RREFIMI I JORGO BAKUT MESUESIT NGA DEVOLLI
Mbledhësi i Folklorit: Në '96 regjistrova 38 krijime
"Si i mblidhja këngët për Suden"



Ilir Bushi

Në vitin 1996 unë lashë përgjysëm mbledhjen e krijimtarisë popullore për Mic Sokolin dhe heronjtë e Shqipërisë e fillova të mbledh këngët që u krijuan për Suden, Alimuçajn, Xhaferrin, Gërxhalliun etj". Kështu e nis rrëfimin e tij, mbledhësi i njohur i folklorit shqiptar, Jorgo Baku, i cili gjatë jetës së tij ka botuar dy libra për krijimtarinë popullore të paraluftës, ndërkohë që libri i tij i tretë për drejtuesit e firmave piramidale i mbeti përgjysëm. "Megjithëse krijimtaria popullore e viteve 95-97 u bazua mbi figura të tilla si Alimuçaj, Gërxhaliu, Xhaferi e Maksude Kadëna, përsëri kjo periudhë ia vlen të studiohet nga ana profesionale", nënvizon profesori i letërsisë shqipe.

Cila është më pak fjalë biografia juaj letrare?
Kam studiuar gjithë jetën folklorin popullor dhe kam arritur të botoj gjatë jetës time dy libra të rëndësishëm. Një libër përmbledh krijimtarinë popullore gjatë Reformës së Tanzimatit ndërsa libri i dytë bën fjalë për krijimtarinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas këtyre librave për arsye ekonomike u largova me familjen në vitin 1992 për të punuar në Greqi. Por kur u ktheva që andej në vitin 1996 pashë se në Shqipëri kish nisur një epokë e re, ku njerëzit pasuroheshin pa prekur punë me dorë. Kjo ndodhte nëpërmjet firmave piramidale.

Ju vetë si u përshtatët me realitetin e ri?
Në fillim nuk u besova syve. Por një ditë pashë se si dy vëllezërit e mi morëm tek firma e Sudes 16 mijë dollarë, ndërsa motra merrte rregullisht nga VEFA 500 dollarë në muaj fitim. Troç muhabeti, këtu të gjithë ishin mbërthyer nga epidemia e fajdeve, ndërkohë që një pjesë e njerëzve e përçmonin punën. Atëherë, me nxitjen e të afërmve të mi futa edhe vetë për provë 400 mijë lekë te firma Xhaferri dhe pas tre muajve mora trefishin e tyre. Menjëherë pas kësaj fillova të fus lekë te VEFA, Sudja dhe Gjallica. Ndërkohë, vazhdova në Shqipëri profesionin e mbledhësit të folklorit. Prej kohësh, kisha vendosur të bëja librin e tretë që përmblidhte krijimtarinë popullore të pasluftës. Por në vitin 1995-96 ndesha në Shqipëri një realitet tjetër përsa i përket frymëzimeve poetike dhe folklorike.

Ç'ishte ky realitet?
Atëherë në Shqipëri folklori tradicional kishte braktisur heronjtë dhe po i kushtohej drejtuesve të firmave piramidale. Kështu në vend të këngëve për Mic Sokolin unë ndesha këngë për Gjeneral Xhaferrin, në vend të këngëve për Zonja Çurren ndesha ato të Maksude Kadëmit dhe në vend të krijimtarisë për kapter Mujo Ulqinakun unë gjeta këngët për Vehbi Alimuçajn.

Në cilat zona gjete më shumë frymëzim për këtë krijimtari?
Thuajse në të gjitha zonat regjistrova 38 këngë. Kështu në kryeqytet, tiransit këndonin për Maksude Kadëmën me fjalët: "Sude s'bo më nona/ marrsh nga ditët tona". Ndërsa në Lushnjë grupi popullor këndonte: Doli dielli u ul mali/ na nderoi sot gjenerali". Ndërsa, për Alimuçajn këndonin: Që nga Jugu dhe Veriu/ tokën puth ku shkel Vehbiu". Natyrisht në gjithë këtë prurje folkloristike të re kishte mjaft figuracione me vlera studimore, por kishte edhe gjëra pa vlerë. Për shembull kishte edhe krijime të tilla që unë nuk i futa në projektin e librit tim, si psh: Nëpër trup kemi mornica/ sa herë dalim nga Gjallica". Ose: "Poshtë partia, rroftë Shemsia/ larg nga gjiza/ rroftë Driza.

Përse e latë përgjysëm librin tuaj?
Sepse ngjarjet e 97-ës sollën tragjedi. Unë vetë humba 13 mijë dollarë në përfundimin e kësaj aventure. Por folklori nuk prodhoi më këngë për drejtuesit e firmave rentiere. Mbaj mend se kur ndodhi gjullurdia, kënga e fundit që kam rregjistruar nga kjo krijimtari ishte kështu: O Enver të ishe gjallë/ për ca gjëra që kanë ngjarë/ Pamë në ëndërr ca miliona/ por na lanë pa pantallona".


Pse heronjtë u zëvendësuan nga pronarët rentierë

"Arsyeja që pas vitit 1990 këngët e heronjve u zëvendësuan me vargje për drejtuesit e firmave rentiere ndodhi për shkakun se në Shqipëri mbaroi përgjithmonë epoka e luftrave heroike ndaj pushtuesve dhe nisi epoka e mbijetesës ekonomike për çdo familje". Sipas profesorit të Letërsisë, Jorgo Baku, në zonën e Devollit, ai kish ndeshur me një varg popullor për heroizmin që thoshte: "S'ka më heronj atdheu që kur djemtë, filluan 'heroinë' t'i thonë drogës". Por sipas tij këngët e ngritura nga populli për Suden, Alimuçajn, Xhaferrin, Shemsien, Drizën, Gërxhalliun, etj, shprehin psikologjinë dhe servilizmin e koniukturave të përkohshme ku kaloi Shqipëria e drobitur. Në bazë të statistikave të Jorgos gjatë gjithë kohës që sunduan firmat piramidale, folklori nuk prodhoi asnjë këngë për heronjtë e vjetër dhe as për politikanët e rinj.


Kush është Jorgo Baku

Jorgo Baku ka lindur në Devoll më 12 tetor të vitit 1956. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Korçë ai vazhdoi studimet e larta në degën Gjuhë Letërsi Shqipe. Menjëherë pas mbrojtes së diplomës, Jorgua u caktua si mësues letërsie në zonën e Mirditës ku edhe shkroi librin e tij të parë me përmbledhje folklorike të titulluar "Këngët e Reformës së Tanzimatit". Më vonë ai u transferua si mësues i gjuhës në Pogradec dhe në vitin 1986 shkroi librin "Heronjtë e luftës në folklor". Pas viteve 90 Jorgua ka punuar disa kohë në emigracion dhe më pas është kthyer sërish në vendlindje. Ndërsa pas vitit 1997 ai ka emigruar në Greqi ku punon edhe sot, së bashku me gruan dhe dy djemtë e tij, Astritin 20 vjeçar dhe Besimin 17 vjeçar

---------------------
--------------------------
Oj sharki e lehte si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranevera?