Feja :: Harmonia fetare përmes historisë dramatike
Postuar nga: Albo
"Shqipëria e re dhe ajo e vjetër karakterizohet nga marrëdhënie të mira mes besimeve. Toleranca dhe harmonia fetare është vlera më e madhe e Shqipërisë dhe kjo nuk është vetëm diçka proverbiale. Shqiptarët ditën të përballen me holokaustin. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrejve u rrit gati 10-fish. Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë 3 besime e 4 komunitete fetare dhe nuk shquhemi si popull i urtë, nuk i kemi njohur konfliktet fetare. 2 vëllezër, njëri katolik e tjetri musliman kanë jetuar në një pullaz.
Nga Ismail Kadare
Katolicizmi ishte feja e vjetër e shqiptarëve. Merret me mend se një kalvar i gjatë dhe një martirizim i pafund i priste katolikët shqiptarë, këta tragjikë të vetmuar në perandorinë që ishte krejt e huaj për ta. Ata e mbajtën ndezur pishtarin e lirisë, të fesë dhe të kulturës, për t'u kujtuar shqiptarëve atë që kishin humbur atdheun dhe Evropën.
Ortodoksët shqiptarë ndonëse të ndarë fetarisht nga katolikët, u përpoqën dhe ata të mbanin ndezur flakën e lirisë dhe të shqiptarizmit Një ndërlikim i ri u shfaq në jetën e ortodoksëve shqiptarë në shek e 19 e 20 pas çlirimit të Greqisë nga zgjedha osmane. Një ide groteske e pjellë nga qarqet panheleniste, ideja se ortodoksët ballkanas janë vetëm grekë dhe s'mund të jenë tjetër kombësi, i helmoi marrëdhëniet midis të krishterëve grekë dhe atyre shqiptarë. Ortodoksët shqiptarë, disa herë edhe me flijimin e jetës së tyre treguan se ishin ortodoksë të një kombësie tjetër. Ka kaluar kaq kohë dhe për fat të keq, një ide e tillë absurde vazhdon të qëndrojë në Greqinë e sotme, anëtare të Bashkimit Europian. Muslimanët shqiptarë, ithtarë të besimit më të ri, do të duhej ndoshta të kalonin në provën më të vështirë duke marrë fenë islame, besimin zyrtar të perandorisë, muslimanët shqiptarë të tunduar nga favoret kishte rrezik t'i përçmonin e të ndaheshin nga vëllezërit e tyre të krishterë. Ky do të ishte fundi i harmonisë fetare në Shqipëri dhe ndoshta fundi i Shqipërisë.
Muslimanët shqiptarë nuk e bënë këtë dhe jo vetëm kaq, si për të treguar qartë se ata ndërruan fenë, por nuk ndërruan kombin, ata ashtu si më parë morën pjesë në të gjitha aksionet kombëtare bashkë me të krishterët. Ata morën pjesë në besëlidhjet e hapta dhe të fshehta, në kryengritjet, në komitetet, në kryengritjet kundër shtetit osman.
Pavarësia e gjeti vendin në një kaos të plotë, megjithatë edhe midis kësaj rrëmuje ballkanike të paparë, midis flamujve, peshkopëve, imamëve, feudalëve, edhe në ditët kur dukej se shqiptarët kërkonin veç diçka për t'u kacafytur, përçarja shqiptare, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u shfaq.
Një nga sekretet përse pas kaosit, mbretëria e Zogut, arriti në një kohë të shkurtër të vendosë rregullin në Shqipëri, ka qenë legjislacioni për marrëdhëniet mes tri feve, katër komunitetetve dhe shtetit shqiptar.
Edhe pse i përpiluar tre shekuj më parë ky legjislacion, është më i miri gjer më sot, në historinë e Shqipërisë dhe një ndër më të mirët në Europë pikërisht se është i bazuar në traditën e harmonisë fetare. Duke përfituar nga rasti t'iu sugjeroj autoriteteve shqiptare që lidhur me problemet e sotme të ngjashme, do të bënin mirë të këshilloheshin me këtë legjislacion.
Historia e harmonisë fetare në Shqipëri nuk është një histori idilike, në thelb ajo ka qenë dhe mbetet dramatike, nuk e kam fjalën për episode të tilla, si farsa tragjikomike e ndalimit të besimeve nga regjimi komunist, as për mallkimin që në emër të fesë iu bë alfabetit shqiptar dhe as rebelimit proturk të Haxhi Qamilit, historia ka qenë dramatike sepse ka qenë përherë e mbarsur me rreziqe të mëdha. Edhe tani në Shqipërinë demokratike të gjitha rreziqet e kapërcyera janë prapë të mundshme, ato janë të tilla në Europë e padyshim në botë.
3 besimet në Shqipëri janë të lidhura me kombin me vetë ekzistenën e tij. Neve nuk na lejohet asnjë sjellje e pandërgjegjshme asnjë harresë, asnjë pakujdesi për mirëmbajtjen e kësaj ngrehine. Aq më pak na lejohen pasionet meskine, për të mos përmendur provokimet dhe provokatorët. Themeli i themeleve për çështjen fetare në Shqipëri është që tre besimet kryesore dhe komuniteti i katërt, ai bektashian, janë të gjitha barazisht të rëndësishme e barazisht të ligjshme.
Katolikët, edhepse janë të paktë në numër përfaqësojnë fenë e parë të shqiptarëve, ata janë një zbritje vertikale në historinë dhe kulturën shqiptare. I kanë dhënë kombit shenja dhe simbole themelore nga Gjergj Kastrioti tek Nënë Tereza, ura më e vjetër që lidh Shqipërinë me Evropën.
Muslimanët shqiptarë ndonëse feja më e re në Shqipëri, kanë të njëjtin legjitimitet. Ai sigurohet jo vetëm nga prania e tyre numerike, por edhe nga kontributi rrjedhimisht i fuqishëm në gjithë rrugëtimin e popullit shqiptar drejt lirisë dhe emancipimit.
Ortodoksët, si muslimanët, si katolikët, kanë qenë pjesë e pandarë e korpusit kombëtar. Keqkuptimet e pafalshme lidhur me kombësinë, ata i kundërvunë kontributin kolosal krahas vëllezërve katolikë e muslimanë.
Ky drejtpeshim është një realitet, thelb. Shqipëria është një vend me tri fe. Ajo nuk mund të identifikohet me asnjërën prej tyre. Nëse ne nuk besojmë në këtë, nuk besojmë në arsyen tonë të të qenit. Respekti i ndërsjelltë midis feve duhet të jetë i shenjtë në këtë vend. Asnjë ngacmim i laikëve kundër fetarëve, asnjë ngacmim i fetarëve kundër laikëve, së fundi, asnjë ngacmim i të tri besimeve kundër shtetit.
Tundimet për të kundërtën janë vërejtur për fat të keq kohët e fundit. Keqkuptimet më të ndjeshme janë ato që lidhen me raportet komb-fe. Përkundër traditës shekullore janë shfaqur prirjet për të vënë fenë kundër kombit. Lidhur me pretendimin e qarqeve fetare greke, për t'u mohuar ortodoksëve shqiptarë kombësinë, ky është një problem i rëndë që nuk ndihmon për asgjë të mirë në Ballkan. Shpresojmë që qeveria greke të ushtrojë aq sa mundet ndikimin e saj në këtë rreth për të ndequr këtë keqkuptim. Në shtyp dhe internet janë hedhur ide që e mendojnë haptas kombin shqiptar, në emër të një kombi tjetër atij islam. Të jeni të sigurt se një shpallje e tillë nuk mund të ketë përkrahje mes shumicës së islamistëve të rinj shqiptarë, një pjesë e të cilëve kanë kryer studimet në vendet arabe. Si në rastin e panhelenizimit shoqëruar mes emigrantëve shqiptarë, ashtu dhe në rastin e panarabizmit kemi të bëjmë me një përpjekje për një tkurrje të kombit shqiptar, një version soft të copëtimit të vendit.
Një dhunim tjetër i rëndë i ndeshur në propagandën antishqiptare ka qenë përçmimi i idesë së lirisë dhe të drejtave të njeriut, duke u identifikuar vetëm me ato fetare. Për një kohë të gjatë, propaganda e Millosheviçit u përpoq t'i mbushte mendjen botës se lufta për lirinë e shqiptarëve të Kosovës, s'ishte gjë tjetër veçse një luftë fetare. Luftë fetare e muslimanizmit shqiptare kundër krishterimit serb. Nuk është vështirë të përfytyrohet sot sesa tragjike do të ishte për Kosovën po të binte në këtë kurth dhe në vend të lirisë së mirëfilltë të kërkonte lirinë fetare. Në vend të kriminelëve serbë t'i shpallte luftë krishterimit fqinj. Një vend i largët në malet e Kaukazit, Çeçenia, po e paguan shtrenjtë një ngatërresë të ngjashme. Një tjetër problem që lidhet me trysninë radikale fetare është përpjekja për të shfytyruar historinë e vendit. Nga acarimet midis fondamentalistëve rrezikohet përçudnimi i historisë shqiptare, gjer në atë shkallë, sa që për kundërpeshë ndaj krishtërimit të mohohen rrënjët, të mohohet autoktonia e popullit shqiptar në trojet e tij. Në Ballkan teza të tilla dalin nga sajimi kinse i historisë për të çuar më pas deri në tragjedi njerëzore. Mbështetur nga teza të tilla, popullsia çame u dëbua nga trojet e veta 60 vjet më parë. Mbështetur prej tyre 300 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan në Turqi prej Jugosllavisë së Rankoviçit. Së fundi ne e pamë me sytë tanë dëbimin e rreth 1 milionë shqiptarëve të Kosovës në prag të shekullit të 21-të.
Duke iu rikthyer idesë së ruajtjes së drejtpeshimit fetar në Shqipëri, mendoj se është koha që shteti shqiptar t'i sigurojë një bazë kushtetuese ligjore këtij drejtpeshimi. Institucionet fetare, vendet e kultit, shkollat, fondacionet, klerikët shqiptarë dhe të huajt që shërbejnë në to, financimet e brendshme ose të jashtme, të gjitha këto nuk mund t'i lihen rastësisë, por duhet të rregullohen me ligj.
Si rrjedhojë e kësaj shteti shqiptar duhet të marrë masa për të njëmendësuar Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Gjithmonë nëse që kombi shqiptar ka tre besime dhe 4 komunitete fetare, shteti shqiptar duhet të sigurojë me kushtetutë ndalimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në aleancë ose liga fetare, ngaqë çdo aleancë e tillë bie ndesh me parimin bazë të laicitetit të republikës dhe vë në pozitë diskriminuese dhe përjashtuese besimet e tjera. Shteti shqiptar duhet të ritheksojë parimin e laicitetit të republikës duke bërë të qartë se feja është e ndarë nga shteti dhe republika.
Vendi ynë ka zgjedhur rrugën dhe orientimin e vet drejt familjes së tij natyrale, familjes së popujve europianë, dhe të popujve të tjerë perëndimorë. Ai bën pjesë sot në aleancën dhe luftën kundër terrorizmit, kësaj flame që është drejtuar kundër gjithë botës dhe kundër gjithë besimeve. Vendi ynë ndodhet tani për tani në atë zonë që quhet oborri i jashtëm i Europës dhe vendet që ashtu si ne janë në pritje t'i ofrojnë kontributet e tyre shtëpisë europiane. Kontributi ynë, harmonia fetare, është mesazhi më i lartë i miqësisë dhe mirëkuptimit që Shqipëria i dërgon familjes dhe popujveKatoliket shqiptare edhe pse jane te pakte ne numer, perfaqesojne fene e pare te shqiptareve....Ata i kane dhene kombit shenja dhe simbole themelore nga Gjergj Kastrioti deri ke Nene Tereza. Ura me e vjeter qe e lidh Shqiperine me Europen.
Krijoni Kontakt