Vrasjet
Nga Abaz Ulliri te Myftar Çela. Kush janë 10 viktimat e krimit në Shqipëri. Për herë të parë një listë e atyre që u vranë se ishin të pasur
Ç´do të thotë të jesh biznesmen në Shqipëri? Bëhesh boss? Milioner? I pushtetshëm, apo tërë kohën je i ndjekur këmba-këmbës nga rreziku? Vetëm ata që i janë futur kësaj bote, mund t´i japin përgjigje pyetjes. Porse faktet janë kokëfortë. Dhjetë biznesmenë, nga më të njohurit, të vrarë në tetë vitet e fundit, të çojnë në konkluzionin se të jesh i tillë sot, në vendin tonë, do të thotë të marrësh rrezikun në sy.
I pari "hero" mes kësaj ushtrie është Abaz Ulliri, dikur një mjeshtër i prodhimit të mobiljeve, porqë, falë vullnetit të tij dhe një kredie gjermane, u shndërrua në një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në vend. Por, fama dhe paratë e tij do të shndërroheshin në hi një ditë maji të vitit 1995, kur në një aksident të ndodhur nga një udhëtim nga Maqedonia, ai gjen vdekjen. Por, arsyeja dhe shkaku i vërtetë i kësaj historie për të afërmit e tij nuk ishte devijimi i timonit të makinës. Kishte shumë arsye, sipas tyre, të mendoje se Abaz Ulliri ishte vrarë për konkurrencë dhe jo në një aksident, ku makina shkatërrohet plotësisht dhe shoferi shpëton. Kjo ishte goditja e parë ndaj biznesit. Më pas, kronologjia e krimit merr rrjedhë me Remzi Hoxhën, i zhdukur në tetor të vitit 1995, italianin Stefano Rossi, i vrarë në janar të vitit 1998, Koço Dadon, i zhdukur pa asnjë gjurmë në qershor të vitit 1998, Agim Xhixhën, i vrarë në mars të vitit 2000, Riza Çeçon, i vrarë në dhjetor të vitit 2001, Ardian Çobon, në maj të vitit 2000, Fatmir Ramën në mars të këtij viti, Florian Vilën në prill të këtij viti dhe së fundi të Myftar Çelës, të vrarë pak ditë më parë. Një skuadër njerëzish që u futën në botën e biznesit me ëndrrën për t´u pasuruar, por u vranë pikërisht se pse ishin të tillë.
Abaz Ulliri
Biznesi: prodhim mobiljesh
Vendi i aktivitetit: Nikël, Krujë
Mosha: 45 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me tre fëmijë
Vdekur: maj 1995
Pistat e hetimit: aksident, vrarë për arsye të aktivitetit
Autorë: s´ka
Abaz Ulliri, Krujë, mobilje
Eshtë në ngjarje që në regjistrat zyrtare u shënua si një vdekje aksidentale. Por, dyshimet e familjarëve e hedhin poshtë këtë version. Gjithçka ndodhi në një ditë maji të vitit 1995, kur pronari i stabilimentit të mobiljeve në Nikël, të Krujës, Abaz Ulliri, gjeti vdekjen gjatë kthimit nga Maqedonia në një rrugë në afërsi të Dibrës. Në atë kohë, ai cilësohej si një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend, i ndihmuar edhe ngë një kredi gjermane prej rreth 400 mijë marka. Në komunikatën e Ministrisë së Rendit Publik shkruhej se ngjarja ishte rrjedhojë e një aksidenti. Porse fakti që makina ishte shkatërruar pothuajse plotësisht dhe shoferi nuk kishte pësuar gjë, u shoqërua me dyshime se gjithçka ishte një stisje. Megjithatë, Prokuroria dhe policia hetuan edhe për këtë pistë, por edhe pse kanë kaluar gati tetë vjet, asgjë nuk është zbardhur.
Remzi Hoxha
Biznesi: Duralumin
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 42 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me pesë fëmijë
I humbur: 21 tetor 1995
Pistat e hetimit: vdekje nga rrahja
Autorë: s´ka
Remzi Hoxha, Tiranë, duralumin
Edhe atë 21 tetor të vitit 1995, Remzi Hoxha ishte duke kryer ritualin e përditshëm të punës. Në punishten e duraluminit, ku ishte pronar, në rrugën "Siri Kodra", në Tiranë, ai ishte duke drejtuar punimet për disa dyer e dritare të porositura ditë më parë. Por, në orën 13.30, tre persona e kërkojnë për një sqarim. E fusin në një makinë, me targën TR 2449 C, dhe që nga ai moment Remzi Hoxha nuk është parë më. Familjarët që e kërkuan menjëherë mësuan të vetmen të vërtetë: që ata e kishin marrë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, por se ku ishte ai nuk morën ndonjë përgjigje. Dhe pyetja torturuese se ku ndodhet Remzi Hoxha vazhdon të qëndrojë edhe sot mbi kokat e tyre. I vetmi version i mbetur është se ai ka vdekur nga të rrahurat. Pas tetë vjetësh, Prokuroria e Përgjithshme ndërmori një rihetim të çështjes dhe arrestoi tre punonjës të SHIK, mes tyre edhe kryetarin Arben Sefgjini. Megjithatë, edhe hetimet e reja nuk kanë zbuluar ende ngjarjen misterioze. Ndërsa gruaja dhe vëllezërit e tij kanë vetëm një ngushëllim: të paktën të gjejnë eshtrat.
Stefano Rossi
Biznesi: prodhim këpucësh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 24 vjeç
Gjendja familjare: i fejuar
Vrarë: 27 janar 1998
Pistat e hetimit: grabitje
Autorë: vëllezërit Avdillari
Stefano Rossi, Tiranë, këpucë
Në vitin 1995, italiani Stefano Rossi kishte një qëllim: të investonte 0.5 miliard lireta nga kapitalet e tij në Shqipëri dhe nga kjo sipërmarrje të korrte sukses. Për këtë në fund të këtij viti mori me qira disa ambiente të fabrikës së qelqit, në Kombinat, hapi një impiant të prodhimit të këpucëve "Benneton" dhe punësoi rreth 80 vetë. Por, e gjithë ëndrra e 24-vjeçarit, nga Bari, u këput në mes më 27 janar të vitit 1998 kur një breshëri plumbash i morën jetën. Djaloshi simpatik i ardhur në Tiranë si 200 biznesmenë nga atdheu i vet, më 27 janar të vitit 1996 ishte duke çuar rrogat e punëtorëve në fabrikën e tij, kur një grup djemsh i dolën përpara dhe i kërkuan të ndalonte. Por, thirrjes Rossi iu përgjigj me shtimin e gazit. Kjo u kthye në fatalitet për të. Njerëzit e pritës hapën zjarr dhe vetëm për pak minuta ai u kthye në viktimë. Hetimet nxorën se autorë ishin vëllezërit Avdillari, nga Yzberishti, dhe dy prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm. Ata e kishin ndjekur Rossin në momentin që kishte tërhequr 20 milionë lireta në Bankën Italo-Shqiptare dhe i ishin vënë nga pas. Kjo është cilësuar si goditja më e madhe që i është bërë investitorëve të huaj që kanë operuar në Shqipëri. Lotëve të të fejuarës së tij, Danila, dhe të kolegëve, iu shtuan edhe ato të punëtorëve shqiptarë, të cilët e respektonin shumë atë. Një biznesmen i ri që premtonte dhe ëndërronte shumë, por që iu këput jeta në mes.
Koço Dado
Biznesi: tregti mallrash ushqimorë
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 47 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me dy fëmijë
Zhdukur: 8 qershor 1998
Pistat e hetimit: vrarë pas marrjes peng për 1 milion dollarë
Autorë: s´ka
Koço Dado, Tiranë, tregtar i kafesë
Një kollitje automatiku në orën 22:30, të 8 qershorit të vitit 1998, në afërsi të ish-ambasadës polake, paralajmëroi një nga ngjarjet më të rënda në Tiranë. Në një furgon, tip "Ford", ishte marrë peng Koço Dado, një biznesmen i mallrave ushqimorë, por që kohët e fundit mbante edhe postin e kryetarit të Shoqatës së Biznesmenëve Shqiptarë. E për të larguar çdo tentativë për të ndërhyrë, pengmarrësit me maska në fytyrë lëshuan ca të shtëna në ajër. Që nga ajo ditë, Dado nuk është bërë i gjallë. Denoncimet e gruas, të birit të tij, të miqve dhe shokëve, kanë shkuar kot për gati pesë vjet. Një kasetë e gjetur në pragun e derës së shtëpisë, më 25 qershor të po atij viti, vetëm sa shtoi hamendjet se çfarë i kishin bërë Dados, por asnjëherë hetuesit nuk mundën të zbardhnin arsyet. I lidhur kokë e këmbë, i ulur në një krevat dhe me sy të zëna me natriban, Dado ka thënë disa fjalë mes të cilave një ishte shumë më e rëndësishme: "Mbahem prej 17 ditësh për 1 milion dollarë. Do isha liruar, nëse nuk do bëhej publik në polici dhe në gazeta". Ky ishte edhe kontakti i fundit i të afërmve me Dadon. Për të gjithë, ai rezulton i humbur dhe për fatin e tij nuk dihet.
Ardian Çobo
Biznesi: lokale dhe president i Tomorit
Vendi i aktivitetit: Berat
Mosha: 26 vjeç
Gjendja familjare: beqar
Vrarë: 13 maj 2000
Pistat e hetimit: hakmarrje
Autorë: Aglin Goxhi
Ardian Çobo, Berat, tregti, presidenti i klubit Tomori
Ekipi i futbollit "Tomori" gati e kishte prekur kupën e kampionatit, kur presidentit të tij iu bë një atentat, në të cilin gjeti vdekjen. Ishte ora 18:30, vetëm pak minuta pas ndeshjes, kur Tomori i Beratit fitoi 1-0 me Partizanin, kur Ardian Çobo u ekzekutua në një lokal pranë stadiumit "Selman Stërmasi". Viktimë mbeti edhe Luan Zylfo, gjyqtari i takimit, por ajo thjesht ishte një rastësi, pasi atentatorët kishin si objekt pikërisht njëshin e klubit beratas. Në atë kohë ishte ambicja e tij ajo që kishte bërë që Tomori të hynte denjësisht në luftën për titull. Çobo, 26 vjeç, dhe pronari i lokalit më luksoz në Berat me emrin "Shtëpia e Bardhë", i kishte vënë synime goxha të rëndësishme vetes. Por, ai nuk i shpëtoi pecedentëve penalë të mëparshëm. Hetimet e ngjarjes hodhën versionin se gjithçka ishte një hakmarrje nga një miku i tij, të cilit Çobo i kishte marrë të fejuarën. Dhe fundi ishte me të vërtetë tragjik.
Agim Xhixha
Biznesi: tregti karburantesh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 45 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me fëmijë
Vrarë: 18 mars 2000
Pistat e hetimit: vrasje për shkak të aktivitetit
Autorë: s´ka
Agim Xhixha, Tiranë, tregti karburantesh
Ekzekutohet në Tiranë në rrugën "Mihal Grameno", në Tiranë, më 18 mars të vitit 2000. Xhixha, një tregtar karburantesh, ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, kur në orën 22:00, i presin rrugën me makinë dy persona. Pas ndalimit, ata i afrohen makinës dhe e qëllojnë Xhixhën pa i folur asnjë fjalë. Më pas, atentatorët janë larguar nga vendi i ngjarjes të qetë. Të shtënat e armëve kanë shërbyer si alarm për policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje, por nuk ka mundur të kapë autorët. Pas hetimeve, Prokuroria dhe Policia nuk mundën të zbardhin ngjarjen dhe më pas dosja u depozitua për në polici, si e pezulluar. Por, versioni më i mundshëm, që mbeti, ishte ai, sipas të cilit Xhixha u vra për shkak të aktivitetit të tij.
Riza Çeço
Biznesi: tregti këpucësh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 37 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me fëmijë
Vrarë: 19 dhjetor 2001
Pistat e hetimit: vrasje për shkak të aktivitetit
Autorë: s´ka
Riza Çeço, Tiranë, këpucë
Mbrëmja e 19 dhjetorit të vitit 2001 tronditi lagjen periferike të Tiranës, në afërsi të azilit të pleqve. Riza Çeço, një nga pronarët e firmës së tregtimit të këpucëve "Miral", ishte qëlluar në orën 21:30 për vdekje, teksa kishte ndaluar makinën e tij dhe po priste një person. Dy persona të panjohur i janë afruar me motor dhe e kanë qëlluar me pesë plumba pistolete. Plagët e marra në trup, nuk i dhanë mundësi të mbijetonte. Edhe pse disa kalimtarë u munduan t´i jepnin ndihmë, gjithçka ishte e kotë. Ai dha shpirt në vendngjarje. Ngjarja u shoqërua me një reagim të madh të të afërmëve, por edhe të botës së biznesit. Disa tregtarë u shprehën se ndjehen të pasigurtë nga të tilla ngjarje. Por, fatkeqësisht, edhe këtë radhë hetimet nuk zbardhën historinë. Dhe si përfundim, edhe kjo dosje u arkivua në polici me mbishkrimin e pezulluar.
Florian Vila
Biznesi: tregti hekuri
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 35 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me dy fëmijë
Vrarë: 9 prill 2003
Pistat e hetimit: konkurrencë dhe probleme personale
Autor: s´ka
Florian Vila, Tiranë, hekur
Florian Vila nuk mundi ta hapte dot portën e vilës së tij në orën 21.30 të 9 prillit, në vitin në vazhdim. Dy persona, të veshur me uniformën e policisë, hapën zjarr ndaj bosit të hekurit, duke e lënë të vdekur në makinë. Një ngjarje që, përveç dhembjes për vrasjen e një biznesmeni, u përdor nga politika e të dy krahëve. Menjëherë opozita shpejtoi ta cilësonte krim shtetëror nga njerëz që kishin interesa në tregtinë e hekurit. Ndërsa Ministria e Rendit, që nga ana e saj nuk e përjashtonte pistën e konkurrencës, dalëngadalë nisi të ravijëzojë edhe pistën e problemeve personale, që ai kishte patur brenda familjes. Nga kjo betejë lindi edhe një tjetër. Ajo mes Prokurorisë dhe Policisë, sidomos pas arrestimit të Petrit Lleshit, një të riu nga Domja, të dënuar në mungesë për një plagosje, porqë, sipas policisë së Tiranës, ishte autor edhe i vrasjes së Florian Vilës. Por, Prokuroria e Tiranës e kundërshtoi hapur këtë version, duke paraqitur si argument mungesën e provave. Dhe kështu, një nga ngjarjet më të rënda të kohëve të fundit vazhdon të mbetet mes sherreve dhe debateve mes Prokurorisë dhe Policisë, si dhe pakënaqësisë të të afërmëve të Vilës, por më kryesorja e pazbardhur.
Fatmir Rama
Biznesi: kompleks lokal, pishina dhe kartodrom
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 38 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me një fëmijë
Vrarë: 29 mars 2003
Pistat e hetimit: Hakmarrje, borxh etj…
Autorë: s´ka
Fatmir Rama, Tiranë, lokale
Jehona e fitores së Shqipërisë me Rusinë, në një ndeshje futbolli u shua goxha, kur në orën 20:10 të 29 marsit, të këtij viti, nga një telefonatë e bërë nga kartodromi i famshëm i Tiranës, u mësua se ishte vrarë Fatmir Rama, pronar i këtij kompleski. I njohur më shumë me nofkën "Miri i Xhikes", bosi 38-vjeçar ishte ekzekutuar teksa shikonte ndeshjen së bashku me disa miq të tij. Viktimë mbetën edhe Taqi i Majes dhe një kamarier, porse ngjarja i kishte kuotat e larta të bujës, falë faktit se Miri i Xhikes më shumë se një biznesmen ishte një mik i politikanëve të majtë. Kishte shërbyer ky fakt që në KPD-në e famshme të vitit 2001, Kryeministri Fatos Nano të siluronte disa kolegë të partisë së vet se kishin miqësi me njerëz si Miri i Xhikes.
Myftar Çela
Biznesi: kompleks pularie dhe president i Vllaznisë
Vendi i aktivitetit: Shkodër
Mosha: 45 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me tre fëmijë
Vrarë: 14 qershor 2003
Pistat e hetimit: borxhi
Autor: Bajram Mulaj, i arrestuar
Myftar Çela, Shkodër, pulari
Padyshim që Myftar Çela ishte një nga biznesmenët më të fuqishëm në veri të Shqipërisë. Me një kapital mjaft të amdirueshëm dhe me një talent në fushën e biznesit, Çela arriti të bëhej një nga ata që quhen me plot gojën bosa kapitalistë. Shtoi kësaj edhe faktit se për dhjetë vjet ai ishte president i Vllaznisë, me të cilën fitoi tre kampionate. Por, data 14 e këtij muaji, do të ishte për të dita e fundit e jetës. Ai ekzekutohet në qytetin Tuz, të Malit të Zi, nga ish-ortaku i tij Bajram Mulaj. Një vrasje që cilësohet si një goditje për biznesin shqiptar, por edhe për sportin në përgjithësi.
Krijoni Kontakt