Naimi duke qenë një poet thellësisht kombëtar, ai fillon komunikimin e tij me vlerat më të mira, jo thjesht me malet si emërtime, por me vlerat më të mëdha, më të larta të ambientit shqiptar, duke harruar plotësisht antonimet e këtyre vlerave, ultësitë.




Haxhi SHABANI



Naim Frashëri është poeti që me të drejtë në letërsinë shqiptare ka marrë epitetin kombëtar. Përmendja e mbiemrit kombëtar pas emrit të tij i shkon me tepër se asnjë autori tjetër në tërë letërsinë shqiptare. Këtë ai e ka arritur, para së gjithash, me veprimtarinë e tij krijuese. Është nga shkrimtarët e rradhë që pothuajse në tërë krijimtarinë e tij ka në thelb të vet tri atributet thelbësore që e përbëjnë qenien shqiptare: atdheun, kombin dhe gjuhën. Ai duke krijuar në kohën kur shqiptarët i kishin të rrezikuara pikërisht këto tre faktorë bazë për të ekzistuar një komb, kurse tash në kohën kur kombi shqiptar është ende i parealizuar plotësisht si popujt e tjerë evropian, pas njëqind vjetëve që jeton jetën e pavdekshme, ka kryer dhe kryen rolin e profetit të letërsisë shqiptare. Për të kuptuar se çfarë vendi të rëndësishëm i kushton Naimi: atdheut, popullit dhe gjuhës së tij, tri vlerave rrënjësore të kombit të civilizuar duhet parë se me çfarë gjuhe u flet ai shqiptarëve në veprën e tij.



ATDHEU



Naimi mund të thuhet se flet si profet, sepse ai është profet. Që në nisje të poemës së tij të famshme "Bagëti e bujqësia" me atë vargun kushtrimor "O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë", Naimi dëshmon se u drejtohet majave, kulmeve, por që t'u drejtohet pikave më të larta reliefore, duhet hipur në një nga këto pika. Duke qenë një poet thellësisht kombëtar, ai fillon komunikimin e tij me vlerat më të mira, jo thjesht me malet si emërtime, por me vlerat më të mëdha, më të larta të ambientit shqiptar, duke harruar plotësisht antonimet e këtyre vlerave, ultësitë. Edhe kur merret me emërtimin e gjërave më të rendomta, që në jetën e përditshme vërtetë janë të këtilla, përdor kriterin e njëanshëm, por aq të domosdoshëm, tash e gjithmonë për shqiptarët, vlerësimin e së mirës edhe aty ku ajo shihet pak, apo nuk vërehet fare.



Mohimi i vetvetes, madje edhe i gjësë më të shtrenjtë, mohimi i vendlindjes, tokës së nënës dhe babait mëmëdhe-atdheut, për ne shqiptarët nuk është gjë e huaj, as sot e as mot. Naim Frashëri, pikërisht për një nga gjërat me të shenjta që për çdo njeri është atdheu, u flet shqiptarëve. Ai do t' i bindë ata se vendi i tyre është i mirë dhe i bukur, madje tepër i mirë dhe i bukur. Dhe kjo mirësi gjendet gjithkund, në tërë hapësirën tokësore, ujore e qiellore, është në njerëz, në kafshë e shpezë, në bimë në ajër e nëntokë. Naimi u dëfton shqiptarëve se këto vlera janë midis tyre, vetëm ata duhet t'i zbulojnë, t'i shijojnë, t'i rujanë, t'i dashurojnë e t'i zhvillojnë. Naimi bisedon me ndjenjë e me emocion, me dashuri të pakufishme me bashkëkombasit e tij, shqiptarët, duke u përpjekur për t'i bindur ata me fjalë të mira e të buta, me zërin e tij engjëllor se atdheu i tyre, Shqipëria, nuk është i vogël, viset shqiptare nuk janë të këtilla. Ajo shtrihet e madhe, e plotë, e gjerë dhe e pasur, në poemën e tij të njohur, duke sugjeruar se ajo është e këtillë sepse është mëmëdheu-atdheu i tyre, prandaj duhet verësuar si të këtillë.



KOMBI



Poeti ynë kombëtar, në shumicën e veprës së tij ka harruar të metat, të këqijat e atdhetarëve të tij, për të afirmuar ndjenjën e shenjtë të bashkimit të tyre që iu ka munguar e po iu mungon edhe aktualisht edhe për gjërat kryesore. Prandaj fjalët e tij dalin si nga goja e shenjëtorit, i cili veç fjalë të urta e të ëmbla flet për njerëzit, duke anashkaluar realitetin e dikurshëm e aktual i cili ka gjëra të shumta që duhet kritikuar. Naimi, nuk është tipi i shkrimtarit si Gjergj Fishta që edhe të lëvdon edhe të shanë, ai është poeti që më së shumti lëvdon. Ai kërkon të kryejë misionin e tij fisnik, t'u krijojë bindjen shqiptarëve se janë si të gjithë popujt e tjerë, por që historia të shumtën e kohës nuk është sjellë mirë me ta. Duke qenë një popull me kulturë, histori, art, atdhe e fe, e origjinë të lashtë pellazgjike, sipas tij ata janë një nga popujt më me vlerë të Ballkanit e Evropës, popull që nuk e ka vendin në bisht të historisë, po në krye të saj. Duke qenë romantik klasik, ai e thotë këtë për t'i bërë që ata të kuptojnë se janë popull normal si të gjithë të tjerët. Dhe cila është rruga, sipas Naimit, dje e sot, për të arritur popujt e tjerë: me arsimim, me dije, me punë të mira për atdheun. Për këtë ai jep shembullin e tij vetiak, duke u përpjekur vazhdimisht e në çdo vend për vendin e vet, deri në shkallën sublime, deri në flijim, që është thirrje për të gjithë shqiptarët, para njëqind e sa vjetësh, sot e në mot, e përherë.



GJUHA



Pothujse nuk ka shembull në letërsinë shqipe, që të ketë lëvduar gjuhën shqipe aq sa e ka lëvduar Naimi. Mbase një nga arsyet themelore për lëvdimin e saj, është se shqipja nga goja e Naimit vërtetë del si Zonjë, madje Zonjë e Madhe. Bukuria, lirshmëria, muzikaliteti, natyrshmëria, dinamizmi, hapësira e shqipes së Naimit është vështirë të gjejë shoqe në gjuhën e ndonjë autori tjetër. Prandaj Naimi flet më shqip se asnjë autor tjetër. Kjo është një arsye e lëvdimit të saj, por Naimi duke qenë romantik, poet, e njeri i Zotit u lëvdon shqiptarëve gjuhën e tyre, në kohën e tij e sot, për të thirrur mendjen e tyre, për të sjellë në vete ata, se çfarë po bëjnë me gjuhën e tyre. Dhe paradoksi ndodh, dikur e sot. Shqipja, Gjuha e Perëndisë, që është e mirë, e lehtë, e lirë, po nëpërkëmbet nga vetë shqiptarët herë me vetëdije e herë pa vetëdije. Kjo gjuhë që është vërtetë me vlera të posaçme. Poeti ynë kombëtar e ka thënë këtë, se është gjuhë perëndie, po edhe shkenca aktuale është shprehur se shqipja për nga stuktura, përmbajtja, veçantësia e saj është një nga gjuhët kryesore të Evropës.



PËRMBYLLJE



Në fund të kësaj fjale për Naimin, në qytetin e Ulqinit, në një cep të Ilirisë së Poshtme siç do të shprehej prozatori i shkëlqyeshëm shqiptar, Mitrush Kuteli, po të ishte gjallë, duhet thënë se poeti ynë kombëtar, edhe pas njëqindvjetëve jetë në amshim, ështi gjallë, aktual e i përgjithmonshëm. Ai jep mesazhin e jetës për të gjithë shqiptarinë: të përpiqemi, për atdhe, komb, gjuhë, kulturë e fe.



(Autori është studiues dhe poet nga Ulqini)