Deputeti Dashamir Shehi është përcjellë sot me duatrokitje nga foltorja e Kuvendit, pas një fjalimi të ndjerë e plot revoltë që ka mbajtur në Parlament për varfërinë.
Ai shpjegoi me fakte pse ka dhe do të ketë varfëri në Shqipëri duke marrë shembull një pamje të trishtë dje nga Elbasani: "A i pa zoti Kryeministër, që nga ajo ura e Metalurgjisë e deri tek banka e Elbasanit, që kanë me qindra fukarenj që shesin ballokume (e imiton me duar formën e tyre) tek dera e shtëpisë?! Dhe nuk dalin për Ditë të Verës! Kanë 1 muaj e gjysëm që kanë dalë! Vjet dilnin 1 javë përpara; para 10 vjetësh dilnin Ditën e Verës - sot dalin 1 muaj e ca! Çfarë mendoni se fiton një familje nga ato ballokumet?! Dhe kanë nxjerrë edhe ca goca të reja aty, se është turp të shesin fukarenjtë! Çfarë fitojnë?! A vijnë më shumë se njëmijë lekë a dymijë lekë nga ballokumet?!
Kjo është varfëria! Atë të shihte Kryeministri dje në Elbasan! Mos të fillojë të tregojë përralla të kota!...Sepse ky grup njerëzish që qeveris sot, mendon se të varfrit janë të pazotë dhe këta janë "gjenitë e Shqipërisë" që mund të bëjnë miliona. Prandaj të gjithë janë drejtuar drejt parave!
Fukarenjtë e Shqipërisë, është një batutë që nuk kisha qejf ta thosha, në darkë venë sofrabezin dhe atë pjatën e supës e tasin e kosit. Këta zotërinjtë këtu, ky i pari, venë hartën e Shqipërisë për darkë. Dhe vënë gishtin: Ka tepruar dhe kjo tokë këtu, ka tepruar edhe kjo, ta bëjmë kullë! Ka tepruar dhe kjo miniera e do ta marrim! Ka tepruar edhe ky pusi, t’ia japim këtij.
Këto, fukarenjtë venë sofrabezin të hanë fukarallëkun e vet për darkë, këta venë hartën e Shqipërisë për të ngrënë nga një copë Shqipërie për natë. Ndaj ka varfëri këtu!"
https://m.youtube.com/watch?v=c1jygqUBJiQ
Krijoni Kontakt