Ndihmësekretarja e Shtetit Xhons: Të ndërtohen institucionet, pastaj të flitet për statusin


PRISHTINE, 6 qershor - “Përkrahja amerikane për Kosovën do të vazhdojë edhe më tutje”, tha sot në Prishtinë ndihmësekretarja e shtetit për çështje të Evropës dhe Evroazisë, Elizabet Xhons. “Para se të flitet për statusin final, duhet që të punohet edhe më shumë për ndërtimin e institucioneve të Kosovës”, tha Xhons, pas takimit me kryeministrin Bajram Rexhepi. Ajo është takuar gjithashtu edhe me zëvendësadministratorin, Çarls Brajshou dhe me ushtruesin e detyrës së komandantit të KFOR-it, Kristian Millota. “Qeveria amerikane është e kënaqur me zhvillimet e deritashme në Kosovë. Por Kosova dhe më tutje ka nevojë për ndihmë, sidomos në fushën e ekonomisë, ku duhet përkrahur procesi i filluar i privatizimit”, tha Xhons. Ndihmsësekretarja e shtetit për çështje të Evropës dhe Evroazisë, Elizabet Xhons tha se duhen kryer edhe disa punë të tjera, në mënyrë që të fillohet të bisedohet për statusin final të Kosovës. “Sa i përket statusit final unë mendoj se së pari duhet të përqëndrohemi në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve, ndërsa çështjen e statusit të Kosovës ta lëmë për më vonë. Për SHBA-të është me rëndësi që Kosova të ketë institucione të zhvilluara në mënyrë që integrimi i saj atje ku e ka vendin të jetë shumë i lehtë”, tha Elizabet Xhons. Mendim të njëjtë për rrugën drejt statusit final kishte edhe kryeministri Bajram Rexhepi. Ai shtoi se synimi i institucioneve është pavarësia e Kosovës. Ndihmëssekretarja e shtetit për çështje të Evropës dhe Evroazisë, Elizabet Xhons, tha se për Kosovën është me rëndësi që të respektohen në mënyrë të barabartë të drejtat e të gjitha komuniteteve. “Për ne është me rëndësi të veçantë respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut. Për integrimin e të gjitha komuniteteve nuk mjafton vetëm të flitet, por të veprohet konkretisht. Qytetarët e këtij vendi duhet t'i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre politike, ato ekonomike apo shoqërore, në mënyrë që kjo pjesë e botës të jetë e integruar në strukturat ndërkombëtare”, tha Xhons. Ndërkaq kryeministri Rexhepi tha se qeveria që ai drejton do të angazhohet shumë për respektimin e të drejtave të të gjithëve. Gjatë takimit mes kryeministrit Rexhepi dhe ndihmsësekretares amerikane të shtetit për çështje të Evropës dhe Evroazisë, Elizabet Xhons, është biseduar edhe për mundësinë e ndihmës amerikane në fushën e administrimit, të arsimit e në fusha të tjera. Xhons sot është takuar edhe me zëvendësadministratorin, Çarls Brajshou dhe me ushtruesin e detyrës së komandantit të KFOR-it, Kristian Millota. Elizabet Xhons po qëndron në Kosovë në kuadër të një turneu të saj nëpër vendet e Ballkanit.