Më 7 nëntor 2017, ambasadori i SHBA Donald Lu deklaroi se dy agjentë të FBI kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë për të luftuar krimin e organizuar dhe për të këputur lidhjet e tij të thella me policinë dhe qeverinë.

Deklarata e Lu-së erdhi pas njoftimit të Kryeministrit Edi Rama për formimin e një Task Force Speciale të quajtur “Forca e Ligjit”, e cila, sikurse e ka shpjeguar edhe Exit.al, u ndërtua mbi një bazë ligjore të dobët, duke vënë në diskutim rezultatet e saj. Sipas deklaratave të Kryeministrit gjatë prezantimit të task forcës, thuhet se:

“ Një pjesë e kësaj strukture “Forca e Ligjit” do të jetë sekret dhe nuk do të ndahet me askënd, vetëm me agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare. Më mbush me optimizëm edhe përfshirja e agjentëve të FBI. Do të na bashkohen edhe agjentë të tjerë të FBI kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik, që do të japin eksperiencën e tyre në Shqipëri.”

Tani, disa muaj më vonë në listën e vendimeve të Këshillit të Ministrave ende nuk ka asnjë VKM për krijimin e kësaj task-force të re, ndërkohë që grupi ndërqeveritar për ngritjen e task forcës është ende i zënë me hartimin e kuadrit ligjor – që me siguri do të ndërhyjë në institucionet themelore të reformës në drejtësi, siç është Byroja Kombëtare e Hetimeve.

Ndërkohë, është plotësisht e paqartë se ku dy agjentët e FBI-së, të prezantuar si Mark Newhouse dhe Jack Liao, po ndihmojnë prokurorinë në rastet e çështjeve të rëndësishme si rasti i ish-ministrit Tahiri, kryebashkiakut të Durrësit Dako, gjyqtarëve të gjykatës së Durrësit e kështu me radhë.

Kohët e fundit, ambasadori i SHBA-së Lu e përsëriti sërisht ofertën e tij për të sjellë agjentë të FBI-së, sikur Newhouse dhe Liao të mos kishin ardhur ende. Në një intervistë për Balkanweb pas takimit të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm Arta Marku, Lu deklaroi se:

“Ne kemi afruar mbeshtjeten e prokurorëve federale amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të shteteve te bashkuara për ti afruar ndihme teknike prokurorisë për kryerjen e nje hetimi të paanshëm, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës. Çështja e z. Tahiri kërkon nje hetim të plote dhe proces të panshëm ligjor. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin.”

Nga deklarata e ambasadorit kuptohet se agjentët e FBI-së Newhouse dhe Liao kurrë nuk ndihmuan agjencitë e zbatimit të ligjit dhe u sollën vetëm për qëllime propaganduese në mbështetje të Kryeministrit, ose ata e bënë punën e tyre aq keq, sa që ambasadori ishte edhe një herë i detyruar t’i bëjë një “vizitë” Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, në zgjedhjen e të cilës ai vetë dha kontributin – sikur ai të ishte mbi ligjin!