Banka e Shqipërisë njoftoi se do të blejë në treg euron e tepërt për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut, një lëvizje e mirëpritur nga një pjesë e operatorëve, por që ngre dilema të tjera për autoritetin monetar.
Banka e Shqipërisë njoftoi një vendim të paprecedent për ndërhyrje të jashtëzakonshme në tregun e këmbimit valutor, duke blerë euron e tepërt në treg me synimin e shmangies së forcimit të mëtejshëm të lekut.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi ndërhyrjen në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH. Sipas Sejkos, forcimi i tepërt i lekut po ndikon në rënien e çmimeve në ekonominë shqiptare.
Krahas vendimit për ndërhyrje në tregun valutor, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit me 0.25% në masën 1% si dhe normën e depozitës njëditore me 0.15% dhe atë të kredisë njëditore në masën 0.35%. Që të gjitha këto ndërhyrje supozohet se lehtësojnë qarkullimin e lekut në ekonomi dhe kanë për rrjedhojë efekt nënçmues për monedhën kombëtare.
“Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve,” deklaroi Guvernatori Gent Sejko. “…operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të” vijoi Sejko duke shtuar se ndërhyrja do të vijojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Qëllimi i ndërhyrjes në tregun e këmbimit valutor, sipas Sejkos, është ndikimi negativ në inflacion, i shkaktuar nga forcimi i lekut. Po sot, Instituti i Statistikave publikoi Indeksin e Çmimeve të Importit, ku bëhet e qartë se çmimet e importit kanë rënë me 0.7% në tremujorin e parë në bazë vjetore. Raporti përfshin një periudhë të hershme, kur leku nuk e kishte marrë vrullin e forcimit të shpejtë të muajve prill dhe maj.
Sejko foli gjithashtu edhe për disa faktorë që mund të kenë shkaktuar forcimin e shpejtë të lekut gjatë majit, si dhe nuk e fshehu faktin se forcimi i lekut ishte tema kryesore e diskutimeve në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës. Sipas Sejkos, forcimi i majit erdhi si pasojë e “pritshmërive” të operatorëve ekonomikë për forcim të mëtejshëm, ndërkohë që ndërhyrja e tij me deklaratë më 2 maj duket se nuk dha efektet e pritshme.
“Në deklaratën për shtyp të datës 2 maj, bazuar në analizën e faktorëve mbështetës, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ritmet e forcimi të kursit deri në muajin prill do të kishin një efekt të kufizuar dhe kalimtar në inflacion”, tha Sejko.
“Megjithatë, ecuria e kursit të këmbimit gjatë muajit maj tregoi një forcim të mëtejshëm dhe më të shpejtë të tij. Ky mbiçmim ka shkuar përtej trendit forcues të dy viteve paraardhëse dhe duket se pasqyron krijimin e pritjeve të njëanshme – në kahun forcues të kursit të këmbimit – nga operatorët e tregut valutor,” shtoi ai.
Sipas Sejkos, operatorët e tregut kanë pasur informacion për rritje të ofertës valutore dhe kjo ka qenë shkaku i mbiçmimit. BSH identifikoi tre burime për këtë tepricë të euros në treg: konvertimin e një sasie kapitali nga sistemi bankar në lekë, disbursimin e një kredie në valutë në favor të një kompanie publike, si dhe pritjeve për sezon më të mirë turistik.
“Si rrjedhojë, pritjet kanë sjellë njëkohësisht rritje të ofertës dhe reduktim të kërkesës për valutë”, tha Sejko.
Deklarata e Sejkos u bë pas mbylljes së ditës së punës në sistemin bankar dhe pasojat e saj në kursin e këmbimit valutor pritet të bëhen të qarta nesër./reporter.al
Krijoni Kontakt