Një nga afresket më të mëdha në kështjellën e Zhilinit, Sllovaki, paraqet figurën legjendare të Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Specialistët sllovakë të monumenteve do të ndërhyjnë në afreskun pak të dëmtuar. Mendohet që vepra, realizim i një artisti të huaj anonim, të kthehet në atdhe.


Elsa DEMO/ Tiranë



Rreth 200 kilometër larg kryeqytetit sllovak Bratisllavë, në qytetin e vogël Zhilin ndodhet kështjella Bytca. Disa nga faqet e mureve të saj janë të mbuluara me afreske e piktura murale, që kanë për objekt heronj të rëndësishëm evropianë, historikë e legjendarë të periudhave të ndryshme. Mes tyre është përfshirë dhe figura e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Afresku i strategut, portreti i të cilit ngjan shumë me një hero të krishterimit, ashtu si dhe është identifikuar simbolikisht më vonë Kastrioti, ka përmasa më të mëdha se ato natyrale e ç'është më e rëndësishmja ai renditet krah luftëtarëve të tjerë legjendarë siç është Akili, apo historik si Aleksandri i Madh, e deri te Huniadi. Së fundi, këto ditë pranë Institutit të Monumenteve të Kultures, ka ardhur njoftimi nga Monumentet sllovake, se shumë shpejt mendohet të ndërhyhet në afreskun e Heroit tonë Kombëtar. Sipas specialistëve të Institutit, afresku ndodhet në gjendje pak të demtuar, por ajo që bën emergjente ndërhyrjen është fakti se ky është një afresk palimpsest. Specialistët sllovakë të monumenteve janë shumë të sigurtë se poshtë tij ndodhet një tjetër afresk. Ata kanë hedhur idenë që afresku i heroit shqiptar, mund të kthehet fare mirë në atdhe. Nëse do të ndodhë kjo, atëhere ai mendohet të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar ose në Muzeun e Krujës. "Gjithësesi të dyja palët kanë rënë dakord që çdo ndërhyrje mbi afresk do të bëhet në konsultim me Institutin shqiptar te Monumenteve", thonë specialistet.



Me syrin e artistit të huaj



E gjithe tabloja, me heronjtë e përmendur më sipër, zë një faqe muri. "Figura e heroit ka përmasat më të mëdha që njihen deri më sot, për veprat me temë shqiptare. Pikturimi është bërë në murin e kështjellës me ngjyra të posaçme të teknikës "a secco" (pikturim në mur të thatë)", ky është ndër të vetmit komente që ndonjë studiues yni i ka bërë veprës. Studiuesi i njohur Ferid Hudhri i ka theksuar këto radhë në librin e tij "Shqipëria dhe shqiptarët në artin botëror, ku merr në shqyrtim kronologjik dhe veprat e artit me temë shqiptare, që të huajt kanë realizuar në periudhën mes shek.XIX deri në fillim të shek.XX.



Mbrapa portretit të heroit është shkruar me germa kapitale Georgius Catriotus Epirotarum de Turcis Skanderbeg dictus-Gjergj Kastrioti, prijësi i epirotëve, i quajtur Skenderbej prej turqve. Ende nuk janë bërë hulumtime të sakta, për kohën kur është pikturuar dhe për autorin e saj. Por është e sigurtë se afresku është restauruar një herë në vitin 1920 nga piktori çek Stanislav Barosh.



Heroi i shpërndarë nëpër botë



Portreti i Heroit Kombëtar ka ngjallur interesin e interpretimeve dhe realizimeve të veprave të ndryshme piktureske, jo vetëm nga vendasit. Figura e tij është prekur ndjeshëm nga artistë të huaj, shkrimtarë apo piktorë, të njohur e të panjohur nga koha. Përsa u përket realizimeve piktureske që gjenden në muzetë e kështjellat e Evropës, si në rastin e kështjellës së Zhilinit, një nga imazhet më të para të heroit, i takon shek.XVI-shek.XVII, në kështjellën Boregard, Francë. Portreti i Skenderbeut ndodhet aty mes 362 portreteve nga burrat më të famshëm ndër shekuj të Francës dhe vendeve të tjera. Në një kështjellë pranë Uoldburgut, ndodhet një pikturë vaji origjinale e Skënderbeut, ndërsa në Gdansk në Poloni ndodhet një bazoreliev i portretit të tij. Mbi portën e shtëpisë, ku Skënderbeu kaloi një natë në Romë, ndodhet gjithashtu një portret i gdhendur.



Dy nga galeritë më të njohura, Uffizi e Florencës dhe ajo e Muzeut të Historisë dhe Artit në Vienë, kanë në koleksionin e tyre nga një pikturë vaji të tij. Ndërsa në Kolegjin Shqiptar të Kozencës, ndodhet një pikturë në stilin venecian dhe i përket vitit 1550. Por gjeografia e veprave pikturike që kanë për objekt heroin, përfshin dhe koleksionet private. Kështu një familje pariziene, posedon një portret vaji të shek.XV-XVI: Skënderbeu i veshur me kostumin evropian të princit të kohës. Jo vetëm kaq. Edhe një herë, këto janë tregues të jehonës që pati figura e Skënderbeut për kohën evropiane, atëherë kur ajo funksiononte më së shumti si një komunitet dhe ai u shndërrua në legjendën që diti ta mbronte qytetërimin e këtij komuniteti të krishterë ndaj myslimanizmit.