Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    09-01-2003
    Vendndodhja
    Kosove
    Postime
    355

    Haklaj: Si dërgoheshin armë në Kosovë me lejen e Ramiz Alisë

    Rrëfimi i Muharremit, plakut të Haklajve, i cili tregon trafikun e armëve të djemve të tij, arrestimin e Isamedin Haxhisë dhe vrasjen e kosovarit Konoshevci

    Haklaj: Si dërgoheshin armë në Kosovë me lejen e Ramiz Alisë



    Basir Çollaku


    Muharrem Haklaj, plaku i fortë i kullës së Kërrnajës, rrëfen për trafikun e armëve në këto 12 vjet. Kjo ka nisur, thotë ai, para shumë vitesh. Madje miqtë e tij kosovarë i kanë thënë në banesën e tij se që në vitin 1991 armët kanë nisur me shku me lejen e Ramiz Alisë. Muharremi tregon se si u arrestua i biri, Halili në Gramsh me makinën e mbushur me armë, se bashku me Isamedin Haxhinë, që sipas plakut, ishte krejt i pafajshëm. Isamedini, thotë Haklaj, ishte pasagjer në makinën e Halilit. Më tej ai tregon për trafikun e armëve drejt Kosovës në kohën e luftës. Rrëfen se si i mblidhnin armët djemtë e tij dhe kosovarët nëpër fshatra të ndryshme të Tropojës dhe të Shqipërisë që t'i dërgonin më pas në Kosovë. Kush ishin djemtë e Malsisë që u vranë e u prenë në besë, si u spiunuan e u burgosën. Lufta me shkajun, thotë Muharremi, dënimi i Halil Haklajt me tetë vjet burg në mungesë nga gjykatat serbe sepse ata e dinin se ishte kundër tyre. Plaku tregon për luftën në Kosovë, kullën e tij plot me kosovarë të ikur nga trojet e tyre prej bombardimeve të shumta serbe. Akuza ndaj Berishës dhe si nisi vrasja e djemve, denoncimet në prokurori, emrat e vrasësve që ai u ka dërguar hetuesve, si dhe indiferenca e shtetit për të ndëshkuar autorët e krimeve që i morën djemtë. Burrit 75-vjeçar nga Tropoja i ka kthyer përgjigje deri tani vetëm presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Premtimi i presidentit se çështjen ia ka kaluar prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku për të nisur hetimet që të zbardhur vrasjet e djemve të tij. Plaku tregon se nga vjen familja e tij, kontributi jo i vogël që ajo ka dhënë në histori, roli dhe ndikimi i saj në Malësinë e Gjakovës dhe në luftën e gjatë kundër serbëve. Këto janë të fshehtat që Muharrem Haklaj i rrëfen për Gazetën nga Kulla e tij në Kërrnajë të Tropojës, tre vjet pas vrasjes së katër djemve.

    Si u kap djali juaj Halili katër vjet më parë në Gramsh me një makinë me armë?
    Armët që janë kapur në atë makinë ishin nisur me shku në Kosovë, me ua dhanë kosovarëve. Ato ishin marrë në rrethin e Gramshit dhe adresa se ku duhej të shkonin ishte Kosova. Kjo ka ndodhur në vitin 1999. Armët që të gjitha ishin blerë nëpër fshatrat e Gramshit. Madje nuk ishin paguar as paratë të gjitha. Ishte lënë që të dërgoheshin armët më parë dhe pastaj të pritej që të ktheheshin lekët. Im bir Halili me miqtë e tij që në vitin 1991 ka çuar armë në Kosovë. Madje çunat dhe Mentor Kaçi që kishte ardhur nga Kosova e rrinte me Halilin më kanë thënë se ka ndihmuar dhe Ramiz Alia në këtë mesele. Kjo ka ndodhur, sipas tyre, që në atë kohë kur dërgoheshin armë matanë me lejen e Ramizit këtu e 12 vjet të shkuara.

    Si ndodhi arrestimi i Halil Haklajt dhe i Isamedin Haxhisë?
    Arrestimi i të dyve ka qenë një spiunllëk i ndonjë të pabesi. Isamedin Haxhia nuk ka ditur gjë se çfarë ka në makinë. Ai ka qenë thjesht një pasagjer atë ditë në mjetin e Halilit që u kap me armë. Më vonë Isamedin Haxhia është liruar dhe është shpërblyer për burgim të padrejtë që i është bërë. Për këtë çëshjtje Isamedini është krejt i pafajshëm, ashtu si është i pafajshëm dhe për vrasjen e deputetit Azem Hajdarit, ashtu si dhe vendosi gjykata.

    A ka qenë Ilir Koloshevski në shtëpinë tuaj?
    Ilir Koloshevski ka qenë ndër djemtë më të mirë të Kosovës dhe ka pasur pseudonimin "Mërgim". Ai vinte e mblidhte armë nëpër Tropojë dhe nëpër të gjithë Shqipërinë. Dilnin fshat më fshat dhe i grumbullonin. Unë e di se në shumicën e herëve armatimi merrej falas dhe dërgohej andej, pastaj më vonë paguheshin dhe paratë. Njerëzit kishin besim se e dinin kush i merrte dhe ku shkonin armët. Në shtëpinë time në kohën e luftës kanë bujtur 24 kosovarë. Unë jam përpjekur me i ndihmue aq sa kam pasur mundësi dhe ata ma kanë ditur për nder.

    Pastaj është vrarë?
    Po, Mërgimi është vrarë bashkë me Hazir Malajn dhe janë lënë të dy në rrugë. Por e dinë të gjithë se kush e ka bërë këtë krim të shëmtuar.

    Iliri shkonte bashkë me Halilin?
    Halili ka qenë patriot siç jemi ne të gjithë. Ju nuk e dini, por Halil Haklaj ka qenë i dënuar me tetë vjet burg në mungesë bashkë me Mentor Kaçin nga gjykatat serbe. Pretendimi i tyre ishte se këta merreshin me kontrabandë e gjoja kishin sulmuar serbët. Madje ata e dinin se Halili me djemtë e Kosovës dërgonin edhe armë për të luftuar serbët, luftë që më vonë u bë shumë herë më e madhe.

    Jo larg shtëpisë suaj është zbuluar vitin e shkuar një vendstrehim i mbushur me armë?
    Po, e kam dëgjuar. Kanë qenë armë që ishin grumbulluar për të shkuar në Kosovë dhe nuk i kanë dërguar. Nuk kanë qenë djemtë e mi ata që i kanë lënë aty. Por pastaj mua më vranë katër djem, vëllanë tim Elezin dhe djalin e tij Cenin, dhe të birin dhe disa kushërinj. Ceni ishte mësues e kurrkush nuk kishte bërë fjalë apo të fliste keq për të. Por aty në atë mitingun e qershorit nisi loja e madhe.

    Pse pas '97-tës?
    Në mars të vitit 1997 Fatmiri ishte kryetar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar. Njerëzit e Berishës erdhën dhe thyen depot. Ka ardhur Sokol Mulosmani me marrë njerëz, por Fatmiri i ka thënë që Berisha ta mbajë pushtetin me ligj e jo me armë.

    Keni takuar prokurorët?
    Unë kam takuar prokurorët e çështjes "Hajdari". Kam ndenjur dhe me atë prokuroren e huaj Siri Frigard në Prokurorinë e Përgjithshme. Asaj ia kam dhënë dhe fotografitë e djemve që më janë vrarë. Ishte një grua e shkëlqyer dhe shumë e zgjuar.

    Me kë keni folur tjetër për vrasjen e djemve?
    Askush nuk ka bërë përpjekje për të shuar vrasjet dhe konfliktet në Tropojë. Kjo nuk ka ndodhur as për familjen time, as për familjet e tjera. Kam takuar Gani Malushin kur ka qenë në polici në Bajram Curr. Ishte njeri vërtet i mrekullueshëm. Më ka pritur në zyrën e tij si zotni. Ganiu më ka thënë se e njëjta armë që ka qëlluar dhe ka vrarë tim bir, Shkëlqim Haklajn ka vrarë dhe Fatmirin, djalin tjetër.

    Po me emra keni kallëzuar në prokurori se kush janë vrasësit e djemve tuaj?
    Për të gjitha vrasjet që kanë ndodhur, për të gjithë djemtë dhe kushërinjtë, djemtë e mi dhe të fisit që më janë vrarë, unë i kam dërguar emrat e autorëve në prokurori. Por askush me sa kam parë nuk e ka marrë seriozisht këtë punë.

    As krerët më të lartë të shtetit?
    Unë u kam shkruar prsidentit të Republikës, Alfred Moisiut, prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollakut si dhe kryeministrit të vendit Fatos Nano. Të gjithëve u kam treguar se kush janë autorët e vrasjeve të djemve të mi. Por deri tani vetëm nga Moisiu kam marrë përgjigje. Askush nuk përpiqet që të merren masa dhe të arrestohen, të dënohen vrasësit e djemve të mi që treten në dhe.

    Ju flisni shumë për një kasetë a e keni dorëzuar në prokurori e në policidhe çfarë ka ajo?
    Ajo është kaseta e mitingut të 22 qershorit 1997 ku Berisha ka kërcënuar tim bir, Shkëlqimin. Prokuroria nuk ma ka kërkuar atë kasetë, të cilën unë ende e ruaj. Që nga ai miting e prapa kanë nisur vrasjet në shtëpinë e Haklajve.

    Sipas jush, përse nuk vijnë Berisha dhe Nano në Tropojë që nga viti '97-të?
    Besoj se ata të dy duhet ta dinë më mirë se unë arsyen se përse nuk vijnë në Tropojë prej kaq vitesh. Por, mesa di unë, populli i Tropojës i do të dy këta burra dhe ka qejf me i pa në Bajram Curr.

    Ju akuzoni shumë Sali Berishën, si kanë shkuar të dy familjet në këto vite?
    Ne shtëpia jonë kemi shkuar shumë mirë me fisin Berisha. Me babanë e Berishës, por sidomos me xhaxhanë e tij kemi shkuar shkëlqyeshëm, kemi qenë miq të mirë. Dhe me familjen e Azemit kemi qenë miq e kemi shkuar gjithmonë mirë. Nuk kemi pasur kurrë probleme mes nesh.

    Kush është familja Haklaj?
    Kemi qenë një familje e mesme. Në kohën e Partisë së Punës kemi qenë punëtorë të thjeshtë e nuk kemi pasur telashe, as grindje as hasmëri me asnjeri. Babai im ka qenë i lidhur me Bajram Currin. Gjithnjë kemi qenë një familje patriote dhe nuk kemi pasur asnjë ngatërresë. Tani kam vetëm një djalë, Hamdiun. Atë dhe fëmijët e tij i kam larguar jashtë vendit se kam frikë se m'i vrasin si të tjerët. Kam dhe fëmijët e Yllit, vajzën e Fatmirit, vajzat e Hamdiut si dhe plaka ime.

    Tani që shtëpia juaj ka vetëm fëmijë dhe gra a ju kanë sulmuar, a ju kanë qëlluar ?
    Por megjithëse kemi mbetur në shtëpi me gra dhe me fëmijë përsëri na kanë sulmuar. Na kanë qëlluar në mesnatë me armë automatike. Kjo ka ndodhur shumë herë. Kanë dashur të më vrasin edhe mua.


    Haklaj: Premtimet e pambajtura të ministrave që më vranë djalin

    Më kanë premtuar shumë ministra e prokurorë që të më ndihmojnë, por të gjithë më kanë gënjyer, thotë Muharrem Haklaj. Kjo më ka ndodhur dhe me Fatmirin, kur është plagosur. Kam vajtur derë më derë në qeveri dhe në prokurori, por asnjëri nuk e mbajti fajlën, derisa djalin ma vranë me 4 nëntor të vitit 1999. Për Fatmirin kam kërku ma s'pari në Prokurorinë e Përgjithshme. Kam vajtur pastaj edhe te ministri i Rendit dy tre-herë në zyrë dhe i kam kërkuar të njëtën gjë si dhe prokurorit. Doja vetëm ta nxirrnin për mjekim jashtë, ku të donin ata. Le ta ruanin, ta kishin nën mbikëqyrje vetë, por ama të mundoheshin që ai të kurohej. Fillimisht më thanë se po e dërgojmë për kurim në Greqi dhe unë isha dakord me atë që më premtuan. Por nuk zgjati ky premtim më shumë se dy ditë. Pas 48 orësh më njoftuan se nuk kishin marrëveshje, a kontratë me grekun, prandaj kemi vendosur ta çojmë në Turqi. Nga Prokuroria e Përgjithshme shkova në Ministrinë e Jashtme që të pyesja se kur do të nisej, por dhe atje ma shtynë datën. Për bela në Turqi në atë kohë ra tërmeti. Pas kësaj më thanë se tani nuk ka më mundësi që ta çojmë në Turqi. U kthyen e më thanë se po ta çojmë djalin në Itali ose në Gjermani. Ai duhej të bënte një operacion në tru. Mjekët tanë nuk i bënin dot derman dhe gjendja e tij filloi të keqësohej gjithnjë e më tepër derisa e liruan me kusht. Pak ditë pasi u kthyem në shtëpi, pohon Muharremi, shkuam në Prishtinë. Atje takuam disa miq tanë dhe na dërguan te një mjek. Doktori pasi e vizitoi Fatmirin tha se tani nuk jam gati ta bëj operacion, por duhet të vini pas disa ditësh. Ai na garantoi se me 90 për qind e shëroj. Me shpresë se më në fund e gjetëm dikë që do ta shëronte, u kthyem në shtëpi prapë. Nuk kishte vetëm 10 ditë që ishim kthyer nga Prishtina. Fatmiri u nis me shku te dajat, te Mulosmanët. Por kishte qenë dita e fundit për të. Gjatë rrugës atij i bëjnë atentat në Bujan dhe vritet Fatmiri e Sami Kërrnaja si dhe plagoset Jaho Salih Mulosmani.


    Si e mbrojtën djemtë e mi mbretin Leka Zogu

    Të gjithë djemtë e mi kanë qenë patriotë, thotë Muharrem Haklaj. Kur bëhej fjalë për Shqipërinë e për çështje kombëtare ata ishin të parët dhe nuk donin të bënin dallime politike se kujt i përkisnin. Në '97-tën në Tropojë ka hyrë Leka Zogu. Ka pasur njerëz të cilët ishin porositur, ndoshta dhe paguar që ta pengonin të hynte në Tropojë. Ndoshta dhe të qëllonin mbi të për ta vrarë. Situta ishtë e rëndë. Por kanë qenë djemtë e mi që i kanë dalë përpara dhe e kanë mbrojtur. Ishte Ylli Haklaj ai që siguroi rrugën e tij. Nuk kishim kurrfarë lidhjeje politike me të, vetëm e kemi pritur si shqiptar. Unë vetë, thotë Muharremi, e kam takuar mbretin Leka Zogu. Madje e pyeta: Mbaj mend se e ke pasur emrin Skënder. E kam pasur Aleksandër më tha. Pastaj djemtë e mi e kanë përcjellë derisa ai ka dalë jashtë Tropojës. Nga kjo që bëmë për të njerëz të oborrit kërkuan që Ylli të shkonte në eskortën e mbretit Leka Zogu, por im bir nuk vajti që të punonte me të.

    --------------
    mani

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar mani për postimin:

    Enzo.AD (03-07-2016)

Tema të Ngjashme

  1. Albin Kurti (1975 - )
    Nga ILovePejaa në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 305
    Postimi i Fundit: 04-06-2017, 20:47
  2. Debati i Knusve (gjelave)
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 05:15
  3. Intervistë me Myftiun e Kosovës, Mr. Naim Tërnava
    Nga Drini_i_Zi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-01-2009, 19:13
  4. Mësimet e nxjerra nga dhuna në Kosovë
    Nga Albo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 15-07-2006, 13:20

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •