Braktiset nga i shoqi pas 7 vjet martese. Në gjendje depresioni vret fëmijët

nga: Aleksandra Bogdani, Arsen Isai

ELBASAN- Tre krisma të mbytura çifteje kanë mjaftuar për të kryer aktin më çnjerëzor, të dëgjuar ndonjëherë në vendin tonë. Një nënë 22- vjeçare nga Elbasani ka vrarë dy “kërthinjtë” e saj, e më pas ka ruajtur një fishek për t’i dhënë fund vuajtjeve shumëvjecare. Elsa Rakipi është emri i 22- vjeçares, që gjatë paradites së djeshme ka qëndruar për herë të fundit, për pak minuta e vetme, përballë dy krijesave të saj. Askush nuk di të thotë se ku e ka gjetur guximin nëna 22- vjeçare, për të vrarë njëri pas tjetrit, Lejlën 6-vjeçare dhe Redionin 3- vjeçar. Por brenda pak sekondash, dy krismat janë mbytur nga një e tretë, duke ngritur në këmbë gjithë lagjen “Beqir Dardha” të Elbasanit. Pasi ka vrarë fëmijët e saj, Elsa Rakipi ka mbështetur çiften në kraharor dhe e ka shkrehur, duke i shkaktuar vetes vdekjen e menjëhershme, përkrah fëmijëve të saj.


Masakra
Tragjedia rrëqethëse e ka zanafillën dy ditë më parë, kur bashkëshorti i Elsa Rakipit vendosi të braktiste gruan dhe dy fëmijët. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Neritan Nallbati, pohon për “Shekullin” se dy bashkëshortët romë grindeshin prej kohësh për probleme familjare. Sherri final ka ndodhur mbasditen e hënës, kur Luan Rakipi vendosi të ndahej nga e shoqja dhe të largohej në Pogradec, ku jetonte familja e tij. Gruaja 22- vjeçare, e cila kishte më shumë se 7 vjet martesë me Luan Rakipin, nuk e ka përballuar dot braktisjen e të shoqit. Drejtori Nallbati shton se ajo ka kaluar tronditje të rëndë psiqike, në çastin kur vendosi të vrasë dy fëmijët e saj. Gjatë dy ditëve të kaluara, Elsa Rakipi dhe dy fëmijët e saj lëviznin disa herë në ditë, nga apartamenti i tyre tek shtëpia e babait të 22- vjeçares, ku edhe ndodhi tragjedia e kësaj familjeje.


Ngjarja
Ora ka shënuar 10.00 e mëngjesit, kur në shtëpinë e Mynir Ademit është dëgjuar e shtëna e parë e çiftes. Artan Ademi, vëllai i Elsës, thotë për “Shekullin” se e motra kishte shkuar në mëngjes, së bashku me dy fëmijët e saj, në shtëpinë dykatëshe ku ndodhi gjëma. Në këtë shtëpi ndodhej vetëm nëna e Elsës dhe kunata e saj, të cilat ndodheshin në katin e parë. Pasi është përshëndetur me to, Elsa Rakipi ka marrë dy fëmijët e saj dhe është ngjitur në një dhomë, në katin e dytë të shtëpisë. Askujt nuk i ka shkuar ndërmend se ajo do të qëllonte mbi fëmijët e saj dhe më pas do t’i jepte fund jetës. “Ajo ka mbyllur derën me çelës e më pas ka qëlluar mbi dy fëmijët”,-tregon me lot në sy vëllai i Elsa Rakipit. Pak sekonda më vonë ajo ka vrarë veten. Dy gratë që ndodheshin në shtëpi kanë kërkuar ndihmë, pasi janë lemerisur nga krismat e armës. Një i afërm i tyre ka mbërritur pak minuta më vonë, në katin e dytë të shtëpisë , ku me zor mundi të hapë derën e kyçur përbrenda.


Viktimat
Në shtëpinë e mortit, askush nuk guxon të tregojë skenën e tmerrit. Elsa Rakipi është gjendur e vdekur mes dy fëmijëve të saj, të cilët ende nuk kishin dhënë shpirt. Familjarët, të cilët janë grumbulluar një nga një, kanë vënë kujën duke tmerruar me këtë gjëmë gjithë lagjen “Beqir Dardha” të Elbasanit. Dy fëmijët dhe nëna-vrasëse e tyre janë dërguar në drejtim të spitalit të Elbasanit, për të marrë ndihmën mjekësore. Drejtori i policisë së Elbasanit, Neritan Nallbati shton për “Shekullin” se Elsa Rakipi ka vdekur në vend ndërsa Lejla dhe Redioni kanë ndërruar jetë në mjediset e spitalit të Elbasanit. Policia në bashkëpunim edhe me organin e akuzës kanë hapur një dosje për këtë çështje, që pritet të mbyllet së shpejti. Por tragjedia e djeshme, kur gruaja 22- vjeçare vrau dy krijesat e saj e më pas veten, nuk do të harrohet lehtë nga qytetarët e Elbasanit.




18/09/2003