Basha, letër Ramës: Prano pa kushte propozimin e SHBA për marrëveshjen
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër kreut të PS-së dhe Kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon pozicionimin e tij të qartë për propozimin e SHBA për zgjidhjen e krizës politike.
Në letrën e hapur, Basha i bën të ditur publikisht Ramës se opozita e ka pranuar paketën McAllister, si dhe i kërkon këtij të fundit që ta pranojë edhe ai këtë ofertë.
Marrëveshja që ka pranuar PD parashikon garancitë që ka dhënë eurodeputetit gjerman David Mc Allister dhe SHBA për zgjedhjet. Gjithashtu, në këtë paketë të marrëveshjes PD pranon votimin e ligjit të vetingut. Ndërkohë PD ka hequr dorë nga kërkesa për kryeministër teknik dhe votim elektronik. E vetmja pikë që i ndan palët është ajo e datës së zgjedhjeve. PD kërkon një shtyrje të datës 18 qershor. Ndërsa Kryeministri ka deklaruar se nuk bën asnjë hap pas nga data 18 qershor. Sipas Ramës, 18 qershori është një detyrim kushtetues.
Letra e plotë:
“Në emër të opozitës ju informoj se që prej ditës së djeshme në orën 12:00, opozita ka pranuar pa kushte propozimin e integruar të prezantuar si zgjidhje për krizën politike nga nd/zv Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee.
Duke konfirmuar pranimin e plotë të propozimit të integruar, ju bëjmë thirrje që edhe ju të konfirmoni publikisht pranimin pa kushte të propozimit të SHBA, për t’i hapur rrugë zbatimit të kësaj pakete me qëllim garantimin e kushteve për proces zgjedhore të lirë dhe të ndershëm për qytetarët shqiptarë.
Duke shprehur bindjen se propozimi i SHBA përbën rrugën e duhur për zgjidhjen e krizës, konfirmoj gatishmërinë e opozitës për implementimin e plotë të saj pa vonesa“.
Koha Jone
Krijoni Kontakt