Ibrahim Kodra perjetesisht ne nje koder te Ishmit. Ore pas ore ne ceremonine mortore te piktorit te madh
Admirina Peci
Ne paraditen gri e te ftohte, mbuluar prej kurora lulesh, dje ne Rinas preku token shqiptare, per te mos e braktisur kurre me. Ibrahim Kodra e kishte lene amanet kete gje, ne castet e fundit te jetes se tij, kur shpirti po shtegtonte ne qiellin e Milanos, te marten ne mesdite me 7 shkurt 2006. Pas nje varg homazhesh zhvilluar ne shtepine e tij dhe ne Akademine e Breras ne Milano, dje ne mengjes ne kujdesin e miqve te tij shqiptare, u nis per ne aeroportin e Rinasit me carterin personal te Bexhet Pacollit.
Ora 11:15 minuta. Avioni i bardhe me vija te kalterta ku shenohet "D-Busy" zbret ne Rians dhe grupi i personaliteteve qe kane shkuar ta presin ne aeroport, e kalojne arkivolin me trupin e pajete te piktorit dore me dore, deri ne makinen e funeralit. Ministri i Kultures, Bujar Leskaj dhe zv.ministrat Suzana Turku dhe Neritan Alibali, shoqeruar nga nje pjese e Komisionit shteteror qe organizonte ceremonine e varrimit te piktorit Ibrahim Kodra, kryejne veprimet e para per nderimine tij ne aeroport. Nisja drejt Tiranes shoqerohet nga nje varg i gjate makinash dhe nga sinjalet e mjeteve te policise. Eshte nje dite e ngarkuar me hollesite me te imeta te nje ceremonie mortore, ku nderimet e fundit do te perfundojne pasdite vone.
Ne Hollin e teatrit te Operas dhe Baletit, ku zhvillohen homazhet per nder te piktorit, trupi i pajete mberrin ne mesdite, rreth ores 12:30. Ne rreshtin e familjareve mungojne njerez shume te afert te tij. Kodra nuk u martua asnjeherte dhe nuk pati femije. Ne radhen e te afermve, ishin kusherinjte e tij te dyte qe jetojne ne Ishem te Durresit. Dhe ne anen tjeter, artiste e personalitete te politikes qe kane mberritur per pershendetjet e fundit me Kodren. Piktori Kujtim Buza, nder te paret qe i beri homazh dhe nderim mjeshtrit Kodra, tha se eshte e trishte kjo percjellje. "Po i japim nderimet e fundit mjeshtrit te madh te piktures shqiptare, postkubistit te fundit perfaqesuesin e piktures moderniste shqiptare Ibrahim Kodres, i cili sot largohet perjetesisht. Tashme ne na mbetet piktori i madh Ibrahim Kodra, vlera e te cilit i kalon kufijte e atdheut tone".
Ndersa kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Alfred Moisiu, dhane vleresimet e tyre fill pas homazheve. Sot mbare kombi perulet me nderim te madh para Ibrahim Kodres, i cili meriton cdo respekt. Ai na e lartesoi aq shume emrin e Shqiperise dhe shqiptareve, ai edhe ne ditet e ferrit te vertete mbi kete vend, ditet e renda te regjimit totalitar, mbeti nje ambasador i shkelqyer i shpirtit dhe gjinise krijuese te kombit shqiptar", - tha Berisha, duke iu lene vendin me tej vleresimeve te nje varg personalitetesh te tjera nga bota e artit dhe politikes. Presidenti Moisiu tha se humbja e ketij piktori te madh eshte humbje e madhe per Shqiperine, duke kujtuar takimet me piktorin dhe dy relike qe kishte kujtim prej tij, "nje portret te Aleksander Moisiut dhe nje tablo, te cilat do t'i ruaj me kujdes dashamiresi e respekt".
Homazhet ne hollin e Teatrit te Operas kane vijuar deri ne oren 14:30, e me tej kortezhi mortor e ka shoqeruar Trupin e pajete te piktorit Ibrahim Kodra deri ne vendlindjen e tij, ne Ishem te Durresit. Vendi i zgjedhur per prehjen e fundit, ishte nje koder prane kalase se Ishmit. Miqte e tij thane se kjo ishte deshira e piktorit, "nje koder ne vendlindje ku te shihej deti". Me dhjetera banore, nxenes shkolle dhe te aferm, e kane pritur deri ne oren 16:00 ardhjen e trupit te pajete te piktorit, dhe kane degjuar shume detaje qe nuk i dinin rreth banorit qe heret e kishte lene kete fshat, per te jetuar deri ne fund te jetes ne Milano. Pas fjaleve te lamtumires dhe nje "qofte i lehte dheu per te", secili ka hedhur nje grusht dhe ne varrin e piktorit te madh dhe vone ne te ngrysur, gjithcka ka heshtur. Kodra, i vetem, ne banesen e fundit, ne prehjen e perjetshme.
Krijoni Kontakt