ANTIREQUIEM

Shkruan: Skender BUÇPAPAJ

Emri i kreut të shërbimit sekret shtetëror të Serbisë, të kohës së kryekasapit Millosheviç, është bërë emër mediatik për herë të parë në fillim të shkurtit të vitit të kaluar gjatë dëshmisë së parë nga Kosova në gjyqin kundër kryekasapit Millosheviç në Hagë. Me sa duket, ishte e pashmangshme, ishte jo e rastësishme që emri i Jovica Stanishiqit do të dilte krahas emrit të njërit prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, një të ashtuquajturit gazetar të një të përditshmëje të Prishtinës. Them i ashtuquajtur gazetar, sepse profesioni i tij kryesor nuk është gazetaria, por orkestrimi i takimeve të Jovica Stanishiqit, pra ndërmjetësues i drejtëpërdrejtë i Jovica Stanishiqit me terrenin, kryeshef protokolli i J. Stanishiqit në Kosovë. Eksponenti i Jovicës në gazetarinë shqipe të Prishtinës, duket se ishte në dijeni se emri i tij do të shqiptohej që në dëshminë e parë të Hagës. Prandaj, në prag të këtij zhvillimi ai kishte lëvizur nga e përditshmja ku ishte, në të përditshmën tjetër ku edhe e kishte filluar veprimtarinë e tij të gazetarit të ashtuquajtur, të dyja gazeta të regjistruara në Beograd. Pas publikimit të emrit të tij në Hagë, eksponenti i Jovicës në gazetarinë shqipe të Prishtinës, botoi në gazetën ku sërish ishte rikthyer një intervistë që vazhdoi në disa numra. Botimi i intervistave në gazetën në krye të së cilës je, nuk është në praktikën e gazetarisë profesionale askund në botë. Në intevistë ai jo vetëm e pranonte se kishte bashkëpunuar me Jovicën, por edhe e argumentonte me hollësi si kishte bashkëpunuar për rastin e dëshmuar në Hagë në dëshminë e parë të gjyqit kundër kryekasapit Millosheviç. Nga rasti i asaj interviste, grupimi i gazetarëve ku bën pjesë eksponenti në fjalë u quajtën? Djemtë e Jovicës?. Ndonëse intervista e tij nuk bënte fjalë se çfarë roli kishte pasur Jovica në aferën e zhdukjes së tyre gjatë bombardimeve ajrore të pranverës së vitit 1999 dhe pastaj të rishfaqjes përpara kamerave në Shkup, njerëzit e morën me mend se të gjitha dezinformacionet për fatin e tyre i kishte administruar Jovica. Tani, dy vjetë pas vajtjes në Hagë të kryekasapit Millosheviç, njeriu kryesor i shërbimit sekret shtetëror të kryekasapit Millosheviç, Jovica Stanishiqi është në Hagë. Prej së mërkurës 11 qeshor 2003, Jovica Stanishiq do të përballet me akuzën e arkitektit të spastrimit etnik në luftërat e viteve 1990, pra përfshirë edhe spastrimin etnik të Kosovës, i cili u përshkallëzua në vitet 1998 - 1999 dhe sidomos gjatë pranverës së vitit 1999. Stanishiqi ishte arrestuar në mars menjëherë pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit. Në Hagë ai u transferua nga burgjet e Serbisë. Në fillim të qershorit kishte shkuar bashkëpunëtori tjetër i afërt i kryekasapit Millosheviç, Franko Simatoviç. Ky i fundit, thonë komentet mediatike perëndimore të këtyre ditëve, ishte numri dy i Stanishiqit, konkretisht ishte shef i operacioneve speciale për spastrimin etnik. Simatoviç duket se ka dhënë dëshmi të mjaftueshme për përcaktimin e akuzës kundër Stanishiqit. Stanishiq dhe Simatoviç, si njerëzit më të besuar të kryekasapit Millosheviç, pritet që të dëshmojnë tashmë në Hagë për krimet e kryera nga shefi i tyre. Nëse ata do të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive dhe të parezervë me Hagën, kjo do të jetë një rrethanë lehtësuese. Por të dy shefat e shërbimit sekret shtetëror të Millosheviçit, do të përballen edhe vetë me gjykimin e Hagës. Edhe ata, pra, do të përballen me dëshmitë e krimeve dhe me dëshmitarët e krimeve, ndër të cilët, kuptohet mirëfilli, do të jenë edhe njerëzit më të besuar të shefave të shërbimit sekret shtetëror të kryekasapit Millosheviç. Ngujimi në Hagë i Jovica Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret shtetëror të kryekasapit Millosheviç për një kohë mjaft gjatë, ua kujton njerëzve më të besuar të tij, eksponentëve të ngushtë të tij se edhe ata do të jenë të detyruar të bashkëpunojnë me Hagën për të dëshmuar për krimet e shefave të tyre. Pra spiralja është e tillë që rrathët e hierarkisë së krimit shpalosen pandalshëm në mënyrë të njëpasnjëshme, nga lart poshtë. Prandaj Djemtë e Jovicës, të cilët kanë uzurpuar mediat zyrtare shqipe të Prishtinës, s'ka si të mos jenë mazunë këto ditë, s'ka si të mos jenë të trishtuar, sidomos s'ka si të mos jenë në hall kur shefi i tyre është i ngujuar në Hagë dhe kur ata do të jenë të detyruar të rrëmojnë në të kaluarën e vet për ta ndriçuar të kaluarën kriminale të Jovica Stanishiqit, deshën apo nuk deshën.
"Bota sot" 12 qeshor 2003