Gjiganti i programeve kompjuterike, Microsoft, thotë se do të mbyllë dhomat bisedore në internet pas ngritjes së shqetësimit se ato po përdoren gjithnjë e më shumë nga pedofilët për të kontaktuar fëmijët.

Një nga shumë mënyrat që njerëzit përdorin internetin është të futen në disa faqe që lejojnë përdoruesit t'i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit për të biseduar drejtëpërdrejtë nëpërmjet tekstit - në ato që quhen dhoma bisedore në internet.

Kjo i lejon njerëzit të vendosin kontakte me persona krejt të panjohur kudo në botë.

Tim Berners Lee, i cili njihet gjerësisht si themeluesi i internetit, ka shprehur shpresën se interneti do të vazhdojë të përhapet si mjet për të lidhur njerëzit dhe për të krijuar bashkësi virtuale.

"Shpresoj që interneti të vazhdojë të zhvillohet si një rrjet i stërmadh, që në fund të arrihet që bashkësitë të lidhen nëpërmejt gjërash të ndryshme, ndoshta konceptesh të reja," thoshte zoti lee.

"Dhe duke pasur diversitet të vërtetë në të gjithë bashkësinë, ne në fund mund të krijojmë diçka që unë mendoj se do ta lidhë botën në mënyrë më efikase," thotë ai.

Keqpërdorim

Por ndërsa Tim Berners Lee-së i pëlqen ta shohë internetin të ndihmojë në ribashkimin e bashkësive të ndara apo të lidhë familjet e të gjitha grupeve fetare apo politike, disa përdorues i kanë përdorur dhomat bisedore të internetit për synime më pak mirëbërëse.

Ato janë shumë popullore, por përbëjnë një shqetësim për prindërit apo policinë që përpiqen të mbrojnë fëmijët nga abuzimi seksual. Dhe Miscrosoft-i ka vendosur se ka ardhur koha për t'i mbyllur ato.

MSN-ja, një sektor i Microsoftit që menaxhon shumë prej dhomave bisedore në internet, thotë se do t'i mbyllë ato në Evropë, Azi dhe Amerikë Latine.

Geoff Sutton, drejtues i përgjithshëm i MSN-së në Evropë, shpjegon se ky qëndrim vjen pas studimeve të thella se çfarë ndodh në dhomat bisedore dhe merret për të mbrojtur fëmijët që marrin pjesë në to.

"Këtu ka dy çështje parimore: njëra është që të rriturit apo pedofilët që ndjellin fëmijët, dhe tjetra janë mesazhet e padëshiruara që futen në lidhjet bisedore, dhe që shpesh janë ofenduese apo pornografike," tha zoti Sutton.

Microsofti thotë se kjo masë do të ndihmojë gjithashtu në zvogëlimin e sasisë së reklamave të padëshiruara që dynden në internet.

"Në këtë mënyrë ata ose gjejnë adresa e-maili, ose i fusin materialet e reklamuara prej tyre drejtpërdrejt në dhomat bisedore duke inkurajuar konsumatorët që të shkojnë në faqe pornografike apo banale interneti," tha ai.

Rreziku

Microsoft-i thotë se ky hap është i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve që përbëjnë një pjesë të madhe të përdoruesve.

Por, pse janë dhomat bisedore në internet kaq të rrezikshme? Në fund të fundit pedofilët mund të përdorin edhe shumë metoda të tjera për të kontaktuar fëmijët - si taktikat tradicionale të ofrimit të karameleve në park deri në dërgimin e mesazheve me e-mail apo telefonat celulare - pra, çfarë kanë të veçantë dhomat bisedore në internet?

"Anonimiteti i tyre," thotë Gillian Kent, drejtor i MSN-së në Britaninë e Madhe.

"Dhoma bisedore në internet është vendi ky shpesh vendoset kontakti i parë - sepse është anonim - dhe duke u bërë në anonimitet është tërheqëse, por kjo është edhe e rrezikshme," thotë zoti kent.

"Shumë vetë kënaqen duke përdorur dhomat bisedore të internetit, dhe i përdorin siç duhet, por një përqindje shumë e vogël abuzojnë me to dhe ky abuzim ka shkuar deri në ekstrem tani," thotë ai.

Zëdhënësi i grupit të shoqatave bamirëse të fëmijëve, Koalicioni për Sigurinë në Internet (Coalition for Internet safety), John Carr, bashkohet me mendimin se rreziku i tyre qëndron tek anonimiteti.

"Njerëzit sillen më keq në internet, nëse mendojnë se mund t'ia hedhin," thotë zoti Carr.

Ai shton se në internet është shumë e lehtë të fallsifikosh emrin, të jesh anonim, dhe të sillesh në një mënyrë që nuk do ta bëje nëse do të kishte ndonjë mundësi reale të zbuloheshe.

Motiv moral apo financiar

Microsoft-i duket se po merr një qëndrim moral lidhur me këtë çështje - por nuk po i mbyll dhomat bisedore në iternet plotësisht.

Ajo do të vazhdojë t'i lejojë ato në pesë vende, por ato do të monitorohen nga afër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ky shërbim do t'u afrohet vetëm abonentëve.

Kjo i bën disa cinikë të thonë se Microsoft-i po mendon më shumë për fitimet sesa moralin - pra ata do të fitojmë më shumë para nëse i bindin përdoruesit e internetit të paguajnë për të përdorur dhomat e bisedore.

Disa të tjerë thonë se ajo është nxitur nga shqetësimet ligjore, duke pasur frikë paditë ligjore nga grupet e aktivistëve pro fëmijëve, apo prindërit.

Por çfarëdo qofshin motivet e Microsoftit, ky hap është mirëpritur gjerësisht nga veprimtarët e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve që i kanë bërë thirrje ofruesve të internetit ta ndjekin shembullin e saj.

Por edhe ata që e mirëpresin këtë hap, thonë se e bëjnë këtë me dhimbje. Ata thonë se tani është e nevojshme të kufizohet ajo që ata e përshkrujnë si "anarkia e kënaqshme e internetit".

Dhe themeluesi i internetit Tim Berners Lee pa dyshim që është dakort me këtë.
Marre nga BBC