Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Të dielën me INDRO MONTANELLI-n

    Do ju sugjeroja te ndiqni ne TEMA nje seri shkrimesh mbi Indro Montarellin.

    Meson njeriu aty shum gjera.


    Ja nje Shkrim.

    nga gazeta Tema


    -----

    KOMENTI

    Të dielën me INDRO MONTANELLI-n * Letra & Editorial

    Shkëmbimi i letrave të famshme Berlusconi – Montanelli


    Më 11 janar 1994, në “Giornale” botohet ky shkëmbim letrash midis botuesit Silvio Berlusconi dhe drejtorit Indro Montanelli
    X X X

    Letra e Berlusconit
    I dashuri Indro,

    Deklaratat tuaja të djeshme më kanë çuditur dhe hidhëruar. Je i lirë të kultivosh çdo opinion tëndin dhe të mendosh se unë jam një i çmendur, që idetë e mia mbi politikën italiane dhe të ardhmen e këtij Vëndi, janë të gabuara, që unë po sillem si shpëtimtar dhe që kam humbur të mirat e intelektit. Je krejt i lirë të ndahesh prej meje dhe t’i sigurosh vetes dhe bashkëpunëtorëve të tu një ndërmarrje tjetër profesionale. Nuk më shkon aspak nëpërmënd që ta favorizoj ose ta pengoj këte tërheqje.

    Por tani duhet të më lejosh të të them, me të gjithë sinqeritetin, se opinionet tuaja janë vetëm paragjykime, gë që e tregon e gjithë historia yte dhe e jona. Ti sot po merr brohoritjet e pakushtëzuara dhe të zellshme të atyre të cilët dje të denigronin. I je nënshtruar përqafimit të ngrohtë të të gjithë atyre personave, të cilët në vitet e ashpra kur liria e mendimit dhe e shtypit, ishin vërtet të kërcënuara, patën kërkuar me çdo mënyrë që ta shuanin zërin tënd.

    Për mua ka qenë blatim i jetës nderi për t’i dhënë një dorë ndërmarrjes sate botuese, sado shtrenjtë që të kushtonte ajo, gjë që unë e kam bërë për një pasion civil, sepse ndaja me ty dhe themeluesit e “Il Giornale”-s të përbashktën tonë të vlerave liberale. Tani më bie që të ndodhem para një spektakli grotesk: atë të Piero Ottone-s (1) që ti e flake për luajtje bishti, i pritur më së miri nga “radical-chic”-u i një të majte violente dhe fanatike, që çohet peshë si gjykatëse dhe mjeshtre, dhe që prapa shpinës tënde lëshon vajtimin hipokrit me të cilin njëzet vjet më parë të jipte goditjen pas shpine.

    Jepi Indro: por këte spektakël mund ta ndalonim si ti ashtu dhe unë. Ty të kanë thënë se je provokuar nga një Telegiornale e imja, e unë do të jem dukur ty një i sëmurë nga nervat, ashtu si një kal që qet shkelma, ngaqë them me pasion gjëra në të cilat besoj, dhe prap mendoj se ky Vend nuk duhet qeverisur prej së majtës joliberale dhe as nga ata të cilët nuk dijnë të llogarisin, gjëra që ti i shfaq, mjerisht duke i kaluar në revistë. Por që mbi këte bazë të ndodhte që të shfaqej skena e gazetarit të madh që rebelohet ndaj botuesit të keq, këte nuk ma kishte marrë mëndja kurr.

    Me të vërtetë, që më vjen keq. Shpresoja se bashkëpunimi ynë nuk do të mbaronte asnjëherë dhe shpresoj ende. Je i lirë të besosh se unë e kam tradhtuar rolin tim të botuesit, ndaj të cilit ti ke qenë gjithmonë bujar në mirënjohje; jam i lirë edhe unë që të mendoj se ti rrezikon të tradhëtosh rolin tënd të kampionit të lirisë, ndaj të cilit për njëzet vjet kam ndjerë një devocion të sinqertë.

    Me përzemërsi të vërtetë dhe me një ndjenjë të pandryshueshme miqësie. I yti.

    Silvio,

    Arcore, 10 janar





    Letra e Montanelit,

    I dashuri Silvio,

    Besoja se bashkëbisedimi ynë i djeshëm në Rrugën Rovani, do të ishte privat dhe i tillë duhej të mbeste. Por duke qenë se ti e bëre publik përmbajtjen, ritheksoj opinionin që të kam manifestuar:

    1.E konsideroj hyrjen tënde në jetën politike një veprim të pafat., mbi të gjitha për ty; dhe mbasi nuk jam një shërbëtor i màrrë si ata të cilët të kanë shërbyer në televizion për të më denigruar, besoj se ishte detyra ime të ta thoja, dhe besoj ende,

    2. Ata të cilët janë me mua, nuk e bëjnë këte, ose të paktën nuk e bëjnë vetëm për miqësi; e bëjnë për të mbrojtur një parim, të cilin ti ke lënë përshtypjen se e shkel. Nëse kjo i përgjigjet nëpërmëndjeve tuaja ose ti përkundrazi ikën për fjalësh e për duarsh, çka mjerisht të ndodh shpesh, nuk e di; fakti është që kolegët e rreshtuar nga ana ime (praktikisht të gjithë), kanë dashtë të mbrojnë me mua të drejtën e një drejtori përgjegjës për vijën e gazetës.

    3. Nuk e kam thënë dhe nuk do ta them kurr, që je një botues i keq. Përkundrazi, gjithmonë kam thënë se të jam mirënjohës për autonominë, që deri pak muaj më parë, ma ke lejuar dhe që nuk ke ndërhyrë në jetën e gazetës. Por pikërisht pse të detyrohem diçka, kam besuar se më takonte të të ruaja nga ajo që mua më dukej një gabim i madh. Këtij sinqeritetit tim, i je përgjigjur duke ardhur në asamblenë e redaksisë për të më propozuar një ndryshim të “Giornale”-s në përshtatje të një vijë politike të ndryshme, në thelb dhe në formë, nga ajo e ndjekur prej meje, dhe me këte i ke ndalë rrugën çdo mundësie për marrëveshje.

    Të uroj me gjithë zemër që të mos pendohesh në vendimet tuaja; unë jam i sigurtë që nuk do të pendohem në këshillat që të kam dhënë. I yti

    Indro,

    Milano, 10 janar

    SHEN I PERK.:

    (1) Piero Ottone – (1924). Gazetar, drejtor i “Secolo XIX”, dhe “Corriere della Sera” .



    ---------

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    nga TEMA

    -------------

    Të dielën me INDRO MONTANELLI-n * Letra & Editorial

    Atit të vdekur

    Partia Komuniste Italiane (pa sekretarin Achile Occhetto) shndërrohet në Parti Demokratike e së Majtës dhe ndërron simbolin e saj. Shtatëdhjetë për qind e të anëtarësuarve rreshtohen me të. Kundërshtuesit e kësaj “zgjidhjeje” i japin jetë Rifondacionit Komunist. Një grup intelektualësh, midis të cilëve Pietro Ingrao, vendos të mbesë në parti, por me qëndrime të forta kritike ndaj drejtimit.

    X X X

    Po të isha një jetim i komunizmit, rrëfej se nuk do të dija se çka të bëja: të shkoja me Occhetton, ose me Cossuttan, ose me Ingraon, ose me “hidalgot” e Manifestit, më të çmendurit këta, krejt të çngjyrosur dhe të painteresuar për të gjithë të tjerët, të cilët e shfaqin me poezi dështimin e “së shquarës” së tyre; ose me legjionin e huaj; ose në një jeremi; ose edhe më thjesht, në shtëpi. Por jam i bindur pa asnjë mëdyshje, se nuk do t’ua ngarkoja të vdekurve të gjitha fajet dhe krimet e sistemit, duke thënë se ky nuk ishte komunizmi, apo duke celebruar mbarimin e tij si një festë, festën “e tyre”, atë të çlirimit.

    Sepse bash ky është operacioni në të cilin jemi duke marrë pjesë. Do të doja që të besonim se rënia e Murit të Berlinit me të gjithë atë që pasoi, nuk është një humbje e komunizmit, por katarsisi i tij prej grumbullit të rrènave dhe të turpeve që për shtatëdhjetë vjet kanë shpërbërë idealet, duke e shndërruar gjithçka në versionin rus të fashizmit. Çka ta do mendja të jetë e vërtetë. Po përse e thonë tash, mbasi na e kanë madhnue për gjysmë shekulli këte regjim si parajsën tokësore, si modelin dhe mishërimin e socializmit të vërtetë?

    Nuk aludoj aq për të ashtuquajturit intelektualë “organikë”, të cilët teksa merrnin votat, kishin monopolin e detyrueshëm të Besimit: i cili, dihet, ose është i verbët, ose nuk është Besim, po aq sa edhe për të tjerët, “shokët e rrugës” të progresit të salloneve. Sepse mbi të gjithë, kanë qenë këto “gjysmë-virgjëresha” të marksizmit që e kanë propaganduar, përkujdesur, hijeshuar, në botën e kulturës, të imazhit, dhe të cilët tani kërkojnë për të shpëtuar të shpëtueshmen. Ata nuk mund të gjejnë më ndihmë te injoranca e fakteve. Ndonëse kanë hyrë tashmà në parajsën tokësore dhe ate që iu ndodhi, e shohin njësoj siç e shohim ne, madje më mirë. Por disa prej atyre të cilët ata nuk pushuan së demaskuari – Orwellët, Silone-t, Köstler-ët, sa për të përmendur më të njohurit – i kanë përjashtuar nga tempulli si heretikë, dhe jeta atyre iu bë tejet e vështirë. Gjëra të vjetra, që do të dëshironim t’i harronim. Po përse megjithate, jemi të detyruar t’i kujtojmë?

    Merret me mend se nëqoftëse duam të dëfrehemi me hipoteza, mund të shpalosim edhe ate që thotë se komunizmi mund të kishte qenë diçka tjetër dhe më i mirë – sado pak qoftë – nga ajo çka qe. Mirëpo, këte mund ta thuash për çdo ideologji, ose doktrinë, ose parim etik dhe fetar. Idetë – thoshte Mark Twain – duhet me i lënë gjithmonë në qiell: nuk ka asnjë asosh që duke zbritur në tokë, të mos ketë ndaluar qoftë dhe një herë në shtëpinë publike. Ndërsa ideja komuniste, ka bërë aty më tepër se një ndalesë! Në shtëpinë publike ajo është instaluar qysh në çastin e parë dhe atje ka ndejë në shtretën të rehatshëm dhe për një kohë të gjatë, madje deri në menopauzë e përtej. Një rast i vështirë ky për t’u mbajtë si “deviacion”. Kjo është një prirje bukur e mirë.

    Gjithnjë duke vazhduar me hipoteza, mund të thuhet – çka në të vërtetë kanë filluar ta thonë – që gjithçka varej nga fakti se në vend që të ngjiste në ndonjë Shtet të civilizuar të perëndimit, komunizmi bëri gabimin se gjeti si tokë eksperimentale dhe të kulturës së tij, një Shtet të prapambetur si Rusia. Por e vërteta është se komunizmi nuk përzgjedh asgjë. Iu ngjit Rusisë vetëm ngaqë Rusia ishte një Vend i prapambetur për të cilin thuhej se i shkonte një ideologji po e prapambetur, siç ishte asokohe ajo komuniste, e mbarsur në fazën arkaike dhe të egër të një kapitalizmi tejet të larguar nga vetë kapitalizmi.

    Nuk vlen vërejtja se, me vdekjen e komunizmit, mbesin të pavdekshëm idealet. Këto ideale nuk i shpiku komunizmi. Ishin prej kohësh në rrethet e punëtorëve të shoqërive industriale, qysh në vitin e parë të tetëqindave. Marksi me krenari teutonike i quajti “shkencore”, duke përjashtuar me tërbim dhe mallkime çnjerëzore, prekursorët dhe frymëzuesit, duke parashkruar ndërkaq, mënyrat e luftës e duke i shndërruar ato në instrumente shtypjeje dhe përndjekjesh. Por prej gjithë këtyre, siç është e shkruar qartë në letrat e Historisë, nuk deshti asnjëherë të ndërhynte e ashtuthirrura “inteligjencë” (dhe është e drejtë t’i thuhet “e majtë”, sepse kush nuk është i së majtës, nuk bën pjesë në “inteligjencë”). Idhtarët e saj ktheheshin nga Moska si pelegrinët islamë që kthehen nga Meka: pasi ishin bërë pjesë me dëshirën e tyre, sepse përveç Profetit nuk merrnin në sy askënd tjetër.

    Nuk duam që për çdo fije bari të kërkojmë të bëjmë një tufë më vete. E dijmë mjaft mirë, se midis jetimëve të komunizmit ka edhe prej atyre të cilët nuk përpiqen të bëjnë operacione prej endjesh dhe sofizmash dredharake. Heshtin. Dhe heshtjes së tyre nuk kemi çka t’i themi, përveçse t’i blatojmë respektin tonë. Në gojën e mbyllur, thoshte Servantesi, nuk hyjnë mizat.

    30 gusht 1991


    -----------

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Të dielën me INDRO MONTANELLI-n

    Të kërkosh për të kuptuar Giuseppe Bottai-n

    I dashuri Montanelli,

    Në një "dhomë" ("rubrikë") tuajën, lexova se ju keni një mendim të plotë për personalitetin e Giuseppe Bottai-t (1). Do të më pëlqente që ju ta shpalosnit edhe pak më tej figurën e këtij eksponenti të veçantë të fashizmit.

    Kush punon në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe mjedisore, i sheh ende funksionues ligjet e tij të famshme të 1939-tës, për disa aspekte kaq të rreptë sa që vetëm një diktaturë do të kishte mundur t'i shpallte në Itali (në të vërtetë, rregullorja e tyre, me urdhrin e ditës të Dhomës (së Parlamentit) të 25 korrikut '43, nuk ishte më në fuqi, e madje edhe kur, pas pak, do të hynte në fuqi ligji i ri i përshtatur për Trashëgiminë kulturore, që rimerr në thelb atë të '39-tës, la ende në fuqi "përkohësisht" rregulloren e 1913-tës të shpallur me ligjin e 1909-tës!).

    Në ato vite Bottai i mbronte artistët dhe intelektualët, të cilët pas pak do të militonin të gjithë në antifashizëm, madje ai u shmang nga miratimi i ligjeve poshtëruese raciale. Ishte fashist i "orës së parë", më mbas votoi urdhrin e ditës të Grandi-t (2) dhe luftoi gjermanët në Legjionin e Huaj. Çfarë lloj utopie ishte fashizmi për një njeri si ai? Ju, a e keni takuar mbas luftës?

    Andrea Moneti, Bologna

    X X X

    I dashuri Moneti,

    Nuk e di se çfarë moshe keni ju. Por ciladoqoftë, provoni paksa të pyesni veten nëse jeni i njëjti njeri i dhjetë vjetëve më parë, dhe nëse vazhdoni të mendoni për gjithçka si atëherë. Unë jo. Me këte nuk dua t'i bëj - falë dashurisë për Zotin - elozhe koherencës. Por të qenunit në koherencë, më ka mësuar t'iu qëndroj parimeve bazë në të cilat njeriu duhet të frymëzohet për vetëdrejtimin: detyrimit ndaj ndershmërisë, sinqeritetit, kurajos, përgjegjësisë. Nuk e di nëse ia kam arritur që t'i nderoj përgjithmonë këto. Dhe për të thënë se "po", kjo nuk më takon mua ta gjykoj. Por në planin e ideve jam mbështetur pikërisht te ndershmëria, sinqeriteti, kurajoja, që më kanë detyruar t'i shkëmbej sa herë që unë jam gjendur përballë ballafaqimit me to ose të vetëmashtrimit.

    Bottai, me të cilin kam patur shumë konfidenca para dhe mbas luftës, ishte njëri prej atyre të cilët besuan më fort te fashizmi. E pra, ishte dhe njëri prej atyre të cilit i kushtonte tejet të pranonte gabimin apo të ndërronte fushë dhe flamur. Në planin moral Bottai kishte besuar me të vërtetë se fashizmi do të shënonte jo rilindjen, por lindjen tek italianët të asaj vetëdijeje kombëtare dhe civile, çka përherë atyre iu kishte munguar (dhe vazhdon t'iu mungojë): konceptin për jetën si një "shërbim".

    Në planin ideologjik, pra në atë të programit politik më të përshtatshëm për të realizuar një operacion të tillë, nxiste një farë plottrupëzimi, që e çonte shumë afër marksizmit: jo më kot bashkëpunëtori dhe këshilltari i tij më ndikues, ishte Ugo Spirito (3). Dhe ishte, kuptohet - siç e pranoi edhe ai vetë në vitet e tij të fundit - një tjetër gabim ky. Por Bottai një veti nuk e pati kurr: të ishte një skeptik. Mund të dëshmoj se largimi i tij nga fashizmi dhe Mussolini, për te ishte një pikëllim. Dhe është kjo që e veçoi ate nga të gjithë jerarkët më autoritarë të regjimit. Prej tyre kreu politik më luftarak ishte natyrisht Grandi, i cili njohu anët e dobëta të Mussolinit, prej të cilave demagogjinë populiste dhe paqëndrueshmërinë kulturore, ia kishte kuptuar qysh përpara Marshimit mbi Romë; e për këte ishte përpjekur të ndalonte vendosjen e një regjimi diktatorial, edhe pse ndaj të cilit mandej ai u përshtat. Karakteri më i pavarur, më i prerë ishte Balbo (4). Vetëdija e fashizmit ishte Bottai. E them sepse kisha njohje personale me këta tre njerëz, të cilët dinin se çka bënin. Teksa dilte prej bisedës së fundit me Mussolinin, në prag të hyrjes sonë në luftë, Balbo i thotë Longanesi-t (5) dhe mua: "Po të kishim vetëm paksa kurajo, do ta qëllonim me grushta dhe do ta hidhnim në Tevere si një Thes për Fundosje". Ndërsa Grandi më thoshte: "Eshtë e pamundur ta çbësh Mussolinin pa Mussolinin". Kurse Bottai: "Të flasësh me te tashmà është si të flasësh me monumentin e tij". Kurse me lot ndër sy më shtonte: "Çfarë trashëgimie entuziazmesh të kotë!".

    Cili ishte në të vërtetë Bottai: djaloshi i cili kishte ëndërruar rilindjen, apo pesëdhjetëvjeçari i zhgënjyer, i cili pranon gabimin dhe dështimin? I të dyjave, i dashur Moneti. Por ndoshta më i vërteti i të gjithëve është ai, i cili për të shlyer dhe paguar, shkruhet në Legjionin e Huaj - strehë e fajtorëve dhe e të dështuarve - e ashtuquajtura "shkumba e tokës". Përsa më thotë mendja mua: nuk e gjykoj, kërkoj vetëm për ta kuptuar.

    28 prill 1999



    SHEN I PERK.:

    (1) BOTTAI Giuseppe (1895-1959) - politikan fashist, ministër i kooperimit dhe i edukimit kombëtar.

    (2) GRANDI Dino (1895-1988) - një nga themeluesit e lëvizjes fashiste, ministër i jashtëm.

    (3) SPIRITO Ugo (1896-1979) - filozof, përpunoi konceptin e vlerës kritike dhe sociale të shkencës.

    (4) BALBO Italo (1896-1940) - politikan, aviator që kaloi disa herë Atlantikun, protagonist i Marshimit mbi Romë, ministër i aviacionit, Guvernator i Libisë.

    (5) LONGANESI Leo (1905-57) - shkrimtar, piktor, botues, themelues më 1956 i shtëpisë së famshme botuese "Longanesi".

    nga TEMA

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    tema

    --

    FORUM

    Të dielën me INDRO MONTANELLI-n * Letra & Editorial

    Rrofshin të mundurit

    Me një grusht shteti të drejtuar prej krahut
    konservator të Partisë Komuniste të BRSS dhe nga
    elementë të KGB-së, - shërbimi i fuqishëm sekret
    sovjetik, - bie Michail Gorbaciov. Mbi të gjitha për
    mungesë mbështetjeje të Forcave të armatosura, vetëm
    mbas pak ditëve, “grushti” dështon.

    X X X
    Mendja ta thotë se gjithçka do të jetë e vërtetë.
    Duhet të jetë e vërtetë që Gorbaciovi nuk e kishte
    parashikuar rezistencën e sistemit para se të fillonte
    reformën. Duhet të jetë e vërtetë që nuk është marrë
    me mend se për të çmontuar një përzjerje totalitare
    është shumë më e vështirë dhe më e rrezikshme se sa ta
    montosh, ngaqë për ta montuar mjaftojnë togat e
    pushkatimit, ndërsa për ta çmontuar duhet miratimi i
    popullit dhe vetëkontrolli i tij. Do të jetë e vërtetë
    që, përballë kundërshtimeve të frikshme të provokuara
    radhazi prej inisiativave të tij, ai ka hezituar dhe
    është përpjekur të ndalë të kaluarën, duke kërkuar të
    shpëtojë të shpëtueshmen e një regjimi që në të
    vërtetë duhej shkatërruar. Do të jetë e vërtetë që,
    shurdh dhe qorr përballë shembujve të Historisë, ai
    është përpjekur të qëndrojë mbi ato pozita të
    ndërmjeme, të cilat në të gjithë revolucionet kanë
    sjellë veç dështim. Në fund të fundit, do të jetë e
    vërtetë që Gorbaciovi ka gabuar kur i ka i matë gjërat
    me metër më të madh nga ç’ishin përmasat e fuqisë së
    tij.
    Do të jetë e vërtetë. Por edhe nëse është, asgjë nuk e
    rrëzon faktin që pranvera më rrezatuese që bota civile
    ka njohur mbas Jaltës, çlirimi i madh prej tensioneve
    dhe anktheve të luftës së ftohtë, ikja prej
    nënshtrimit dhe prej shtypjes së popujve dhe kombeve
    të gjysmës së Europës, çlirimi i njerëzimit prej
    helmimit të një ideologjie të gënjeshtërt dhe
    dështuese: e gjithë kjo pra, të çon dhe do të na çojë
    përgjithmonë te një emër: Gorbaciov!
    Nuk i dimë të veçantat e rënies së tij, që megjithate
    duket që është një përsëritje e një kopjeje të vjetër,
    si ajo që ngjau me rënien e Hrushovit, mbas goditjeve
    të mbasshpinës gjatë mungesës për shkak të pushimeve.
    Tjetër: në këto regjime krizat e Qeverisë nuk njohin
    tjetër procedurë përveçse puçit. Punë e tyre. Por
    ndonjë përgjegjësi në këte shembje epokale, e kemi
    edhe ne perëndimorët. Jo për mungesën e një ndihme në
    planin ekonomik, për çka asgjë nuk mund të bënim:
    çfarëdo bamirësie t’iu kishim bërë, kjo do të kishte
    shkuar për të vajisur grumbujt e një ngrehine
    joprodhuese dhe për të mbushur xhepat e satrapëve që
    qeverisnin. Por në planin politik mund të bënim. Kemi
    nënvleftësuar vështirësitë e tmerrshme kundër të
    cilave luftonte Gorbaciovi. E kemi mbytur me kritika
    (për çka shpesh herë ka kontribuar edhe kjo gazetë)
    për pavendosmërina dhe kundërshtina që i gjykonim si
    një shéj i një lojës së dyfishtë. Përkundrazi, për t’i
    moderuar, kemi ngacmuar forcat e paprekshme, por të
    kota centrifugale, të republikave dhe etnive të
    ndryshme, të cilat do të mund të çonin te dekompozimi
    i BRSS dhe pra, në luftën civile.
    Por tash që është në shpërbërje, mund ta masim
    Gorbaciovin jo vetëm prej asaj që ka bërë, por edhe
    prej asaj që nuk ka bërë, dhe që mund të kishte bërë.
    Asgjë nuk do ta kishte ndaluar, madje gjithçka e
    shtynte që të ndiqte shembullin e ”vëllezërve të
    ndarë” kinezë, të cilët edhe ata me kujdes janë duke
    u liberalizuar, por pa harruar ndërkaq, se kur
    studentët e Sheshit Tienanmen do të mëtonin të merrnin
    ndër duar partinë dhe ushtrinë, nuk ngurruan për t’i
    shtrirë për tokë duke i mitraluar: gjest kriminal,
    por edhe ky pjesë e së ashtuquajturës “Realpolitik”.
    Gorbaciovi mund të bënte agresivin ndaj opozitës me
    ndihmën e tre instrumentave me të cilat Rusia është
    qeverisur përherë: partisë, ushtrisë dhe Policisë
    sekrete, çka nuk do të kishte gjë tjetër më të
    përshtatshme për te. Kësisoji, ai do të ishte ende
    mbi fron dhe “Realpolitik” do të njihte në te një
    kampion të saj. Ka parapëlqyer t’i qëndrojë besnik
    personazhit të cilin Zonja Thatcher e gjen në mikun e
    saj Reagan: “a reliable man”, një zotni tejet të
    sjellshëm e të ndershëm. Dhe xhentëlmenët, dihet, janë
    të paracaktuar për asisoj humbjesh që në gjuhën e
    hidalgove spanjolë, iu ndodhin gjithmonë njerëzve më
    të mirë.
    20 gusht 1991

Tema të Ngjashme

  1. Emigrantët shqiptarët, të dielën protestë e madhe në Athinë
    Nga PORTI_05 në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 30-01-2006, 11:57
  2. Katalog i Kodikëve Kishtarë Mesjetarë të Shqipërisë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 100
    Postimi i Fundit: 02-02-2005, 00:19
  3. Maks Gjerazi ("magje")
    Nga macia_blu në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 20-11-2004, 11:14
  4. Të dielën me INDRO MONTANELLI-n
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-01-2004, 07:09
  5. Zv/kryeministri serb Çoviç të dielën në Tiranë
    Nga Beqari002 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 20-12-2002, 09:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •