Kryeadministratori akuzon për shpërdorimin e fondeve të firmave, pushtetarët e kohës
Arapi: Politikanët rrëmbyen 200 milionë USD
“Piramidalet kanë përdorur fonde cash në favor të zyrtarëve e politikanëve të lartë të asaj periudhe”
TIRANË-Kryeadministratori i Fajdeve, Faraudin Arapi ka akuzuar dje klasën politike se nga firmat piramidale kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 200 milionë dollarë amerikanë. Në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor parlamentar të transparencës së procesit të transparencës së Aseteve të firmave piramidale, Arapi deklaroi se për sponsorizime politike, privilegje, fonde në formë cash nga firmat piramidale politikanët kanë rrëmbyer 200 milionë dollarë amerikanë. “Të gjitha skemat piramidale në administrim nga ana e ish-administratorëve mashtrues kanë fshehur apo kanë përdorur fonde financiare cash jashtë kontabilitetit në favor të individëve, favore personale,
rroga të punonjësve, personave të tretë të privilegjuar, zyrtarë e politikanë të lartë të asaj periudhe, fonde financiare të kreditorëve prej 200 milionë dollarë amerikanë. Në të futen edhe sponsorizime politike në fushata, zyrtarë e politikanë të lartë që ndonëse ishin paralajmëruar nuk morën masa për rreziqet e tyre”,-tha Arapi dje në komision. Sipas tij, firmat piramidale në ato kohë kanë qenë të detyruara nga ana e shtetit që të kryejnë edhe investimet publike, në rrugë, kanalizime dhe ujësjellësa.
Ndërkohë që sipas tij, fatura ekonomike, dëmi nga mosndërhyrja në kohë e politikës për të parandaluar humbjen e parave në firmat piramidale kapin shifrat e 800 milionë dollarëve amerikanë. Sipas tij, kjo është edhe shuma e parave të humbura në të gjitha firmat piramidale. Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit për fatin e parave të firmave piramidale, Arapi iu është drejtuar se “një pjesë e tyre të deklaruara si të humbura janë tek ata persona që kanë patur lidhje të fuqishme dhe që zotërojnë biznese të fuqishme, si në ndërtim, lundrime, të lidhura me firmat”. Ai akuzoi direkt ish -ministrin e Turizmit të PD-së, Osman Shehu se ka tërhequr nga “Gjallica” 1.100.000 dollarë. Arapi akuzoi dje strukturat e shtetit në atë kohë, si Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Shërbimi Informativ Kombëtar që nuk parandaluan mosfalimentimin e firmave piramidale. Ai e cilësoi si një rast unikal falimentimin e dy shoqërive rentiere si “Gjallica” dhe “Sudja”, duke bërë si përgjegjës SHIK dhe KLSH-në, që në atë kohë drejtohej nga Bashkim Gazidede dhe Blerim Çela. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se për fondacionet “Populli” dhe “Xhaferri”, SHIK-u ka paralajmëruar shtetin për rrezikshmërinë e tyre, për paratë e dyshimta që qarkullonin. Arapi dje kërkoi një ballafaqim institucional mes Prokurorinë e Përgjithshme dhe Zyrës së Përmbarimit, për të vërtetuar akuzat në adresë të tij dhe të Grupit Mbikëqyrës. “Kërkoj një ballafaqim institucional me Prokurorinë dhe Përmbarimin për të hequr çdo alibi, organet mësipërme janë palë me administratorët”,-theksoi Arapi. Kryeadministratori deklaroi se ai dhe familja e tij nuk kanë patur përfitime në shitjen e aseteve apo të kenë shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Bledar Hoti
Akuzat e Arapit
Politikanë dhe zyrtarë të lartë ose persona të tretë të lidhur me ta kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 200 milionë dollarë amerikanë.
Dëmi nga mosndërhyrja në kohë e politikës për të parandaluar humbjen e parave në firmat piramidale kap shifrat e 800 milionë dollarëve amerikanë.
Ish-ministri i Turizmit Osman Shehu akuzohet se ka tërhequr nga “Gjallica” 1.100.000 dollarë
Krijoni Kontakt