Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Në vitin 2014, media britanike The Guardian zbuloi “krizën më të keq të politikës së jashtme të BE-së në vitet e fundit”: mbulimi i një skandali masiv të korrupsionit të EULEX-it, misioni në ndihmë të institucioneve kosovare për të vendosur sundimin e ligjit në Kosovë, që ka kushtuar më shumë se 1 miliard euro që kur filloi në vitin 2009.

Skandali u zbulua nga një “informatore”, prokurorja e Britanisë së Madhe Maria Bamieh, e cila u shkarkua nga posti i saj në EULEX, pasi zbuloi se një gjykatës dhe kryeprokuror mund të kishin pranuar ryshfete të mëdha nga politikanët kosovarë në këmbim të favoreve. Në vend që të duartrokitej për guximin e saj për të nxjerrë në dritë korrupsionin në operacionin më të madh të jashtëm të BE, Bamieh u pezullua dhe u nxorr jashtë nga nga selia e EULEX-it në Prishtinë më 24 tetor, për “sjellje të pahijshme”. “

Është interesante të shihet se si trajtimi i Bamieh nga institucionet e BE-së – persekutim dhe jo mirënjohje e mbrojtje – pasqyron rastin e Dritan Zaganit, ish shefit të anti-drogës në Policinë e Fierit, i cili dha i pari alarmin për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshme Saimir Tahiri në trafikun e drogës në bandën e Habilajve, një përfshirje kjo e konfirmuar dy vite më vonë nga policia italiane. Në vend që të vihen nën mbrojtje, Zagani u sulmua me forcë nga kryeministri Edi Rama dhe u mbajt në burg pa gjyq.

Pas shpërthimit të skandalit të EULEX në publik, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini urdhëroi nisjen e një raportimi të pavarur për të rishikuar zbatimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, i cili u përgatit nga Jean-Paul Jacqué dhe përfundoi në mars 2015.

Megjithëse raporti i Jacqué në fund nuk i vërtetoi dyshimet e Maria Bamieh, raporti i përgjithshëm, i cili ishte mjaft kritikues, tregoi qartë se dyshimi i Bamieh ishte keqpërdorur brenda institucionit. Bamieh nuk mori mbrojtjen që një informatori i takonte dhe u këshillua të “mbyllte një sy”. Mariah Bamieh i kundërshtoi konkluzionet e Jacqué, dhe që atëherë ka ngritur një padi kundër Zyrës së Jashtme të Britanisë së Madhe për këshillën ndaj Bamieh për “të mbyllur një sy” ndaj provave të mundshme për korrupsion brenda EULEX-it.

Pavarësisht nga e vërteta e akuzave të Bamieh, vlerësimi i Jacques për suksesin e EULEX-it është vërtetë dëshpërues:

“Në mungesë të plotë të respektimit të sundimit të ligjit në Kosovë gjatë viteve, [korrupsioni dhe krimi i organizuar] janë rritur ndjeshëm. Situata ka mbetur thellësisht shqetësuese që nga fillimi i misionit. Korrupsioni është i gjithëpranishëm.

Gjithnjë e më shumë po bëhet arsye për shqetësim fakti se kur u krijua Misioni, u bënë deklarata të pabazuara se brenda pak kohe do t’i jepej fund korrupsionit dhe do të arrestoheshin “peshqit e mëdhenj”. Megjithatë, politika lëviz me një ritëm më të shpejtë se puna në sistemin gjyqësor, e cila insiston në prova, argumente kundërshtuese dhe në prezumimin e pafajësisë.”

Këto përfundime të raportit Jacqué ngrenë shumë dyshime rreth efektivitetit të përpjekjeve të BE-së për të zbatuar reformën gjyqësore në Shqipëri. Qëllimi kryesor i reformës gjyqësore është eliminimi i korrupsionit nga sistemi i drejtësisë, pikërisht me premtimin e Ramës për të arrestuar “peshqit e mëdhenj”.

Së pari, nëse BE-ja, me 1 miliard euro dhe dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, nuk ishte në gjendje të krijonte një sistem të drejtësisë të pa korruptuar, si do të ishte e mundur të arrinte një synim të tillë në Shqipëri, pa ndonjë specialist të huaj të përfshirë brenda institucioneve shqiptare?

Së dyti, katër nga tetë ekspertët ndërkombëtarë në Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i cili duhet të mbikqyrë procedurat e institucioneve të verifikimit në rivlerësimin (vettingun) e të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës të punësuar në sistemin e drejtësisë, kanë qenë pjesë e EULEX-it. Theo Jacobs ishte kryeprokurori i EULEX dhe paraardhës i Jaroslava Novotna, i cili ishte i implikuar në skandalin e korrupsionit që Bamieh zbuloi, Elka Ermenkova ishte gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, ndërsa Ferdinando Buatier de Mongeot dhe Marie Tuma ishin gjyqtarë të EULEX-it.

Natyrisht, fakti që këta njerëz punonin për EULEX-in në asnjë mënyrë nuk nënkupton se ato ishin të korruptuar, por trajtimi i BE-së për rastin e korrupsionit brenda EULEX-it duhet të shërbejë si rast paralajmërues për mënyrën në të cilën BE do të adresojë çdo korrupsion të mundshëm në insitucionet e vettingut ose në ONM në të ardhmen.

Qartazi BE dhe qeveria shqiptare kanë diçka shumë të rëndësishme të përbashkët: kur skandale korrupsioni (të mudnshëm) janë gati të zbulohen, ata nuk i përgjigjen me gatishmëri dhe përgjegjësi; përkundrazi ata fillojnë të sulmojnë informatorët dhe përpiqen të mbulojnë veten në fshehtësi. Kjo duhet të jetë një paralajmërim për çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.