Më 24 dhjetor mbrojti tezën e magjistraturës në UT, Arbër Çeliku me temën "Çështje të gjuhësisë së tekstit në gjuhën shqipe", ku kishte mentor profesorin eminent Dr. Shezai Rrokaj.


Arburim ISENI



Gjatë prezencës sime vërejta që kandidati me të vërtetë ishte thelluar në studimet gjuhësore dhe kishte sistematizuar çështjet e gjuhësisë së tekstit në gjuhën shqipe. Ai i njehë konceptet gjuhësore, njehë shumë mirë semiologjinë. Me sa vërejta unë, gjatë pjesëmarrjes sime në mbrojtje të temës së tij, ai iu është referuar hulumtimeve të shumta gjuhësore për sa i përket Gjuhësisë së tekstit. Ai me të vërtetë ndoshta ka ecur nëpër litarin e akrobatëve, mirëpo prapseprap nuk ka rënë poshtë ku kjo do të thotë se atë që e bëri Prof. Arbër Çeliku bashkë me mentorin e tij kanë arritur një sukses kolosal, së pari për Universitetin e Tetovës dhe së dyti për gjuhën shqipe.



Paralelisht Arbër Çeliku na e ka dhënë edhe përkthimin e parë të tij serioz nga gjermanishtja me titull "Ujku i Stepës" nga nobelisti gjerman Hermann Hesse.



Në autoreferatin e punimit të magjistraturës së Arbër Çelikut thuhet:



"1. Gjuha nuk duhet kuptuar thjesht vetëm si një sistem rregullash dhe njësish, diçka në vetvete dhe për vetvete, por duhet parë edhe në raport me funksionin e saj në ligjërim (funksioni shoqëror i gjuhës). Me këtë nuk duam ta mohojmë punën e vyeshmë të shkollave dhe drejtimeve të ndryshme gjuhësore të shekullit të fundit si: shkolla e Pragës, shkolla e Kopenhagës, deskriptivizmin amerikan, funksionalizmin, gjenerativizmin, etj., të cilat studimet e tyre i përqëndruan kryesisht në studimin e sistemit të gjuhëve dhe me këtë lanë mënjanë shumë dukuri pa trajtuar. Pra nuk morën parasysh aktualizimin e gjuhës në ligjërim.



Kjo nuk do të thotë se ne duam doemos ta ndajmë "egjrën nga gruri" dhe të shohim me sy kritik drejtimet e lartpërmendura, por duam të japim një vizion të qartë mes gjuhës si sistem dhe aktualizimit të saj në praktikë. Sistemi dhe ligjërimi janë dy gjëra që nuk ndahen nga njëra-tjetra, por ndihmojnë njëra-tjetrën dhe do të ishte gabim sikur të shpreheshim në favor të njërës apo tjetrës.



Pikërisht me kthesën e madhe gjuhësore të viteve ’70 nga një gjuhësi e orientuar kah struktura (sistemi) drejt një gjuhësie të orientuar kah ligjërimi si aktualizim lindën edhe drejtimet e reja gjuhësore si: gjuhësia e tekstit, sociolinguistika, psikolinguistika, teoria e aktit kumtues. Duhet theksuar që kohëve të fundit me zhvillimin e madh të teksnikës dhe me këtë edhe të teorisë së komunikimit, ka lindur një disiplinë më vete gjuhësore me interes të veçantë që quhet gjuhësia kompjuteristike, e cila fatkeqësisht në gjuhën shqipe është fare e pastudiuar.



2. Punimi në fjalë, është një përpjekje t'i japë kujtdo që ka dëshirë të njohë nga afër problematikën e "gjuhësisë së tekstit" si një drejtim i ri gjuhësor, e sidomos thuajse "i paprekur" në gjuhën shqipe. Nuk do të thotë që punimi është i përkryer dhe nuk janë lëshuar gjëra pa thënë në të, është e pamundur të përfshihen aq dukuri njëherësh, por qëllimi ynë është të japim një pasqyrë sa më konkrete dhe të nxjerrim në pah idetë bazë të këtij drejtimi gjuhësor. Pra, punimi duhet të merret si një ngacmim dhe orientim për studiuesit e rinj të kësaj fushe, për të pasur mundësi të thellohen edhe më tej dhe të japin rezultate sa më të frytshme dhe konkrete të zbatuara në fushë të shqipes.



Rruga që përshkova për të arritur deri këtu qe shumë e mundimshme. E para, në gjuhën shqipe ekziston vetëm një tekst themelor, kështu që mundësia e thellimit në këtë problematikë është relative. E dyta, për të siguruar literaturën e nevojshme m'u desh t'i drejtohem ndonjë miku në vendet gjermanofolëse dhe e gjithë kjo, ta lëmë anash anën materiale, merrte mjaft kohë. Porosia, dërgimi e sidomos kohëve të fundit mosfunksionimi siç duhet i postave lokale, gjoja shkaku i luftës, qe tmerr i papërshkrueshëm. Po ashtu edhe në rrethanat e krijuara mosmundja e konsultimit me udhëheqësin qe një hendikep i madh për mua, por falë postës elektronike dhe moskursimit të ndihmës së profesorit të nderuar Shezai Rrokajt edhe kjo barrierë u tejkalua, gjë për të cilën i jam shumë mirënjohës.



3. Punimi është i strukturuar në këtë mënyrë: përveç hyrjes, ka pasqyrën e lëndës, tre krerë dhe një bibliografi.



Në kreun I trajtohen probleme të gjuhësisë së tekstit në këto 3-4 dekadat e fundit, si lindi dhe pse lindi ky drejtim i ri gjuhësor dhe në ç'linja u zhvillua.



Në këtë kre jepet edhe vështrimi historik i kësaj disipline gjuhësore, domethënë zhvillimin e saj që nga pararendësit: Dressler, Schmidt, Hartmann, Viehweger, e deri tek përfaqësuesit e gjuhësisë së tekstit sot: Brinker, Vater, etj. Në këtë prizëm vërehet qartë që trajtimi i kësaj problematike ndryshon dukshëm sot nga atëherë. Punimet nga kjo fushë sot janë më mirë të konceptuar dhe jepet një tabllo më e saktë në trajtimin e dukurive gjuhësore.



Në kreun II jepen përkufizme, konceptime nga gjuhëtarë seriozë, duke u nisur nga pararendësit Dressler, van Dijk, etj e deri te gjuhëtarët dhe konsepcionet e shkencës sot. Këtu përpiqemi të japim një vizion të qartë se ç'kuptohet me konceptin "tekst" në përdorimin e përditshëm nga njëra anë dhe konceptin "tekst" në kuptimin shkencor nga ana tjetër. Kjo ilustrohet edhe me shembuj shumë praktik.



Pra, janë dhënë koncepte parashkencore nga më të ndryshmet (por jo edhe më pak të rëndësishme për nga lloji i tyre), për të mbërritur në një vizion sa më të qartë mes konceptit "tekst" të konceptuar tradicionalisht dhe konceptit "tekst" si objekt të gjuhësisë së tekstit sot.



Kreu III është edhe kreu që zbërthen elementet themelore të këtij drejtimi gjuhësor. Këtu kemi të bëjmë kryesisht me strukturën tekstore duke trajtuar nga njëra anë lidhjen gramatikore të elementëve të tekstit (elipsi, kohët e foljeve, lidhëzorët) dhe, nga ana tjetër, funksionin tematik të tekstit si dhe ndarjen e kuptimit në temë/remë dhe progresionin tematik.



Kuptohet duke i lënë në të ardhmen edhe një punimi tjetër më të kompletuar, ku do të trajtohen: funksioni i tekstit, dmth roli i tekstit në procesin e komunikimit si dhe llojet versus tipet e tekstit.



Punimi është i konceptuar në atë mënyrë që të jetë i kapshëm dhe për shtresat më të gjera të lexuesve, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe kushdo që të jetë i interesuar për këtë fushë gjuhësore".



Kjo temë "Çështje të gjuhësisë së tekstit në gjuhën shqipe" lirisht mund të them se është një traktat i Mr. Arbër Çelikut dhe shpresojmë që të vazhdojë në studimet dhe hulumtimet e mëtutjeshme.