Donald Lu dhe Romana Vlahutin, dy ambasadorët e gjendur gjithnjë kur i kërkonte Edi Rama do largohen nga Shqipëria. Çuditërisht, informacionet për largimin e tyre, njëri me gjasë drejt Krigistanit, me urdhër të SHBA-ve dhe tjetrës i dihet se kush do t’ia zërë vendin, Luigji Soreca, u bënë publike në të njëjtën ditë.
Nuk jemi fort të qartë për rolin e ambasadorit amerikan Lu në Kirgistan, por në Shqipëri ambasadori Lu ia lejoi vetes t’i bënte presion ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për hetimet ndaj “Bankers”-it, madje këto ditë mori edhe rolin e gjykatësit, duke thënë se nuk do largohej nga Shqipëria pa bërë drejtësi.
Është e vështirë të përzgjedhësh në numrin e madh të skandaleve që kanë shoqëruar ambasadorët Lu dhe Vlahutin në Shqipëri, por le të rikujtojmë edhe njëherë ato më pikantet.
Skandali i Vilës së Romana Vlahutinit
Skandali i blerjes së një vile me vlerë 1,6 milionë euro nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, në një zonë rezidenciale të kryeqytetit, hapi një valë polemikash.
Për këtë arsye eurodeputetja gjermane Ingeborg Grassle njëherazi Kryetarja e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentit Evropian i dërgoi një letër Frederica Mogherinit, ku i drejtonte 11 pyetje për blerjen e vilës nga Vlahutin në Tiranë. Shefja e Shërbimit të Jashtëm Frederica Mogherini i ka adresuar pyetjet e eurodeputetes pranë delegacionit të BE-së në Tiranë, për të marrë përgjigje më të saktë.
Delegacioni i BE-së në Tiranë i ktheu përgjigje eurodeputetes duke i saktësuar se nuk ka patur asnjë abuzim, por gjithçka është kryer konform rregullave dhe standarteve. Në përgjigjen e kthyer nga zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë për eurodeputeten gjermane ajo që bie në sy ishte një përgjigje e paparë më parë. Sipas stafit të zonjës Vlahutin afër me vilën 1,6 milionë euro, ndodhej një vilë tjetër me çmim më të ulët, por që nuk i përmbushte kushtet e sigurisë.
Zyra e BE-së deklaronte se vila tjetër ishte me dritare të pafortifikuara, me mure të ulëta dhe e rrezikuar nga tërmetet. Prandaj kjo blerje megjithëse me çmim më të ulët nuk u aprovua, dhe u zgjodh vila tjetër me çmim 1,6 milion euro.
Ky ishte një arsyetim interesant. Duket sikur Delegacioni i BE-së në Tiranë, ishte kthyer në një qendër shkencore sizmike, madje qendër tepër e specializuar, aq sa mund të dallonte edhe efektet e tërmetit në dy vila të ndryshme të së njëjtës lagje.
Më pas u bë e njohur se Vlahutini ishte vënë zyrtarisht nën hetim në Bruksel për abuzimin me fondet e BE-së dhe shkeljen e rregullave të rekrutimit. Lajmi u konfirmua për Hashtag.al nga një burim diplomatik i mirëinformuar pranë një ambasade të rëndësishme të BE-së në Tiranë.
Zyra e investigimit të vjedhjeve të buxhetit dhe shkeljes së praktikave të BE-së (OLAF), ka zyrtarisht nën hetim zonjën Vlahutin. I njëjti burim ofroi dhe detaje mbi çështjet për të cilat zonja Vlahutin po hetohet nga zyra e OLAF-it, duke thënë se nuk ishte thjesht çështja e blerjes së vilës dhe se po verifikoheshin edhe ndryshime të organigramës në strukturën e prokurimeve në zyrën e BE-së në Tiranë.
Rezultonte se zonja Vlahutin ka përqendruar procedurat e prokurimit, ndërsa disa ish-drejtorë të misionit në Tiranë janë shmangur prej saj ose janë pushuar nga funksioni, bazuar në arsyetime të dyshimta.
Në proces verifikimi ishin dhe disa emërime të reja që ka kryer zonja Vlahutin. Përshembull e motra e drejtoreshës së qendrës C.O.D në Kryeministri, është punësuar në zyrën e BE-së në Tiranë nëpërmjet një procedure që dyshohet si nepotike. “Ka të dhëna për të paktën 5 punonjës së zyrës së BE-së të punësuar prej zonjës Vlahutin dhe që rezultojnë lidhje nepotike e Kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama, ose rrethit të tij”, – shprehej burimi diplomatik.
Dyshja e puthjes së famshme
Ambasadori Donald Lu ka dhënë prova në të kaluarën se është investuar personalisht për të dalë në mbrojtje të koleges së tij Vlahutin dhe delegacionit të BE-së në Tiranë.
Kjo u vu re kur Hashtag.al publikoi lajmin se shefi i misionit Euralius, zoti Rainer Deville ishte shkarkuar nga detyra për një gafë në përkthimin e ligjit të Vettingut, ambasadori amerikan doli publikisht dhe e quajti të pavërtetë lajmin.
Dalja e zotit Lu i dha mbështetje provizore dyshes Deville-Vlahutin, por pak më vonë u konfirmua çdo e dhënë e raportuar nga Hashtag.al dhe rezultoi se ambasadori Lu kishte konsumuar një mashtrim publik, sepse shefi i Euralius ishte shkarkuar vërtetë nga detyra që mbante.
Por ndonëse zoti Lu dhe zonja Vlahutin nuk lënë rast pa shfaqur protagonizmin e tyre mbi reformën në drejtësi, ecuria ka vënë në dyshim serioz integritetin profesional të ambasadorëve.
Përshembull zoti Lu ka regjistruar disa dështime dhe gafa spektakolare. Ai është i vetmi ambasador amerikan në rajon që është përgënjeshtruar nga shefja e tij Nuland.
Ambasadori Lu pretendoi se reforma në drejtësi do bëhej pa opozitën dhe nisi të lobonte individualisht disa deputetë të opozitës, por pak më vonë Victoria Nuland mbërriti në Tiranë dhe i vuri kryq për 5 minuta përpjekjeve ekstravagante dhe disa javore të zotit Lu. Ishte ndoshta dështimi më arbitrar i një ambasadori amerikan në Tiranë.
Zoti Lu u bë palë në procesin e reformës në drejtësi dhe mashtroi opinionin publik shqiptar gjatë një proteste ku ai pretendoi se kishte dalë të protestonte me shoqërinë civile, por siç doli më pas, rezultonte se në fakt zoti Lu kishte protestuar me disa militantë të Partisë Socialiste të thirrur nga Musa Ulqini.
Zoti Lu kërcënoi dhe shantazhoi publikisht opozitën dhe kryetarin e saj Lulzim Basha kur ky i fundit çoi për shqyrtim në Kushtetuese ligjin e Vettingut.
Një shantazh i paprecedentë, dalje nga binarët diplomatikë dhe përpjekje për të ndalur opozitën në ushtrimin e një të drejtë ligjore të saj. Do guxonte zoti Lu të shantazhonte opozitën amerikane nëse ajo do bënte një ankimim në gjykatë?
Ndonëse shfaqet si ‘merakli i reformës në drejtësi’, ekzistojnë gjasat që zoti Lu ta ketë implikuar ambasadën në një skandal potencial të konfliktit të interesit. Sepse fondi prej 9.5 milionë dollarësh i USAID për drejtësinë i është akorduar një kompanie të administruar nga zonja Delina Fico. Bashkëshorte e një ministri të rilindjes dhe palë politike në proces.
Skandali i Bankersit-Presioni dhe Emaili
Më 24 korrik 2015, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu, i dërgoi Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla një e-mail kompromentues duke i sugjeruar kryeprokurorit që të ndryshonte akuzat ndaj koorporatës ‘Bankers Petroleum’.
Kjo koorporatë asokohe ishte në epiqendër të hetimeve pasi disa shpërthime nëntokësore të zhvilluara në zonat hidrokarbure kishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat në Patos-Marinzë.
E-mail-i i siguruar ekskluzivisht nga Hashtag.al, zbuloi se që në fillim ambasadori Lu bën të qartë se është tepër i shqetësuar mbi fatin e këtyre hetimeve dhe se e kishte personale këtë punë.
“Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se sa i shqetësuar jam personalisht për pasojën e ndjekjes penale të këtyre punonjësve të Bankers Petroleum nga prokurori i Fierit”, shkruante Lu në email.
Fill më pas ambasadori bën dhe kërkesën e tij, duke i kërkuar në mënyrë flagrante kryeprokurorit Llalla që të mos ngrinte akuza penale ndaj Bankers Petroleum por të mjaftohej me ca gjoba administrative.
Lexoni me vëmendje se si ky ambasador i ka shkruar kryeprokurorit të Shqipërisë, duke u përpjekur ta instruktojë se çfarë akuzash duheshin shmangur dhe çfarë akuzash duhej të ngrinte prokuroria ndaj Bankers:
“Në çdo vend tjetër, do të prisnim të shihnim gjoba dhe penalitete administrative. Akuzat penale janë të pazakonta”, – shkruante ambasadori.
Më tej në letër ambasadori vijon me tezën se ndëshkimi ligjor i koorporatës Bankers Petroleum mund të ndikonte në largimin e investitorëve të huaj që sipas ambasadorit po i gjurmonte për t’i sjellë në Shqipëri ministri Gjiknuri.
Pasi i ka shprehur kryeprokurorit Llalla se është i interesuar personalisht për hetimet e Bankers, pasi i ka kërkuar në mënyrë flagrante prokurorisë të konvertojë akuzën nga akuzë penale në gjobë administrative, ambasadori Lu e mbyll letrën duke u përbetuar për sinqeritetin e vet, e duke shtuar se ai dyshonte se hetimet ndaj koorporatës Bankers Petroleum ishin të nxitura nga korrupsioni dhe trysnia politike.
Ky e-mail i rivendosur në kontekst e kompromenton rëndë zotin Lu, i cili në muajt pasardhës u bë protagonist i reformës në drejtësi, ndërsa në kanale konfidenciale zoti Lu rezulton se i ka shërbyer oligarkëve, kompanive private, duke i kërkuar prokurorisë të mbrojë personat e dyshuar për krimin e Patos-Marinzës dhe shpërthimet e ndodhura atje.
Adriatik Llalla u shpall zyrtarisht si i pari prokuror ‘non grata’ në SHBA, kjo falë një procedure personale, inatçore të nisur dhe ndjekur nga Donald Lu.
Por i njëjti ambasador që fliste e përbetohej çdo javë për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, rezultoi i kapur gafil, pasi i kërkoi kryeoprokurorit Llalla të mbronte koorporatën Bankers Petroleum duke konvertuar akuzat dhe duke zhvlerësuar krimin e ndodhur në Patos-Marinzë.
Bashkëpunimi me Sorosin dhe fshehja e dokumenteve
Shoqata Judical Watch pasi i kërkoi Ambasadës Amerikane në Tiranë informacione mbi bashkëpunimin e ambasadës me fondacionin Soros, publikoi përgjigjen e ambasadës, nga një vëzhgim i dokumentit me 32 faqe rezulton se ambasada ka fshehur shumicën e dokumentacionit duke i klasfifikuar si akte që nuk mund të bëhen publike.
Ndërkohë presidenti i shoqatës Judical Watch Tom Fitton ka thënë se“Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i emëruar nga administrata Obama, ka qenë i lidhur ngushtë me Sorosin dhe qeverinë socialiste në Shqipëri.
Në maj 2017, Lu ndihmoi të minojë planet e partive opozitare shqiptare për të protestuar ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke deklaruar se SHBA do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve edhe në qoftë se partitë e opozitës refuzuan të merrnin pjesë. Lu është përshkruar në shtypin e SHBA si “një forcë shtytëse prapa reformave gjyqësore të Shqipërisë”.
“George Soros është një miliarder dhe ai nuk duhet të marrë mbështetjen e taksapaguesve për të avancuar axhendën e tij radikale të majtë për të minuar lirinë këtu brenda dhe jashtë vendit“.
Judical Watch dispononte një material me 32 faqe ku tregohet se Administrata Obama i jep paratë e takasapaguesëve amerikanë për financimin e miliarderit George Soros i cili i përdor këto para për financimin e aktiviteteve të partive të majta në Shqipëri, përfshirë dhe punën që qeveria socialiste po bën për miratimin e reformës të shumëdiskutuar në drejtësi./Hashtag.al
Shënim: Meqë Donald Lu e kishte shumë qejf “Gjuhën Shqipe”, titulli mban një shprehje tipike shqiptare. Në ish-republikën sovjetike besohet që do ketë etje për të mësuar gjuhën kirkize, ose rusishten në rastin më të keq.
Krijoni Kontakt