Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-04-2003
    Vendndodhja
    Norrköping, Suedi
    Postime
    215

    Kontributi i revistës "Albania" të Faik Konicës për pasurimin e fjalorit të shqipes

    Si formohen fjalë të reja? Përvoja na tregon, se ndryshimet shoqërore dhe kulturore, risitë teknike dhe ndikimi nga bota e jashtme janë me rëndësi të madhe për formimin e fjalëve të reja në një gjuhë moderne. Dhe ky formim bëhet normalisht në mënyrë spontane. Një person ose grup me një pozitë të fortë fillon të përdorë një fjalë, fjala përhapet përmes mediave dhe pas pak ajo inkuadrohet në fjalorin e përbashkët të kësaj gjuhe.

    Mirëpo, një pjesë e mirë e gjuhës letrare shqipe u formua përmes përpjekjeve sistematike. Në revistën "Albania" që u botua nga Faik Konica në vitet 1897-1909 u paraqiten rregullisht artikuj "Për themelin e një gjuhës letrerishtës shqip". Ne do të trajtojmë këtu disa prej këtyre artikujve gjuhësorë me qëllim të analizojmë në cfarë mase këto inovacione ishin me sukses, me fjalë tjera nëse rezultatet e këtyre përpjekjeve ishin me vlerë të qëndrueshme.

    Rasti i Faik Konicës, intelektual i dorës së parë në kohën e Rilindjes, është shembulli më flagrant (përvec ai i Gjergj Fishtës) i censurimit, mohimit, të mos themi asgjësimit kulturor të një prej figurave më të ndritura në historinë e kulturës shqipe. Ai në Shqipërinë socialiste u trajtua si person jo-ekzistues dhe kryevepra e tij, revista "Albania", u mohua për 50 vite në radhë. Urrejtja e qarqeve sunduese të Shqipërisë ndaj Faik Konicës mori përmasa paranoide. Kjo urrejtje, ky mohim, me të vërtetë shkaktoi një dëmë të madhe; pikëpamjet e intelektualëve shqiptarë rreth zhvillimit të kulturës shqiptare u shtrëmbëruan, sepse e vërteta, se "Albania" kishte luajtur një rol vendimtar në jetën kulturore shqiptare gjatë fazës së dytë të Rilindjes kombëtare, u la në heshtje, dhe kush guxoi të shkruante pozitivisht për Konicën dhe veprat e tij do të bënte vetëvrasje politike dhe shoqërore!

    Para shumë vitesh, në sajë të kujdesit të Ramadan Osmanit, arësimtar nga Presheva me banim në Suedi, mora në fotokopje një pjesë të mirë të vëllimeve të revistës "Albania", dhe shumë herë gjatë viteve i kam shfletuar edhe lexuar. Kjo revistë është një burim i pashtërshëm për të gjithë ata që duan të mësojnë dicka për kulturën shqiptare.

    Kam ndërmend të ju prezantoj dicka nga shkrimet që u botuan në revistën "Albania" në lidhje me fjalorin shqip dhe formimin e fjalëve të reja. Që në vitin 1897 (A.97) revista merr në shqyrtim këtë temë me rëndësi dhe shkruan fillimisht (Kam bërë disa modifikime ortografike në përputhje me drejtshkrimin e sotëm):

    "Gjuha shqip sot për sot s'është mjaft e gdhendur, ka nevojë për shumë fjalë; gjithë shqipëtarët po përpiqen të shtojnë thesarin e gjuhës me një zell që kemi detyrë ta lëvdojmë. Po zelli s'është mjaft; për të prerë fjalë të ra duhen mbajtur dhe ca rregulla filologjie. S'ka gjë më të shëmtuar dhe më pak të drejtë se të lëshohen fjalët në shqipen si janë në gjuhërat ngaha u-muarën; duken si të huaja midis të tjerave fjalë shqip. Duhet tu hedhim kripën e gjuhës tonë, ti veshim dhe ti ndërtojmë, shkurt ti shqipojmë; pastaj të themi se me të vërtet gjuha tone fitoi fjalë të ra."

    Konica pastaj merr disa shembuj nga greqishtja dhe latinishtja për të vënë në dukje se si duhet të përshtaten fjalët nga këto gjuhë klasike kur ato do të inkuadrohen në gjuhën shqipe.

    Në fund të artikullit Konica propozon disa fjalë të reja për të shtuar fjalorin e shqipes:

    LUMTONJ - "rendre heureux" - unë jap lumturi, gëzim
    SHKENCË-A - "science" -
    SHKENCETAR - "njeri që përpiqet me shkencën"
    METHUDHË-A - "méthode"
    SHOKOLOGJI - "sociologie"
    KRYEPUNË - "chef-d'oevre" - kryevepër
    HUATOR-I - borxhli
    FARESONJ - "anéantir" - asgjësoj
    FIQAL "officier"
    GJIMTAR - "inventeur"
    SHTIM-I nga fjala shtonj
    I,E VEREJSHIM-E - gjë që është për të vënë re
    SHTET-I - ¨"état"
    SHTETISTIKË - "statistique"
    ANSUJE-A - "île" - ishull
    FATKËRKIMTAR - "aventurier"
    MIAFTONJ - "satisfaire"
    PEGERIM - "profanation"
    PRALLËTOR - "romanicer" - autori i romanëve
    DESHTEMIM - "testament"
    FESHTYR - "difficile" - vështirë
    KRESHPENDENCË-A - "correspondence"

    Prej këtyre 22 fjalëve, 5 janë të inkuadruar në të njëjtën formë në gjuhën e sotme shqipe, 4 të tjera kanë pësuar disa modifikime.

    Nëqoftëse një vazhdim i këtij studimi motivohet nga interesimi i lexuesve do të përpiqem të ju ofroj në të ardhmen shembuj të rinj të veprimtarisë së Konicës për pasurimin e gjuhës shqipe.
    Ullmar Qvick

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-04-2003
    Vendndodhja
    Norrköping, Suedi
    Postime
    215

    Vazhdim

    Në Albania: B.24-25 revista kritikon ashpër përdorimin e fjalëve turke në bisedat e shqiptarëve. (Dua të theksoj se në shumicën e rasteve autori i tekstit nuk shënohet, me siguri disa prej shënimeve nuk kanë si autor Konicën). Prej 52 fjalëve që përmenden në këtë tekst, disa edhe sot kanë përdorim të gjerë:

    Inatosem = zemërohem, muhabet = bisedë, jeshil = i gjelbër dhe jetim = i vorfen sipas tekstit, por sot = pa prindër. Në raste të vecanta, për ti dhënë një farë ngjyrese bisedës ose për arsye të ambientit apo kohës, përdoren: ortak = shok, sot bashkëpunëtor, hyzmet = shërbim, hasëm/dushman = armik, dynja = botë, behar = verë, sokak = rrugicë, nishan = shenjë dhe gjynah = mëkat. Sidomos i kam dëgjuar në shprehje popullore dhe në disa këngë edhe në ditët tona. Më duket se ato kanë një vend të merituar atje - purizmi nuk është në dobi të gjuhës.

    Në B.41 vazhdon artikulli, por fatkeqsisht fotokopja ime është tepër e dobët dhe koha ka bërë punën e vet. Mund të dalloj disa fjalë të cilat sipas revistës "Albania" duhet të hiqen - fjalë që dëgjoj shpesh edhe sot nga goja e shqiptarit (të jem i sinqertë, më shumë nga goja e vjehrrës sime 92-vjecare...):

    Siklet = shtrëngicë, shqetësim, mundim (normale për "nônen"!), hala = ende (shumë e rëndomtë!), shishe = enë qelqi, vakt = kohë etj. Ka mjaft të tjerë por ato nuk dallohen si duhet.

    Faik Konica tregon një interesim edhe për "émera druresh" dhe na jep një listë me 51 prej atyre (C.64).

    Në D.72 një autor nga veriu propozon disa fjalë, të cilat janë sot ndër më të rëndomta në përdorim. Më duket shumë e cuditshme se vetëm 100 vite më përpara ato ishin risi!
    Bari (coban), cështje, shkëlqim, shkoqit (sqaroj, "me bâ karar"), i dendur (i shpeshtë), më ka enda me... (kam qef me...).

    Në D.89 "Lkeni i Hasit" na jep një listë prej më shumë se 90 "emna barnash". Fatkeqsisht nuk jam në gjendje t'i deshifroj; për këtë punë duhet një specialist shqiptar i botanikës.
    Ullmar Qvick

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-04-2003
    Vendndodhja
    Norrköping, Suedi
    Postime
    215

    Vazhdim

    Në vitin 1901 Faik Konica e botoi vëllimin F të revistës. Në faqet 27-28 mund të lexojmë një artikull që ai ka shkruar vetë: "Fjale te ra é te névojshema ne ghuhe shcip". Shpjegimet si më përpara jipen frengjisht edhe turqisht:

    KUVENT - "parlement"

    PERURONJ - "voter" (=votoj, por fjala e sotme "përuroj" do të thotë 'festoj fillimin e një punë, inauguroj')

    ANE - "parti" (=anë) anetar "partisan"

    ZYRTAR - "officier"

    FLAMUR - "drapeau"

    USHTERI - (=si sot)

    OBOR - "cour" (=oborr)

    SHKRIMERI - "bureau" (=buro)

    SUNDIMTAR - "administrateur"

    CEVERI - "gouvernement" (=qeveri)

    CYTET - "cité" (=qytet)

    CYTETERIM - "civilisation" (=qytetërim)

    KRYECYTET - "capitale" (=kryeqytet)

    CHESHTIE - "question" (=cështje)

    SHENJE - "signe" (=shenjë)

    Në këtë listë prej 15 fjalësh, vetëm dy nuk kanë fituar përkrahje në shqipen e sotme.

    Revista "Albania" është shumë e pasur. Në faqet e saj mund të lexojmë për cështje kombëtare, politike, kulturore, për problemet në viset e ndryshme të Shqipërisë, në këtë revistë u zhvilluan debate dhe u botuan pamflete. Pa dyshim, "Albania" ishte revista më e rëndësishme shqiptare në fillim të shekullit të kaluar. Në vitet e fundit Faik Konica dhe kryevepra e tij "Albania" dalëngadalë kanë filluar të rifitojnë pozitën e tyre të merituar në historinë e kulturës shqipe. Rinia e sotme shqiptare ka shumë arsye të studiojë këto vëllime të vjetëra të një reviste monumentale, e cila luajti një rol vendimtar në përpjekjet politike, shoqërore dhe kulturore të epokës së vet.

    FUND.
    Ullmar Qvick

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-05-2002
    Postime
    184

    mireselexohemi

    Nje pyetje kam:ne postin e fundit fjalet qe ke shkruar me shkronje te madhe jane fjalet shqipe qe Konica perdori per here te pare apo i gjeti apo i vuri ne dukje???

    Jam ngaterruar pak se shumica e ketyre fjaleve ekzistojne dhe perdoren gjeresisht ne shqipen e sotme si ne te folur ashtu edhe ne te shkruar.

    Pershendetje, buna

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-04-2003
    Vendndodhja
    Norrköping, Suedi
    Postime
    215

    Me siguri fjalë të reja

    Buna - ke arsye të hutohesh pak. Mirëpo, në lidhje me fjalorin abstrakt - intelektual gjuha shqipe ishte pak e zhvilluar para 100 vitesh. Dihet se fjalori i Buzukut (1555) është mjaft i pasur, sepse shumë herët krijimi i një terminologjie të përshtatshme ishte me rëndësi në sferën fetare. Për punët administrative gjuha turke kishte luajtur një rol dominues në Shqipëri që nga shekulli XV.

    Për të hedhur dritë mbi pyetjen tënde dua të citoj fjalët e Konicës në lidhje me fjalët e reja dhe të nevojshme që u përmenden në f.27-28 të vëllimit F të revistës "Albania":

    "Kemi nevojë për disa fjalë që mungojnë në gjuhën tonë e që janë të harruara që me kohë. Po rrefejmë këtu më të nevojshmet, si na duken që bien më mirë shqip e si i kemi përdorur a i kemi për të përdorur te ALBANIA."

    (Ortografinë e kam dhënë sipas vendimeve të Kongresit të Manastirit 1908.) Nga teksti i mesipërm më duket se disa prej tyre janë krijuar më përpara por nuk kanë gjetur përdorim, ndërsa të tjerët janë të reja dhe të krijuara nga Konica vetë.
    Ullmar Qvick

Tema të Ngjashme

  1. Emra shqip
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 225
    Postimi i Fundit: 11-05-2018, 16:54
  2. Me ndihmoni me nje emer shqip
    Nga prishtinase në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 22-03-2010, 14:52
  3. Info per Eqerem Cabej?
    Nga rrogozhinsi në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 18-04-2009, 18:36
  4. A Mund Te Zgjerohet Baza Dialektore E Shqipes Standard?
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2006, 17:04
  5. Emrat Ilire
    Nga Leila në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 12-05-2006, 20:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •