Tiranë
Publikohen zyrtarisht rezultatet e testimit të nxënësve, i quajtur ndryshe PISA.
Sipas drejtueses kombëtare të projektit, Nikoleta Mita, ky testim është bërë në degët e matematikës, letërsisë dhe shkencave natyrore. Mes 41 vendeve pjesëmarrëse në testim, vendi ynë ka dalë ndër radhët e fundit. Kështu, në letërsi, kemi dalë të parafundit, pas kemi lënë vetëm Perunë, në matematikë, Maqedoninë, Brazilin dhe Perunë, në shkencat natyrore, Perunë dhe Brazilin. Ndërsa, në një pronononcim për shtypin ministri i Arsimit, Luan Memushi shprehet se ky sondazh është realizuar në vitin 2000. Sipas tij, në kuadrin e reformës arsimore është ngritur një strukturë e re siç është Qendra Kombëtare Arsimore e Vlerësimit dhe e Provimeve, e cila hedh bazat e testimit të standartizuar në Shqipëri. “Në strategjinë e Ministrisë parashikohen ndryshimet në kurrikulën shkollore, metodologjitë e të nxënit dhe drejtimin e shkollës. Reformimi tërësor i arsimit sapo ka hedhur hapat e para dhe duhet parë si një proces që do të sjellë edhe përmirësime në krijimin e standarteve të vlerësimit të nxënësve dhe të shkollave”, thotë Memushi.
TESTIMI
Testimi PISA, ose programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, kryhet një herë në tre vjet, sipas një marrëveshjeje të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës me OECD-në, nënshkruar nga ish-ministri i Arsimit, Ethem Ruka, në gusht të vitit 2000. Është hera e parë në historinë e arsimit shqiptar që Shqipëria merr pjesë në një studim ndërkombëtar në fushën e vlerësimit arsimor. Në fokus të monitorimit të njohurive dhe aftësive, janë nxënësit 15-vjeçarë. Pas marrëveshjes me shtetin tonë, testimi u financua nga dega e arsimit, në fondacionin Soros dhe UNESKO-s. Mes 41 vendeve, janë edhe Amerika, Zvicra, jo vetëm vendet e pazhvilluara. Cikli i parë i studimit 2000–2003 është kryer në dy faza, faza e pilotimit, mars 2001, ku u përfshinë 30 shkolla të mesme dhe 1 012 nxënës. Në fazën e studimit kryesor u përfshinë 166 shkolla të mesme, 8 shkolla 8-vjeçare dhe 4 980 nxënës. Mesatarja e OECD për shkallën e kombinuar të aftësive të leximit ishte 500 pikë, nga të cilat Shqipërisë arriti 349 pikë, duke lënë pas vetëm Perunë. Në matematikë, nxënësit shqiptarë kanë tregues më të mirë se sa në lexim dhe shkenca. Djemtë shqiptarë renditen të fundit në lexim dhe kanë arritur një mesatare prej 319 pikësh, më e ulëta në lexim. Vajzat kanë arritur rezultate më të larta sesa djemtë në të tre fushat. Sipas studimit, Shqipëria ka tregues të ulët të pjesëmarrjes në arsimin e lartë. Megjithëse nxënësit shqiptarë shfaqin një interes të lartë për të lexuar dhe interes të mirë për matematikën, treguesit e arritjeve në lexim dhe në matematikë janë të ulëta.
Rezultate të studimit për Shqipërinë
41 vende pjesemarrese
Lexim Shqipëria renditet në vendin e 40-të, duke lënë pas Perunë
43,5 për qind e nxënësve ka rezultate nën nivelin 1
26.8 për qind ka arritur nivelin 1
20,6 për qind ka arritur nivelin 2
7,7 për qind ndodhet në nivelin 3
1,3 për qind ka arritur nivelin 4
0,1 për qind ka marrë pikët e nivelit 5
Gjysma e nxënësve nuk kanë arritur nivelin 2 të aftësive të leximit
Matematikë Shqipëria renditet e 37-ta, duke lënë pas Maqedoninë, Indonezinë, Brazilin, Perunë
55,3 për qind e nxënësve ka marrë nën 400 pikë
1,5 për qind e nxënësve ka marrë mbi 600 pikë
Krijoni Kontakt