“Mafia shqiptare” - një libër urrejtje dhe racizmi antishqiptar
Nga LEKË SOKOLI
Instituti i Studimeve Politike e Sociale (ISPS), revista “Politika &
Shoqëria”
Rreth librit Mafia shqiptare – një rrezik për Europën të studiuesve
francezë XAVIER RAUFER dhe STEFANE QUERE
Pak kohë më parë u vu në qarkullim libri “Mafia shqiptare - një rrezik për
Europën”, me nëntitullin “Si lindi kjo superfuqi e Ballkanit?”, i autorëve
francezë Xavier Raufer dhe Stefane Quere. Ç’është ky libër?
Një libër më shumë në bibliotekën (jo aq të varfër) të racizmit
Një libër i ri është i mirëpritur në rrethet intelektuale dhe shkencore,
sikurse edhe nga lexuesi i gjerë. Në Shqipëri është bërë zakon që botimi i
një libri të vërtetë të konsiderohet ngjarje. Madje sikur është bërë e modës
që librat më të mirëpritur të jenë librat e autoëve huaj. Kjo mbart në
vetvete edhe mikpritjen tonë tradicionale (sikurse edhe servilizmin
jotradicional), për “të huajt” e veprat e tyre . Libri në fjalë është
pikërisht “një zë nga Franca”, siç ka theksuar në pasthënien e tij
redaktori, dr. Bujar Ramaj. Ai duhej të ishte mirëpritur prej vetë
shqiptarëve, si një libër kundër mafias, e cila, kudo ku jetojnë shqiptarët,
konsiderohet si një mallkim, një fatkeqësi që u shtohet fatkeqësive të
tjera, historike apo të jetës së përditshme, një barrierë reale për
integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane, një pengesë për përcaktimin
e statusit final të Kosovës etj. Në këtë kuptim shqiptarët urrejnë çdo lloj
mafie e çdo lloj organizimi sipas modelit mafioz. Një libër i vërtetë kundër
mafias do t’i bashkëngjitej revoltës së shqiptarëve kundër trafikantëve të
drogës, të grave, të klandestinëve, të makinave etj., sikurse kundër
korrupsionit, kondrabandës, inkriminimit, dhunimit të të drejtave civile
etj.
Libri paraqitet si “Një tablo kriminale, e bazuar në të dhëna e fakte
kryesisht zyrtare e nga masmedia shqiptare, të përpunuara nga këndvështrimi
i një kriminologu investigues, me logjikën analitike të një studiuesi me
nivel, … me konkluzione, prognoza, rekomandime shkencore dhe praktika
bindëse…” (Pasthënia, fq. 165). Ai është shkruar nga dy studiues
profesionistë, ndonëse në të jepen të dhëna vetëm për njerin prej tyre (!),
Ksavie Rofe (Xavier Raufer): drejtor i studimeve të një qendre universitare
të Parisit dhe pedagog në Institutin e Kriminologjisë së Parisit, autor i
dhjetë librave etj. Libri paraqitet si një botim sipas origjinalit, me një
shtojcë të ripunuar nga autorët nën kujdestarinë e “Qendrës Shqiptare për
Studimin e Krimit të Organizuar dhe Mafias”.
Pritej, pra, një libër sipas standardeve të shkencave shoqërore
bashkëkohore. Por libri në fjalë nuk ka të bëjë aspak me këto shkenca. Atij
i mungon, para së gjithash, rigoroziteti shkencor. “Mafia shqiptare” i ngjan
një broshure propagandistike, amatoreske e spekulative, në të cilën janë
bashkuar rrëmujshëm fakte e të dhëna, citime pa lidhje logjike e jashtë
kontekstit, karakteristike për spekulantët. Po marrim vetëm një element,
referencat, pa të cilat një libër nuk mund të quhet shkencor. Në çdo libër,
të çfardo fushe të shkencave shoqërore, informacioni duhet të jetë i
verifikueshëm nga oponentët, recensentët apo të interesuar të tjerë. Në këtë
libër zotërojnë pohime të tipit “sipas Interpolit”, “nga konfirmimi i
policëve të besueshëm”, “sipas AFP-së”, “shërbimet speciale bëjnëtë ditur
se…”, “kemi të dhëna se…”, “sipas zëdhënësit të…”etj.
“Mafia shqiptare” ka një inflacion aq të madh të dhënash e citimesh (këto
përbëjnë lëndën kryesore të librit), saqë e bëjnë atë të lodhshëm, thuajse
të palexueshëm. Duket sikur gjithçka është stisur me qëllim që lexuesi,
sidomos ai që bën politikën e madhe (në Europë e më tej), të mjaftohet vetëm
me titujt “mbresëlënës” , që të arrijë shpejt e shpejt në përfundimin:
“Shqipëria (më saktë trekëndëshi shqipfolës i Ballkanit), po shndërrohet (në
mos është shndërruar), në Kolumbi të Europës (fq. 97). Shqiptarët e kanë në
gen klanin dhe mafian, madje që nga koha parahomerike (fq. 93). Hapësira
shqipfolëse (“trekëndëshi i artë”-jepen edhe hartat), është vendlindja dhe
vendbanimi i vërtetë i mafias. Shqiptarët (mafiozët) po shpërngulen drejt
Europës, bashkë me kanunin e tyre (kodin e mafias), sikurse pesë shekuj më
parë drejt Italisë së Jugut, për të krijuar mafian italiane (fq. 117).
Eksodi shqiptar është një kolonizim mafioz (fq. 73) dhe mafia shqiptare
përfaqëson rrezikun më të madh të Europës (fq. 72-89). Ky realitet i mafias
shqiptare është jo vetëm i padurueshëm, por edhe i pandreqshëm (fq. 105). Ai
provon se qëndrimi i fuqive të mëdha perëndimore ndaj Kosovës gabimisht
ndërroi udhë, në fillim të 1999-ës (fq. 104). Vetë SHBA-të u nxituan (fq.
97), ndërsa OKB-ja po gabon (fq. 98-99). Është e kotë të përpiqesh të
zgjidhësh mllefet e shqiptarëve të Kosovës me anë të forcës ndërkombëtare
(fq. 98). Kosova, tani për tani, është vetëm një ëndërr e keqe (fq. 109),
ajo po shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një Bosnje të dytë (fq.
108), që jeton vetëm me ndihma të huaja dhe me industrinë e krimit (fq.
109). Madje Kosova (sikurse gjithë trekëndëshi shqipfolës) nuk është Europë,
por një vend ku zotëron kultura kriminale islamike (fq. 108). Pra mos u
gaboni të dënoni masakrat ndaj shqiptarëve, derisa kriminelët dhe mafiozët
janë ata vetë. Pa mëshirë! Lërini serbët të mbarojnë punë me ta. Të paktën
mos nxitoni për statusin final të Kosovës ose, më ekzaktësisht, mos guxoni
të nxitoni…
Ky është mesazhi i librit “Mafia shqiptare”. Ai nuk është një libër kundër
mafias, por një libër urrejtje dhe racizmi antishqiptar. Këtej burojnë
diletantizmi, mungesa e rigorozitetit dhe e cilësisë akademike të tij.
Autorët bëjnë një lojë sofistike me të dhëna që s’mund të quhen të tilla, me
thënie e stërthënie pa adresë, pra as më shumë e as më pak, por një lojë
amatoreske, lojë diletantësh të shkencës. Madje autorët e ndiejnë se do të
akuzohen për manipulim të qëllimshëm të të dhënave, për përkthime të rreme
etj., ndaj si hileqarë të vërtetë, kanë nxituar “t’i dalin të keqes
përpara”, duke theksuar: “Ja në version origjinal, për të shmangur akuzën
për përkthim të rremë” (fq. 104, 107).
Autorët, gjithashtu, nxitojnë t’i dalin të keqes përpara edhe për racizmin
antishqiptar që vlon në çdo faqe të librit. Raufer, në parathënien e librit
thotë: “Dëgjoj që këtu vetëdijet morale: të flasësh për mafian shqiptare? Do
të thotë të bësh lojën e Millosheviçit dhe të biesh në racizëm antishqiptar.
Por, si kriminolog shkruaj pa qëllim të keq” (fq. 17). Edhe botuesi, sikurse
vetë autorët, duke e ndierë racizmin antishqiptar të këtij botimi, rend të
bëjë një deklaratë dashurie për Shqipërinë: “Përsa më përket mua, e dua
Shqipërinë…” (fq. 5). Por nga përmbajtja mund të konstatohet, madje pa shumë
vështirësi, se libri është shkruar me një qëllim politik të përcaktuar
qartë. Autorët janë përpjekur të përpunojnë një mendim politik (kriminal),
me shpresën se ai, të paktën, do të justifikojë aksionet kriminale kundër
botës “mafioze” shqipfolëse, apo edhe do të jetë pararendës i një veprimi të
ri kriminal kundër saj.
“Mafia shqiptare” është, pra, një libër më shumë në bibliotekën (jo aq të
varfër) të racizmit. Le të argumentojmë.
Mafia dhe “Mafia shqiptare”
Në libër vërehen shtrembërime në përcaktimin e historisë e mafias, sikurse
ato që lidhen me jetën tradicionale të shqiptarëve, kulturën, të drejtën e
tyre zakonore etj. Këto shtrembërime nisin që me përkufizimin e mafias si
“një bashkim (koalicion) sekret “familjesh”, të lidhura nga gjaku ose
martesa…, që vendos ligjin e pamëshirshëm të heshtjes (omeritá), që rekruton
njerëz vetëm në bazë të seksit ose të racës…” (fq. 29). Në të vërtetë
autorët kanë abuzuar, jo pa qëllim, me “argumentin” se qeliza e parë e
mafias është familja. Nëse lidhjet e gjakut do të ishin i vetmi kriter
rekrutimi, atëherë Tano Karidi, Terasini, Spinoza, kontesha Olga etj. (nga
filmi “Oktapodi”, për të mos shkuar më tej), të gjithë duhej të kishin
lidhje gjaku me njëri-tjetrin (!).
Në të vërtetë mafia përfaqëson një rrjet i cili, për të qenë mafie, duhet
të plotësoje tre kushte: të qenit rrjet sekret bashkëpunimi (organizimi), të
veprojë për interesa ekonomike private (qëllimi), permes vendosjes së një
rendi primitiv ose drejtësie primitive (mjeti). Lidhjet e gjakut, fisi,
fqinjësia etj., etj., ndryshe nga ç’pretendojnë autorët e librit (fq. 28),
në mafian moderne nuk kanë ndonjë peshë me rëndësi. Përkundrazi, mafiozët po
tentojnë gjithnjë e më shumë që t’i mbajnë familjarët larg implikimit në
veprimtaritë mafioze në të cilat ata janë përfshirë. Këtë e tregojnë edhe
gjyqet e zhvilluara ndaj rrjeteve të tipit mafioz, siç është për shembull
gjyqi “kokaina” në Tiranë, për të cilin flitet në shtojcën e botimit shqip
të librit (fq. 138-140).
Këto shtrembërime në interpretimin e përcaktimit të mafias bëhen për ta
“afruar” atë teorikisht me fenomenet shekullore të jetës shqiptare, si besa,
Kanuni etj., që thuajse paraqiten nga autorët si shtylla ku mbështetet mafia
shqiptare (!). Amatorizmi, mungesa e rigorozitetit shkencor etj., lidhen
pikërisht me tërbimin antishqiptar të autorëve, me përpjekjen për të
identifikuar popullin shqiptar me mafian. Autorët shkojnë deri atje sa
dukuri zakonore me zanafillë njëmijëvjeçare, si besa (fjala e dhënë) etj.,
jepen si pararendëse të mafias.
Këmbëngulja e autorëve për të nënvizuar si kyç të suksesit të mafias
shqiptare cilësi të përgjithshme morale si fjala e dhënë, besa, familjen
biologjike (për ta, mafioze, fq. 116), apo lidhjet e gjakut është, në fakt,
këmbëngulje për të bindur botën se “shpirti mafioz” përkon tërësisht me
“shpirtin e racës” shqiptare. Madja autorët “çuditen” pse Kanuni i Lekë
Dukagjinit i cili, sipas logjikës së tyre, na qenka “Bibla e mafias”, që
“zbatohej pa të meta në malet e veriut të vendit, veçanërisht nga familjet
mafioze” (fq. 117), shitet lirshëm në kioskat dhe libraritë e qyteteve
shqiptare (fq. 34, 117). Pra, çuditërisht, “një zë nga Perëndimi” na kujton
kohën e librave të ndaluar. Do t’u kujtoja këtyre autorëve “të çuditur” (apo
të çoroditur), se ky Kanun shitet lirshëm edhe në libraritë e vendeve të
Perëndimit, madje në botime shumë serioze dygjuhëshe, siç është, për
shembull, varianti anglisht-shqip që shitet në libraritë (jo kioska) të
Nju-Jorkut.
E drejta zakonore shqiptare dhe ligjet e mafias
Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të vinte një ditë që të polemizoja me
dy (pseudo)shkencëtarë të huaj (aq më tepër francezë), rreth çështjeve që
përbëjnë abc-në e shkencave shoqërore, sipas të cilave e drejta dokesore e
një populli, sikurse mitet, përrallat, këngët epike, madje edhe kultura
materiale në përgjithësi, nuk mund të identifikohen me një njeri të vetëm.
Ato krijohen e pasurohen përgjatë shekujve nga populli, duke u bërë kështu
një krenari e mendësisë dhe mençurisë së tij. Autorët kanë vënë në
shënjestër Kanunin (sikurse vetë Lekë Dukagjinin), pikërisht për shkak të të
qenit “palcë etnike e kombit shqiptar dhe e kulturës së tij”, siç thoshte
Fishta, pra për të hedhur baltë mbi kulturën tonë kombëtare (sipas autorëve,
kulturë e krimit), e mbi vetë shqipfolësit “mafiozë”.
Duke u nisur nga parimi se një bashkësi njerëzore nuk e përcakton fati i
përbashkët historik, as tradita e saj fetare, por mbi të gjitha e drejta
dokesore, shumë shkencëtarë europianë (J.G. von Hahn, H. Hecquard, C.
Becker, M. E. Durham, G. Siebertz, E. Cozzi, E. Jackh, F. Nopça, L.
Lamouche, E. Kahn, J. Bourcart, Godart, R. M. Lane, J. H.A. Bernatzik, M.
Hasluck, L. Fox etj.) , shumë kohë para autorëve të “Mafia shqiptare”, janë
marrë me kanunet shqiptare, sidomos me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ata e kanë
quajtur këtë të drejtë zakonore si shprehje të mirëfilltë të karakterit
shqiptar: një karakter i mbrujtur me një moral të veçantë dhe që funksionon
me standarde etike të vetat, si te çdo popull i qytetëruar i botës.
Por asnjeri prej tyre nuk ka arritur të “zbulojë” pikëtakime midis ligjeve
të së drejtës zakonore shqiptare dhe ligjeve të mafias, siç bëjnë në këtë
libër Xavier Raufer dhe Stefane Quere. Kanuni, pra kjo vepër unikale me
frymën humaniste të periudhës së Rilindjes Evropiane, me kontribut në
thesarin e kulturës botërore (siç ka theksuar Schwerin), i quajtur si
“Kushtetuta e vërtetë e shqiptarëve” (nga E. Durham etj.), nuk mund të jetë
kurrsesi “kushtetua e mafias”, siç lenë të kuptohet apo siç pohojnë autorët
e librit.
Por libri “Mafia shqiptare” përmban një mal të pavërtetash për Kanunin
shqiptar, hartuesit dhe zbatuesit e tij. Le të citojmë (fq. 117-118):
“Në shekullin XV, pak para pushtimit turk, Lekë Dukagjini (Aleksandri, dukë
lani), ose Zhani (Jan) - shihet ndikimi bizantin - fisniku gegë nga Dagmo
dhe Zadrima, hartoi me shkrim këtë bashkësi rregullash (në fuqi për shumicën
që nga parahistoria, në Iliri dhe në Epir), dhe i dha emrin e tij. Dukagjini
luftoi kundër pushtuesve turq deri në vitin 1472, pastaj, i mundur, kapërceu
me anije kanalin e Otrantos, me klane të tjera shqiptare. Ai u vendos në
Pulja, të tjerë në Kalabri, duke sjellë me vete Kanunin e tyre. Studiues të
familjeve mafioze mendojnë se Kanuni ka ndikuar shumë në mënyrën e sjelljes
së mafiave italiane dhe në sjelljen e “burrave të fjalës”… Ai parashikon
edhe rastin e aksidenteve vdekjeprurëse me veturë”.
Këtu, sikurse në të gjithë librin, shtrembërimet mund të dallohen pa shumë
mundim:
1. Princi (jo fisniku) shqiptar Lekë Dukagjini (1410-1481), për shembull,
nuk është njohur me emrat Aleksandër, apo Zhani (Jan), pra nuk kemi të bëjmë
me ndonjë ndikim bizantin, siç pohojnë autorët e “Mafia shqiptare”. Me sa
duket edhe kjo “ndërhyrje” është bërë me qëllim përkeqësues, për ta lidhur
të drejtën tone zakonore me konceptet, sjelljen, qëndrimet, veprimet,
dredhitë, dinakërinë apo harbutërinë bizantine, siç është bërë zakon të
kuptohet përdorimi i kësaj fjale.
2. Lekë Dukagjinit i njihet autorësia e njerit prej kanuneve tona, por
vetëm si krijimtari gojore, jo e shkruar. Ai u trashëgua si praktikë
gjykimi, si sentenca juridike, veproi në shekuj si “Common low” anglez, duke
qenë i pashkruar, deri sa u mblodh dhe u kodifikua nga Shtjefën Gjeçovi, në
kapërcyell të shekujve XIX-XX. Pra deklarimi “duke sjellë me vete Kanunin e
tyre”, është abuziv, derisa ky Kanun është shkruar shekuj pas eksodit të
shqiptarëve drejt Italisë.
3. Është absurde të përpiqesh të argumentosh se të jetuarit në një shoqëri
ku zbatohet Kanuni shqiptar është njëlloj me rekrutimin në një shoqëri apo
organizatë mafioze, nga e cila mund të shmangesh “vetëm me rrezik jete” (fq.
29). Kanuni, përkundrazi, njeh lirinë brenda organizimit fisnor, të cilën e
institucionalizoi me organizimin e pleqësisë mbi bazë fshati e krahine etj.
Kanuni i vjetër shqiptar kishte shumë më tepër hapësira lirie, jo vetëm se
mafia, por, siç vëren Kadareja edhe nga e ashtuquajtura “drejtësi e
frymëzuar nga lufta e klasave”, para së cilës ai ngjante çuditërisht
demokratik dhe kujtohej me mall prej shqiptarëve. Nuk është e rastit që
Kanuni, gjatë regjimit komunist, ishte ndaluar të botohej. Autorët e librit
rekomandojnë të (ri)ndalohet edhe tani, në epokën e lirisë.
4. Autorët thuajse e kanë njëjtësuar Kanunin me gjakmarrjen, e cila nuk
është veçse një pjesë e neneve të tij ndëshkuese. Do të ishte njëlloj sikur
një shtet (Franca, për shembull), të gjykohej vetëm nga kodi i vet penal.
5. Edhe sikur t’i referohemi vetëm gjakmarrjes (pjesa më e verbër e
Kanunit), nuk mund të bëhet paralelizëm midis ligjeve të Kanunit dhe atyre
të mafias, qoftë edhe për faktin se në Kanun parimi bazë është “barazia e
gjakut”, pra e njerëzve. Mafia, përkundrazi, nuk njeh kurrëfarë barazie.
6. Rregullat tragjiko-groteske të gjakmarrjes përjashtonin dy gjera:
masakrën dhe çnderimin, ndryshe nga ç’ndodh me vrasjet mafioze.
7. Autorët e quajnë si tipar të së drejtës zakonore shqiptare të
ashtuquajturin omeritá, pra ligjin e pamëshirshëm të heshtjes në krim,
vrasje etj. (shih, për shembull, fq. 29, 51, 53, 77, 158). Në të vërtetë
vrasja kanunore nuk pasohet nga heshtja. Përkundrazi ajo ishte si një pjesë
teatri, si një pjesë e luajtur në sytë e të gjithëve. Si e tillë ajo
artificializohej, shkëputej nga pasionet, zbrazej nga verbëria. Vrasësi
ishte i detyrar të njoftonte familjen e viktimës për gjakun e marrë dhe
autorësinë e vrasjes. Për më tepër ai ishte i detyruar të merrte pjesë në
drekën e mortit të viktimës, sikurse nëna dhe motrat e tij ishin të
detyruara t’i shërbenin atij, si gjithë të tjerëve. Kjo është, pra, krejt e
kundërta e ligjit mafioz të heshtjes, të cilin autorët e përmendin dhe e
analizojnë thuajse në çdo paragraf të librit, në përpjekjen për të
“argumentuar” tezat e tyre antishqiptare mbi gjenezën e mafias.
8. Me psikologjinë sociale të shqiptarëve, mënyrën e jetesës e të
organizimit shoqëror, me të drejtën e tyre dokesore, autorët kanë synuar të
shpjegojnë edhe “origjinën” e mafias italiane. Por studimet mbi mafian
italiane, të bëra nga vetë studiuesit italianë, provojnë të kundërtën. Në
librin “Mafia dhe politika”, autori i tij, Mikele Pantaleone, shpjegon
historinë dhe organizimin e mafias, sikurse përcakton me shumë saktësi
vendosjen gjeografike të saj. Ai në asnjë faqe të librit nuk ka dhënë ndonjë
shenjë të ndikimit shqiptar në historinë e mafias italiane. Madje edhe
rrethanat historike të lindjes së saj, nuk përkojnë me historinë e
shqipfolësve ballkanas, siç pretendojnë autorët e “Mafia shqiptare”.
Citojmë:
“Në kohën e pushtimit fenikas, grek, romak e arab, Sicilia Qendrore ishte
objekt ndarjesh në latifonde, domethënë në toka të mëdha, në të cilat
pronarët me pushtet absolut, përgjithësisht nuk banonin. Administrimi i
çifligjeve, drejtimi i skllevërve që banonin në to, zakonisht u besohej
njerëzve të shthurur, shumica kriminelë të vjetër, që organizoheshin në
grupe, “kompani të armatosura”, për të shfrytëzuar popullsinë skllave, që
ndodhej në mëshirën e tyre e për të vendosur njëfarë rendi primitiv e
brutal. Një situatë e tillë nuk ndryshoi as gjatë epokës së mesjetës dhe
mbretërimit të Burbonëve...”
Një sfond i tillë historik dhe ekonomiko-social, me të cilin lidhet
realisht origjina e mafias, nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Edhe një tjetër
autor italian, Xhemeli, që më 1848, në librin “Historia e revolucionit
sicilian”, pohon për të njëjtën dukuri:
“Origjina e këtij organizimi të famshëm na çon në epokën feudale, kur forcat
publike u zevëndësuan nga pushteti personal; kur baroni dhe pronari, për të
mbrojtur pasuritë e tyre, kështjellën dhe çifligun, qenë të detyruar të
pajtonin me rrogë banda njerëzish të shthurur.”
Pra kërkimi nga italianët i rrënjëve të mafias së tyre nuk i çon ata në
Shqipëri, por në epokën feudale (madje edhe parafeudale), italiane
(pikërisht siciliane), madje edhe në epokën para Lekë Dukagjinit.
9. Autorët e “Mafia shqiptare” kanë synuar të depërtojnë në Kanunin
shqiptar dhe institucionet e tij, duke e parë atë jo në përdorimet korrekte,
por vetëm në shtrembërimet e tij. Me këto shtrembërime dhe me vështirësitë
gjithfarëshe të tranzicionit paskomunist, lidhen edhe rastet e “gjakmarrjes”
në Shqipëri apo Kosovë, për të cilat autorët sjellin një lumë të dhënash
(fq. 23 etj.).
10. Sipas autorëve të librit, shoqëritë klanore pjellin mafie. Por si i
bëhet që shoqëri klanore, madje gjakmarrje etj., ka patur edhe në Francë, në
Korsikë, për shembull? Ja “zgjidhja”: “Në Korsikë, një shoqëri klanore dhe
një arenë shumë aktive krimi, prodhuan – në mungesë të një modeli të
përshtatshëm organizimi apo vullneti për ta zbatuar atë – veçse një mjedis
kriminal, por jo mafia” (fq. 34). Pyetja se ç’përfaqëson ky “model” (fq.
69-70), merr veçse ndonjë përgjigje të rrëmujshme:
“Rrethanat shoqërore dhe historike, në mënyrë darviniane, shkaktojnë një
ndryshim të vrazhdë në fillim, ndjekur nga një dyndje e dukurive përparuese
kriminale. Një shembëlltyrë botanike jep mundësinë të sqarohet kjo përpjekje
e befasishme: ajo e farave të qeskëzuara, të groposura në shkretëtirë
nganjëherë për disa dekada, dhe që mjafton një rrebesh për t’i lulëzuar
natën” (fq. 39-40). Kuptoje në je i zoti!
11. Të çudit dallimi që bëjnë autorët midis Ballkanit shqipfolës dhe atij
joshqipfolës. Edhe kur ai lidhet me virtytet, edhe me cenet, përsëri
interpretimet e autorëve janë gjithnjë në kurriz të shqiptarëve, të cilët,
të vetëm në Ballkan, na qenkan mafiozë.
12. Të çudit gjithashtu fakti që autorët e këtij libri të zi e kërkojnë
origjinën e mafias shqiptare jo në cenet dhe marrëzitë e shqiptarëve që,
sikurse te ballkanasit e tjerë, i kanë madje me tepri, por në virtytet e
tyre (nderi, besa, fjala e dhënë, mikpritja etj.), virtyte të cilat po
gjenden përherë e më rrallë në shumë pjesë të botës, duke përfshirë edhe
atdheun e autorëve të librit.
13. Tranzicionalistët i kanë shpjeguar dukuritë e reja sociale të
tranzicionit paskomunist (mafia e kriminaliteti, përdorimi i drogës dhe
prostitucioni etj.), si dukuri të lidhura jo me traditën, por me të tashmen,
së shumti edhe me të shkuarën e afërt, jo me komunitetet e vogla e jetën
tradicionale por, përkundrazi, me shembjen e këtyre komuniteteve, jo me
marrëdhëniet shoqërore të virtytshme, por me komercializimin e marrëdhënieve
shoqërore. E gjithë (a)logjika e librit është e kundërt me këto shpjegime.
“Mafia shqiptare”, proceset integruese të Shqipërisë dhe statusi
përfundimtar i Kosovës
Shqipëria sapo ka nisur proceset integruese, ndërsa Kosova është në kërkim
të statusit përfundimtar të saj. Libri, pra, është një botim “në kohën e
duhur”, për t’i thënë Europës dhe botës se Shqipëria është e paintegrueshme,
ndërsa lidhur me Kosovën, ne evropianët duhet t’i jemi mirënjohës Serbisë,
nëse ajo e “bën zap”(!). Për të “argumentuar” tezat mbi “origjinën
shqiptare” të mafias, si dhe përfundimet raciste që burojnë prej tyre,
autorët kanë thirrur në ndihmë këdo e gjithçka: libra e gazeta (shqiptare,
kosovare apo të huaja), politikanë e ushtarakë, përvojën europiane,
amerikane, deri përvojën e Revolucionit Kulturor Kinez, inxhinierinë
sociale, Darvinin, Frojdin, Jungun, Karl Marksin, Enverin, deri Kongresin e
Drejtshkrimit të Shqipes (!), Gëten etj. Ata, gjithashtu nuk kanë kursyer
askënd: nga Lekë Dukagjini te Sokol Koçiu, nga UÇK-ja te CIA, nga shqiptari
më i zakonshëm tek Toni Bleri apo Bill Klintoni.
Si në tekstet bazë të racizmit, autorët një dukuri të dhënë sociale, siç
është mafia, e përgjithësojnë. Inkriminimin e një pjese të kufizuar të
shoqërisë shqiptare e kosovare e shfrytëzojnë për të “argumentuar”
inkriminimin e gjithë shoqërisë. Sipas tyre, e keqja ka përmasa shumë më të
mëdha nga sa mund të konstatohet. Ligji i heshtjes (omeritá), bën që ne
(europianët), thonë ata, të shohim vetëm majën e ajsbergut. Por kjo e keqe
është ngjtëse e fiton terren. Qendra e gravitetit të mafias ndërkombëtare
është zhvendosur në zonat shqipfolëse të Ballkanit. Tirana është kthyer në
njëfarë OKB-je mafiozësh (fq. 53). Në zonën shqipfolëse gjithçka dominohet
nga mafia.
Shqiptarët krenohen me mafian e tyre. A nuk krenohen ata me UÇK-në, “një
organizatë kriminale që sekuestron, vjedh, plaçkit, rrëmben, ushtron
shantazh, u bën presion dëshmitarëve …, me fjalë të tjera vepron si mafie”
(fq. 91).
Autorët japin alarmin: kjo mafie po pushton Europën. Ajo ka depërtuar në
Britani e Gjermani (fq. 82), në Austri e në Vendet Nordike (fq. 83), në
Danimarkë, Belgjikë e Spanjë (fq. 83-86), në Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari
(fq. 86-88), pa folur për Greqinë, mushkëri e jashtme e saj (fq. 88-89), apo
dy fortifikatat e mafias shqiptare, Italinë e Zvicrën (fq. 72-79).
Mënyra për “dominimin mafioz” të Europës është, sipas autorëve, emigracioni.
“Në vitet 90-92, - thonë ata, - qindra mijëra shqiptarë hynë befas në Greqi;
në shumicën më të madhe ata ishin djem të rinj, pa profesion dhe shpesh
analfabetë” (fq. 88). Duhej theksuar domosdo “analfabetë” (megjithse në
Shqipërinë e asaj kohe të paktën analfabetë nuk kishte), për të kuptuar se
ishin kontingjente lehtësisht të rekrutueshme nga mafia. Ata e cilësojnë
eksodin shqiptar, madje edhe atë kosovar të vitit 1999 , si “një kolonizim
mafioz” (fq. 72, 73) dhe pohojnë, pa mëdyshje: “Është e qartë se kjo dyndje
refugjatësh nuk është një eksod njerëzish të varfër, por një operacion i
planifikuar dhe i organizuar bukur nga mafia shqiptare, në bashkëpunim me
elementët më të korruptuar që kanë mbetur në shtetin shqiptar” (fq. 74).
Po ku qëndron forca e mafias shqiptare?
Kjo mafie, sipas autorëve, është shumë më e fuqishme nga sa mendohet dhe
“askush nuk e njeh me të vërtetë rëndësinë e fenomenit” (fq. 64). Po ku
qëndron forca e mafias shqiptare?
1. Sipas autorëve të librit forca e saj qëndron në radhë të parë te
“kapitali që rrjedh nga krimi” (fq. 22). Këto para riciklohen për t’u shtuar
(teoria e akumulimit të kapitalit, e Karl Marksit), dhe përdoren për të
blerë ndërmarrje, skafe etj, por edhe për të financuar operacione më të
vështira e më të sofistikuara (fq. 22).
2. Forca e mafias qëndron në lidhjen gjenetike me familjen. Celula bazë e
shoqërisë, sipas “moralistëve” Raufer dhe Quere, është njëherësh edhe celula
bazë e mafias. Familja mafioze nuk shuhet kurrë, mafiozët vdesin, por
familja mafioze vazhdon (fq. 29).
3. Forca e saj qëndron, gjithashtu, në lidhjet e mafias shqiptare me atë
ndërkombëtare, në marrëveshjet Joint-Venture me kartelet kolumbiane (fq.
114), mafian italiane (siciliane, puljeze, kalabreze), turke etj., etj.
4. Forca e mafias shqiptare qëndron, sipas autorëve, në lidhjen me
ekstremistët islamikë. Shihni UÇK-në (këtë organizatë kriminalo-mafioze,
thonë autorët), “mbështetja më e siguruar e së cilës erdhi që në fillim nga
boshnjakët. Të dy popujt u afruan me njëri-tjetrin nga feja dhe një armiqësi
e përbashkët kundrejt Jugosllavisë së S. Millosheviçit” (fq. 22). Autorët
madje kanë arritur të sajojnë lidhje të mafias shqiptare me terroristët
islamikë dhe Osama Bin Ladenin (fq. 123).
5. Forca e mafias shqiptare qëndron, më tej, në lidhjet e saj me politikën,
jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, ku mafia është ngritur në sistem, por edhe
ndër shqiptarët e Maqedonisë. Autorët shkruajnë, madje pa iu dridhur kalemi:
“Partitë shqiptare të Maqedonisë janë thjesht shprehje e mafias vendase”
(fq. 95). Madje ato etiketohen si “bashkim kompakt kriminelësh” etj (po
aty).
6. Por, sipas autorëve, mafia shqiptare nuk ka vetëm mbështetjen politike
të vetë shqiptarëve. Ajo ka edhe mbështetje të huaj politike. UÇK-ja
(organizatë mafioze), për shembull, sikurse grupet kriminale të shqiptarëve
të Maqedonisë, janë sponsorizuar edhe nga CIA (fq. 103), pra nga vetë
SHBA-të. Raufer dhe Quere kanë “emëruar” edhe “kumbarin” (padrinon) amerikan
të mafias shqiptare: kongresmenin nga Ohajo, sherifin James Traficant,
“përkrahësi më i tërbuar i UÇK-së në Kongresin amerikan” (fq. 102), “i vetmi
që u dërgua në Kosovë në gjashtëmujorin e parë të ’99-ës, për të armatosur
UÇK-në” (fq. 102). Për të bindur “lexuesin e shastisur” se “i gjithë
aktiviteti i këtij politikani të llojit Pitbull” (fq. 103), “është shprehje
e detyrimeve, besnikërisë dhe e bindjeve ndaj krimit” (fq. 101), autorët nuk
hezitojnë të gërmojnë në biografinë e tij dhe të nxjerrin prej andej
origjinën italiane, lidhjet e tij me “familjen” (celula bazë e mafias - si
kudo në libër), prejardhjen prej “një familje të varfër, por të ndershme”
(siç janë familjet “mafioze” shqiptare, - shënimi im, LS), deri fakte të
tilla si “urdhëroi vrasjen e ....” etj., etj.
Por si është e mundur që SHBA-të të mbështesin e të financojnë një forcë
terroristo-mafioze si UÇK-ja? Për shkak të një politike të dyshimtë e të
koklavitur (fq. 103), për shkak të nxitimit të tyre (dhe shtojnë se çdo
nxitim vjen nga djalli, fq. 97), “për të vendosur nëpërmjet NATO-s një
Kolumbi në zemër të Europës ” (fq. 97), përgjigjen autorët , për shkak të
dështimit të SHBA-ve (këtij të ashtuquajturi shtet), në luftën kundër mafias
dhe në përuljen ndaj saj , pë shkak të naivitetit të tyre (si në Bosnje -
Dejtoni) etj., etj.
7. Forca e mafias shqiptare, sipas autorëve, qëndron në qëndrimet e
çuditshme të komunitetit ndërkombëtar, duke filluar me organizmin kryesor të
tij, OKB-në, sidomos lidhur me Kosovën, “Kolumbinë e Europës”, të cilën ata
shpesh e veçojnë nga Shqipëria. Në libër ka mjaft deklarime të tipit:
“historia e vonshme e Kombeve të Bashkuara jep shumë shembuj qëndrimesh të
çuditshme...” (fq. 97), “në makthet e tyre më të këqia, drejtuesit e KFOR-it
dhe të UNMIK-ut, shohin që Kosova të shndërrohet në mënyrë të pashmangshme
në një Bosnje të dytë” etj. Autorët e cilësojnë praninë ndërkombëtare në
Kosovë si një sipërmarrje pa precedent, që nuk ndihmon në restaurimin e një
vendi, që ai të mund të jetojë në shoqërinë e kombeve (fq. 98). Këtu autorët
e hadhin maskën dhe deklarohen hapur kundër pavarësisë së Kosovës.
Ç’duhet bërë? Kush mund ta mposhtë mafian shqiptare?
Sipas autorëve përgjigjja është e thjeshtë: askush nuk mund ta mposhtë
mafian shqipare si të tillë, ndaj, në pamundësi për ta mposhtur atë, ne kemi
në dorë të “mposhtim” atdheun e mafias, Shqipërinë dhe sidomos Kosovën. Le
të analizojmë më tej:
1. Mafia shqiptare nuk shuhet kurrë, thonë autorët. Koza Nostra nuk u zhduk
në njëzet vjet fashizëm. Triadat kineze, gjithashtu, u bënë ballë pesëdhjetë
viteve komunizëm, nga të cilat tridhjetë vite “Revolucion kulturor” që
shkaktoi tridhjetë milionë viktima (fq. 29-30). Edhe SHBA-të janë përpjekur
të shkatërrojë mafian, por më kot (fq. 97). Pra, është e kotë.
2. Mafian mund ta mposhtë, për shembull, drejtësia e vendosur nga gjykatat
“e pavarura”. Pallavra! Le të pranojmë, për shembull, se ndodh një mrekulli
dhe një kumbar shqiptar është arrestuar në Kosovë, thonë autorët. Gjyqtarët
do ta lirojnë menjëherë sepse ata ose janë simpatizantë të UÇK-së, pra të
mafias, ose janë të kërcënuar, sikurse familjet e tyre në fshat (fq. 63).
3. Po KFOR-i, UNMIK-u etj., a mund ta bëjnë zap mafian shqiptare, sidomos
atë kosovare? Përsëri pallavra! Prania e tyre në Kosovë, përkundrazi,
fuqizon mafian, për shembull, ka ndikuar në ngritjen e shkallës së
prostitucionit, pra (1) të nivelit të të ardhurave të mafiozëve shqiptarë.
Më tej, (2) ushtarët e KFOR-it janë janë rekrutuar nga mafia. Le ta
krahasojmë, thonë ata, me gjendjen e ushtrisë izraelite në jug të Libanit.
Edhe atje ushtarët janë gjithnjë e më shumë të njollosur në tafik droge
etj., megjithse ushtarakët izaelitë janë “në një gjendje morale një mijë
herë më të mirë se ajo e trupave të KFOR-it në Kosovë, sepse ata luftojnë
për një objektiv të qartë, i përkasin dhe i binden urdhërit të një kombi
etj. Në Kosovë ka, përkundrazi, përzierje kombësish, një mandat i paqartë
dhe kontradiktor, burime të ndryshme autoriteti (shpesh konfliktualë - fq.
108). Më tej akoma (3), ushtarakët e KFOR-it u thonë prostitutave, pra
mafiozëve, të fshehta të rezikshme. Ku? Pikërisht në shtrat.
4. Mafia shqiptare nuk mund të bëhet zap se ajo është e pamëshirshme. A nuk
ishte mafia shqiptare që e shndërroi Kosovën më 1999 në një thertore (siç
jepte alarmin Toni Bler, fq. 59) . Është e kotë të përpiqesh të zgjidhësh
mllefet e vendit me anë të forcës ndërkombëtare (fq. 98).
Por a mund të zgjidhet problemi me programe zhvillimi ekonomik? Edhe kjo
është e pamundur, thonë autorët. Këtë e provon antimodeli Bosnje. “Që nga
Dejtoni Bosnje-Hercegovina mori nga një milliard dollarë për çdo vit.
Rezultati? Asgjë ose shumë pak...” (fq. 111). Po me programe të zhvillimi të
shoqërisë civile shqipfolëse? Ja përgjigja (fq. 100):
“Shumë naivitet i padurueshëm: kush mund ta besojë se vetëm për një sekondë
apo gjatë fundjavëve me trajnime psikologjike, njëlloj sikur të nisemi dy
ditë me stazh tenisi ose mësime poçerie? Si të mos e dimë se në shekuj,
nganjëherë mijëravjeçarë urrejtjeje, terrori, detyrime besnikërie dhe bindje
ndaj klaneve kanë hyrë në thellësi të psikikës njerëzore?”
Autorët përpiqen të argmentojnë se në rastin e zonave shqipfolëse të
Ballkanit, nuk kemi të bëjmë më një sjellje (devijante, kriminale), të
mësuar, të lidhur me vetëdijen njerëzore. Jo, ato nuk janë pasuri
individuale. Këto instinkte, këto arketipe nuk janë fituar në mënyrë
individuale. Ato përbëjnë të pandërgjegjshmen kolektive (referencë nga
Jungu). Dhe pas këtyre referencave nga Jungu e Frojdi, autorët shpallin
triumfin: “A mund ta fshijmë vërtet këtë të pandërgjegjshme duke marrë pjesë
në një konferencë, duke lexuar një libër?” (fq. 100).
Ndaj kjo sjellje (kriminalo-mafioze), biologjike, instinktive, gjenetike, e
lindur bashkë me shqiptarin dhe si reagime ndaj realitetit shiptar, nuk mund
të trajnohet me të mësuarit, ajo nuk mund të maturohet, nuk mund të
ndryshojë. Ato para se të përfaqësojnë realitete sociale, përfaqësojnë
realitete të pandërgjegjshme, sikurse ëndrrat (Frojdi). “Kosova është vetëm
një ëndërr e keqe” (fq. 109). Derisa e keqja është biologjike, ajo duhet
çrrënjosur biologjikisht. Pra krimi, përpara se të kryhet, përgatitet nga
propaganda antishqiptare, pikërisht prej intelektualëve kriminelë.
Ky është libri “Mafia shqiptare” dhe autorët e tij, Raufer dhe Quere!
I vetmi që mund të bënte zap mafian shqiptare ishte Millosheviçi, i cili
organizoi sulme kundër saj (mars 1998, sulmi i parë i madh, dhe tetor 1998,
sulmi i dytë i madh, fq. 123), por SHBA ngarkuan NATO-n për të “instaluar
një Kolumbi në zemër të Europës”.
Epilog: moda antishqiptare e (jo)shqiptarëve
Ky libër racistësh antishqiptarë nuk është i vetmi i botuar kohët e fundit
në Shqipëri . Veç kësaj, nuk janë vetëm librat. Pra, a kemi të bëjmë me një
modë antishqiptare? Nëse po, të kujt? Vetë të Xavier Raufer e kompani?
Si është e mundur që një libër i mbushur fund e krye me egërsi dhe urrejtje
raciste antishqiptare, një libër autorësh pa skrupuj, që tallen me verfërinë
dhe fatkeqësitë e shqiptarëve të sotëm, në vend që të denoncoet, përkthehet
në shqip dhe botohet në Shqipëri, madje duke na u shitur si “një zë nga
Franca”? Të bën përshtypje, gjithashtu, fakti se ky botim u shpërnda bashkë
me gazetën ”Tema”, sipas një formule jo të zakontë: ai që blen librin, merr
falas edhe gazetën (!). Botimi i një libri është, gjithashtu, ekskluzivitet
i një shtëpie botuese. Në botimin në fjalë është shënuar “Kumti”, që në
shqip do të thotë ”lajm”. Por libri, si një botim klandestin, nuk ka ISBN,
nuk është katalogizuar në Bibliotekën Kombëtare, sikurse nuk ka çmim etj. Ai
gjithashtu është përkthyer, gjoja redaktuar e faqosur shumë keq.
Në këtë çast të vështirë, kur antishqiptarizmi po kërkon të fitojë terren,
të paktën ne shqiptarët duhet të mendojmë e të veprojmë edhe shqiptarisht,
në kuptimin më të mirë të fjalës, të bëhemi avokatë të vërtetë të vetvetes,
duke filluar nga intelektualët, institucionet shtetërore e civile, Avokati i
Popullit etj., deri te çdonjëri nga ne. Është koha që ta fitojmë vendin në
Europë, por edhe duke kthyer mbrapsht çdo mesazh e thirrje urrejtjeje e
izolimi që vjen qoftë edhe prej saj, siç janë ato të autorëve francezë të
“Mafia shqiptare” i cili është, në fakt, një një libër në favor të mafias
dhe kundër shqiptarëve.
Krijoni Kontakt