Çfarë është "festa e verës"?
-----------------------------
Një nga penat më të shquara të letrave shqipe, Faik Konica, përshkruan hollësisht ç'është Festa e Verës apo, ndryshe, Festa e Luleve. "Kjo është një festë ku stërgjyshërit tanë, kur Krishterimi s'kishte lindur ende, kremtonin me romakët dhe grekët e vjetër perëndinë e luleve dhe të shelgjeve", shprehet Konica në një nga veprat e tij. Më tej ai vazhdon: "Kjo ishte një festë ku të parët tanë rrethonin me verore degët e shelgjeve, të thanave e dëllinjave dhe mbushnin shtëpitë e tyre me lulet e dafinave dhe të gjithë shelgjeve të bekuar".
Në ditët e sotme elbasanasit vazhdojnë traditën qindravjeçare të kremtimit të Festës së Verës apo të Luleve. Kjo është një festë pagane dhe është festuar vetëm në qytetin e Elbasanit. Në këtë ditë amvisat elbasanase përgatisin ëmbëlsira ku spikat ballokumja, një ëmbëlsirë që përgatitet vetëm në këtë qytet. Vitet e fundit Elbasanin e kanë vizituar shumë familjarë nga qytete të tjera, por edhe shqiptarë nga jashtë kufijve. Shumë shqiptarë të Maqedonisë dhe të Kosovës i janë bashkuar Festës së Luleve. Shelgjet dhe lulet janë një tjetër simbol i kësaj feste. Kohë më parë Elbasani quhej "qyteti i luleve", por ka vite që ky emërtim tingëllon i huaj për banorët e këtij qyteti. Ditën e 14 marsit të gjithë fëmijët mblidhen dhe thurin kurora me lule, i vënë ato në kokat e tyre dhe shpërndajnë ëmbëlsirën-simbol, ballokumen. Pak vite më parë kjo festë dukej se u harrua, por qytetarët e Elbasanit nuk e lejuan shuarjen e kësaj tradite.
Një tjetër Traditë nga besimi dhe folklori jonë
Përshëndetje
Drini.
Krijoni Kontakt