Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345

    Një tezë e Selman Rizës për gjuhën letrare shqipe

    (Ngjyresa dialektore e gjuhës letrare shqipe në trevat veriore)-Hapja e kufirit me Kosovën dhe me trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi si dhe lidhjet me qendrat e diasporës shqiptare historike e të reja në Evropë, në Amerikë e gjetkë shtrojnë me doemos detyra të reja e shumë të mëdha për gjuhën shqipe. Kudo ka nevojë për një abetare të mirë, të konceptuar e të realizuar si libri i librave e jo si një punë të çfarëdoshme. Kudo ka nevojë për fjalorë e gramatika shkollore të mira. Ribotimi i atyre që ekzistojnë nuk është i mjaftueshëm. Ka ardhur koha edhe për ndonjë përmirësim e pasurim të tyre




    Dr. Gjovalin SHKURTAJ



    Me profesor Selman Rizën kam pasur vetëm lidhjet e natyrshme pedagog -student në lëndën "Hyrje në historinë e gjuhës së shkruar shqipe" (në vitin 1963-64) dhe si udhëheqës të një teme vjetore "Lëkundje gjithëgjuhësore në veprat e K. Kristoforidhit gegërishte", në vitin e dytë. Nuk kam pasur rast të punoja bashkë me të ne sektorin e gramatikës e të dialektologjisë, për arsye se, në vitin 1967, kur unë u emërova në Institiut si punonjës shkencor i ri, i ndjeri ishte larguar nga ai vend pune (me atë motivacion dhe me ato pësime që tashmë dihen). Si studiues, për aq sa më lidhin fushat që studioj me trashëgiminë e botuar në kohën e vet si dhe në veprat e botuara, së pari në Prishtinë, pastaj edhe ndër ne, kam gjetur shumëçka me interes dhe jam i bindur se, përveç sa ka zgjidhur e shqyrtuar kënaqshëm vetë ai, në shkrimet e tij ka edhe ide e teza pune me vlerë, që meritojnë të rimerren e të shpihen më tej në kushtet e me të dhënat e sotme. Në kumtesën time modeste do të rrekem të trajtoj pikërisht ndonjë nga tezat e prof. Rizës rreth gjuhës letrare shqipe të njësuar dhe marrëdhënieve të gjuhës së shkruar me gjuhën e folur.



    Roli i folësit në bashkësinë shoqërore



    Një meritë të pamohueshme dhe me vlerë për kohën tonë kanë shqyrtimet e hapëta dhe me dije të sigurta të prof. S. Rizës ndaj rolit të folësit në bashkësinë shoqërore ku ai bën pjesë. Ai kishte mendimin se "e ardhshmja e gjuhës letrare shqipe nuk është tjetër veçse toskërishtja e folur prej gegëve". Këtë ide që prof. Riza mëtonte të na e nguliste mirë në mendje qëkur ishim studentë, e kam pasur kurdoherë për zemër dhe, në shkrime e diskutime të mëparshme, jam përpjekur edhe ta zbatoj. Në diskutimin tim rreth referimeve të fushës së sociolinguistikës, mbajtur në Seminarin XVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në verë të vitit 1996, kam thënë: "Lidhur me këtë fushë të sociolinguistikës, e cila është vërtet tërheqëse dhe e kohës, unë do të kisha dëshiruar që të ishin përmendur disa çështje më madhore që nuk u prekën në referime apo në trajtesa të veçanta. …do të ishte mirë të ishin përmendur së paku mendimet e tre burrave të shquar në gjuhësinë shqiptare, të cilët unë mendoj se janë pararendës të sociolinguistikës, ndonëse atëherë nuk kishte dalë edhe si një disiplinë me emrin që ka sot sociolinguistika". E kisha fjalën për të ndjerët At Justin Rrota, prof. Eqrem Çabej dhe prof. Selman Riza.



    Në atë diskutim, (natyrisht krejt të shkurtër dhe të ndërtuar gati fluturimthi),duke pasur parasysh një ide të hershme e të vlefshme të Selman Rizës, kam theksuar sa vijon: "Së dyti, dua të përmend këtu një mendim që lidhet me normën dhe me problemet e normës. Unë do të kisha dëshiruar të ishte cituar e të ishte menduar për t' u thelluar një ide shumë interesante e të ndjerit prof. Selman Rizës, i cili diku në veprat e tij (pasi kishte hequr dorë nga ideja e tij e pangegërishtes etj. dhe u kthye në mendimin se toskërishtja mund të shërbejë si bazë e gjuhës letrare) ka thënë se në të ardhshmen "Gjuha letrare shqipe nuk do të jetë gjë tjetër përveçse toskërishtja e folur prej gegëve" një gjë që mua më duket se duhet ta mbajmë shumë mirë parasysh sepse ndonjëherë harrojmë se ç' farë do të thotë ajo. Do të thotë atë që… njerëzit, duke folur gjuhën letrare nisen nga një bazë, e cila është një normë e caktuar, e cila është kryesisht në formë piketash, po nuk ekzistojnë dy njerëz që ta flasin gjuhën standarde (gjuhën letrare) tërësisht njësoj as edhe sikur ata të jenë vëllezër binjakë…Njerëzit, varësisht nga mjedisi ku lindin, por edhe nga puna që bëjnë, nga profesioni, arsimi dhe nga marrëdhëniet që kanë me njerëz të ndryshëm pësojnë ndryshime edhe nga pikëpamja gjuhësore dhe i pasqyrojnë këto ndryshime. Synojnë ta flasin mirë, ta zbatojnë normën, por diçka e pengon këtë.Çfarë? Edukata, niveli arsimor, kultura, shoqëria, konceptet etj. të gjitha këto e shtyjnë përpara ose e pengojnë individin."



    Më vonë, në shqyrtimet e mia rreth marrëdhënieve gjuhë letrare-dialekt do të shtyhesha shumë më tej sesa kam shprehur në atë diskutim, që, sidoqoftë, ishte edhe disi i ngutur a, siç i thonë malësorçe, i bërë "si në flakë të pushkës". Në variantin më të gjerë të librit tim "Sociolinguistika", kam trajtuar enkas e mjaft gjerë pikërisht ngjyresën krahinore të gjuhës letrare, duke prurë edhe shumë të dhëna nga hulumtimet e vëzhgimet e mia tashmë shumëvjeçare në lëmin e dialektologjisë, pastaj edhe të sociolinguistikës, por duke pasur kurdoherë si pikënisje kundrimin: nga dialekti tek gjuha apo, me një formulë të sociolinguistikës së sotme italiane, duke mëtuar të kalojmë nga "dialektologjia hapësinore" në "dialektologjinë urbane".



    Ngjyresa krahinore si fazë e ndërmjetme drejt gjuhës letrare



    Aty, me sa ka qenë e mundur nga hulumtimet e derisotme, i kam dhënë rëndësi pikërisht nxjerrjes në pah të ngjyresës krahinore si fazë e ndërmjetme drejt gjuhës letrare.Unë i mbahem mendimit se zhvillimi i sotëm i të folmeve popullore apo përgjithësisht i dialekteve shqiptare nuk mund të shihet i shkëputur nga rrjedhat e zhvillimit dhe kaheve të përgjithshme kulturore dhe mendore të bashkësisë shoqërore shqiptare shtetërore e më gjerë. Në mënyrë të veçantë ka luajtur rol arsimimi masiv, shtimi i peshës së mjeteve të informimit masiv (shtypit, radio-televizionit) dhe i lirisë së fjalës publike. Disa prej dukurive që ndeshen në këtë zhvillim gjuhësor ne i kemi pasë përfilluar disi qysh në vitet '70 në trajtimet e marrëdhënieve të sotme gjuhë letrare-dialekt në disa treva veriore të zonës së Koplikut, pastaj edhe më gjerë në kundruellsinë e trajtave dialektore dhe letrare në të folmen e qytetit të Lezhës. Aty kam shprehur bindjen time (por që s'është e s' ka si të ishte vetëm e imja) se vetëm një gjuhë e vetme, vetëm një varietet standard me një normë të njëjtë drejtshkrimore të përbashkët për të gjithë bashkëkombasit shqiptarë dhe me një strukturë gramatikore e leksikore të përcaktuar nga norma të gjalla e të studiuara mirë, mund të përballojë nevojat kaq shumë të shtuara të shprehjes dhe të krijimit që u dalin sot shqiptarëve, se vetëm një gjuhë e tillë, e fuqishme dhe e përpunuar, po edhe e mbrojtur përkushtimisht nga rreziqet gjithashtu aq të shumta po edhe të shtuara dukshëm në ditët tona, mund të shpërfillë edhe ndarjen në shtete, edhe mbylljen e kufijve ndërmjet shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë nga trojet shqiptare jashtë saj në shtetet fqinje apo në diasporë; është pikërisht kjo gjuhë jona e përbashkët që ka treguar e tregon se kombi ynë shqiptar ka qenë dhe është një dhe i vetëm, qoftë edhe pse i ndarë në disa shtete në Ballkan e në gati të gjithë botën në formë diaspore.



    Toskërishtja e folur prej gegëve



    Sa kohë që edhe shqiptarët e shprishur nëpër dhera të tjera vijojnë ta quajnë vetën të tillë, sa kohë që edhe ata, njësoj si ne në trojet tona të moçme, ndonëse janë larg me trup, përbetohen e shprehen për shqiptarinë dhe vijojnë t' i duan gjuhën shqipe e traditat shqiptare, e kemi për detyrë që t' i përfillim e t' i lidhim të gjithë sa janë në një fill të përbashkët të kumunikimit: në gjuhën shqipe të njësuar e të përpunuar sa më hijshëm.



    Ideja e S. Rizës për toskërishten e folur prej gegëve, nuk parakupton asnjë ndërhyrje a qëndrim subjektiv (e, aq më pak, të mbështetur në shpjegime jo-shkencore e të mveshura me mllefe lokaliste). Sipas mendimit tim ajo është një ide e mbarë dhe frymëgjatë, që nuk parakupton asnjë mospranim a kundërshtim të bazës dialektore toske të gjuhës letrare shqipe, por vetëm atë lëmim, përimtim e pasurim të ditëpërditshëm dhe afatgjatë që folësit nga trevat e ndryshme shqiptare të Veriut e të Verilindjes do t' ia sjellin natyrshëm e dalëngadalë kësaj gjuhe tashmë të njëjtë e përbashkët për të gjithë. Me fjalë të tjera, toskërishtja e folur prej gegëve e prof. Selman Rizës (dhe e të gjithë atyre që ia kanë dashur e ia duan të mirën përbashkësisë shpirtërore e kulturore të kombit shqiptar) nuk është tjetër veçse "ndërveprimi apo bashkëveprimi ndërdialektor" i formuluar më pas nga A. Kostallari porse, me dallimin që, ndërsa në referatin e Kostallarit e në studime të tjera të tij e të tjerëve, "bashkëveprimi merrej si një pikënisje e mbarë (por realisht e paqenë a, në mos tjetër vetëm sa për të thënë) tek autori ynë e kemi kryesisht si pikëmbërritje. Kam bindjen se një ide e tillë, sadoqë e papërfilluar në kohën kur qe shprehur, mbetet gjithnjë në fuqi dhe, madje, do të marrë jetësinë e mishërimin e vet sot e tutje, sidomos në dritën e asaj çka fituan shqiptarët si komb pas Luftës së Kosovës. Zbatimi në masë të gjerë e pa asnjë mëdyshje i gjuhës letrare shqipe të njësuar në Kosovë e më gjerë në trojet shqiptare kompakte ballkanike në Maqedoni, në Mal të Zi etj., pas hapjes së kufijve e në kushtet e vajtje-ardhjeve e shkëmbimeve të gjithsfershme ndërmjet qendrave të mëdha me rrethinat, do të përbëjë një pikëmbërritje jo vetëm të lakmueshme e të tumirueshme, po edhe të vetmen që ka mundësi ta shpjerë gjuhën letrare shqipe në lartësitë e një standardi të njëjtë, të vetëm e të përbashkët për të gjithë shqiptarët në trojet kompakte ballkanike e në diasporë. Natyrisht, krahas dhe në konkurrencë me standardin (apo gjuhën letrare zyrtare) do të ecin edhe variantet e tjera jostandarde, dialektet e të folmet krahinore si dhe diferencime e timbre karakteristike për bashkësi të caktuara shoqërore brenda bashkësisë etnike shqiptare.



    "Enët komunikuese"



    Gjuha letrare standarde dhe të gjitha varietetet e ndryshme brenda saj kanë qenë dhe do të mbeten kurdoherë në lidhje e ndërveprim me njëra-tjetrën dhe, po të shprehemi me një figurë letrare, ato janë si lëngjet në "enët komunikuese". Ajo çka vjen nga anët dhe rrethinat (periferitë), qoftë edhe e turbullt apo e pakulluar, herë do të zbrapset nga vrulli më i fuqishëm i ujërave të gjuhës letrare të njësuar, hërë (përkundrazi) do të shkrihet, përzihet e, me kohë, do të kthjellohet në përbërjen e gjuhës letrare të përbashkët. Gjatë më se 25 vjetve, qysh nga "Konsulta e Prillit" në Prishtinë (1968) dhe sidomos pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), u pa shumë qartë se si, gjuha letrare shqipe standarde (apo zyrtare) sidomos në formën e saj të folur, shkon në dy kahe afërsisht sipas dy arealeve të ditura dialektore: njëra, arealja gege, që, ndërsa mbështetet tek norma e shkruar dhe mëton ta zbatojë gjuhën letrare, e realizon atë mjaft mirë, porse me një ngjyresë fonike gegizuese (p.sh. shqiptimi i /ë/ si /ê/: bêj, nê:n, bêra, rêra, zêri etj.); tjetra, arealja toske, që nuk kënaqet me ndonjë "qethje" sado të pjeshme të bërë nga "Rregulat e drejtshkrimit", tërheq nga hipertoskizmi (p.sh. shqiptimi me / ë/ të prapme i fjalëve me /e/: vënd, mëndje, mëndoj, qëndër, fëmër, zëmër etj). Për arsye të përmasave të kësaj kumtese nuk po zgjatem në shembuj të tjerë, por ata mund të ishin të shumtë.



    Normat e çdo gjuhe janë të gjalla e në lëvizje



    Po ndalem vetëm në një pohim që më intereson të theksohet si dhe sa duhet: ndaj këtyre dy kaheve, që janë të dukshme, të prekshme dhe të ditëpërditshme, gjuhësia shqiptare po e po, (por edhe krejt shoqëria shqiptare e sotme në të gjuitha hapësirat kombëtare) duhet t' i hapë sytë më mirë. E quaj me vend që, pikërisht në dritën e asaj ideje dorëmbarë e të vyer të të ndjerit prof. Selman Riza,ne sot duhet të marrim parasysh më mirë e më shumë marrëdhëniet e normës së kodifikuar dhe të "goditjeve" që vijnë në dyert e saj nga krahinat apo, thënë ndryshe, t' ua vëmë veshin më shumë "thyerjeve" që po shtohen e që synojnë të fitojnë statusin e normës. Teorikisht e kemi thënë dhe e përsërisim shpesh se "normat e çdo gjuhe janë të gjalla e në lëvizje", porse praktikisht po tregohemi të mefshët e të pazotët për t' i shqyrtuar ashtu siç meritojnë edhe prurjet që mund të mos jenë njësoj me normën drejtshkrimore,por që përbëjnë një prirje të përshtashme ndaj zhvillimit të gjuhës shqipe të sotme. Mbyllja vetëm në "guaskën" e asaj që është parashikuar si normë para 25 apo 30 vjetve, mbështetur në treguesit e atëhershëm, sot, në dritën e disa trysnive që na sjellin zbatimet (në fakt: moszbatimet a thyerjet) e ditpërditshme do të ishte jodobiprurëse. Le të kujtojmë, ndër të tjera, betejën e humbur të dallimit të numërorit tre/ tri sipas gjinisë. Të gjithë po e shikojmë se si, pas bjerrjes së plotë të dallimit të dy (mezanore të shkurtër) dhe dy; (me të gjatë) që ka mbetur vetëm në gegërishten, po tretet si kripa në ujë edhe dallimi tre (për meshkujt) dhe tri (për femrat). Sot pothuajse gjithandej thuhet tre për të dy gjinitë. Kësaj bjerrjeje i ndihmon shumë edhe ndikimi prej gjuhëve të huaja që nuk e kanë një dallim të tillë në morfologjinë e tyre. Kjo do të ishte një trysni mirëfilli toske, në thelb e pamirë, por detyrimisht e përfillshme sepse po përgjithësohet. Nga aa tjetër, nuk mund të mos i bëjmë udhë shtimit të shumësit me -a (mësuesa, studenta, profesora, shofera, oficera etj.) që vjen nga arealja gege por që po gjen përdorim të gjerë e pëlqehet si një shumës më i qartë ndaj formave përkatëse me -ë, `që këshillon norma e sotme morfologjike e drejtshkrimore. Edhe më e qartë del kjo trysni gegizuese në fjalët me -ë fundore (kalë, djalë, djathë etj.). Tashti edhe toskët nuk i shqiptojnë më me -ë ato fjalë, prandaj edhe në praktikën shkrimore të sotme, gjithandej po shtohen "gabimet" drejtshkrimore pikërisht për kategori të tilla.



    Me këta shembuj desha të them se koha do ta bjerë që, edhe ndonjë çështje e normës së sotme gjuhësore, jo vetëm në drejtshkrim, po edhe në ndonjë dukuri tjetër, siç është, p. sh. paskajorja gege, të diskutohen nga specialistët e gjuhësisë, duke shqyrtuar e parë jo vetëm ç' është thënë e zgjidhur mirë, po edhe ndonjë gjë që duhet rishikuar për të gjetur zgjidhje më të mirë. Sigurisht, diskutime të tilla duhet të bëhen dhe koha ka ardhur të bëhen, porse ato nuk kanë të bëjnë më me themelin e gjuhës letrare të njësuar e të vetme për të gjithë.



    Kujdesi i shtetit për gjuhën ka rënë së tepërmi



    Këta dhjetë vjetët e fundit kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shqiptare për gjuhën ka rënë së tepërmi. Janë çelur edhe shumë sektorë pune joshtetërorë, gjithçka është në udhën e privatizimit e të ndryshimeve. Kjo udhë do të vazhdojë, por një gjë duhet të mbetet përherë e "paprivatizuar". Ajo është gjuha shqipe, gjuha jonë e përbashkët, që na dallon e na mban gjallë si komb më vete, si popull i lashtë e me kulturën e vet të vlefshme e të denjë për t'u mbajtur gjallë edhe më tej. Për hir të kësaj bashkarie shpirtërore e kulturore themelore që përfaqëson gjuha shqipe për popullin shqiptar, sot më tepër se kurrë, pas ndryshimve të bëra në Ballkan e, sidomos, pas luftës në Kosovë, që u mbyll me fitoren e NATO-s e me kthimin e kosovarëve në shtëpitë po edhe në shkollat e institucionet e tyre arsimore, shkencore e kulturore, puna me gjuhën shqipe nuk mund t' i lihet vetëm shkollës dhe instituteve shkencore që e studiojnë. Puna e tyre do të vazhdojë dhe duhet të ketë të gjithë ndihmën e përkrahjen e nevojshme, por është koha që të ndërmerren edhe një varg masash të tjera shtetërore e joshtetërore.



    Mendoj se nuk duhet mënuar më asnjë grimë e të krijohet edhe një organizëm me karakter joshtetëror por që të jetë i përhershëm e mbarëkombëtar dhe të ketë atributet e mbikëqyrjes e të drejtimit të gjithë punës për ruajtjen, vlerësimin, studimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha hapësirat shqiptare. Siç është p. sh. Këshilli i Lartë i Frankofonisë për gjuhën frënge, i cili e shtrin veprimtarinë e vet në Francë dhe në të gjitha hapësirat frëngjishtfolëse, si në Zvicër, në pakicat frankofone të Italisë së Veriut etj. dhe në të gjitha vendet e tjera ku flitet e shkruhet gjuha frënge deri në Kanada.



    Kudo ka nevojë për një abetare të mirë



    Hapja e kufirit me Kosovën dhe me trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi si dhe lidhjet me qendrat e diasporës shqiptare historike e të reja në Evropë, në Amerikë e gjetkë shtrojnë me doemos detyra të reja e shumë të mëdha për gjuhën shqipe. Kudo ka nevojë për një abetare të mirë, të konceptuar e të realizuar si libri i librave e jo si një punë të çfarëdoshme. Kudo ka nevojë për fjalorë e gramatika shkollore të mira. Ribotimi i atyre që ekzistojnë nuk është i mjaftueshëm. Ka ardhur koha edhe për ndonjë përmirësim e pasurim të tyre.Të gjitha këto janë punë që duhen përfshirë në një platformë të gjerë e të studiuar mirë e ku të marrin pjesë ajka e gjuhëtarëve dhe e mësuesve shqiptarë.



    Unë po e mbyll këtu punimin tim, duke shprehur bindjen e plotë se teza e prof. Selman Rizës për rolin ndërtues e pasurues të folësve gegë në gjuhën letrare shqipe të njësuar mbetet jo vetëm një këndvështrim i shprehur bukur, po edhe një tezë frymëgjatë ndaj ardhshmërisë së gjuhës shqipe të njësuar, një tezë me rëndësi madhore ndaj së cilës unë mendoj se është pikërisht çasti t' i kthehemi me të githë seriozitetin që lyp një tezë pune e formuluar nga një gjuhëtar e atdhetar si ai.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-10-2003
    Postime
    1

    dritare

    Ku ke qene, o Shendelli!? Kena kohe pa te pa. Welcome back!

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  2. Gjuha Shqipe në Kishë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 26-08-2007, 16:48
  3. Personalitete te medha te kombit shqiptar
    Nga DEN_Bossi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 40
    Postimi i Fundit: 03-09-2006, 17:23
  4. Dorëshkrimi shqip i Teodor Shkodranit nga viti 1210
    Nga ALBA në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 11-04-2004, 16:11
  5. Konferencë ndërkombëtare për shqipen standarde
    Nga Beqari002 në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-11-2002, 14:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •