OMV (Albanien) Onshore Exploration GmbH dhe me Helenic Petroleum s.a, për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në blloqet 4 dhe 5, në tokën shqiptare” Kompania austriake OMV është e pranishme në Shqipëri, që prej vitit 1991, kur së bashku me kompaninë gjermane Deminex, nënshkroi një marrëveshje për ndarje prodhimi me shtetin shqiptar për kërkimin e hidrokarbureve në bllokun e Rodonit-1. Pas largimit të Deminex-it në muajin korrik 1993, OMV vazhdoi e vetme kryerjen e operacioneve hidrokarbure në këtë bllok, tashmë rolin e operatorit, duke kryer një sere punimesh të përfshira në kompleksin gjeologo-gjeofizik, si dhe shpimin e një pusi kërkimi në det. Megjithë rezultatet e pusit të shpuar nuk ishin pozitive, përsëri kjo kompani nuk është larguar nga blloku, përkundrazi ka planifikuar vazhdimin e investimeve për kërkimin e naftës dhe gazit në të. Kompania OMV është e pranishme me operacione kërkimi edhe në tokë, pasi nënshkroi dy marrëveshje të reja, përkatësisht për bllokun e kërkimit 1 si dhe për blloqet e kërkimit 4 dhe 5. Tashmë, kjo kompani ka përfunduar fazën e dytë të punimeve sizmike në blloqet 4 dhe 5, pasi faza e parë u krye gjatë vitit 2000 dhe objektivi i tyre është që në fund të vitit 2002, të fillojnë shpimin e një pusi kërkimi në tokë, në rajonin e Gjirokastrës.