Më datën 17 Nëntor të këtij viti, SYRI.net për herë të parë njoftoi se ABi Bank (Banka Amerikane e Investimeve), në bordin drejtues të së cilës është edhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka arritur më në fund, që të mposhtë të gjithë ofertuesit e tjerë dhe të blejë NBG Bank, (Banka Kombëtare të Greqisë).

SYRI.net kishte mësuar në atë periudhë se marrëveshja ishte mbyllur dhe brenda këtij viti kjo blerje e madhe e një banke të vjetër në vendin tonë nga një tjetër që “doli nga hiçi” gjatë mandatit të parë të Edi Ramë kryeministër, do të zyrtarizohej.

Sot këtë lajm e ka konfirmuar edhe revista e specializuar për çështje ekonomike “Monitor”, e cila jep gjithashtu edhe disa detaje interesante se si banka ku bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama ka një post kyç drejtues, ka mundur të realizoje me sukses këtë blerje.

Sipas revistës, pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve pritet që ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Burime nga kjo e fundit thanë se kërkesa nuk ka ardhur akoma, por lanë të nënkuptohet se ata kanë në plan që ta miratojnë këtë transaksion.

Gjithashtu interesant është fakti se ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte në këtë operacion Fibank, (ndërsa Eurosig ndërkohë ishte nxjerrë jashtë loje), lobimi për të nxjerrë fituese bankën e Linda Ramës ka qenë teje i madh.

Kush mund ta mposht edhe vetë Bankën Kombëtare të Shqipërisë, përveçse qeverisë?!

Kjo blerje e NBG-së që do të zyrtarizohet brenda këtyre ditëve, rrit edhe më shumë peshën e ABI Bank në sistemin financiar shqiptarë, duke e bërë tashmë atë një nga bankat më të mëdha në treg.

Zgjerimi i vrullshëm i saj në tregun vendas nuk ka kaluar pa u vënë re, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare që mbikëqyrin ekonominë shqiptare.

Në një nga deklaratat e fundit për Shqipërinë, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit në sistemin financiar, duke i bërë thirrje Bankës së Shqipërisë të mos licencojë banka me konflikt interesi.

“Për të ulur rreziqet, Banka e Shqipërisë duhet të sigurohet se bankat e reja që kërkojnë licencë përmbushin kriteret ligjore, zotërojnë eksperiencën e nevojshme bankare dhe përjashtojnë konfliktin e interesit”, deklaroi FMN

Burime të mirë informuara pranë FMN i thanë në atë kohë “Syri.net”, se deklarata i referohet pikërisht ABI Bank, e cila përbën një precedent në tregun shqiptar. Ajo është banka e vetme në vend që vjen nga Parajsat Fiskale dhe për këtë është denoncuar sistematikisht nga media dhe opozita.

Por veç kësaj, në bordin drejtues të bankës është e zgjedhur edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të vendit, çka përforcon edhe më shumë dyshimet se kujt i referohet Fondi Monetar kur flet, “për banka me konflikt interesi”.

Gjithashtu në një nga seancat e fundit në parlament, ish-kryeministri Sali Berisha ju drejtua drejtpërdrejt Ramës për këtë çështje.

“Mund ta çoje ti gruan atje? Si mund ta çoje ti gruan atje?

Nuk mund ta çoje ti gruan anëtare të bordit të bankës, se është banka jote, bankë e regjistruar në offshore. Në offshore, banka që ka miliarda. Duhet bërë transparenca plotësisht për një kontratë, por me atë ti përpiqesh ta mbulosh bankën, ku je aq i zhytur, sa asgjë nuk të mbron dot”, i tha në sy Berisha Ramës, por ky i fundit ju shmang një përgjigjeje duke thënë vetëm se, “nuk e ka zakon të merret me familjarët e kundërshtarëve”.

Me blerjen tashmë të mbyllur të NBG, por edhe ambiciet në horizont për të blerë edhe Tirana Bank, banka në bordin drejtues të të cilit ulet bashkëshortja e kryeministrit, bëhet automatikisht banka e tretë më e madhe në vend. Një zgjerim i vrullshëm ky, brenda një harku shumë të shkurtër kohor, një tjetër precedent në sistemin financiar shqiptar, por mbi të gjitha me burim parash fillestare që nuk bëhen transparente, pasi është e regjistruar në një Parajsë Fiskale.

Shkrimi i plotë i revistës Monitor me titull:

Shitja e NBG tek ABi Bank, pritet të mbyllet brenda këtij viti

Shitja e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) do të finalizohet së shpejti. Burime të bankave thanë për Monitor se marrëveshja pritet që të mbyllet brenda këtij viti.

Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, pritet që ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Burime nga kjo e fundit thanë se kërkesa nuk ka ardhur akoma, por lanë të nënkuptohet se ata kanë në plan që ta miratojnë këtë transaksion, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.

Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratat e fundit ka bërë thirrje që të bëhet kujdes me transaksionet bankare. Fondi theksoi “nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe përmirësim të mjeteve të përgatitjeve për të përballuar krizën, veçanërisht në dritën e rritjes së ndërlidhjes në këtë sektor. Për të zbutur rreziqet ndaj stabilitetit bankar, kandidatët për licenca të reja bankare duhet të kenë përvojë të përshtatshme bankare dhe të shmangin konfliktet e interesit”. Por, burime nga Banka e Shqipërisë pohuan se paralajmërimet e FMN-së kishin të bënin më shumë për institucionet jo bankare që kërkojnë të hyjnë në këtë treg.

NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxori në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut, por edhe banka të tjera, ndaj vitit 2018 pritet të jetë aktiv në proceset e shit-blerjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e NBG nxituan që të mbyllnin marrëveshjen brenda këtij viti.

Asetet e NBG Albania në fund të tremujorit të tretë të këtij viti ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9 mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.

Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit. Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).

Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të këtij viti, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë me intensitet edhe vitin e ardhshëm.