Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016

    11 letra të Dom Nikollë Gazullit për Norbert Joklin

    Shqiptar
    Registered User
    (7/10/00 7:45:13 am)
    --------------------------------------------------------------------------------
    Prof. As. Dr. Petrit Kotrri



    Në mars të vitit 1994, me rastin e qëndrimit tim studimor në Austri, munda të hulumtoj trashëgiminë gjuhësore të Norbert Joklit në repartin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Vjenës. Midis të tjerash, u njoha edhe me letërkëmbimin e albanologut të shquar me indoeuropianistë, ballkanologë, albanologë dhe studiues shqiptarë. Nga letërkëmbimi i Joklit me Gazullin arrita të njihem me 12 letra, të cilat i fotokopjova. 11 letra janë të shkruara nga Gazulli (njëra prej të cilave gjermanisht) dhe 1 letër nga Jokli për Gazullin (me shkrim dore). Në të vërtetë, dihet se letërkëmbimi i tyre arrin në 30 letra dërguar njëri-tjetrit.

    Letërkëmbimi i Joklit me Gazullin ka qenë mjaft i pasur dhe paraqet rëndësi të veçantë për albanologjinë. Për këtë letërkëmbim, kam kumtuar në qershor të vitit 1995, në Seminarin e Dytë Ndërkombëtar "Shkodra në Shekuj", kumtesë e cila u botua para pak kohësh në vëllimin II të përmbledhjes së seminarit të lartpërmendur, si botim i Muzeut Historik të Shkodrës. Po ashtu, letërkëmbimin e Joklit me Gazullin e kam trajtuar edhe në kapitullin V të disertacionit tim, me titull "Norbert Jokl und seine Studien zur albanischen Sprache" (Innsbruck, 1995), në faqet 123-125. Në fund të punimit ë disertacionit kam bashkangjitur edhe letrat e lartpermendura, krahas të tjerave dhe disa dokumente nga postulati i Joklit.

    Letrat e Gazullit për Joklin, që paraqiten sot për botim, i quaj të rëndësishme për historinë e albanologjisë, sepse ato na ndihmojnë jo vetëm për të ndriçuar më tej personalitetin e Joklit dhe Gazullit, por edhe sepse shërbejnë si një burim i vlefshëm informacioni për studiuesit, veçanërisht për leksikologët dhe etimologët. Letrat dëshmojnë për lidhjet miqësore dhe shkencore të Joklit dhe Gazullit për punën që bënin secili për hartimin e fjalorëve, Gazulli për Fjalorin e fjalëve të rrala dhe Jokli për hartimin e një fjalori etimologjik për shqipen. Gazulli i dërgonte Joklit për konsultim listat e fjalëve të mbledhura dhe ky i fundit i shqyrtonte dhe i dërgonte mendimet e tij, por njëkohsisht i shfrytëzonte ato për hulumtimin e metejshëm në studimet e tij për shqipen.

    Në letren e datës 21. VII. 1932, Gazulli i shkruante Joklit, midis të tjerash, se "...këtu pritet me padurim fjalori i Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë t'arsueme". Se sa i kënaqur ishte Gazulli për miqësinë që kishte me Joklin dhe sa besim kishte ai tek ky albanolog i shquar, duket edhe nga letra që i dërgonte më 2.VII. 1934, ku i shkruante: "Si do qi ta bajë Perendija, jam faret i kënaqun qi fjalët e mbeledhuna ranë n'dorë të nji auktoritetit botnuer sikuerse jeni Ju, i Përshndritshmi Z. Profesor. Tui Ju urue jetë e shëndet, të bindun se nuk dijmë m'u çmue sa meritoni, me shpresë të plotë sa miqesija e jonë s ka m'u kputë me kaq por ka me vazhdue ndë këtë jetë e nd'atë tjetrën, pse tui kjenë Zot Dija vetë, ne qi kërkojmë Dijen kjo natyrisht te Perendija do të na çojë".


    Shkodër, më 17 dhjetor 1999.


    1

    Nikoll Gazulli, meshtar

    Famullitar i Riollit

    Te Nush Çoba - Serreq (Adresa e letërdërguesit. shën. i Phoenix)

    ndë Shkodër


    Zotnij Profesor,


    Letrën t'Uej e mora me kohë, d.m.th. me 28-XI-; por mue letra me gjet të smuetë, prandaj nuk muejta me u përgjegje përpara.

    Asht vështirë me i mbëledhë mbë nji letër sendet qi kishe me dashtë me Ju shkrue e me Ju pëvetë.

    Gëzohem qi po e njofim njeni - tjetrin; por Ju e dini mirë se un me atë artikull mbi vepre të Buzukut s'qita gjâ në dritë pse libri ishte kenë fotografue, jo me njoftë prej Kard. Ehrle, tash qeshi edhe vetë sa mirë u rrejt A.V. Prendushi e ma botoj atë shkrim të vogëlth.

    Zotnij Profesor, Ju keni arësye për fjalën: meteh: me e nxjerrë prej meteho; po Ju diftoj, se un nuk e kam ndie këtu ndë Riolle këtë fjalë veç ndë këtë trajtë; metefe; prandaj s'jam i sigurtë se gjindet nji fjalë; meteh, ose metef; qe arësyeja: më 12, dhetuer 1928, kur ishe Famullitar ndë Jueshë afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith ç pata ashtu u' shkrij edhe mundi i sa vjtevet; që pata mbëledhë fjalë e edhe shum gojdhanë përmbi fise shqiptare të verit.

    Nji ftillk tehi: ich schneide: kam pëvete por nuk mund e ka gjetë deri mbe sod; me gjith këta, në mos u gjetët mundet qi ka kenë, sikurse e mendoni për bukurij Z. e Juej; janë plot fjalë qi na kanë hupe që për shembull: asht nji lagje afër Kryeziut ndë Mirditë qi i thonë: Perrez; banorët më diftojshin se aj emen difton: Mëriz. Prap ndë Merditë asht nji e thanëme: hiqja bricën asajë pune: qi don me thanë mos me ja mbajtë ma uzdajën ndoj sendit; mirë po fjala: bricë: ç'don me thanë? Tuj pëvetë marr vesh se, motit, fjala: bricë: don me thanë si ajo germanishte: Flinte; gurshkrepës, gurgac, gurzjarm; nji dishmij se shum fjalë shqipe kanë hupë, do të tjera janë ruejtë ndë do të shprehuna e lypet imtij me ju kujtue.

    Z. Profesor, mua për vedi më mungon gatimi për këto studime...

    Mbasi m'u dogjenë shkrimet prap jam vue me mbëledhë fjalë të rralla qi më duket se nuk janë të shkrueme ndokund; fjalori i Tasit asht shum i mirë, porse don përdorue "cum grano salis" pse, po xamë ndë fq.85 fjalën: edafos: ndë vend se me e përkëthye me fjalën: truell: gabimisht qet fjalën: shuall; ndë fq.155, ven si fjalë shqipe: shor; qi dihet se s'asht tjetër veç: signor, e, scior, i venedikasvet. I mungon infiniti i ftillqevet qi asht me randësij, pse p.x.fq, 204, ftillku: ndrys: s'dihet a asht: me ndryse, me ndrytë?

    Zotnij, me ndimë të Zotit kam me Jau dërgue fjalët qi kam mbëledhë e qi janë të rralla, vetun kësi shtegut s'po mundem me Ju rreshtue gja mbassi po jam i pamuejshëm; vetuem U lutem edhe Jue me ma ba ndoj ndimë, sidomos me ndoj të Përkohëshme qi merret me këso sendesh e, me ndoj libër ose fjaluer me illustracjone pse ka me më vyejtë për me gjetë domethanien e fjalësë ndë nji giuhë tjetër; sidomos nd'emna barnash ose barishtash. Fjalët qi kam nuk janë fort shum, por me gjith këta s'dij a kanë me Ju vyejtë gja; me gjith këta sa ma parë të mundem kam me i rreshtue, si të mundem, e me Jau dërgue, tuj diftue vendin se ku i kam gjetë, pse me folë të drejtën un tjetër dishmij ma të fortë s'mundem me qitë; në kjoftë se un e kam marrë vesht keq domethanien e njaj fjalës, njaj qi don mund ta gjejnë prap nd'atë vend ku e gjeta vetë, por me më qortue mue.

    Tuj Ju urue me gjith zemër Kërshndellat e bardha e nji motmot të rij me jetë e me shëndet, jes;


    Me nderime të veçanta

    i Z. së Juej

    N. Gazulli. M.

    Fam.

    Riollë, më 14-XII-30.




    2

    Nikoll Gazulli, meshtar.

    Famullitar i Riollit

    Te Nush Çoba - Serreq

    Shkodër


    Z. Profesor,


    Si mbas fjalës së dhanëme po nisi me Ju dërgue fjalët e rralla qi keni dishërue.

    Kësi shtegut po Ju dërgoj gërmat A - B, ; ma von kam me Ju nisë edhe të tjerat; s'mund me Jau nisë të gjitha për nji herë pse i kam të shkapërderdhuna ndër letra; mandej Z. e juej të keni mirësin me më diftue a jeni të kënaqun qi të Jau nisi kështu a por lypeni ndryshej me Jua que; ka nji herë janë fjalë qi asht vështirë me ndeshe të dyten herë mbe to; tuj kenë giuha nën sundim të popullit e jo ndë dorë të dijshmëvet merret me mend qi populli e ndryshon jo në katund por edhe prej nji nierit në nji tjetër.


    Jes me shumë nderime

    i Z. së Juej N. Gazulli


    Riollë më 30-XII-30


    3

    D. Nikoll Gazulli

    te Nush Çoba - Serreq

    Shkodër


    Z. Profesor,


    Jam i lumtun me Jua nisë kësi shtegut me këtë letër gërmat C, Ç, D, DH, E, F, të fjalëvet të rralla qi shumica, besoj s'janë shkrue ndë kurrnji libër.

    Kam marrë letrën e Z. së Juej e falem nderës shum për libër qi më keni dërgue; ishte shum i bukur, por mjerisht me landë pak; kam mendue se mue kishte me m'u lypë edhe nji fjaluer germanisht si aj qi asht ndë giuhë franseze d.m.th. Larouse; aty kishe me gjetë shum sende qi i përkasinë mekanikës etr, qi me vyjnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe; thaçë, germanisht, pse un këtë giuhë e marr vesht bukur mirë, mbassi kam ndejë nd'Innsbruck nja tre semestra. (vj. 1917-8-9, ndë kallnduer vojta në Romë).

    U lutem shum për bibliothekë mos me na lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me U randue s'due asnji fije), pse mue m'asht djegë edhe shka pata; këtu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd'Austriaj qi m'i gjetë libra për përdorim, pa i ble, mandej me i ble lypenë të holla qi te un s'gjindenë mbassi mit ma shpuenë kuleten: rrënoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m'u ngij me buk kollomoqe......

    Kam ba nji mijë flije me ble nje këtë makinë me shkrue.

    U lutem shum me më diftue a po u bienë në dorë këto shkrime, pse kam ruejtë nji kopje ndë kjoftë se humbinë këto qi po nisi.

    T'ishim njoftë ma përpara shum mirë kishte kenë, pse mue m'u dogjenë sa shkrime e, sidomos fjalë të rralla qi vetëm prej skamit s'muejta me i botue; kishe gatue landën e nji fjalorit, por... kjoftë ba vullnesa e Zotit.

    Kam ndie se afër Kninit (Dalmacje) asht sbelue një qytet ilir; ma giatë nuk dij; ndoshta Z. e Juej, ndë rasë se gjindenë shkrime skeni ma e lanë pa u interesue; nji fitim i madh do t'ishte për dije të giuhësisë m'u dijtë ilirishtja e vjetër, àshtu edhe për historij, pse s'kishinë me folë ma me "giasa", por me sigurij.

    Kur do qi ta botoni fjalorin e Juej, qi besoj s'ka me vonue shum vjet, kam me kenë i gëzuem me pasë nji kopje për kujtim të Z. së Juej.

    U lutem me pasë mirësin me më diftue, ndër këto mbishkrime të venetve e, të Mesapve, mbi të cillat shkruenë nja disa german me randësij, a ka gja shqip ndër to? Un kam këndue diç ndë fletoren o ma mirë të përkohshmen "Agimi" qi delte ndë Shkodër, por s'më mbushet mendja se ato spjegime të dhanuna janë qi mjaftojnë.

    U falem ndersë edhe nji herë për libër të dërguem; e jes:


    me nderime të plota

    N. Gazulli, meshtar.


    Riollë, më 3-II-31



    4

    D. Nikoll Gazulli.

    Fam. Riollit

    Te Nush Çoba - Serreq - Shkodër


    Zotnij Profesor,


    Me gëzim të vërtetë po Jau nisi fjalët e rralla, prej faqes 13, deri në fq. 31.

    Germa K asht e fillueme e jo e kryeme; s'kishe m'u kursye me Jau dërgue të gjitha për nji herë porse i kam të shpërndamë aty këtu ndë nji Notes, ku gjindenë mbrendë "oves et boves"... prandaj Ju lutem mos me u mërzitë, pse sa ma parë qi të ma lejojnë zyret e mia s'kam m'u kursye me i rreshtue, e, me Jau nisë.

    Ju falem nderës për librin e dytë qi më keni dërgue; besoj qi të dy kanë me më vyejtë për me caktue emna; mbas do kohe qi të baj hetime kam me Jau dërgue nji mbëledhje ndë vedi.


    Tuj Ju urue jetë e shëndet, jes si përherë,


    I Z. së Juej

    N. Gazulli M.


    Riollë, më 26-II-31.

  2. #2
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    5

    Z. Profesor,


    Po Ju nisi prej faqes 50- deri në 82, të fjalëvet të rralla qi kam muejtë me mbëledhë.

    Kështu kam krye, besoj, përlimin qi i vuna vedit, ndaj Z. Tande.

    Kishte me pasë dishir me Ju dërgue edhe do toponomastikë të Malësisë së Madhe; ndoshta Ju vyen.

    Ndë këtë mbeledhje janë edhë do fjalë me pikë pëvetëse; i kam vu në rresht të tjeravet vetëm sa me i vyejtë dikuejt si gjurmë për me i ndjekë. Ndë seminar papnuer ndë Shkodër asht tuj u pregatitë nji fjaluer i shqipes qi ka me dalë me randësij shum, pse ndë të po punon Z. D. Ndre Mjeda qi asht ndër ma të zott si ndë theorij si ndë praktikë të giuhës, prandaj ka me dalë si nji fjaluer themeluer për ata qi kanë me u botue ma vonë.


    Kuer te Ju dalinë ngae, s'keni m'u kursye pa ma çfaqë me nji letër përshtypjen qi po Ju ban këjo mbëledhje e emja; asht e vogël e vërtetë, ashtu edhe shtjellimi i fjalëvet s'asht gjithmon ma i miri, por me gjithkëta, asht mbas dishirit të Juej, pse shumica e fjalëvet qi janë mbrendë kurr, kujtoj s'kjenë shkrue.

    Besoj qi nji mbëledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj O.F.M famullitar për tash ndë Toplanë (Adresa - Kuvendi i Franciskajvet - Giuhadol - Shkodër); besoj qi s'kishte m'u kursye me jau çue.

    U falem nderes shum fort për librin e mbramë qi më dërguet.

    Tuj Ju përshëndetë me gjith zemër, jes:


    I Z. së Juej

    D. Nikoll Gazulli


    Riollë, më II-V-31


    6

    D. Nikoll Gazulli

    Famullitar i Riollit

    Te Nush Çoba - Serreq


    Z. Profesor,


    Këtu mbrendë po Ju mbylli përshkrimin e fjalëve të rralla prej faqes 32 (përfshi, deri në faqe 49).

    Besoj qi do t'i keni marrë faqet të tjera qi Jau kam dërgue ndë muej të Frorit, por qi un s'kam lajm prej Jush ende se i keni marrë; disheroj me e dijtë.

    Ju falem nderës shum për librin e dytë qi më keni dërgue; besoj qi ka me më vyejtë shum, sadoqi duhet me kërkue shum për me gjetë ata emna bimësh.

    Tuj Ju falun nderës edhe nji herë për libër, jes:


    me nderime të veçanta

    I Z. së Juej

    N. Gazulli Meshtar


    Riolli, më 11, marc. 1931




    7

    N. Gazulli, meshtar

    Famullitar i Riollit

    te Nush Çoba - Serreq

    Shkodra - Shqipnij


    Z. Profesor,


    Tui kenë se kam nji mbledhje fjalësh qi prej fq. 82, qi Ju pata dërgue mbërrin deri në faqen 97, kishe me dashtë me i nisë me e dijtë se mundenë me Ju vëjijtë gjâ për fjalorin t'Uej.

    Ndër këto fjalë do të çuditëshme qi se besojshe se i ka giuha shqipe e mbajtun prej shum kuej si nji giuhë barbare.

    Kam me Ju dërgue edhe do ndreqje gabimesh të bame ndër fletë të përparëshme.

    Kuer të marr nji gjegje, kam me i rreshtue fjalët qi due të Ju dërgoj. Ashtu të keni mirësin me më diftue a u muerenë të gjitha fletët e dërgueme. Librat e Juej më kanë vëjijtë shum fort ndër hulumtime. Me kaq përfundoj e, mbetem.


    Me nderime

    mik i Juej

    N. Gazulli


    Riollë më 3-IV-32.


    8

    I ndershmi Z. Profesor.


    Po Ju nisi edhe faqet 83 deri në faqen 100 të mbëledhjes së fjalëvet. Mbrendë keni edhe faqen 76 qi kje harrue ndë numrim të fletvet, ashtu edhe dy faqe qortime gabimesh.

    Kuerdo qi të mundem me i shtue kësaje mbëledhje ndonji faqe fjalësh së mbëledhuna ose gabimesh të gjetuna prap kam me kenë gati me U a dërgue. Këtu pritet me pa-durim fjalori i Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë t'arsueme.

    Tui Ju dërgue të fala shum, mbetem:


    me nderim shum

    I Z. së Juej

    D. N. Gazulli


    Riollë më 21-VII-32.




    9

    D. Nikoll Gazulli

    Famullitari i Riollit

    Te Rrok Çoba - Serreq

    Shkodre - Albanien


    Sehr geehrter Herr Professor!


    Voriges Jahr schrieb ich Ihnen einen Brief in dem erlaubte ich mir Ihnen die Frage zu wenden, ob der Substantiv: Shkarthdhi: sei ethymologisch: Servus (Sklave), oder: Diener, Lehrling (Shegert).

    Die erste Bezeichnung wird verteidigt mit den Zeitwörter: Përshkardhe, und, Sh......... etc, die letzte von Wört. Bashkimi.

    Ich schrieb damals albanisch, weil ich jetzt deutch schriebe werden Sie vielleicht die Güte haben die ersehnte Antwort mir zu schicken. Hier habe ich noch vom Munde des Volkes gesammelte Wörter; wenn Sie wünschen werde ich die Wörter ordinieren und an Ihnen schicken. Wann wird Ihr erwartetes Wörterbuch ins Licht kommen? D. Mjedja wünscht ein Wörterbuch von seltenen Wörter drucken, und hat auch meine Zusammenarbeit ersucht; aber weil ich Ihnen meinen Wörterschatz geschickt habe, ich möchte von Ihnen die Erlaubniss dazu haben.


    Einstweilen mit herzlichen Grüssen


    Ihr ergebener

    D. N. Gazulli

    Pf. von Riolli




    10

    Fam. i Riollit

    te Rrok Çoba - Serreq


    Plot e Ndereshemi Z. Profesor,


    Letra e Juej shkrue me 30 dhetuer 1933, më ra n'dorë me 24-I-34. Ju falem nderës shum për mirësin qi keni pasun me më gjegjun pse edhe nji letre qi Ju pata dërgue vjet, tui pasë ajo mbete pa-gjegje (duket se nuk e keni marrë) me pat shtij do idhënim jo për tjetrë por u tutshe mos t'u kishte ndollë gja e ligë, e kështu kishim pasë nji humbje të keqe fort, sikuerse na ndolli me Dr. Milan Shufflayn, i cilli po t'kishte kjenë jet-gejatë, sod do të na kishte vu ndë një mbështetje të qindrueshëme historin kombtare.

    Sa për nji mbëledhje fjalësh se tjera qi kam grumbullue, sa mâ parë qi të mundem kam me Ju a dërgue, tui çue ndreqje gabimesh ashtu edhe identifikimin e do bimvet (të cillin muejta me e ba me ndihmën e Dr. Bruno Schütt prej Bremen, e qi ndej këtu tek un nja trij dit, e besoj prap ndë muej të Korrikut ka me i a behun). Por massi kam harrue tash se cilla kje faqja ma e mbrama qi Ju dërgova në paçi ngaeme kjenë me ma ba me të dijteme, kshtû qi mos të përsëris sende të njoftëme.

    Përkëthimi i "Esclave" qi bana shqip, mjerisht kje botue teprë për ngut prei nji dashamirit tim, pse qëllimi i im kje me shkrue nd'oroena edhe vështrimin e fjalëvet, ashtu edhe u qit aty nji fjalë qi s'asht prei mejet, ka edhe gabime shtypi. Botuesi thotë ndë titull me këtë ndryshim qi e para s'asht fjalë shqipe. fq.1. Ky skej i nji tokës së ngonte: fjala: i ngonte (vetë shkruejta: se shueme: se shkrehtueme, asht pasunija e shtypndreqsit, jo e emja, as s'dij se kah vjen as se ku flitet. Fq.7: peng zemre: asht për: beng zemre (bengu i burrit, mezja, testja (Tyrq) e burrit). Fq.10: me i mbajë shtazët: me i majë shtazët (pse s'hyn germa B, ndë fjalën me majë). truvesa: trevesa, o truesa. fq.II: mb'atë vend: mb'atë mend (momentum-i Malsija e Madhe); fq. 12: me lott tona: me lott tonë; fq. 15: me lott të saja: me lott të sajë. fq.16: ndë fund: u trushkullue: u trushullue (sikurse e keni ndë mbëledhje); fq.18: e shkalqarme: e shkëlqarme: këtu: splendidus; fq.19: stremet e ndryshta: stremat e ndryshtë; fq.20: rases fejsh: fejtar; poshtë: sa qi shpija e tynvet jo nji shpij etr: sa qi shpija e tynvet u dukte jo etr (hangre mjerisht verbi: u dukte); fq.21: tuhtte tuhte (esalare): shatra patra (tyrqisht): tui u marakotë; fq. 22, epshet e atdhedashnisë u njehshinë ndë: ndreq: u ndezshinë ndë të; fq. 23: kranjor i rij: krahnjor i rij (shpresë e re; fj. krahnjor-i, fjalë qi s'e ndiej ma, ndër ma të rrallat si: me cahe (pague) por qi janë); fq. 27: prisi i stercit (?): prisi i stremit (fjala strec: i vjen era sterc: er e keqe (ndoshta si : era sperc: er sjapit); fq. 28: me të sqaqun: ital: schiacciato (fjalë vu pa - vend as nuk duhet faret); fq. 29: vazhdare tjera: vazhdarë tjerë; fq. 30: mundshsoj: mundshtoj; fq. 31: akulluene syt; fq 37: prei nierzvet të drejtës: prei nierzvet të drejtsisë: gjedhshter: gjedhestre-a); fq 38: me u e, me pengim natën: me u e, prigejim (vigilia) natën; poshtë: kini edhe ju ka nji nanë: keni edhe ju etr. 39: u jshue: u lëshue. 41: gopzerrt: ndë gapzerrt; 42: pishë të ndezme: pisha të ndezme; 47: ndë fund: manga: magna constantina etr. Këto janë gabimet të cillvet u don ruejtun për mos me marrun mbe thue; por besoj qi Z. e Juej tui pasun përpara mbëledhjen teme të fjalëvet u jeni kuejtue me kohë gabimevet të shumta.

    Shtoj qi fjalën: me përshkardhë: e përdora ndë vështrim: me ba rob, in die Sklaverie führen.

    Tash tui u përgjegjun pvetjevet të Z. së Juej:

    1) Si shprehet ndë Merditë emni i lumit Gomsiqe? Për sa dij vetë: Gomsiqe.

    2) Si fletet ndë Shkodrë emni Bardhanjol (a Bardanjol) ? Ndër ne, Zotnij, s'ka as Bardhanjol, as Bardanjol; këta asht marrë prei shkrimtarëvet italjan; por ndë Shkodrë ka: Bardhanjore-t (emni vjen prei Bardhaj-t qi asht emni i katundit afre Shkodret: banorët vetëm emnohene: Bardhanjore-t) kurrkush ndë Shkodre s'thotë: Bardhanjore, (o ma zij: Bardhanjol o Bardanjol) por me dalë n' Bardhaj, me shkue n' Bardhaj; kam kjenë te nji Bardhanjuer etr. Kodrat e Bardhanjorëve (ku u ba lufta ndë vj. 1912 - 13, të cillën luftë e pash me sy të mij: prei këtij emnit e prei kësajë lufte, duel emni: Bardanjol, o, Bardhanjol, ndër shkrimtar të huej).

    3) Emni appellativ: Kashnjet-i: âsht ndër ne gjithkund, por jo vetëm si emën vendi por si substantiv; e ky êmen gjindet gjithkund; vështrimi i tij nuk âsht: Eichenwald, o, quercetum; por castagneto, Kastanienwald.

    Tash tui Ju çokun dorën për së largu, e tui Ju dërgue urimet e mija ma të përzemërtat, mbetem:


    I Z. së Juej

    Nikollë Gazulli Meshtar

    Famullitari i Riollit.


    Riollë më 29.I.34.

    Mb. Sh. Kur të keni ndonji pvetje, mundeni me ma dërgue pa-syq (ohne Rücksicht) pse për sa të dij jam gati me Ju sherbye, jo vetëm, por edhe e baj me gjith andje.


    Njaj vetë.


    11

    D. Nikollë Gazulli

    Te Rrok Çoba - Serreq -Shkodre


    I Përshëndritshmi Z. Profesor,


    Kam nderen, me këtë letër me Ju dergue edhe fjalët e rralla qi mbëlodha ndër këto vjetët e mbrama.

    Fletët i pata shkrue për vedi, por mbassi s'po kam ngae me i përshkrue rishtas më falni pse po Jua nisi shkatërr. Në faqen 103 keni edhe do fjalë tosknishte të xjerrme prei nji libri Zoologije: px. Mesa (Maza) për: Zellplazma: por s'asht fjalë populli ndë këtë vështrim vetëm nji të përshtatun; ashtu: Kilivishe: për Zentralkörper: por vështrimi i fjalës i njimendet do të jet ndonji tjetër; nd'atë faqe shumica e fjalëvet janë të mbëledhëme prei mejet. Faqja 111 u përsrit, prandaj deri tash keni atje 115 faqe qi po Ju dërgoj gjithsejt. Keni me gjetë dy verba: m'u çgjetë (distare) me kadyzue (binarë) qi s'janë ndë popull por i kam përba si për provë. Verbi: m'u Zdrysë (sh. germat: S, e, Z) asht: Instare. Berkini: asht: (Sorbus) Tominaria Clusi: Elsbeere. Emnat e bimve duene marrë me njatë vështrimin qi u dhaçë ndër faqe të mbrama; p.x. Dashter: Acanthus (tui shlye krejt vështrimet tjera).

    Nuk asht çudij pse vetë Baldacci (L'Albania, fq. 122) shkruan: Boshterr: Forsythia Europea: por dihet mirë qi boshterr: Ligustrum, e, Forsythia Hyshter, Fyzhnje shtoger (Puka: ku asht kjo bimë; fjala shtoger, ndë fillim mund të ket shenjue mâ fort: Shtog i egër: Pimpernuss. Prap Dr. Schütt më thonte për Zogël-a: Rhamnus Carthatica por kjo bima ka ferra; un zoglën e shoh për ditë e asht me sigurij matematike: Rhamnus frangula.

    Kishe me dashtë me ba oroena tjera, pse sa të mundem due me kjenë objektiv; ndoshta kam me muejtë me e botue këtë shkrim të vogël edhe vetë; pa tham; ndoshta: pse jam si Damokliu ndë gostën e famshëme të Djonizit... Si so qi ta bajë Perëndija, jam faret i kënaqun qi fjalët e mbëledhuna ranë n'dorë të nji auktoritetit botnuer sikuerse jeni Ju, i Përshdritshmi Z. Profesor.

    Tui Ju urue jetë e shëndet, të bindun sa nuk dijmë m'u çmue sa meritoni, me shpresë të plotë se miqësia e jonë s'ka m'u kputë me kaq, por ka me vazhdue ndë këtë jetë e nd'atë tjetrën, pse tui kjenë Zoti Dija vetë, ne qi kërkojmë Dijën kjo natyrisht te Perëndija do të na çojë, po ndenshkruhem:


    Me Bindje të Plotë

    I Z. së Juej

    D. Nikollë Gazulli

    Famullitari i Riollit e Administratori i Reçit - Lohës.


    Lugu i Riollit më 2-VII-34.




    Phoenix 13_14 - Artikulli 05
    www.dardania.com/phoenix/...art05.html

    © Phoenix - Bashkimi Katolik i Publicistëve Shqiptarë
    Riprodhimi dhe shpërndarja vetëm me lejen e redaksisë.
    www.dardania.com/phoenix

Tema të Ngjashme

  1. Rrëfimet e Nikollë Lesit për krerët e politikës shqiptare
    Nga White_Angel në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 20-01-2007, 09:03
  2. Nikollë Lesi ngatërron derën e banjës
    Nga cikita në forumin Humor shqiptar
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 07-11-2006, 11:30
  3. "Fjalorthi" i Gazullit per arbnoret e plogshte
    Nga Xhuxhumaku në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-11-2005, 18:15
  4. NORBERT JOKL - Figurë e shquar e albanologjisë
    Nga rudo në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-02-2005, 03:35
  5. Nikollë Mrijaj (1911-1999)
    Nga Albo në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-12-2002, 11:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •