Se kongresi i gjuhes ka deshtue, Kosova asht Argument
I
E gjitha filloi me një shaka, mu njashtu si te Kundera, i cili nuk do të vijë në Shqipëri. Desha që t'i animoj e argëtoj familiarët e mikut tim në drekën e mirëseardhjes. Përdora gjithë mjeshtrinë time të shtirjes, u theva e përtheva, u drodha e përdrodha, u kënaqa së qeshuri vet më vete dhe vetëm në fund po kuptoja se miqtë e mi nuk qeshnin fare...E kuptoni...amerikani, gjermani dhe shqiptari...ha, ha... Nuk po kuptonin gjë prej gjëje. Unë isha koshient për dallimet në të folur andaj edhe e kisha rrëfyer, për mendimin tim, me një gjuhë mjaft të hekurosur. Nuk e besoni se sa i bukur dhe i qëlluar është ky vic. Vic?! më shikuan habitshëm. Shaka apo barcoletë, si i thuani ju. Aha... Ylli, miku im i dashur, qeshi sa për kurtoazi, e ngriti dollinë dhe deshi t'i japë dalje kësaj situate. Shumë e bukur, më pëlqeu. Ja që, i biri dymbëdhjetëvjeçar i tij, duke dashur që të kuptojë me patjetër, insistonte...Ç'thotë xhaxhi, më thuaj, ç'thotë? Ylli atëherë mori t'ua përkthente shakanë familiarëve të cilët, vetëm pasi ua përktheu Ylli qeshën, jo më me kurtoazi, por me shpirt. Iu kthyem piatave. Cingërima e escajgut më bëri të zhytem në mendime dhe po më ikte humori, disponimi. Të jetë e mundur. Këta nuk më kuptojnë fare. Cila gjuhë është shqipe në këtë tavolinë? Ne paskemi nevojë për përkthyes mes vedi. A është e mundur se alienimi ynë ka këso përmasa. Ylli, duke e parë çehren e ngrysur timen, mori dhe na e tregoi atë vicin e njohur për gjirokastritin. I tha gjirokastriti gruas t'i ziej dy vezë për drekë dhe hipi në çati për ta rregulluar antenën...Plasa gazit, aq më parë se unë përmes Yllit nuk e kisha të huaj përgjithësimin për kopracllëkun e gjirokastritëve që ma kujtonte atë të gjakovarëve tek ne. Dollia dhe sërish piatat. E zura veten duke menduar sesi unë e kap humorin e thënë përmes të folmes së tyre e s'kam nevojë për përkthyes. Ç'paska ndodhur kështu mes nesh ? Muri! Okej, këtë e di. E di, gjithashtu, nga një teptisje krenarie e shikimi prej vizionari të tim et e të gjithë gjeneratës së tij se këta në atë mision historik të vetin sikur i kanë bërë lak Murit dhe armikut, duke e bërë të mundur që përmes një Kongresi të krijojnë Gjuhën e Unisuar. Ata lavdëroheshin se ia kanë dalë që ta hudhin litarin matanë Murit, matanë Letës (Lumit të harrimit), duke u lidhur njëherë e përgjithmonë së bashku, "për të mos na zgjidhur më kurrë". Delegacioni i intelektualëve nga Kosova e kishte edhe maksimën e vet: "Një popull, një gjuhë". Por, për këtë më vonë.
Pas dreke, nisa një konverzim të zakonshëm me bijën nëntëmbëdhjetë vjeçe të Yllit e cila më tregonte për një shoqe të saj nga Tetova e cila sa herë e hap gojën i bën me gaz atë e shoqërinë e saj. Ne e duam por e folmja…ha,ha,ha…Duke qenë se unë ua kisha fituar besimin gocës dhe çunit të Yllit dhe kisha një konfidencë me ta falë dokës sime që atyre u dukej prej italiani, të kaluarës sime prej rokeri, nga fakti se i njihja idhujt e RAI-it, se në garderobën time kishte gjëra edhe nga Benettoni, ne ishim shokë. Unë kalova në anën e çunave dhe gocave nga Shqipëria dhe filluam t’i shohim e komentojmë, t’i shpotisim e përçudnojmë - kosovarët. Stereotipet për një kosovar. Fëmijët e Yllit artikulonin me një sinqeritet gjenuin një opinion që unë do e has kudo, në të gjitha qarqet, por për të cilin sikur ekzistonte një komplot i heshtjes: askush nuk ta thoshte. Po cili është ai opinion të cilin e ka gjithë Shqipëria, por të cilin sinqerisht e mora vesh vetëm nga fëmijtë e Yllit. Çfarë më thanë ata: se janë të trashë në kokë e në të folur; se gjuha jonë, d.m.th. e atyre nga Kosova (unë u bëra njëri syresh) u duket qesharake, njashtu siç u duket qesharake doka dhe veshja e tyre; se në të folur tingëllon germa Ç e përdorur pa vend (çito, çatje, çitu, ç’a ka, çoje, ç’a bone, qysh je…dëgjoje të lutem: kape çito çoje çatje!); habiten me përdorimin e gabuar të fjalëve si: bjeshkatar për alpinist; vozitës (qeshin) për shofer; tollovi për rrëmujë; banesë për apartament; i habiste përshëndetja TUNG; fjalën sajues e përdorin (imagjinoje të lutem!) në kuptimin krijues\autor e jo në kuptimin që në të vërtetë e ka: rrenacak!; kur flasin në telefon (gjithnjë ata, jo unë) pyesin: a është kjo banesa e filanit?, në vend se të thonë: a është familja e filanit? Le të mbetemi te telefoni. Më e bukura - qeshnim të gjithë së toku, edhe unë si njëri prej tyre - kur të thonë në telefon: po të paraqitem nga… pesë minuta qeshje e shqepur. Unë edhe pse qeshja isha i habitur dhe nuk e dija se ç’formë përdornin, ndaj shtiresha ..në vend se të thonin…dhe prita që ta thonë…po të marr nga…etj,etj. Ueeee, më shpërtheu një pasthirrmë kosovare mbyturazi! U desh një kohë gjersa u mbushëm frymë dhe erdhëm në vete nga ato karikatura për kosovarët. Mua më së shumti më dhimbnin ato për gjuhën. Përgjithësimet e stereotipet tjera edhe nuk ishin pa ndonjë mbështetje. I gjeje në të dyja anët. Por, gjuha…Duke qenë njeri prej tyre, unë fillova me ngadalë, duke mos dashur që t’i ofendoj ngase i doja shumë, t’ua fus krimbin e dyshimit përgjithësisht për gjuhën. Fillova, me kujdes, t’u flisja atë që unë dija për gjuhën, për gjithë honin që qëndron mes fjalëve dhe sendeve…fjalët nuk janë sende…“sido që ta quajmë trëndafilin ai do të erëmojë ëmbël si gjithmonë” [1]…fjalët përgjithësisht janë shumë dredharake…Ato shpeshherë për njerëz të ndryshëm kanë kuptim të ndryshëm. Askush nuk mund ta kuptojë fjalën gjer në fund. Mirëpo, njeriu nuk mund shkëputet e shikohet veçan fjalëve. Pa to, ai është i pakapshëm. “Ato janë realiteti jonë i vetëm, ose më të paktën, e vetmja dëshmi e realitetit tonë”. Ne gjindemi në gjuhë si në trupin tonë. Ajo është edhe koracë jona edhe antenë jona. Për më tepër, njeriu nga fjalët krijon një klime verbale, një mjedis të tanë semantik, një semantic environmental. Botë të veten. Ta zëmë, sado qersharakë që duken këta kosovarët, tok me të folmen e tyre, ata në të vërtetë komunikojnë dhe merren vesh mes vete, ngase çdo e folme, çdo dialekt, qoftë ai edhe i kosovarëve, është në të vërtetë një gjuhë. Pastaj, nuk ekziston ndonjë e folme në botë e cila nuk do të mund të kodohej e të quhet gjuhë. Po kjo gjë ndodh edhe me të folmen e këtyre kosovarëve. Ajo nuk është se nuk mund të kodohet e të ngritet në standard. Fakti që ju e flisni këtë gjuhë e jo këtë timen, desha të them të këtyre kosovarëve qesharakë, është vetëm nga shkaku që gjuha juaj ka pasur ushtri e marinë! Gjuha juaj është dialekti që fitue e ka luftën. U thosha me humor se, po të ishte “xhaxhi” Enver nga Peja e jo nga Gjirokastra ju sot do të flisnit si unë. Por, mbi të gjitha, duhet pasur gjithmonë kujdes kur përqesh dhe urren të folmen e dikujt, ngase shumë lehtë urrejtja ndaj të folmes mund të shndërrohet në urrejtje ndaj folësit. Sepse, po them, “fjala është njeriu. Ne jemi të sajuar nga fjalët”. Prandaj, t’i lëmë fjalët që të çojnë dashni, të duhen mes vete, e jo të përqeshen e të zihen.
Për t’ju dëshmuar se fjalët duhen mes vete e ne jemi ata që i bëjmë të zihen, u kërkova Fjalorin. Në muhabet u fut edhe Ylli. Ma sollën Fjalorin që e kishte mbulue pluhuri. Më vonë e pranoi edhe Ylli se në shtëpinë e tyre rrallë e kurrë përdoret e mbështetet Fjalori. Nuk ka nevojë. Gjuha jonë është e pastër. Le ta nisim nga këto fjalë të rastit që përmendëm, u thashë. Aty dëshmohej se një nga sinonimet e fjalës rrëmujë ishte fjala tollovi, e kishte Fjalori. E shihni, në Fjalor këto fjalë duhen. Les mots font l’amour e citova një thënie të cilën e pëlqeja dhe e kisha mbajtur mend. Natyrisht, edhe si një lloj delikatese të demonstrimit tim. U habitën që të gjithë. Në bisedë hyri edhe e shoqja e Yllit, mësuese. Biseda po i kalonte sinorët e një qesëndisjeje të zakonshme. Fjalori po i vërtetonte që të gjitha. Se shpjegimi i parë për fjalën sajim është ndërtim\krijim. Vetëm nën 4 fjala merrte shpjegimin trillim. Se, është e vërtetë që ne, dua të them ata në Kosovë, të gjetur në një kontekst antikombëtar, e të shituar me një vetëdije kombëtare të vonuar, janë bâ viktima të një purizmi gjuhësor rigid dhe po t’i pyesësh lingvistët kosovarë, gjithçka do të shqipëronin, madje edhe emrat e përveçëm. Që këtej vozitës për shofer, bjeshkatar për alpinist, doracak për manual, etj.etj. Mirëpo, edhe shoqëritë me një kulturë të dëshmuar e të lashtë, siç është ajo franceze, kanë nisur një kampanjë të këtillë puriste në mbrojtje të gjuhës franceze nga ndikimet e anglishtes, apo jo. Ma jep ta shoh njëherë Fjalorin, më tha Ylli. Të gjithë u gjetëm të përkulur mbi Fjalorin që po na i zbulonte gjithë përmasat magmatike të gjuhës. Honin mes fjalëve dhe sendeve, fjalëve dhe kuptimeve të vërteta. Fjalori bënte që gjuha në të cilën jo vetëm familja e Yllit, por çdo familje shqiptare që e ndjente veten në shtëpi, e ku cilido kosovar dukej mysafir, të dëshmonte të kundërtën: se gjuha shqipe qenka gjuhë e të gjithë shqiptarëve e jo vetëm e një dore njerëzish të zgjedhur të përkufizuar me një vijë kufiri; se çdo ton e tingëllimë, klithmë e pasthirrmë, çdo e folme e argo, vernakular, dialekt e sociolekt, standard gjuhësor e normë janë ato që përcaktojnë Atdheun shpirtëror e tingullor siç do ta quante Kafka - gjuhën; se ajo nuk përkufizohet me kufij administrativë e gjeografikë; se gjuhën nuk e bën e as do ta bëjë një Komisi Letrare, një Konferencë Gjuhësore, një diktator, një parti; se standardi i përcaktuem është dhe do të jetë vetëm një moment në gjithëkohësinë e kësaj gjuhe; se Gjuha e ashtuquajtur Standarde paraqet vetëm një suva të papërfunduar të njasaj Katedraleje të Gjuhës Shqipe; se “gjuha është kusht i ekzistencës njerëzore e jo farë sendi, organizmi apo një sistem konvencional shenjash të cilin do ta pranojmë ose do ta hudhim poshtë.”
E pashë se fjalët po më bëhen flamboyante dhe muhabeti po merr tingëllimë serioze në këtë ambient të dashur timin ku më së paku do doja që gjuha dhe keqkuptimet tona rreth saj të na e prishin atmosferën. U ktheva tek barcoleta e gjirokastritit…Ylli, pa na thuaj edhe njëherë se ç’i tha gjirokastriti që po rrëzohej nga kulmi i shtëpisë gruas që kishte vënë dy vezë për t’u zier:
- Hiqe grua njërën vezë nga xhezvja se unë vate e shkova…!
[1] “Zbatimi i GLN (Gjuhës Letrare të Njësuar) nga kosovarët ka dalë një dështim total. Kosovarët duhej të kishin përpunuar dialektin e tyre brenda traditës së pasur të gegërishtes letrare. Ata duhej të ndiqnin shembullin e shkëlqyer të Pjetër Bogdanit, krijuesit të prozës letrare gege, ashtu siç është Manzoni krijues i prozës tregimtare italiane…Gjëja më logjike që duhej të kishin bërë kosovarët, do të ishte të ndiqnin gjurmët e përfaqësuesve të tyre të shquar, aq më tepër meqë dheu i Shkodrës ka nxjerrë një letërsi të klasit të parë, me poetët si Fishta e Mjeda, me tregimtarë si Nikaj e Koliqi dhe madje një shkrimtar socialist pionier si Migjeni…Vështrimi i mësipërm historik na tregon me forcë se qendra e gravitetit të kombit shqiptar, që nga koha e Skënderbeut e deri në shpalljen e pavarësisë duhet kërkuar në Shqipërinë e Veriut” - citue sipas “BOTA SOT”, nr. 5-6,’91, art. i Xh. LLoshit
vijon
Krijoni Kontakt