Pas pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, një pjesë e flotës detare vendase, që nuk mundi të ikte, hyri nën flamurin turk dhe kjo ishte pjesa më fatkeqe e detarëve tanë, pasi Turqia, duke mos pasur besim në ta, u sekuestroi mjetet e lundrimit dhe i bashkoi me flotën e saj luftarake, që po përgatiste, ndërsa ekuipazhet i internoi. Sundimtari turk i Vlorës, Mustafa Begu, dërgoi në Stamboll 45 kapedanë anijesh shqiptare që të përdoreshin për nevoja të ndryshme të flotës turke dhe, kur pushtuan Lezhën në vitin 1475, kapën rob 200 detarë

Historia e lundrimit që nga kohët e lashta. Paraardhësit tanë “mbretër” të ujërave të kaltra dhe zotër të transportit detar

Kur lundërtarët shqiptarë pushtonin detet
Flamujt e lundrimit, në vartësi të pushtimeve. Anijet tona, influenca nga Venediku, Greqia dhe Turqia

Luan Kondi

Shqiptarët njihen si detarë të zotë në rajonin e tyre. Sfidat e para i kanë fituar stërgjyshrit tanë, Jordët e Liburnët, sipas kronikanëve të kohërave të lashta, ishin detarët më të mëdhenj të kohës. Pas pushtimit të Ilirisë nga romakët, shqiptarët humbën terren në detin Adriatik dhe rajon, ndërsa një pjesë e flotës, u fut nën flamurin grek dhe luajti një rol të rëndësishëm në forcimin e flotës helene.

Venedikasit, nën pretekstin se anijet niseshin nga bregdeti shqiptar, i konsideronin pirate dhe nisnin sulmin kundër tyre. Venediku censuronte edhe zhvillimin e flotave të Ulqinit, Shkodrës dhe Durrësit. Pushtimi turk shkatërroi flotën tonë, pasi ajo u largua për në vendet fqinje. Edhe një pjesë e vogël që u fut nën flamurin turk, u shkatërrua nga sulmet e flotës greke, në kohën e kryengritjes antiturke. Austro-Hungaria që kishte qëlllim të mretëronte Adriatikun, hyri në marrëveshje me turqit për të shkatërruar konkurentët kryesorë, shqiptarët e Ulqinit. Me ndihmen e turqëve, arriti ta djeg atë qytet dhe bashkë me të, edhe anijet e ulqinakëve.

Mjetet e thjeshta të lundrimit
Historia e zhvillimit detar në Shqipëri fillon që nga stërgjyshërit tanë, ilirët. Të vendosur në bregun lindor të Adriatikut, ata kuptuan rëndësinë e pozicionit të tyre bregdetar dhe filluan, nëpërmjet detit Adriatik, të kalonin me mjete primitive nga njëri breg, në tjetrin, duke krijuar marrëdhënie të ngushta ekonomike mes dy brigjeve. Në vendin tonë kanë ekzistuar forma shumë primitive mjetesh lundrimi. Në bregdetin e Himarës është përdorur si mjet lundrimi koshi i thurrur me shufra dhe i veshur nga jashtë me lëkurë, por vetëm me kalimin e kohës është zhdukur nga përdorimi. Në Ulqin janë përdorur barkat njëtrungëshë deri rreth vitit 1570. Në ujërat e brenëshshme tokësore, përdoren edhe në kohën e sotme, si në lumin Bunë. Përdorimi i disa mjeteve me origjinë mjaft primitive, të cilat erdhën deri në kohët e afërme, janë dëshmi e formave fillestare të mjeteve të lundrimit. Këto janë përdorur edhe nga ilirët, në kohën e fillimit të veprimtarisë së tyre detare. Gojëdhënat e detarëve tanë të vjetër tregojnë se me mjete të tilla të vogla njëtrungëshë, gjatë stinës së verës, lundronin në brigjet e Adratikut dhe tregëtonin me skelat e tjera. Himariotët me mjete të tilla primitive, lundronin gjatë bregut, deri në Kepin e Gjuhëzës (Karaburunit), ku prej këndej, drejtoheshin për në perëndim, në det të hapur, e pas një dite lundrimi me rrema, kalonin Adriatikun (kanalin e Otrantos) dhe dilnin në bregun tjetër. Gjatë këtij lundrimi, orientoheshin ditën me anë të diellit, ndërsa natën, me anën e yjeve. Mënyra praktike e orientimit ishte e thjeshtë: në të djathtë dhe në të majtë të bashit (pjesa e përparme e anijes). Në fillim të mjetit të lundrimit, vinin shenja të konvencionale që i përgjigjeshin një skele të caktuar. Detari, i cili qëndronte në kiç, pjesën e prapme të anijes, mbante në një vijë të drejtë shikimin e tij në shenjën konvencionale dhe në shenjën qiellore, gjatë gjithë udhëtimit të tij. Me këto mjete dhe metoda të para të lundrimit, që mbetën deri vonë, ilirët e vjetër filluan jetën e tyre detare, të cilën më vonë e shndërruan në një shkallë shumë më të lartë.

Detaria ilire
Rritja e mjeteve të lundrimit u bë e mundshme pasi anijet filluan të visheshin nga jashtë me dërrasa. Detarë të përmendur në periudhën e lashtë, kanë qenë fiset ilire Japodë, të cilët përveç skelave që kishin krijuar në bregdetin lindor të Adriatikut, kishin krijuar edhe baza të tjera në pjesën perëndimore të tij, si edhe në bregdetin gendror të Italisë. Më vonë, vendin e japodëve si lundërtarë, do ta zinin Liburnët, të cilët janë mjaft të dëgjuar. Mjetet e lundrimit të tyre quheshin “Liburnide” e ishin të madhësisë mesatare, të gjata, të holla, të mprehta në pjesën e përparme e të pasme të tyre. Ishte pikërisht kjo strukturë që ju jepte shpejtësi në lundrim dhe lehtësi në drejtim. Me këto mjete, liburmnët lundronin gjatë gjithë Adriatikut dhe Jonit. Veprimtaria detare e liburnëve ishte transporti tregëtar, në peshkim, dhe në luftra për zotërimin e detit. Ky fis ilir, në shekullin VIII para e.r. e kishte në kontroll të gjithë Adriatikun. Ndërsa në njërin breg themeluan qytetin Trentum, mbi lumin Tronto, në tjetrin kishin pushtuar Korfuzin. Në bazë të këtyre dy pozicioneve, ata kontrolluan për një kohë të gjatë Kanalin e Otrantos, duke mos lejuar hyrjen e anijeve të huaja. Nëse ndonjë prej tyre do të depërtonte skelat e vogla që ndodheshin në kanalin e Otranrtos, ndiznin zjarre të mëdha për të lajmëruar skelat e tjera. Në këtë kohë, grekët lundronin vetëm në Egje dhe romakët në detin Tiren. Duke e quajtur gjithnjë det të tyre Adriatikun, ilirët, i trajtonin anijet e huaja si armike dhe shpesh dilnin nga pozicionet e fshehura të bregdetit, sulmonin anijet e huaja dhe pastaj ktheheshin përsëri atje. Pas liburnëve, u dalluan për veprimtari në det, Ardianët dhe Daorset. Mjetet e lundrimit që përdorën Ardianët, quheshin “Lembe” dhe transportonin secila rreth 50 vetë. Lufta iliro-romake, e cila zgjati për rreth një shekull, përfundoi me fitoren e Romës. Kështu, pushtuesist morën nga ilirët, jo vetëm anije të gatshme, por edhe material për ndërtim anijesh, teknikë kjo ndërtimi ilire e detarësh të zotë për flotën e tyre. Gjatë mesjetës, morën zhvillim të madh forcat prodhuese ,dhe për rrjedhojë, edhe shkëmbimet tregtare. Në këtë kohë, detaria mori një hop të madh në të gjithë bregdetin tonë, që nga Tivari e deri në Vlorë. U ndërtuan anije të mëdha, që madje, shiteshin jashtë vendit.

Mesjeta, venedikasit sulmonin flotën ilire
Gjatë mesjetës, rolin udhëheqës në jetën detare në Adriatik, e kishte Republika e Venedikut, e cila u forcua shumë edhe nga elemetet detarë të marra nga bregdeti ynë. Lënda drusore, për ndërtimin e anijeve venedikase, vinte nga bregdeti ynë. Në Tivar, Ulqin, Shkodër, Lezhë, Rodon, Durrës, Vjosë e Vlorë, lulëzuan kantieret vendase, që ndërtonin anije për Venedikun. Ky shtet mori për flotën e tij, detarë të shquar nga brigjet tona. Nga llojet e shumta të anijeve venedikase, përmenden shpesh emrat “Griv”, “Griba”, “Kripa”, “Kripina”, të cilat ishin anije të një tipi me ato të bregut tonë dhe përdoreshin kryesisht për transportimin e kripës. Në vitin 1368, Gjergj Balsha, i cili kishte nën pushtetin e tij Shkodrën, Ulqinin, Tivarin, synonte të formonte një flotë të fuqishme detare dhe lëshoi në det disa anije të armatosura. Venediku dërgoi anijet e tij për të djeguar ato të Balshës, por më në fund u arrit kompromisi, që ky i fundit të mbante një numër të kufizuar anijesh. Balsha vazhdoi të ndërtonte anije, deri në kërcënimin e Vendedikut se do të konsideroheshin si anije pirate. Po në vitin 1368, Karl Topia, në Durrës, donte të krijonte flotën e tij dhe përsëri për këtë pengesë, ishte Venediku.

Shekulli XV, pushtimi turk
Pushtimi turk e shkretoi të gjithë vendin, aq sa edhe tradita aq e vjetër detare në vendin tonë, u ndërpre. Historianë të asaj kohe thonë se shqiptarët i ishin larguar krejtësisht detit, kurse jashtë vendit të tyre, vazhdonin të qëndronin të lidhur me jetën aty. “Shqiptarët e ishujve në jug u bënë bërthama e flotës greke, kurse Ulqini në veri, mbajti tipare të një qyteti të vjetër detar”, ka shkruar historiani Hahn-i, marrë për shumë kohë me problemet historike të vendit tonë. Me rënien e Himarës nën pushtimin turk në vitin 1479, dhe deri në pushtimin e dytë të Lezhës në vitin 1506, brenda një periudhe 27-vjeçare, i gjithë bregdeti shqiptar, që përfshihet brenda këtyre dy qendrave, ra nën pushtimin turk. Popullsia vendase bregdetare, e ndjekur dhe e zemëruar nga pushtuesit turq, emigroi jashtë. Në këtë mërgim mjetet e lundrimit ishin të parat që ikën. Si Venediku, ashtu edhe Turqia, synonin që këto mjete të binin në duart e tyre. Turqit, në vitin 1468 kishin në Adriatik 300-400 mjete lundrimi, një pjesë të mirë të të cilave i morën nga vendet e pushtuara të bregdetit shqiptar dhe një pjesë e ndërtuan në vendin tonë. Me pushtimin e Durrësit nga turqit, flota detare vendase u largua për në Ulqin dhe Tivar, ndërsa me pushtimin e Vlorës, shkoi në Himarë. Me pushtimin e bregdetit tonë jugor, iku në Pargë dhe ndër ishuj të tjerë. Në këtë mënyrë, pjesa qendrore e bregdetit tonë fushor u zhvesh nga mjetet dhe traditat e lundrimit, ndërsa në të dy anët e tij u përqëndruan mjetet e lundrimit dhe detarët që vazhduan traditën e vjetër. Gjatë viteve 1700-1800, vjen rigjallërimi i flotës dhe bregu ynë u pasurua me mjetet e lundrimit më të mëdha të kohës. Ulqinakët ndërtuan dhjetë anije të mëdha me 16 dhe 18 vela. Ndërtimi i këtyre anijeve tregonte fuqinë e madhe që ishte krijuar në vend për ndërtimin e anijeve dhe nevojën e madhe për transportin detar. Në këtë mënyrë, detarët shqiptarë fituan prestigj të madh në Adriatik dhe nisën ta ndjenin veten të sigurtë në lundrimet e tyre në Detin e Zi, Tiren, në oqeanin Atlantik dhe deri në Balltik. Pas shek XIX, lindi nevoja e përsosjes së mjeteve të lundrimit, pasi ato që disponoheshin, nuk i përgjigjeshin nevojave të kohës. Venediku pësoi disfatë, pasi në detin Adriatik doli Austria. Edhe flota shqiptare u ndodh përpara një kundërshtari të ri, që nuk e njihte më parë. Ndërkohë, Perandoria tuke kishte marrë tatëpjetën dhe ishte gati që për të mbijetuar, të bënte çfarëdo lëshimi. Austro-Hungaria kërkonte shkatërrimin e flotës shqiptare dhe ja arriti që me ndihmën e tyrqëve të digjte Ulqinin dhe flotën e tij, që atëherë kishte rreth 400 anije me tonazhe të ndryshme.

Flota shqiptaro-greke
Autorë të ndryshëm, si Pukevil, Koraj, Hahn, Baldaci, kanë vënë në dukje fuqinë e madhe detare të shqiptarëve të Greqisë dhe veçanërisht, ato të ishujve të Jonianit. Sipas Pukevilit, në vitin 1816 flota tregëtare greke përbëhej, prej 615 mjetesh të lundrimit detar, me një kapacitet prej 153580 tonë. Në këto shifra përfshihen edhe anijet e shqiptarëve që ishin vendosur në Greqi. Ndërmjet gjithë ishujve të Greqisë, ishujt Hydra, Speca dhe Psara mbanin rekordin për fuqi detare. Këta ishuj ishin të banuar me popullsi shqiptare. Në flotën e përgjithshme tregëtare greke, në vitin 1816 vetëm shqiptarët e ishujve Hydra, Speca dhe Psara kishin 240 anije me një kapacitet 90000 tonë (sipas Pukevilit), kështu shqiptarët e këtyre ishujve kishin të vetat 40 për qind të numrit të përgjithshëm të anijeve dhe 60 për qind të tonazhit të flotës greke, pa llogaritur sasinë e tonazhit të anijeve shqiptare të ishujve të tjerë dhe të brigjeve. Marina e shqiptarëve të Greqisë dha një kontribut të madh për pavarësinë greke. Flota detare e shqiptarëve të Greqisë u bë bërthama e parë e flotës luftarake greke. Dhe me të vërtetë, deri vonë në shekullin XIX në marinën luftarake greke përdorej në shumë raste gjuha shqipe.

Avulloret e para edhe në Shqipëri
Flota shqiptare filloi të rimëkëmbej. Në vitin 1831 në detin Adriatik u shfaqën avulloret e para. Që në fillim të shekullit XIX tregtarët e Shkodrës kishin vaporët e vet. Njëri pas tjetrit, dy tregtarë të mëdhenj, blenë në vitin 1840 dy vaporë me kapacitet 120 ton. Të dy këto avullore humbën pa lënë gjurmë. Flota shqiptare në vitin 1850 kishte rreth 53 anije, me një tonazh të përgjithshëm 3800 ton. Shumë firma të huaja preferonin shumë mjetet e lundrimin shqiptar, sepse trasportonin më lirë se të gjithë të tjerët. Në vitin 1878 u bënë përpjekje për formimin e një shoqate shqiptare të lundrimit në Adriatik, por Austro-Hungaria ndërhyri te qeveria turke për të mos e lejuar krijimin e saj. Me pushtimin e Ulqinit nga Mali i Zi, shumë mjete lundruese të këtij qyteti u vendosën në Shkodër, që atëherë numëronte 500 barka me tonazhe të ndryshëm. Nga fundi i shekullit të XIX, Spiro Ndrenika, nga bregdeti i Himarës kishte në pronësi një vapor me kapacitet 1000 tonë. Në Luftën e Parë Botërore, nga rreth 500 mjete që kishte flota jonë, mundën të mbeten vetëm 7-të. Në vitin 1927 flota jonë kishte 60 motoveliera dhe tre anije të blera jashtë si “Shqipënia”, “Oboti” dhe “Skënderbeu”. Këto anije me 1800 dalje që bënin brenda vitit, realizonin transportin e 75 mijë ton mallrash. Deti Adriatik në këtë kohë rrihej nga mjetet e lundrimit të shoqërive italiane si “Lloyd Triestina” e “Pulia”, asaj jugosllave “Jandranska” dhe mjetet greke të lundrimit. Italia me konçensionet që kishte nxjerrë nga qeveria shqiptare e asaj kohe, arriti të konkurojë dhe të largojë anijet e shoqërive të tjera nga portet tona. Më pas, tre vaporët shqiptarë u zhdukën nga qarkullimi. Vapori “Shqipnia”, u sekuestrua pa shkak nga qeveria italiane që më vonë ia shiti shoqërisë “Pulia”, “Oboti”. U mbyt në rrethana të panjohur, ndërsa vapori “Skënderbeg” ju shit një shoqërie jugosllave.

Flamujt e lundrimit
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, një pjesë e flotës detare vendase, që nuk mundi të ikte, hyri nën flamurin turk dhe kjo ishte pjesa më fatkeqe e detarëve tanë, pasi Turqia, duke mos pasur besim në ta, u sekuestroi mjetet e lundrimit dhe i bashkoi me flotën e saj luftarake, që po përgatiste, ndërsa ekuipazhet i internoi. Sundimtari turk i Vlorës, Mustafa Begu, dërgoi në Stamboll 45 kapedanë anijesh shqiptare që të përdoreshin për nevoja të ndryshme të flotës turke dhe, kur pushtuan Lezhën në vitin 1475, kapën rob 200 detarë, të cilët u çuan në Shkodër ku i therrën nën muret e kalasë për të tmerruar shkodranët e rrethuar.Në vitin 1571, Turqia pushtoi Ulqinin dhe Tivarin, por në këtë kohë, pushtuesit turq nuk u sollën me zemërim, kështu që flota detare e Ulqinit nuk u largua, por hyri nën flamurin turk. Në këtë mënyrë, fuqia detare e popullit tonë, u nda në dy pjesë. Pjesa më e madhe në veri,në Kotorr, dhe në jug, në Parge, e në ishuj të tjerë hyri nën flamurin venedikas, ndërsa pjesa më e vogël në veri në Ulqin dhe në jug në Himarës lundronte nën flamurin turk. Dy pjesët e flotës tregtare me flamuj të ndryshëm, patën kushte të ndryshme zhvillimi; flota shqiptare nën flamurin venedikas u zhvillua në një mënyrë më të qetë dhe normale, ndërsa ajo që ishte nën flamurin turk u zhvillua në një jetë luftash dhe përpjekjesh. Detarët shqiptarë, nën flamurin venedikas, zhvilluan konditat e tyre detare në mënyrë normale. Derisa veprimtaria e tyre përputhej me interesat e Venedikut, këta gëzonin të gjithë përkrahjen e tij dhe nuk kishte fuqi në Adriatik që t’i pengonte në det shqiptarët, që emigruan në veri, si në Budue, Kotor, Rguzë, Venedik etj. Duke qenë të izoluar dhe të pakët në numër, u asimiluan nga vendasit, kurse shqiptarët që emigruan në jug, i mbajtën deri vonë karakteristikat kombëtare dhe traditat detare. Flota shqiptare që ndodhej nën flamurin turk, u gjend në mes të kudhrës dhe çekiçit. Venediku e kishte halë në sy këtë flotë dhe synonte gjithnjë ta zhdukte. Duke qenë se kjo ishte nën flamurin turk, lufta që bëri Venediku, zhvillohej sipas marrëdhënieve veneto-turke. Kur Venediku ishte në marrëdhënie të këqija me Turqinë, bënte luftë direkt kundër saj, dhe kur këto marrëdhënie ishin të mira, përdorte mënyra të tërthorta lufte. Më pushtimin turk, flota shqiptare hyri nën vartësinë e Turqisë dhe mbante flamurin turk, që i shkaktoi asaj shumë dëme . E ndrërsa flota shqipatre nën flamurin turk, kishte marrë goditje të fuqishme në Ulqin nga Austro-Hungarezët, flota shqiptare nën flamurin grek, e cila punonte për interesat e Greqisë, ishte nën valën e kryengritjes aniturke. Sulmoi çdo anije që mbante flamurin turk. Në të vërtetë, të gjitha anijet që ishin në Adriatik, ishin anije shqiptare, të cilat u kapën në befasi në skelat e tyre dhe u fundosën. Shpëtuan vetëm ato anije që ishin në Shkodër, pasi anijet me flamurin grek nuk mundën të hynin kaq thellë...

vijon