Ardian Shkalla ishte dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e Ilir Çelës dhe nipit të tij
Arrestohet në shpellën e malit të Dajtit, vrasësi i “Ali Demit”

Ardita Bala
TIRANË – Pasi ka jetuar rreth dy vjet i fshehur, Ardian Shkalla i dënuar me burgim të përjetshëm është kapur mesnatën e së mërkurës, në zonën në afërsi të fshatit Priskë. Aksioni për të kapur të shumëkërkuarin që i fshihej drejtësisë që nga vitit 2001, kohë kur Shkalla kishte kryer një vrasje të dyfishtë ka zgjatur rreth 4 orë dhe është kryer nga një grup i vogël i forcave të policisë kriminale të komisariatit nr.4. Arben Shkalla është dënuar në dhjetor të vitit 2001 me burgim të përjetshëm pasi është cilësuar fajtor për vrasjen e 35-vjeçarit Ilir Çela dhe nipit të tij 18-vjeçarit Elvis Galanxhi. Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në fillim të muajit qershor, dy vjet më parë.
Operacioni
E gjithë puna për kapjen e shumë të kërkuarit mësohet se është bërë nga një grup i vogël punonjësish policie të komisariatit nr.4 dhe çdo gjë është mbajtur tepër sekret deri në momentin që operacioni ka mbaruar dhe janë shtrënguar prangat në duart e vrasësit 25-vjeçar të dënuar me burgim të përjetshëm. Rreth orës 20.00 të së mërkurës ka filluar puna për kapjen e Ardian Shkallës, pasi policia kriminale kishte arritur që të siguronte informacion në rrugë operative dhe më anë të grupeve të vëzhgimit për vendndodhjen e tij. Rreth kësaj ore, grupi ka filluar që të ngjitet në Dajt dhe të bëjë ngadalë e pa rënë në sy rrethimin e zonës ku dyshohej se po strehohej i kërkuari. Dy netë më parë pasi është bërë një rrethim i ngushtë i të gjithë zonës, rreth orës 24.00 është realizuar hyrja në shpellën ku qëndronte i fshehur Ardian Shkalla. Ai më pas është shoqëruar në polici ku është marrë gjatë në pyetje.
I kërkuari
Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit Ardian Shkalla ishte larguar menjëherë nga banesa e tij pas ngjarjes së 8 qershorit të vitit 2001 kur, ai vrau me armë zjarri Ilir Çelën dhe Elvis Galanxhin. Shkalla ka qenë i shpallur në kërkim nga forcat e policisë së komisariatit nr.1, që ka tentuar disa herë ta arrestojë, por pa sukses. Kontrollet e ushtruar herë pas herë në banesën e tij, apo në vende të tjera ku dyshohej se fshihej shumë i kërkuari kanë rezultuar të kota. Sipas asaj çka vetë i dënuari me burgim të përjetshëm ka treguar dje në polici, ai menjëherë pas vrasjes së dyfishtë ka filluar jetën e “kaçakut” duke u fshehur në pyjet dhe në shpella të ndryshme të malit të Dajtit. Ushqimin ai e merrte rregullisht nga familjarë të tij dhe kryesisht nga i ati. Po sipas të njëjtave burime, Shkalla pak kohë pas vrasjes ka mundur që në mënyrë klandestine të kalonte kufirin për në drejtim të Greqisë, ku duket se ai nuk ka mundur të rrijë gjatë dhe i është rikthyer më pas jetës së kaçakut në malin e Dajtit qysh prej tre muajsh.
Vrasja
Ardian Shkalla është dënuar në mungesë nga gjykata e Faktit Tiranë për vrasjen e 35-vjeçarit Ilir Çela dhe 18-vjeçarit Elvis Galanxhi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mbrëmjen e 8 qershorit të vitit 2001 në lokalin me emrin “Armando” në lagjen “Ali Demi”. Vrasja e dyfishtë e Çelës dhe e nipit të tij Galanxhi ndodhi pas një grindjeje për motive banale që kishte lindur pak ditë para ngjarjes mes viktimave dhe autorit. Menjëherë pas krimit të rëndë, blutë e komisariatit nr.1 që u morën me hetimin e ngjarjes arritën që të identifikonin autorin dhe ta shpallnin në kërkim atë. Gjashtë muaj më vonë, më 21 dhjetor të 2001, për Ardian Shkallën Gjykata e Shkallës së parë ka dhënë denimin maksimal të parashikuar nga ligjet shqiptare, burgim të përjetshëm.


Atentati në bar-kafe “Armando”

TIRANË – Një breshëri kallashnikovi e shoqëruar nga pas me një granatë dore, i ka marrë jetën Ilir Çelës dhe nipit të tij, Elvis Galanxhi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mbrëmjen e 8 qershorit 2001, rreth orës 22.00, kur nga një automjet i drejtuar me shpejtësi prej autorit të krimit është qëlluar në drejtim të hyrjes së lokalit “Armando”, në lagjen “Ali Demi”. Sipas të dhënave paraprake që ka siguruar policia rezulton se vrasësi sapo i është afruar bar-kafe “Armandos”, ka ulur shpejtësinë e makinës dhe ka shënjuar dy viktimat. Për t’u siguruar për vdekjen e viktimave dhe për të shkaktuar panik tek dëshmitarët okularë të mundshëm në vendngjarje, vrasësi ka hedhur dhe një granatë dore, e cila u ka rrezikuar jetën banorëve të kateve të para, të një pallati që ndodhej në të majtë të rrugës. Lokali “Armando” ndodhet në krah të djathtë, pothuaj mbi bordurën e rrugës kryesore që përshkon mespërmes lagjen “Ali Demi”. Sipas dëshmitarëve okularë, thuhet se viktimat kanë qenë në hyrje të lokalit në momentin që janë goditur. Policia fillimisht dyshoi se ishin të paktën tre persona autorë të krimit. A.Hoxha

KRONOLOGJIA
8 qershor 2001
Ardian Shkalla vret në hyrje të bar kafe “Armando” 35 vjeçarin Ilir Çela dhe nipin e tij 18 vjeçar Elvis Galanxhi pas një zënke për motive banale
21 dhjetor 2001
Gjykata e shkallës së parë Tiranë e ka dënuar të pandehurin Ardian Shkalla në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim
17 qershor 2003
Pas një operacioni spektakolar policia e komisariatit nr 4 në kryeqytet arreston në një shpellë të malit të Dajtit shumë të kërkuarin Ardian Shkalla
--------------------------------------------------------------------------
Sapo lexova kete teme,u gezova shume qe ky kriminel u kap,por dhe u merzita duke kujtuar tragjedin e kesaj familje ne ate kohe.Vllai i Ilirit,Aranit Cela jetonte ne Gjermani,dhe kishte hapur nje lokal aty tek Ali-Demi,ku ja kishte ven dhe emrin e djalit te tij Armando,dhe kishte lene Ilirin ,vllain te punonte aty,ku te cilin e vrane barbarisht mbas kraheve per motive banale.
-----------------------------------------------------------