Shqiptar
Registered User
(7/10/00 9:12:55 am)
--------------------------------------------------------------------------------
Dr. Njazi Kazazi
1. Kushtet historike
"Alfabetare e gluhësë Shqip", ose Abetarja e Stambollit, siç është quajtur shpesh në literaturën shkencore dhe pedagogjike, lidhet, para së gjithash, me kushte të caktuara dhe me një varg ngjarjesh të rëndësishme të historisë kombëtare. Rasti i "Alfabetares..." është unikal në jetën mbi 150- vjeçare të abetareve shqipe, në këndvështrimin e lidhjes së ngushtë me kushtet historiko - shoqërore dhe të botimit; të rolit që luajti për njësimin e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe; në hedhjen e themeleve të tekstologjisë shqiptare, të frymës atdhetare që ngjalli.
Në "Alfabetare..." trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.
Në vargun e shumë problemeve të rëndësishme që shtroheshin për zgjidhje, çështja e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mbajtja gjallë dhe lëvrimi i mëtejshëm i gjuhës së shkruar shqipe, ishin ndër më të mprehtit. E kjo shtrohej njëherësh, në një plan, me çlirimin nga pushtuesit e huaj dhe me "mëvehtësinë" e popullit shqiptar, sepse "Sot është dita, - shkruante Samiu, q'edhe Shqipëtarëtë të zënë të shkruajën' e të këndojënë gjuhën' e tyre, që të mundinë të ruajënë kombinë"1
Siç dihet çështja e alfabetit u shtrua me forcë, veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur lëvizja për çlirimin kombëtar dhe shoqëror u lidh ngushtë me luftën për dituri, për shkollën dhe gjuhën shqipe. Përpjekje të reja e të njëpasnjëshme u bënë në Stamboll, nga atdhetarët e atjeshëm, në fundin e viteve '60 dhe fillimin e viteve '70 si: takime, shkëmbime mendimesh e mbledhje komisionesh, për t'i dhënë gjuhës shqipe, siç thoshte njëri nga veprimtarët më të shquar të kohës, Jani Vreto "...një alfabet të plotë, të bukurë e të njohur..." 2
Deri në vendosjen e alfabetit të Stambollit, më l879, pati katër drejtime kryesore që në analizë të fundit përfaqësonin drejtime të ndryshme të konceptimit të pozicionimit të kulturës shqiptare: - për një alfabet me bazë latine, - për një alfabet origjinal, -për një alfabet grek, të plotësuar nga ai latin dhe së fundi për një alfabet arab.3
Në një periudhë tepër të shkurtër kohore, në lëvizjen kombëtare, arrihen shumë suksese në luftën për liri, për arsimim në gjuhë amtare dhe për hedhjen e themeleve shkollës kombëtare shqiptare. Kështu krijimi i një Komiteti të Fshehtë në Janinë, më 1877 dhe në dhjetor të po atij viti i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (i njohur shkurt me emrin Komiteti i Stambollit) e mbi të gjitha formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878; frymëzoheshin e udhëhiqeshin nga idealet e mëdha kombëtare, për të fituar lirinë e humbur dhe për t'u futur në rrugën e përparimit, ashtu si kombet e tjera të Evropës, sepse " Shqipërija është një copë vent nga Evropa..." dhe "Shqipëtarëtë janë një nga më të vjetërit' e kombëvët të Evropësë".4
Forca drejtuese dhe frymëzuese e atdhetarëve - intelektualë që ishin vënë në krye të lëvizjeve popullore për liri e të drejta shoqërore e zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, bëri që në një hark kohor prej jo më shumë se tetë muajsh, në periudhën shkurt - tetor l879, në zbatim të detyrave dhe vendimeve të LSHP, të zgjidheshin disa probleme të lidhura ngusht me arsimin kombëtar dhe shkollën shqipe si : - Miratimi, rreth fundit të shkurtit, i alfabetit të Stambollit, prej një komisioni të përbërë nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Hasan Tahsini. - Hartimi dhe botimi i veprave të rëndësishme për të përgatitur opinionin dhe rrethet intelektuale për veprime të mëtejshme, të tilla si "Alfabeti latin i përshtatur gjuhës shqipe" nga Pashko Vasa; "Kanonizmoj e Shokënisë të Shtypuni Shkronjave ndë Gjuhët Shqip" nga Jani Vreto etj. dhe për të arritur më l2 tetor 1879, në mbledhjen organizative në lagjen "Pera", në shtëpinë që banonte Abdyl Frashëri, ku mori formë zyrtare "Shoqëria e të Shtypuri(t) Shkronja Shqip". Të gjitha këto lidheshin me një pikë kulmore: botimin dhe shpërndarjen në mënyrë të rrufeshme të "Alfabetares...".
2. Përmbajtja tekstit.
Abetarja e Stambollit zgjidhi në parim dhe në fakt disa çështje të rëndësishme të gjuhës shqipe në përgjithësi dhe të shkollës shqiptare në veçanti, si: - problemin e popullarizimit dhe të përvetësimit të alfabetit të ri të gjuhës shqipe, - futjen e gjuhës shqipe në mësonjëtoret kombëtare si gjuhë mësimi, duke realizuar shkëputjen nga ndikimet e huaja; - përcaktimin e raporteve ndërmjet lëndëve të ndryshme në një shkollë fillore, - dha një model për rrugën didaktike të mësimit të lexim- shkrimit të gjuhës amtare etj. probleme të rëndësishme në vështrim shkencor- didaktik për shkollën e re, që po themelohej.
Për rilindësit, ngritja e mësonjëtoreve kombëtare, krahas krijimit të një sistemi arsimor në të gjithë vendin, ishte një kusht i domosdoshëm për realizimin e programit të ngjeshur në fushën e kulturës. Në këtë kuadër hartimi e botimi i abetareve shqipe, ishte një nga rrugët më të sigurta për përvetësimin e gjuhës së shkruar shqipe nga masat e gjëra të popullit. Rruga për çlirimin kombëtar, për atdhetarët- rilindës, kalonte nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, sepse "Kombetë mbahenë me gjuhëtë; një komp që humbet gjuhën' e vet, ësht' i humburë edhe i harruarë edhe ay vetë... Njeriu nukë humbetë, por me të ndërruarë gjuhënë, ndërron edhe kombin', e bënet' i kombit tjatërë. Kështu janë humburë shumë kombe të vjetërë, që shohimë nëpër istorirat, e s'i gjejmë sot mbi dhê".5
"Alfabetarja e gluhësë shqip", botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: "Gjuha Shqip" dhe "Dheshkronjë"; të Jani Vretos: "Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip", "Për Gjithëçishtënë dhe për Zon'e jetësë edhe për Njerinë, botën' e vogëlë", "Numerëmësonjë"; të Pashko Vasës: "Shqypnija e Shqyptârt", të Koto Hoxhit: "Porosit' e Tovitit mbë të birë".
Siç shihet nga përmbajtja ky nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale. Po pse atëherë atdhetarët- iluministë e quajtën thjesht "Alfabetare..."? Mos vallë për të dhënë idenë e fillimit të krijimit të shkollës shqiptare, larg ndikimeve të pushtuesit të huaj, për të hedhur themelet e saj, pra në këtë këndvështrimi emërtimi është simbolik? Me këtë tekst autorët projektuan dhe zbatuan kalimin nga shkolla të vogla njëklasëshe dhe vetëm për mësimin e shkrim- leximit në shkolla të plota fillore, me një plan mësimor ku të përfshiheshin edhe lëndë të tjera për formimin më të gjerë shkencor të nxënësve në mësonjëtoret kombëtare. Për rrjedhim edhe teksti në fjalë nga një abetare e thjeshtë, bëhet një libër për arsimin fillor.
Mendojmë se nuk është rastësi bashkëpunimi i katër firmave ndër më të njohurat e lëvizjes kombëtare të atyre viteve, që ishin jo vetëm atdhetarë-iluministë, por edhe intelektualë e pedagogë të shquar.
Përveç këtyre që thamë dhe vlerave atdhetare e qytetare që ka kjo abetare, ajo veçohet për disa parametra që e bëjnë të dallueshme në vargun e gjatë të abetareve shqipe, në mes të të cilave theksojmë :
- Tirazhi prej 20 mijë kopjesh (kujtojmë se u botua rreth 120 vjet më parë) që përbën një shifër rekord për çdo lloj botimi, deri në vitet ‘40 të shekullit tonë.
- Sasia e faqeve, 136. Është një tregues tjetër sasior dhe cilësor i saj. Shkrimet që përmblidhen në të, janë njëri më i goditur dhe më i gjetur se tjetri, për mesazhet që transmetojnë, për vlerat që mbartin, për ndjenjat atdhetare që edukojnë, për edukatën që synojnë të ngulitin, për frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit që këshillojnë. Një vëllim i tillë është ndeshur rrallë në historinë e abetareve shqipe.
- Përhapja e saj e gjerë. Teksti u shpërnda në mënyrë të rrufeshme në të gjitha trojet etnike shqiptare, l0 mijë kopje u shpërndanë vetëm në Shqipërinë Verilindore (Rrafshi i Dukagjinit e Kosovë). Ndonëse teksti u botua për shkollat shqipe që do të hapeshin në vazhdim në Shqipëri, ajo u shpërnda edhe në të gjitha kolonitë shqiptare si në Sofje, Bukuresht, Egjipt etj. ku shërbeu padyshim për mësimin e gjuhës shqipe nga shqiptarët kudo që ndodheshin. Qënia e këtij teksti, edhe sot, në shumë biblioteka shtetërore dhe vetjake të të gjithë vendit, është tregues i përhapjes së saj dhe të shërbimeve që i solli gjuhës dhe shkollës shqipe.
- Destinacioni dhe përdorimi. Teksti u përdor dhe u zbatua në shkollat shqipe, por me të mësuan shkrim e këndim edhe të rriturit. Disa shkrime të "Alfabetares..." u drejtohen shqiptarëve të çdo moshe, pa dallim krahine, ideje e feje, për të arritur ato synime të mëdha në fushën atdhetare e arsimore - kulturore.
- Ndikimi në tekstet e mëvonshme dhe tradita që krijoi. Ajo ndikoi fuqishëm në hartimin e abetareve të mëvonshme, u mor si model për tekstet e mësimit të gjuhës shqipe. Ajo hodhi themelet e teksteve të shkollës fillore, me një plan mësimor të plotësuar, duke krijuar traditë në këtë fushë.
3. Rruga didaktike dhe metoda e përdorur për mësimin e gjuhës shqipe
Një numër jo të vogël faqesh, rreth 24, grupi i autorëve i ka kushtuar përvetësimit të mekanizmit të lexim- shkrimit të gjuhës amtare.
Në thelb, rruga e ndjekur nga autorët për t'ua mësuar fëmijëve, por edhe të rriturve, gjuhën e shkruar shqipe, është kjo :
- Në faqen e parë jepen "Shkronjezatë shqipe", në katër forma: të mëdha e të vogla, shtypi dhe dore. Synimi ishte i qartë dhe lidhej me njërin nga qëllimet themelore të botimit të veprës: të bëhet i njohur, të përhapet dhe të përqafohet alfabeti i ri i shqipes, duke i dhënë fund asaj gjendjeje në shkrimin e shqipes me alfabete të ndryshme se, siç shkruan Samiu, "Është vërtet që shumë Shqipëtar' edhe të huaj kanë shkruarë shumë gjëra më gjuhët shqip: po nuk' i kanë shkruarë gjithë me një palë shkronja, me shkronja, që të mundinë të quhenë shkronja shqipe. Ca kanë shkruarë me shkronja llatinishte, ca me greqishte, ca me arabishte edhe ca me shkronja të çpikura e të panjohura prej njeriu..." 6
- Duke vepruar me metodën fono-silabike, në tri-katër faqet në vazhdim, jepet pasqyra thuajse e plotë e rrokjeve të gjuhës sonë, fomuar nga të 29 bashkëtingëlloret me rradhë bashkuar me secilën nga zanoret.
- Pasi përsëriten disa herë, në sasi të arsyeshme dhe të mjaftueshme për t'u përvetësuar nga nxënësit, pa krijuar mbingarkesë, kalohet në dhënien e fjalëve të veçanta, duke ruajtur përsëri një shkallëzim të natyrshëm, për nga sasia dhe vështirësia e tyre, të cilat jepen në dy forma (të ndara në rrokje dhe bashkë). Kështu fillohet nga fjalë njërrokëshe të hapura e të mbyllura si : dhe, gjû, hû, hâ, ah, yll, bar, fik etj. dhe për të arritur në fjalë me shumë rrokje si xbu- ku- ro- ne- në, hi- dhë- ro- nem, për- vë- lo- nem, nga- të- rro- ne- në, u- për- dre- dhë- kë- shi- në etj. 7
Teksti që vazhdon menjëherë pas pjesës së mësimit të lexim- shkrimit, është i gjatë, rreth l4 faqe, në të cilin jepen, teorikisht dhe praktikisht, disa nga mënyrat kryesore të leximit dhe të shkrimit të gjuhës shqipe nën titullin "Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip", "që është në të vërtetë fonetika e parë e gjuhës shqipe".8 Ndarja në pjesë që shpesh nuk kalojnë gjysmë faqeje, veç qëllimit kryesor për t'i dhënë lexuesit një ide të përgjithshme për gjuhën shqipe, tinguj-shkronjat e rregullat e shkrimit të tyre dhe për ta kthyer atë në gjuhë mësimi në shkollë, mendojmë së është bërë me qëllim për të shërbyer edhe si njësi mësimore, pra si pjesë leximi, për të aftësuar më tej përdoruesin dhe për të përsosur mekanizmin e leximit.
Shkrimi në fjalë i Jani Vretos është një punim shkencor-pedagogjik me vlera për gjuhën shqipe dhe për didaktikën e përvetësimit të saj, në të cilin jepen udhëzime të qarta e të plota se si do të përdoret teksti dhe si mund të përvetësohet saktë dhe pa gabime gjuha e shkruar shqipe. Në të jepet ideja, e cila u realizua në hartimin e alfabetit të Stambollit, që çdo tingull të ketë një shkronjë, duke theksuar se: "...duhetë për çdo zë të vetëmë dhe të pandam të saj një shënjezë mbë vethe që quhetë shkronjëzë a shkronjezë"9 dhe sqaron konceptin tingull dhe lidhjen e saj me shënjën që e përfaqëson. Autori sqaron lexuesin- bashkatdhetar se gjuha shqipe ka tridhjetë e gjashtë tinguj-shkronja dhe si ndahen ato. Ai jep edhe disa njohuri të thjeshta gjuhësore, të dobishme për cilindo që mëson gjuhën e shkruar shqipe si: ç'është rrokja, fjala, fjalia, si formohen ato, duke ilustruar me shembuj për secilin rast etj. dhe për të arritur edhe në ide mjaft interesante për lidhjen e gjuhës me mendimin dhe rolin e gjuhës në shoqëri.
Kanë shumë vlera shkencore dhe didaktike, dhe jo vetëm për kohën, por edhe për historinë e gjuhës së shkruar shqipe dhe të abetareve në veçanti, termat e shumta të përdorura në këtë pjesë që lidhen me disa koncepte të domosdoshme në përvetësimin e gjuhës së shkruar edhe sot e kësaj dite si: tingull (zë), shkronjë (shkronjëzë a shkronjezë), alfabet (alfabeta), zanore (zëtore- për ato shkronja që kanë zë të qëruar), bashkëtingëllore (mezëtore- për ato shkronja që nuk kanë zë të qëruar), rrokje (zëpjekje) etj. Për shenjat e pikësimit përdor disa terma interesante si mbaronjë (për pikë), mbaronjezë (për pikëpresje), çudizë (për pikëçuditje) etj.
Krijoni Kontakt