Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,391
    Postimet në Bllog
    17

    Rilindasit zihen: "Korrupsionin dhe trafikun e drogës e bën Edi Rama e jo Ilir Meta"

    Rama i LSI: Rama i PS është në krye të sistemit korruptiv dhe drogës

    Emri:  Luan-Rama.jpg

Shikime: 193

Madhësia:  37.0 KB

    “LSI nuk është bërë pengesë për asnjë reformë të qeverisë. Sistemi i korruptuar, sepse ishte Edi Rama në krye të sistemit. Sistemi i droguar, sepse ishte Edi Rama në krye të sistemit”

    Kreu i deputetëve të LSI-së Luan Rama, në një konferencë për mediat ju përgjigj akuzave të Kryeministrit Edi Rama ndaj aleatëve të koalicionit.

    Luan Rama tha se LSI asnjëherë nuk ka qenë pengesë për reformat e qeverisë dhe ka dhënë votën e saj kur këto reforma nuk shkelnin parime dhe ligje të rëndësishme. “Marrëveshja PS-LSI ka qenë parimore, programore dhe jo për tepsi dhe timon. LSI nuk është bërë pengese për asnjë reforme të qeverisë”,- tha Luan Rama.

    Nga ana tjetër, Luan Rama tha se nëse sot flitet për sistem të inkriminuar kjo ka ardhur për shkak se Edi Rama është në krye të këtij sistemi. “Sistemi i korruptuar sepse ishte Edi Rama është në krye të sistemit. Sistemi i droguar sepse ishte Rama në krye të sistemit. Sistemi është i inkriminuar sepse ishte Edi Rama në krye te sistemit”,- tha Luan Rama.

    Ai theksoi se Edi Rama ka personalizuar qeverisjen dhe i kujtoj se vetëm fjalimet live të Kryeministrit kushtojnë 840 mijë euro. “Kryetari i Rilindjes nuk është për reforma, por për Rama- Reforma. 840 mijë euro është shpenzimi për transmetimin live të fjalimeve të tij”,- tha Luan Rama.

    Reagimi i ashpër i LSI-së vjen pas fjalimeve të ditëve të fundit të Kryeministrit Edi Rama kundër aleatëve në qeveri dhe posaçërisht kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryeministri ka justifikuar gjithë dështimet e kabinetit të tij me arsyen se aleatët e kanë penguar të bëjë reforma. Gjithashtu, Rama pretendon se për shkak të aleatëve nuk ka reformat administratën dhe investimet kanë ngecur në vend për shkak se aleatët nuk e kanë mbështetur.

    Justifikimi i Ramës duket si një mënyrë për të joshur socialistët që të mos largohen nga PS-ja në këto zgjedhje. Shumica e socialistëve të vjetër janë të zhgënjyer nga qeverisja e PS-së dhe shohin si problem Rilindjen dhe mënyrën sesi Rama ndau pushtetin me njerëz që nuk kanë asnjë kontribut në PS. Shumica e drejtorëve dhe administratës që vendosi Rama pas vitit 2013 nuk ishte pjesë e socialistëve më kontribute historike në parti, po janë njerëz që kanë ardhur rastësisht në PS. Ndërkohë sot Rama për të shmangur këto ikje masive nga PS dhe pakënaqësi po hedh fajin te LSI.

    Çudia është se vetëm 1 muaj më parë, LSI cilësoje si aleati strategjik i PS-së. Kryeministri thoshte shpesh se pa LSI qeveria e PS nuk do të kishte arritur të realizonte reforma historike. Ndërsa sot Rama e sheh si problemin e qeverisjes LSI. Cilin Edi Rama të besojmë, atë të para 1 muaji, apo atë që sot nën presionin e zgjedhjeve hedh poshtë çdo kontribut të aleatëve dhe i akuzon për qeverisjen që e ka pasur ai në dorë.

    Konferenca e plotë për shtyp e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama:

    Meqenëse ka disa ditë që kryetari i Rilindjes po stigmatizon marrëveshjen politike midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste, marrëveshjen e bashkëqeverisjes prej zgjedhjeve të vitit 2013 dhe deri sot, jam i detyruar të sqaroj publikun, të gjithë qytetarët shqiptarë, se e gjitha ajo që ai thotë s’është gjë tjetër vetëm se një mashtrim, një falsifikim dhe përpjekje për të manipuluar opinionin dhe për të fshehur përgjegjësitë e veta të drejtpërdrejta si kryetar i qeverisë.

    Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar katër vjet më parë, marrëveshja e Shkodrës, apo siç i referoheni shpeshherë ju marrëveshja e 1 prillit, është dokumenti mbi të cilën u krijua, funksionoi dhe vazhdon të funksionojë në fakt bashkëqeverisja me Partinë Socialiste.

    Nuk ka qenë marrëveshje për tepsi dhe as për timon. Nuk ka qenë marrëveshje as për koncensione dhe as për kanabizimin e vendit. Ka qenë një marrëveshje parimore, e orientuar me të gjithë angazhimin maksimal të LSI-së dhe të PS-së në atë kohë për t’i dhënë vendit qeverisje të stabilizuar, qeverisje të mirë, qeverisje për të ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve e kështu me radhë.

    Për të qenë më konkret më lejoni të lexoj vetëm shkurt disa prej çështjeve apo pikave themelore, ku u fokusua kjo marrëveshje:

    Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bien dakord që ky bashkim të jetësojë si më poshtë vijon:

    “Një bashkëpunim strategjik programor dhe politik bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant, mes PS dhe LSI, për të ndërtuar Shqipërinë evropiane si realitet i ri në të ardhmen e afërt i BE-së përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë”.

    Një çështje tjetër është: “Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezionin e brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkërisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit, për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës dhe meritës.”

    Më lejoni edhe një herë ta nënvizoj këtë çështje për të dalë pastaj te hipokrizia e asaj që thotë ai. Pra, kemi rënë dakord me vullnet të palëkundur për të garantuar kohezionin e brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkarisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit, për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës dhe meritës.

    Ku e ka penguar Lëvizja Socialiste për Integrim kryetarin e Rilindjes që ta përmbushë këtë detyrim? Në cilin aspekt të qeverisjes? Çfarë reforme ka ndërmarrë kryetari i Rilindjes dhe LSI-ja i është bërë pengesë? Le të thotë një të vetme, se ku ka krijuar kosto LSI-ja në qeverisjen e kryetarit të Rilindjes.

    Përkundrazi, ne e kemi iniciuar, kemi mbështetur dhe kemi realizuar reforma thelbësore për mirëqeverisjen. Kemi qenë protagonistët kryesorë të realizimit të reformës në drejtësi, përmes një procesi transparent dhe konsensual të miratimit të saj.

    Po. Nuk lejuam tentativën e tij për të kapur sistemin, përmes një reforme të deformuar dhe bëmë çmos që të realizonim reformën sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

    Çfarë reforme tjetër e ka penguar LSI-ja kryetarin e Rilindjes që dërdëllit sot shesh më shesh, duke gënjyer shqiptarët e duke drejtuar gishtin te shushunjat sipas tij, në administratën publike? Ku janë shushunjat? Pse nuk e vë dorën mbi plagë kryetari i Rilindjes dhe t’u thotë shqiptarëve në cilin sektor të hipotekave janë shushunjat. Ku? Në Tiranë? Në Durrës? Në Vlorë? Në Elbasan? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Në Dibër apo në Kukës? Të gjitha këto janë shërbime të hipotekës së drejtuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste.

    Ku janë shushunjat në këtë sistem dhe pse i ka lejuar shushunjat kryetari i Rilindjes dhe u kujtua sot në fundin e mandatit t’u flasë shqiptarëve për shushunjat. Cila pjesë e tepsisë së kryeministrit qenka pjesa e helmuar? Pjesa që ka drejtuar LSI-ja dhe pjesa që paska drejtuar zotëria e tij qenka pjesa e ëmbël? Natyrisht, ka edhe në sistemin e punonjësve që shërbejnë në hipoteka, njerëz që kanë shfaqur probleme me ligjin, njerëz të korruptuar, është e vërtetë. Ka edhe nga ata që ai e quan “policët gri”, njerëz që jo nuk meritojnë të përfaqësojnë punonjësin e shtetit në detyrë, por meritojnë të ndëshkohen ligjërisht.

    Por më shumë se ata ka ca policë blu dhe ca drejtorë blu të këtyre policëve blu që janë identifikuar, janë ndëshkuar ligjërisht si bashkëpunëtorë, si bashkëpërgjegjës në kanabizimin e vendit, në krijimin e një harte të tërë të kultivimit të kanabisit në të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë dhe për këta nuk mbakërka përgjegjësi kryetari i Rilindjes? Apo meqenëse në sistemin e Ministrisë së Brendshme nuk ka qoftë edhe një përfaqësues të vetëm të propozuar apo rekomanduar nga LSI-ja, atje qenka ishulli i parajsës dhe ishulli i mrekullisë. Atje nuk paska shushunja. Shushunjat qenkan gjetiu.

    Jo vetëm kaq, po në sistemin tatimor? Po në sistemin doganor? Ku doganierë të korruptuar dhe të inkriminuar i manipulojnë dhe i komandojnë skanerat për t’i mbyllur kur duhet të kalojnë tonelatat e drogës, kush mban përgjegjësi, z. kryetar i Rilindjes? Përse nuk u thoni shqiptarëve hapur, cila është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe lërini tentativat për të mashtruar, për të manipuluar dhe për të trafikuar opinionin vetëm e vetëm në funksion të pushtetit të tepsisë suaj dhe të timonit tuaj.

    Sistemi, është e vërtetë, që ka probleme. Është i korruptuar, sepse në krye të këtij sistemi për katër vjet ka qenë kryetari i Rilindjes. Sistemi po, është i trafikuar dhe i kanabizuar, sepse për 4 vjet me radhë në krye të këtij sistemi ka qenë kryetari i Rilindjes. Po, sistemi është i inkriminuar, sepse në krye të këtij sistemi për katër vjet ka qenë kryetari i Rilindjes.

    Kjo është e vërteta. E vërteta lakuriq në sytë e qytetarëve, e vërteta lakuriq në sytë e popullit dhe nëse ka ndonjë gjë, eja të ulemi ballë për ballë shqiptarëve e të nxjerrim për kë ka përgjegjësi pjesa që drejtonte zotëria e tij, kryetar i Rilindjes, dhe ku është përgjegjësia edhe e përfaqësuesve të LSI-së në qeverisje. Ne nuk i ikim përgjegjësisë. Natyrisht, ne kemi qenë pjesë e qeverisjes dhe mbajmë përgjegjësitë tona, edhe për atë që nuk ka funksionuar siç duhet në standardin e shërbimeve, në hipoteka, në shërbime të tjera ku kanë qenë persona përgjegjës të propozuar nga LSI. Por askush, asnjë individ i vetëm i LSI-së nuk e ka penguar kryeministrin që të krijojë modelin e administratës në shërbim të qytetarëve, sipas standardeve dhe parametrave të shërbimit të një administrate të denjë për në BE.

    Të gjitha të tjerat janë hipokrizi, prandaj më 25 qershor duhet ndarë një herë e mirë Shqipëria e hipokrizisë, Shqipëria e kanabizuar, Shqipëria e trafikut, Shqipëria e inkriminuar nga Shqipëria evropiane, prandaj ne ofrojmë një shans të ri për një drejtim të ri të Shqipërisë evropiane.

    Pyetje nga gazetarët: Është e vështirë pak t’ju bëj pyetje sepse në katër vjet ju keni bërë këto pyetje që ju të na thonit mendimet tuaja për rilindjen dhe nuk i thatë kurrë. Megjithatë sot që ju keni dalë kundër veprimeve apo angazhimeve apo atyre që kryeministri nuk i ka mbajtur sipas jush, përse qëndroni akoma në qeveri me kryeministrin Rama?

    Sot është ditëlindja e PS, a do të përfaqësohet LSI tek festa e pasdites, dhe nëse po me kë?

    Për kohezion të qëndrimeve më lejoni t’ju bëj të ditur që LSI, jo sot dhe jo vetëm në fushatë zgjedhore, por në mënyrë konstante dhe permanente, ka kritikuar qeverisjen dhe qeverinë më drejtpërdrejtë për përgjegjësinë që ajo ka për situatën kriminale të trafikimit të drogës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Siç keni përshëndetur operacionin e Lazaratit, pasi e vlerësojmë dhe e çmojmë çdo përpjekje që është bërë, por nga ana tjetër, përmes një operacioni qoftë edhe të suksesshëm si ai i Lazaratit, nuk mund të fshihet dështimi total në luftën kundër kultivimit dhe të lëndëve narkotike.

    Jo sot, por dy vjet përpara, shkoni dhe referojuni qoftë edhe seancave parlamentare, unë personalisht por edhe përfaqësues të tjerë të LSI-së, kanë ngritur zërin dhe kanë drejtuar gishtin e përgjegjësisë te strukturat shtetërore, te mosveprimi i tyre, tek mungesa e koordinimit dhe e ndërveprimit institucional për të luftuar lëndët narkotike.

    Them edhe një fakt tjetër, dhe është detyrim ligjor që buron nga ligji i miratuar në vitin 2001 i ndryshuar me propozim të Partisë Socialiste në vitin 2016, është ligji për luftën kundër lëndëve narkotike dhe psikotrope, në të cilën normohet detyrimi i kryeministrit si kryetar i Komitetit Kombëtar të Koordinimit të Luftës kundër drogës të raportoj me shkrim çdo vit brenda datës 30 mars për gjithë veprimtarinë në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike për vitin paraardhës.

    Nuk është bërë asnjëherë në katër vjet. E kam kërkuar në parlament unë drejtpërdrejtë. Madje për të qenë korrekt me qeverinë dhe me kryeministrin, 10 ditë përpara datës 30 mars të këtij viti e kam ngritur këtë shqetësim dhe i kam thënë se do të pres datën 31 mars për të parë, nëse do ta bëni raportimin vjetor siç e thotë ligji dhe nuk e kanë bërë. Kjo pra është transparenca për të cilën kemi folur ne në marrëveshje. Ky është detyrimi i zbatimit të ligjit dhe i detyrimeve kushtetuese të kryeministrit. Kështu që nga kjo pikëpamje, për elementë për të cilët unë fola, nuk ndiej asnjë lloj vrarje në ndërgjegje, sepse ja kemi thënë hapur dhe në sy.

    Natyrisht edhe një herë e theksoj, ne kemi përgjegjësitë tona për të cilat flasim me qytetarët, por ne nuk kemi qenë në drejtimin e qeverisë dhe politikat qeverisëse janë politika që orientohen nga qëndrimet apo prioritetet që sjell partia apo forca më e madhe në qeverisjen e vendit. Prandaj kërkojmë që të ndryshojë drejtimi, të ndryshojë edhe përgjegjësia e qeverisjes më 25 qershor e në vijim.

    Pra, përsa i përket angazhimit në ato që unë deklarova këtu kemi qenë koherent dhe transparent prej shumë kohësh. Nuk po e bëj thjeshtë për fushatë. E dyta qëndrojmë në qeverisje në përmbushje të gjitha detyrimeve që burojnë nga vota e qytetarëve dhe nga marrëveshja politike me Partinë Socialiste, jo si pjesë e tepsisë, por si pjesë e përgjegjësisë për t’i shkuar deri në fund të gjitha detyrimeve të bashkëqeverisjes.

    Sa për pyetjen tuaj të dytë, unë si themelues i Partisë Socialiste dhe si një njeri që kam kontribuar bashkë me qindra dhe mijëra socialist të tjerë për ta krijuar, ngritur, reformuar dhe modernizuar atë parti, po flas për Partinë Socialiste, jo për Rilindjen, do ta festoj ditën e themelimit të PS me një grup deputetësh dhe anëtarësh themelues të PS-së në respekt të gjithë kontributit që ata kanë dhënë për PS.

    Mua personalisht nuk më ka ardhur ndonjë ftesë nga PS dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të drejtuesve të LSI-së.

    Ju folët për disa reforma të cilat Kryeministri Rama nuk i ka mohuar, por i ka pranuar që ka bërë bashkëpunim me ju….

    Nuk do t’i bënte dot pa ne dhe po ta linim po t’i bënte siç e kishte ai idenë do të ishin de-reforma, sepse në fakt ai nuk është për reforma, është për “Rama- reforma”, që reforma të kenë konturet e idesë apo të mendimit të tij.

    Megjithatë ai ka thënë se ju e keni kushtëzuar votën për reformat në Parlament me drejtori të ndryshme…

    Në asnjë rast, gënjen, gënjen dhe vetëm gënjen. Le të thotë një rast të vetëm ku është kushtëzuar vota në Parlament me pazare tepsie apo me pazare timoni. Nuk ka asnjë rast që të jetë kushtëzuar vota e LSI-së me ndarje drejtorish apo pjesësh të tepsisë. Janë të gjitha gënjeshtra, nga fillimi në fund.

    A e keni uruar z. Basha meqë ka ditëlindjen sot?

    Nuk e dija që ka ditëlindjen. Meqenëse ma kujtuat këtë gjë, e urojë publikisht sot nga ky mikrofon dhe nga kjo hapësirë që më keni krijuar.

    Ju thatë që ju jeni të gatshëm, për t’u ulur dhe për të gjetur përgjegjësit, pra për të gjetur përgjegjësitë në qeveri. Për kë e kishit fjalën, një takim të nivelit Rama-Meta apo çfarë?

    Më lejoni të bëj një parantezë. Të gjithë ju e dini dhe qytetarët e dinë që ka 6 muaj, ndoshta edhe më shumë që vetë kryetari i Rilindjes, por edhe përfaqësues të tjerë të tij kanë kërkuar koalicion me LSI-në edhe për zgjedhjet e 25 qershorit, domethënë për zgjedhjet e 18 qershorit siç ishte projektuar para se të bëhej marrëveshja e natës.

    Dhe nëse ishte kështu siç thotë ai, pra çështje shushunjash, çështje kushtëzimesh për drejtori etj., pse e kërkoi koalicionin edhe për katër vitet e ardhshme dhe kur e mësoi këtë gjë? Këtë gjë e mësoi pas natës që kaloi me Lul Bashën për të na thënë sot se tani iu kujtuan atij shushunjat? Pra edhe kjo që thashë është një argument më shumë që e gjitha ajo që ai bën është mashtrim, falsitet dhe hipokrizi!

    E kemi kërkuar edhe në kohën kur ai propozonte zgjatjen e koalicionit apo ribërjen e koalicioni, kemi thënë që ka nevojë për një bilanc të qeverisjes. Ka nevojë për të bërë një bilanc të të gjitha angazhimeve tona në raport me detyrimet e programit të qeverisë të miratuar në momentin kur është votëbesuar qeveria në konstituimin e saj, pra në shtator të vitit 2013 dhe për të bërë një analizë se si janë përmbushur detyrimet e marrëveshjes politike që kemi nënshkruar.

    Pastaj në funksion të kësaj analize, pasi të evidentonim se çfarë është bërë mirë, çfarë nuk është bërë, përse nuk është bërë dhe se si do të programohet evitimi i dështimeve, atëherë do të ishim të hapur për ta bërë edhe analizim dhe diskutimin e koalicioni ose jo. Pra, nuk është bërë asnjëherë. Ata nuk kanë ardhur me gjithë ftesën tonë të bëjmë një bilanc të arritjeve në bashkëqeverisje. Ndërkaq, edhe tani gjatë fushatës, edhe kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili por edhe ish-kryetari z. Meta e kanë ftuar z. Rama të ballafaqohemi në debat publik, politik, transparent dhe qytetar për të vënë gishtin së bashku mbi plagët, mbi mosarritjet apo dështimet e qeverisjes, por edhe mbi sukseset.

    Ose për të vënë gishtin reciprokisht tek plaga e njëri-tjetrit, ku e ka defektin njëri ku e ka tjetri. Ju nuk besoj se keni dëgjuar ndonjë përgjigje pozitive për ta bërë këtë ballafaqim, megjithatë ne jemi të hapur nga sot deri në datën 24 qershor, pra një ditë para zgjedhjeve, kur të dojë kryetari i Rilindjes apo kryetari i Rilindjes bashkë me zëdhënësin e tij të ri Lulin, të vij, të ulemi ballë për ballë dhe t’u tregojmë shqiptarëve se ku janë shushunjat dhe ku janë ata që komandojnë shushunjat.

    Edi Rama në komunikimin e tij javor tha se nuk do të pranonte të ishte më kryeministër nëse do të ndante drejtoritë ashtu siç e ka bërë duke mos pasur pushtet të plotë. A është e gatshme LSI të jetë në opozitë?

    Edhe një herë më lejoni ta nënvizojë. E gjitha është një spekulim.

    Nuk ka patur asnjë rast të vetëm që të jetë kushtëzuar bashkëqeverisja me të me ndonjë drejtori apo me disa drejtori. Madje, pse s’ka patur kushte të kësaj natyre, edhe pas marrëveshjes së bashkëqeverisjes PS-LSI apo LSI-PS, janë përfshirë në qeverisje edhe aktor të tjerë, edhe me vullnetin e kryetarit të Rilindes, dhe nuk është konceptuar kjo gjë si futja në pjesë të tepsisë e disa të tjerëve.

    Pra e gjitha është një hipokrizi, është një mashtrim, është edhe një justifikim përballë qytetarëve shqiptar që nuk kanë nevojë për dokrra, por kanë nevojë për të vërtetën. Dhe meqenëse kryetari i Rilindjes thotë që nuk do të vazhdojë më të jetë Kryeministër në kushtet e kësaj marrëveshjeje, që është parimore dhe politike, do t’i bëjë një nder të madh Shqipërisë dhe ne do ta ndihmojmë që ai të mos jetë më kryeministër.

    Kryeministri Rama vazhdon ta quajë LSI-në pavarësisht retorikave aleat të tij. LSI a e konsideron të tillë PS-në?

    LSI-ja ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë aleate e përgjegjshme, korrekte dhe serioze në përmbushje të të gjitha detyrimeve kushtetuese për bashkëqeverisjen e vendit. Edhe tani pasi në bashkëqeverisje me ne është përfshirë edhe Partia Demokratike e Lulit.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,391
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rilindasit zihen: "Korrupsionin dhe trafikun e drogës e bën Edi Rama e jo Ilir Meta"

    Meta, Edi Ramës: Nuk do të gjesh vrimë ku të futesh pas 25 qershorit!

    Një seri incidentesh të ndodhura prej disa ditësh, por sidomos ditën e djeshme, kanë tensionuar në kulm fushatën elektorale mes LSI dhe PS. Në Fshatin Zharrës të Fierit, maturanti Orgest Grembi është rrahur barbarisht me leva dhe lopata nga tre persona, vetëm pse ka deklaruar se do të votojë për Lëvizjen Socialiste për Integrim me 25 qershor, pasi ka thënë se është anëtar i LRI, organizatës rinore të LSI. Ngjarja ka pasur motiv të pastër politik dhe është ndër rastet më flagrante të kësaj fushata elektorale. Tre personat që e rrahën barbarisht maturantin njihen si mbështetës dhe drejtues të PS dhe një prej tyre rezulton me precedentë penalë. Sipas deputetit të LSI në Fier, Robert Bitrit, policia nuk e kishte regjistruar si ngjarje deri dje në orën 14:00. Ndërkohë që pasdite në media u raportua për arrestimin e vetëm njërit prej dhunuesve.

    Pak orë pas ngjarjes në Fier, në Vlorë kandidati i parë i listës së deputetëve të LSI-së, Shezai Rrokaj në një deklaratë për mediat denoncoi presione fizike dhe kërcënimet që po u bëhen anëtarëve të LSI-së në këtë qark. Rrokaj foli për raste kur zyrtarë të institucioneve po kërcënojnë anëtarët e LSI-së me vendet e punës dhe me ndërprerjen e investimeve për fshatra të tërë në Vlorë. Incidentet të tjera ka pasur thuajse çdo ditë. Kreu i deputetëve të LSI-së, Luan Rama tha në një konferencë për mediat se LSI ka informuar ambasadat kryesore në vend për atë që po ndodh. Ai akuzoi segmente të policisë për sjellje kriminale dhe përfshirje të efektiveve të policisë në aktivitete politike.

    Ndërkohë dhuna ndaj aktivistëve dhe anëtarëve të LSI-së është shtuar gjatë javëve të fundit dhe përkon me retorikën politike të partive PS-PD. Prej disa ditësh Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë sulmuar në mënyrë të ashpër LSI-në, drejtuesit dhe anëtarët e saj. Për Edi Ramën problemi kryesor i mungesës së reformave është LSI-ja. Ai u është drejtuar socialistëve dhe me thirrjet “shtypini dhe mos i lini më në qeveri”. Thirrje të tilla kanë ndikuar në elektoratin militant dhe segmente të PS-së duke bërë që të nisin incidentet e para fizike të dhunshme, si ky dje në Fier.

    Për këtë arsye, kreu i Kuvendit dhe ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka mbajtur dje një nga fjalimet më të forta dhe të ashpra të fushatës. Ai akuzoi Edi Ramën si frymëzuesin direkt të kësaj klime dhune dhe terrori ndaj të rinjve dhe anëtarëve të LSI-së. Nga Fushë-Kruja ku ishte dje në prezantimin e kandidatëve, Meta bëri dhe një ultimatum për Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin, si njerëzit që po ndikojnë direkt në krijimin e klimës së terrorit në fushatë. Meta tha se pas këtyre incidenteve fshihet skenari i Edi Ramës për të dhunuar zgjedhjet. “Edi Rama t’i thërrasë mendjes para se të jetë shumë vonë; nuk vë dot dorë ai mbi votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. As ai dhe as ai tjetri (Gramoz Ruçi) që në ‘96 u largua për Greqi me fustan grash. Në këtë vend, edhe nëse bie kryetari i opozitës, edhe nëse bie policia dhe prokuroria, nuk bie rinia e Shqipërisë”,- deklaroi Ilir Meta.

    Më tej, kreu i Kuvendi u shpreh se Edi Rama do të ketë fundin e ish-Presidentit të Ukrainës i cili u detyrua të largohet nga vendi pas protestave disa mujore të qytetarëve kundër instalimit të një regjimi jo demokratik në vend. “Edi Rama do mbaj përgjegjësi personale për dhunimin e anëtarëve të LSI-së. Ai është përgjegjës për frymëzimin e dhunës. Falangat e Ramës janë ato që po ushtrojnë presion. Fati Janukoviçit të Ukrainës do t’u duket lule. Dua t’i them (Ramës) meqë nuk i ka dalë dopingu ende, që ti thërrasë mendjes. Nuk vë dot dorë Edi Rama mbi të rinjtë e Shqipërisë”,- tha Ilir Meta. Kreu i Kuvendit paralajmëroi reagim të fortë nga LSI nëse do të ketë incidente të tjera të dhunshme ndaj anëtarëve të LSI-së.

    Tensionimi i situatës 10 ditë para datës së zgjedhjeve është sinjali se procesi i votimit nuk mund të jetë i qetë. Për këtë qëllim, LSI ka vënë në djeni selitë më të rëndësishme diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë. Më shqetësuese janë denoncimet e LSI për segmente kriminale në Policinë e Shtetit që po përdoren politikisht në fushatë. Por policia po punon me segmente kriminale për të blerë vota.

    Si rregull, përgjegjës për cilësinë e zgjedhjeve është qeveria, por garantja morale e procesit është opozita. Në gjithë këtë situatë kritike, PD dhe opozita zyrtare nuk duket asgjëkundi. Madje, pakti PS-PD për ministra teknikë po rezulton të ketë krijuar struktura të mirëfillta politike që po ndëshkojnë vetëm partitë e tjera që nuk janë pjesë e pazarit Basha-Rama.

    Sot pritet që LSI të organizojë një protest të madhe në sheshin Nënë Tereza, ku pritet një masivitet dhe ku pritet që Ilir Meta të mbajë një nga fjalimet me të forta kundër Edi Ramës. Ai nga Fieri, pasi vizitoi djalin e dhunuar, e cilësoi Rilindjen si një bandë kriminale.

    Koha Jone

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •