Prishtinë, 14 korrik (KIC) - Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA në Shqipëri mëse 1000 fëmijë për shkak të gjakmarrjes jetojnë në kushte izolimi dhe arresti shtëpiak. Ata nuk dalin prej shtëpisë nga frika e hakmarrjes.

Saktësisht nga kjo plagë e rëndë 1024 fëmijë nuk guxojnë të kapërcejnë muret e shtëpisë, ka njoftuar Ministria për Çështje Sociale në Tiranë.

Shumica e këtyre fëmijëve jetojnë në veri të Shqipërisë në viset malore ku edhe sot e kësaj dite është ruajtur zakoni i gjakmarrjes, një traditë kjo që vjen nga mesjeta.

Fëmijët u takojnë moshave nga 5 deri në 15 vjet dhe të izoluar nga frika se mund të vriten, qëndrojnë së bashku me anëtarët tjerë të familje. Ata nuk ndjekin shkollimin, prandaj shumica e tyre mbesin analfabetë.

Sipas kanunit mesjetar, përkatësisht kodeve të nderit që dalin nga ky kanun, shkruan DPA ata guxojnë ta lënë shtëpinë vetëm atëherë pasi familja me të cilën janë në gjak të ketë vrarë një pjesëtar të familjes së tyre me ta marrë gjakun.

Adeti i gjakmarrjes është kodi i veçantë i Kanunit të princit bujar Lekë Dukagjini, ku mes tjerash thuhet: "Gjaku duhet të shpaguhet me gjak".

Në këtë shkrim të DPA-së pastaj theksohet se në veri të Shqipërisë nga gjakmarrja janë të goditura 1370 familje me rreth 7000 familjarë.