Gazeta Shekulli
------------------------------
Njoha familjen e Nënë Terezës
Klotilda Harka
TIRANE.- Marie Kraja këngëtarja e cilësuar si një ambasadore e muzikës shqiptare, pak ditë pas vdekjes së Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë në 5 Shtator të vitit 1997, rrëfeu kujtimet e saj me familjen e bamirëses së madhe, në një intervistë dhënë për ATSH-në.
E lindur në Zarë të Dalmacisë nga një familje arbëreshe (pas mërgimit të familjes së saj që në vitet e vona të 1800-it), ajo ishte ndër të paktat personalitete që kishte patur rastin të kishte miqësi me familjen e Nënë Terezës, e cila gjatë regjimit komunist ishte parë si një figurë e largët dhe e paprekshme nga shqiptarët.
Në intervistën e saj dhënë ATSH-së më 9 Shtator të vitit 1997, Marie Kraja, rrëfen se njohja e saj me Agen, motrën e Nënë Terezës, kishte qënë vazhdimësi e një njohjeje dhjetëra vjeçare të familjeve të tyre. Maria u njoh me Agen, motrën e Terezës kur gjyshërit e tyre, i prezantuan në qytetin e Shkodrës.
Këngëtarja Kraja atëherë sapo ishte kthyer në Shkodër pas studimeve në Vjenë dhe punonte si mësuese në shkollën "Donika Kastrioti", ndërkohë që më vonë punoi në Institutin e femrave në Tiranë si dhe dha një sërë koncertesh në muzikë klasike dhe popullore.
Në intervistën që Artisja e Popullit Kraja dha në moshën 86 vjeçare për të vetmen agjenci shtypi (ATSH), pohoi të kishte qëndruar për shumë kohë pranë familjes së Nënë Terezës, që ajo nuk e pa gjatë 50 vjetëve, e mohuar nga sistemi komunist në Shqipëri.
"Nga familja e Nënë Terezës kam njohur nënën dhe motrën e saj dhe nëpërmjet tyre njoha dhe shenjtoren e madhe", citohet të jetë shprehur Marie Kraja vetëm pak ditë pasi Nënë Tereza mbylli sytë në Kalkuta (Indi).
Ajo tregon më tej se familja Paluca (gjyshi nga e ëma e Krajës) ka pasur lidhje miqësore me familjen e Nënë Terezës që jetonte në Shkup, lidhje që trashëgoheshin prej dhjetëra vitesh.
Më pas familja e Nënë Terezës u transferua në Tiranë, pasi i ati i Terezës vdiq i helmuar gjatë një udhëtimi për në Beograd, ku shkoi për të hapur një shkollë shqipe.
"Kur erdhën nga Shkupi, Age (e motra e Nënë Terezës) punoi si redaktore në Radio Tirana, dhe si spikere po aty, por më pas u hoq nga puna, dhe për të jetuar, u detyrua të bënte punën e rrobaqepëses", kishte rrëfyer atëhere artistja e madhe.
"Më kujtohet letra e parë që i dërgoi Nënë Tereza së ëmës si dhe një fotografi të vogël, e veshur me petkun e bardhë në mes të indianeve: Ç'është kjo, tha e ëma që s'po e njihte të bijën".
Mbështetur në kujtimet e Maries, Nënë Tereza e ka quajtur ditën më të bukur të jetës së Saj, ditën kur për herë të parë, pas 50 vjetësh vizitoi Shqipërinë në vitin 1989.
Prejardhja e saj shqiptare e bëri një të dërguar të
natyrshme dhe të kujdeshme të Papës gjatë viteve të pas shembjes së komunizmit dhe ajo bëri me të vërtetë një punë të lavdërueshme për vizitën historike të Papës në Shqipëri më 1993, ku ai u shoqërua në vizitën e tij nga Nënë Tereza.
"Falenderoj Zotin që i ka dhuruar botës Nënë Terezën", tha atëherë Papa Gjon Pali në Shkodër.
Kraja, e njohur në interpretimin e operave të famshme
shqiptare dhe botërore, ka përmendur gjatë kësaj interviste dhe takimet e drejtpërdrejta me Nënë Terezën.
"Takimi i parë me Nënë Terezën, ishte tepër prekës, shkuam direkt e ne varrezat ku preheshin ato që e vuajtën madhështinë e saj, nëna dhe motra", tregonte ajo.
"Po gëzohem që i nderoni të vdekurit, paska varreza shumë të bukura" citohet t'i ketë thënë vetë Nënë Tereza, këngëtares së madhe.
"Komshijtë, që vonë e kishin mësuar emrin e saj, çuditeshin kur shihnin gruan e vogël e me famën e madhe, që shkelte në rrugicën e tyre, me këmbët e zbathura në sandalet me një gisht, si të Krishtit", citohet të jetë shprehur Marija. Më tej ajo vazhdonte se "Asaj (Nënë Terezës) në fakt nuk i bëri përshtyje shtëpia ime "birucë", por fakti se, pse jeton këtu një artiste kaq e madhe.
"Zoti ju paska ndihmuar thoshte shpesh Nënë Tereza",
citohet të jetë shprehur artistja.
Duke kujtuar një takim të dytë me Nënë Terezës në një nga spitalet e Tiranës ku ajo ishte shtruar në vitin 1991, Marija kujtonte se "erdhi e më vizitoi, kishte sy engjëllor, dhe më shumë se asnjeherë e ndjeva forcën e tyre në ato çaste".
"Kur vdiq nuk qava, vetëm u luta, O Nënë Tereza, Ti, që
shkove në Qiell na e jep bekimin këtu". Me këto fjalë përfundon kujtimet e saj Marie Kraja, e cila ndërroi jetë në Tiranë vetëm dy vjet pas Nënë Terezës, në 24 Nëntor të vitit 1999.
Klotilda Harka
nga shekulli
...........................
Ne nje shtepi biruce banonte Maria Kraja, artistja e madhe shqiptare ne Tiranen e Partise Punes.
E hoqen nga puna (pra e lane pa buke) motren e Ganxhe Bojaxhiut regjimi i Partise se Punes.
E Pali me Lenken kishin vila ne Tirane e Vlore.
E Blendi Gonxhe me dy muaj pune ne Bashki te Edi Rames beri grataciel personale.
Cfare atdheu eshte Shqiperia..
Krijoni Kontakt