Ironia e fatit e desh që në të njëjtin televizion amerikan ku Rama e cilësoi Donald Trump-in si rrezik për njerëzimin në vitin 2016, sot u shfaqën pamjet ku Rama përpiqet të bëjë lozonjarin përbri Trump-it, duke parakaluar kokëulur në Samitin e NATO-s.
Mjafton krahasimi me dy foto të shkëputura nga televizioni CNN për të paraqitur në mënyrë të koncentruar këtë kontradiktë të fortë qëndrimesh. S’do shumë mund. Rama ka folur e ka vepruar me zë e figurë.
Me gjasë është vetë Rama njeriu më i sikletosur në të gjithë këtë histori dhe njeriu që i ka djegur më shumë se kujtdo tjetër ajo dalje mendjelehtë në CNN para një viti, ku zelli për t’iu lëpirë ish-kandidates Clinton dhe papjekuria e krahasueshme vetëm me një nxënës mbetës të klasës së VI-të, e paraqet sot Edi Ramën, kryeministrin tonë, si një klloun, si një gaztor të NATO-s.
24 orë para se të bënte lozonjarin përkrahë Trump-it, Edi Rama u shfaq në një tjetër foto me udhëheqës të shteteve të tjera me një veshje prej toy-boy, ku ishte e vështirë të dalloje se ku niste ekstravaganca dhe ku përfundonte idiotësia.
Duket sikur Shqipëria me Edi Ramën është e destinuar të përfaqësohet në nivelet e kllounizmit ekzibicionist, ku protokolli shtetëror është eleminuar dhe dinjiteti i vendit është lënë në dorën e një bohemi që ekspozitat me piktura arriti t’i hapë vetëm pasi u zgjodh kryeministër. / Hashtag.al
Krijoni Kontakt