MILANO (12 Gusht) - I ka mjaftuar një lugë dhe ka hapur 50 centimetra murin e qelisë. Skema klasike e arratisjes nga burgu nëpërmjet një litari të bërë nga rroba i ka dhënë lirinë një shqiptari që vuante dënimin në burgjet italiane. I dënuari me 8 vjet heqje lirie kishte vendosur t'i jepte fund kohës së vuajtjes së dënimit, duke u arratisur nga burgu. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, shqiptari 24-vjeçar Miki Rapi, i cili ishte i burgosur në një nga burgjet e Milanos, është arratisur mbrëmjen e së shtunës duke u gdhirë e diel. Ndërsa një gazetë tjetër italiane citon se emri i 24-vjeçarit shqiptar është Ibrahim Krasniqi, pasi ka ndërruar shumë identitete. Së bashku me të mësohet të kenë qenë edhe dy të dënuar të tjerë, edhe ata shqiptarë, të cilët nuk kanë e shijuar dot asnjë moment lirinë jashtë burgut. Më me fat duket se ka qenë shqiptari, i cili prej tri ditësh është i pakapshëm nga autoritetet italiane. Arratisja Prej disa kohësh Ibrahim Krasniqi vuante dënimin e tij në burgun e "San Vitores" në qytetin e Milanos. Bashkë me dy shokët e tij i dënuari për një sërë akuzash kishte organizuar një plan për t'u arratisur nga burgu. Ata kanë përdorur skemën klasike të arratisjes. Fillimisht kishin hapur një vrimë në murin e qelisë së tyre, kanë arritur të zbresin deri në tokë, madje duke kaluar të lirë edhe përpara dhomave të tjera të qelisë. I gjithë aksioni i tyre për arratisje ka marrë jetë në orët e para së të dielës. Më pas për të kaluar murin e qelisë tre të dënuarit janë larguar duke përdorur disa rroba që i kishin lidhur njëra me tjetrën dhe më pas kanë mundur që të largohen. Por 24-vjeçari Ibrahim Krasniqi me ndihmën e një peme ka mundur që ta kalojë murin me një lartësi prej 6-metrash, duke humbur në këtë mënyrë edhe gjurmët e tij. Ndërsa dy të tjerët janë arrestuar pa mundur dot të largohen. Kërkimi Shqiptari Ibrahim Krasniqi ishte dënuar nga gjykata italiane me 8 vjet heqje lirie. Mbi 24-vjeçarin rëndonin një sërë akuzash si: "dhunë seksuale, trafik të qenieve njerëzore" dhe "shfrytëzim prostitucioni". Ai ishte dënuar në pranverën e vitit të kaluar nga gjykata italiane për këto akuza. Ndërkaq që nga dita e diel ai është shpallur person në kërkim dhe policia italiane nuk ka asnjë të dhënë për të. Arratisje të tilla në burgun e "San Vitores" janë mjaft të rralla, me përjashtim të rasteve kur të dënuarit shtrohen në spital ose nuk kthehen nga leja. Arratisja e fundit ka ndodhur rreth tetë vjet më parë, kur dy shqiptarë të tjerë u arratisën me të njëjtën mënyrë si dhe 24-vjeçari, por liria e tyre nuk zgjati shumë, pasi u arrestua disa ditë më vonë. Kjo ngjarje vjen pas një sërë polemikash për situatën e burgjeve në Itali. anjo/anjo (GazetaShqiptare/BalkanWeb)