Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Monika Kryemadhi: Burri mu bë president, Partinë LSI e drejtoj unë!

    Zv/kryetarja, Monika Kryemadhi: LSI punon dhe mban fjalën për qytetarët

    Emri:  monika-2.jpg

Shikime: 448

Madhësia:  22.3 KB

    Intervista e Zv.Kryetares së LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, dhënë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të televizionit “Report TV” .

    A do të ketë zgjedhje më 18 qershor?

    Në fakt 18 qershori është një datë e dekretuar nga Presidenti i Republikës por situata politike ka bërë që ne sot të jemi përballë 2 qëndrimeve. Nga një anë kemi një qëndrim ultimativ që thotë se unë nuk hyj në zgjedhje dhe në anën tjetër një qëndrim arrogant që unë nuk pranoj negociatat me ju. Në të dyja rastet kjo nuk sjell asgjë por sjell vetëm vuajtje, dëshpërim dhe varfëri. Sjell edhe një mungesë stabiliteti në vend. Shkaktarët e kësaj situate janë dy partitë e vjetra dhe unë mendoj që të gjitha palët duhet të tolerojnë pak dhe të lëshojnë nga qëndrimet e tyre, ultimative apo indiferente. Politikanët kanë për detyrë të ndërtojnë urat e bashkëpunimit dhe të vendosin një gur në themelet e demokracisë e cila është shumë e brishtë në Shqipëri. Nuk është mirë që pas 25 vitesh ne në Shqipëri diskutojmë akoma çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është shumë dëshpëruese.

    Basha kërkon qeveri teknike. Ju duket e arsyeshme kjo?

    Mua më duket edhe qesharake ndonjëherë. Ai mund të ketë shumë shqetësime të drejta z. Rama, partia e tij së bashku me Aleancën për Shqipërinë Evropiane, kanë fituar zgjedhjet në qershor të 2013-s dhe populli e ka mandatuar që të qeverisë deri më 18 qershor të 2017-s. Z. Basha ka pasur në tryezë disa propozime. Një nga këto ka qenë edhe propozimi i LSI-së për mandatet qeverisëse. Ofertë që LSI e dha për të zgjidhur situatën dhe për të ofruar konsensus dhe stabilitet. Politikanët kanë përgjegjësi në këtë situatë. Kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Nuk jemi duke luajtur shah dhe shqiptarët janë spektatorë. Ka shqiptarë që nuk kanë ushqim, nuk kanë para për të paguar dritat. Kjo është një papërgjegjshmëri totale e klasës politikë, së cilës ndoshta i ka ardhur koha edhe të ikë. Çdo konflikt i mbajtur hapur është një humbje shpresë për shqiptarët dhe do të jetë një kosto shumë e madhe për politikën. Ky konflikt në të cilën janë futur dy partitë e vjetra, duhet theksuar këtu që LSI ka ofruar gjithnjë dialog dhe konsensus për zgjidhjen e tij, ka sjellë një lloj dëshpërimi ndër qytetarët shqiptarë.

    https://i2.wp.com/www.kohajone.com/w...ik-1.jpg?w=994

    Po përsa i përket mosbindjes civile apo bllokimit të qendrave të votimit dhe pastaj nuk do të kryheshin zgjedhjet?

    Kush tha që nuk kryhen zgjedhjet se ti nuk i ndalon dot njerëzit të votojnë se siç do të dalë ai që ta bllokojë që mos të më lërë mua të votoj, ashtu do luftoj edhe unë që të shkoj të votoj. Çfarë do bëj? Kush është përgjegjësi pastaj në këtë gjë? Pse e përballon Shqipëria t’i rikthehet një 97-te tjetër?

    Dhe si mund të shmanget?

    Kjo duhet shmangur që gjithë demokratët të cilët nuk e ndjejnë veten të përfshirë, të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk e duan Edi Ramën demokratët për kryeministër? Të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim.

    Qartë. Ju kuptova, por demokratët kur hynë në çadër ndoshta edhe në mënyrë iluzive, patën idenë se kishin edhe mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte një keqkuptim i tyre?

    Unë nuk mendoj që është kjo. Sigurisht që LSI-ja ka qëndrimet e veta politike. Kodi zgjedhor të cilën e kanë nënshkruar bashkë dhe e kanë vulosur të dyja partitë e vjetra në prill të 2008-ës ka sjellë këtë rezultat që ne kemi sot dhe sjell edhe këtë lloj paqartësie politike të forcave të ashtuquajtura të mëdha politike. Ajo çka është e rëndësishme dhe që duhet të lëviz dhe të ecë më përpara është pozicionimi i të gjitha forcave politike në funksion të qytetarëve. Unë shikoj që të gjitha partitë politike, klasa politike ku përfshij edhe veten time, jemi edhe bashkëfajtorë në dështimet apo dhe në problematikat që ka krijuar klasa politike, por unë di të them këtë gjë që çadra nuk është thirrja e LSI-së. Çadra ishte për Partinë Demokratike që duhet të mbante një pozicion të saj. Sigurisht që është një nga opozitat më të dobëta që ka pasur në 20 vite të tranzicionit shqiptar. Mbaj mend statusin e Namik Dokles që shkruante se falënderonte dhe ndjente mall dhe respekt për grupin e parlamentarëve të 92-96-ës. Për hir të së vërtetës, ishte një grup i një niveli jashtëzakonisht të lartë intelektual. Tashmë politika ka kthim mbrapa dhe sigurisht kultura politike është hapa prapa në Shqipëri dhe kjo vjen për shkak ndoshta edhe të ligjit që ne kemi bërë për zgjedhjet, ndoshta kjo vjen edhe për shkak të frikës që klasa politike ka nga humbja. Do doja që liderat të mos kishin frikë nga ndryshimet. Duhet të bëhen pjesë e ndryshimit. Vetëm kështu ecën një vend përpara dhe kam përshtypjen që partia demokratike ka frikë nga ndryshimi . Një ditë do përballet me zgjedhjet qofshin këto me 18 qershor.



    Ju e konsideroni të mbyllur datën e zgjedhjeve? Nuk ka më hapësirë negocimi ? Janë duke u zhvilluar tani?

    Negocimet vazhdojnë deri në sekondat e fundit. Nuk e kam idenë sepse negociatat përditë janë të fshehta dhe s’kemi prodhuar diçka tamam. Gjërat janë të hapura dhe transparente. Sa herë bëhen të fshehta, futen intrigat politike, ballkanike. Gjithmonë kemi prodhuar politika shterpë që kanë prodhuar krizë, destabilitet dhe intolerancë.

    Meta propozoi një qeveri besimi. Ishte e koordinuar me eurodeputetët ajo që propozoi Meta apo çfarë?

    Unë di të them që Meta në propozimin e tij që pati që bëri për qeverinë e besimit ka pasur konsultimet e tij me faktorë të rëndësishëm politik, jo vetëm të SHBA-ve por edhe në Evropë që arriti të bënte një propozim të tillë. Kjo vjen edhe si rezultat i komunikimit të tij të shpeshta me ta. Por di të them që kjo ka të bëjë me qëndrimin e vetë z. Meta për stabilitetin politik. Ai në të gjithë karrierën e tij politike në thelb të politikës së vet ka pasur stabilitetin. Edhe në shkurt të vitit 2002 Meta për të krijuar një lloj stabiliteti politik dha dorëheqjen dhe iku edhe pse ishte Kryeministër i cili kishte fituar zgjedhjet dhe kishte mbi 80 mandate. Mund ta kishte çuar vendin në zgjedhje por u tërhoq për hir të këtij stabiliteti që është baza e politikës së tij. Stabiliteti e zhvillon vendin dhe e destabiliteti e kthen atë mbrapsht. Vetëm në 3 muajt e fundit janë mbyllur në Tiranë 1800 biznese. Pra destabiliteti sjell mungesë zhvillimi, dëmtim të klimës së biznesit, mungesë të investimeve dhe e gjitha kjo bie në kurriz të qytetarëve.

    Do të hyni në zgjedhje si parti qeverisëse apo opozitare?

    Për mua kjo nuk ka rëndësi. Partitë hyjnë në zgjedhje për një marrëveshje me qytetarët. Ne po hartojmë programin tonë elektoral i cili shumë shpejt do bëhet prezent. Është një program shumë i mirë që bazohet në shtyllat kryesore të ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe turizmit. Ky program do të jetë prezantimi që do të kemi me qytetarët. Le të mos harrojmë dhe një gjë tjetër, që është shumë e thjeshtë dhe shumë domethënëse marrëdhënia jonë e drejtpërdrejtë me njerëzit. Për mua, çdo komunikim virtual nuk është se të sjell diçka të re. Komunikimi virtual thjesht mbetet virtual, vetëm imazh. Por është shumë i rëndësishëm komunikimi i drejtpërdrejtë me njerëzit.

    A do të keni koalicion paszgjedhor?

    Le të mbarojmë procesin zgjedhor, të shikojmë se ku jemi dhe të ulemi pastaj në diskutime. Përgjegjësia jonë është kryesore për të krijuar një lloj stabiliteti, jo vetëm shpirtëror por edhe ekonomik dhe politik në vend. Nuk do doja të shihnim Shqipërinë siç pamë Maqedoninë përpara disa ditësh.

    Le të bëjmë edhe një bilanc të shkurtër të këtij mandati 4-vjeçar qeverisës. Ju si e konsideroni? Cilat janë disa nga gjërat pozitive që ka bërë kjo qeveri?

    Sigurisht që e shkoj pozitiv por edhe me gabimet e veta. Në fakt, ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me infrastrukturën, që sigurisht ka anën e mirë dhe anën e keqe të sajën, sepse ne kemi bërë sheshet dhe rrugët urbane nëpër qytete, por ndoshta do të ishte më mirë të kishim bërë edhe rrugët nëpër komuna dhe fshatra, të cilat të ishin në funksion dhe shërbim të fermerëve. Po ashtu edhe bujqësia, ku do të përmendja pastrimin e kanaleve kulluese, ku në Lezhë për shembull, në 20 vjet nuk ishin pastruar asnjëherë, ato u pastruan. Ndërkohë, të njëjtën gjë po shikoj edhe në Elbasan, ku konstatohet një rritje e zhvillimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore. Këtu dua të shtoj se nevojiten më shumë grante dhe subvencione për fermerët. Mund të përmend edhe Reformën Territoriale, që është një gjë shumë e mirë, e cila nga ana tjetër i ka vendosur kryetarët e bashkive në pozicione shumë të vështira, sepse është zgjeruar jashtëzakonisht shumë territori i mirëmbajtjes së bashkive, por kapacitetet njerëzore dhe kapaciteti financiar është shumë i vogël për ta përballuar këtë situatë. Po ashtu mund të themi që lë për të dëshiruar Reforma në Arsim, Ligji për Arsimin e Lartë, që sigurisht ka një pjesë shumë të mirën të sajin. Reforma në Drejtësi po ashtu që është tejet e rëndësishme, një reformë të cilën shqiptarët mezi po e prisnin dhe shpresoj që të realizohet sa më shpejt, duke mos e përdorur atë si një sebep për t’u larguar dhe jo për t’u ulur në tryezë për ta bërë atë sa më shpejt.

    Kur e morët vesh se Ilir Meta do ishte Kryetar i Shtetit? A ishit dakord?

    E mora vesh ditën që firmosa. Mendoj që Shqipëria ka nevojë për një President që të sjellë diçka ndryshe. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për z. Bujar Nishani dhe për të gjithë presidentët e mëparshëm.

    Sa e dëmton LSI-në fakti që sa fillon fushata elektorale, Ilir Meta zgjidhet President?

    Aspak. LSI është një parti shumë atraktive, shumë energjike. LSI ka nevojë për t’u çliruar nga litarët e saj, sepse dashje pa dashje, Ilir Meta është një lider i fortë, i cili e ka ndërtuar LSI-në. Ka krijuar një LSI që sot është konkurrente për të qenë forcë e parë dhe mendoj që shpërthimi i LSI-së do të vijë tani që u largua Ilir Meta, pra duke qenë si një vëzhgues në pozicionin e Presidentit. Si një vëzhgues i një force politike të cilën e ka themeluar vetë, por që ka nevojë të ecë tashmë me këmbët e saj. Është e konsoliduar tashmë, ka struktura organizative të jashtëzakonshme, ka një pjekuri politike të mrekullueshme, edhe për shkak të moshës, e cila është relativisht e re.

    Ka shumë elementë që e kanë lexuar zgjedhjen e Ilir Metës President heqjen e një pengese që kishte Kryeministri Rama në ushtrimin e pushtetit…

    Unë do ta shikoja si një mundësi shumë të madhe që i jepet LSI-së. Vendosja e Metës si President do t’i japë strukturave të LSI-së një forcë dhe një energji shumë më të madhe. Do të jetë një forcë politike shumë agresive për të marrë votën, për t’u përballur, për të ngritur zërin e saj.

    Le të flasim pak për krahun tjetër të spektrit politik. Mes Bashës dhe Berishës, me kë ndiheni ju si LSI më komod?

    Nëse do të flasim si politikanë, politikisht unë ndihem mirë me Petrit Vasilin, me Klajda Gjoshën, me Floida Kërpaçin, me Kejdi Mehmetajn, me Endrit Braimllarin. Pse? Sepse është familja ime. Gjithë vitet e jetës sime unë i kam investuar në këtë grup njerëzish. Ndërkohë, përsa i përket lidhjeve miqësore dhe shoqërore, unë ndihem mirë me të gjithë.

    Cila nga marrëveshjet e qeverisjes ka funksionuar më mirë nga pikëpamja kontraktuale?

    Në të dyja rastet, LSI ka qenë luajale në marrëveshjet e saj. I ka qëndruar korrekte deri në fund, qoftë marrëveshjes me Partinë Demokratike, qoftë edhe asaj me Partinë Socialiste.



    Znj. Kryemadhi tani jeni zëvendëskryetare dhe u zgjodhët nga Konventa Kombëtare e LSI-së…

    Akoma nuk e kam ndier pozicionin e Zëvendëskryetares. Akoma jam në fazën e qartësisë, të qartësohem për pozicionet dhe për pozicionin që do të kemi.

    Me statutin e Partisë duhet të zgjidheni sipas formulës një anëtar një votë?

    Zëvendëskryetari nuk zgjidhet me formulën një anëtar një votë, ndërsa kryetari po. Në statut është parashikuar se në momentin kur kryetari jep dorëheqjen siç ndodhi, Zëvendëskryetari bëhet automatikisht kryetari i partisë. Për të vetmen arsye, sepse për të organizuar zgjedhjet me formulën një anëtar një votë kërkon të paktën një muaj. Kjo është një fazë kalimtare, por që faktikisht ka targetin dhe autoritetin e një anëtar një votë.

    Do të konkurroni për postin e kryetarit kur të bëhet me formulën një anëtar një votë?

    Unë mendoj që LSI-ja do të jetë një parti jashtëzakonisht ekselente në prezantimin e saj, qoftë politik, qoftë institucional me Petrit Vasilin si Kryetar, pasi ai ka pjekurinë politike që është shumë e rëndësishme si edhe ka një avantazh shumë të madh që LRI e adhuron, pasi ka qenë një nga përkrahësit kryesor të tyre. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se gati 70 % e bazës së LSI-së është rinore dhe është një avantazh shumë i madh për atë.

    Mendoj që pozicionimi i kryetarit ndoshta është pak shumë për shpatullat e mia. Nuk mendoj që pozicioni i kryetarit është diçka e domosdoshme. Mendoj që secili nga ne është kryetar në vetvete, sepse kryetari nuk është ai që e do më shumë partinë, ne të gjithë e duam. Por nuk po dal në rastin që u tha “Unë dua më shumë partinë se sa Shqipërinë”.

    Ne e duam më shumë Shqipërinë pastaj duam partinë. Por partia është një instrument për ta bërë Shqipërinë më të bukur, për ta bërë Shqipërinë më të begatë dhe për t’i sjell Shqipërisë stabilitetin dhe atë çka ajo meriton.

    Do ju duhet që të negocioni me Edi Ramën?

    Nuk e di pasi këtë e vendos Kryesia e LSI.

    Numri dy shoqëron kryetarin?

    Ilir Meta ka pas vendosur atëherë që të negocionte me Petrit Vasilin. Petrit Vasili mund të vendosi që mund të negociojë me Luan Ramën, Edmond Panaritin apo Klajda Gjoshën…

    Ju pyes pasi gjithnjë jeni munduar që t’i shmangeni dhe pse jeni shmangur përballjes ose kontaktit ose bashkëbisedimit?

    Unë nuk i shmangem, por unë gjithmonë dua të jem shumë korrekte në diskutimet që ne kemi me njëri-tjetrin, pasi unë i qëndroj korrekte marrëveshjeve të mia dhe nuk lëviz absolutisht sikur të humbas edhe gjërat më të shtrenjta të jetës sime, pasi në fund të fundit njeriu për një fjalë jeton dhe për një fytyrë.

    Ju bëra këtë pyetje se ndërkohë m’u kujtua se në 1 maj të vitit 2012 ju e shmangët, qëndruat në shtëpi dhe ikët pa ardhur te darka e famshme e Lalzit. Përse ikët?

    Në darkën e Lalzit nuk kam qenë fare. Më thanë se do të jenë disa njerëz për darkë dhe nuk kam qenë fare. Nuk e di çfarë kishte ndodhur. Di të them që unë e mora vesh në fakt kur doli nëpër gazeta. Ka qenë një maji dhe ishim në një takim dhe të nesërmen, në 2 maj, unë duhet të nisesha jashtë Shqipërisë për një konferencë.

    Kur çdo gjë doli në media, nuk kishte nevojë që ta pyesje Ilir Metën. Sigurisht që kisha edhe unë qëndrimet e mia. Fundja këtu ndryshon edhe burri me gruan ose ndryshon, sepse kishte më shumë informacione se ne dhe ndoshta dhe pozicionimet dhe kalkulimet e veta solli që ne të kishim një koalicion për zgjedhjet e 2013 që faktikisht ishte një koalicion natyral.

    Ne jemi forcë e majtë e qendrës dhe PS forcë e majtë. Gjë që aktualisht prodhoi një koalicion që shqiptarët e donin, sepse e votuan në shumicë. Pra i dhanë mandate në shumicë mazhorancës sonë, gjë që ishte e domosdoshme.

    Sigurisht që politika shqiptare ka ndarjet dhe klasifikimet e saj. Për të pasur një klasë politike të ndryshme të gjithë spektrit, sepse po të shikojmë se PD që e mban veten të djathtë kërkon gjëra ekstreme të majta. Ndërkohë PS që është parti e majtë merr vendime ekstreme të djathta. Siç është roli i koncesioneve që janë politika të djathta absolutisht. Vetëm me të majtën nuk kanë lidhje. Ka disa gjëra që lënë për të dëshiruar. Megjithatë, ne vazhdojmë dhe themi që jemi në tranzicion dhe kjo vjen dhe për shkak të mosqasjes sonë të klasës politike në themelet e politikës së vërtetë për të krijuar shtyllat e vërteta të politikës, qoftë të së majtës, qoftë i së djathtës. Po të mos harrojmë dhe një gjë që 99% e popullit shqiptar është një popull i majtë dhe kjo është e pamundur për të krijuar politika të djathta.

    Gjatë këtyre 4 viteve ka pasur momente kur keni thënë që ajo darkë nuk duhet të ndodhte…

    Nuk kam pse ta them. Ilir Meta është takuar me shumë persona, është një njeri që nuk mban inate dhe këtë e ka treguar gjithmonë se ka qenë gjithmonë i hapur për gjëra që kanë qenë në funksion të stabilitetit të vendit dhe ai ka kontribuar për këtë gjë.

    Madje në shumicën e rasteve dhe në kurriz të familjes dhe të fëmijëve të tij dhe unë uroj që fëmijët e tij të jenë krenar për atë që ai ka bërë përsa i përket shumë vendimeve. Pasi vjen një moment që të gjithë do të thonë se “çfarë bëre ti për ne”. Por ai ka sakrifikuar jashtëzakonisht shumë për të pasur një qëndrim të vetin politik, që në shumicën e rasteve ka qenë në kurrizin e tij, por në fakt ka qenë në funksion dhe në favor të stabilitetit të vendit. Unë këtë e vlerësoj, pasi këtu ndryshon një burrë normal nga një burrë i madh, një politikan i vërtet i cili lë shumë gjëra nga vetvetja për të krijuar një profil të pastër, që i duhet stabilitetit politik të vendit.

    Pra ju nuk keni pasur ndonjë brerje ndërgjegje që kjo marrëveshje nuk duhet të kishte ndodhur?

    Marrëveshja shumë mirë që ndodhi. Bëri shumë mirë për të kuptuar. Ilir Meta ka bërë disa marrëveshje me Edi Ramën dhe ai nuk i ka qëndruar si në vitin 2007, në vitin 2002.

    Çfarë ndodhi në vitin 2007?

    Në 2007 u zgjidh Edi Rama kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe prishi të gjithë marrëveshjen dhe u bë Kodi Zgjedhor i vitit 2008 dhe greva e urisë. Por njerëzit ecin përpara, pasi nëse ne do të merremi me të shkuarën nuk do të ecim përpara. Nëse ne do të shikojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, brenga, hidhërimi dhe dëshpërimi i së kaluarës do të bëhet si lajtmotivi i të ecurës përpara dhe unë nuk do të dëshiroja ta shikoja atë.

    Unë shoh se çfarë do të ndodhi në të ardhmen, se ku do të jetë Shqipëria pas zgjedhjeve të 18 qershorit, çfarë mundësish do t’u japim shqiptarëve në të ardhmen. Paga minimale që do të bëhet 24 mijë lekë në muajin gusht të ketë mundësi të rritet më shumë deri në 40 mijë lekë. Sa do të jetë rritja ekonomike në Shqipëri, sa vende të reja pune do të hapen, sa shkolla të reja do të ndërtohen, sa mundësi do të kenë shqiptarët për të lëvizur si gjithë evropianët, jo vetëm në kuadrin e problematikave, por në kuadrin e lëvizjes si evropianë. Pra për mua ky është problemi, këtë dua të shoh. Se çfarë ka ndodhur në të kaluarën ka ikur. Sigurisht që duhet ta mbajmë mend që të mos ripërsërisim ato gabime, por duhet të shikojmë se si duhet të ecim përpara, atë për të cilën kanë nevojë fëmijët tanë.

    Gjatë katër viteve që lamë pas, cili ka qenë momenti personal politik më i vështirë?

    Zhgënjime ka shumë. Kur një person, një mikun tënd, një shok klase apo një shok lagjeje i cili është sëmurë me kancer dhe nuk bën dot pasaportën për të bërë kimioterapi jashtë, sepse i duhen 4 javë për të marrë pasaportën.

    Edhe pse nuk ka mundësi ta paguajë tarifën shtesë. Apo histori të tjera që futesh nëpër lagje të varfra të tmerrshme dhe shikon njerëz të cilët mund të kenë javë të tëra që hanë bukë thatë njësoj si tregimet e revistës “Pionieri” në kohën e Partisë së Punës.

    Ka momente shumë dëshpëruese të cilat ndonjëherë mendon që të mos ishe pjesë e politikës. Ashtu sikurse ka edhe probleme shumë të mëdha që njerëzit kanë dëshirë për të bërë shumë gjëra, por nuk i ofrohen mundësitë për hir të një konflikti interesi, të një neglizhence, sepse dikush i jep prioritet një njeriu të afërm dhe jo një njeriu më të zot dhe gjëra të tjera pafundësisht. Këto janë momente që mendon se përse duhet të futesh në politikë.

    Në 2004 ju u shkëputet nga Partia Socialiste. Si ju, ashtu edhe Ilir Meta…

    Unë e mbaj mend shumë mirë. Mbaj mend arrogancën e pamatshme që kishte lidershipi i asaj kohe. Një arrogancë e pamatshme, i cili faktikisht e orientoi në rrugë të gabuar Partinë Socialiste në vitin 2005.

    Çfarë i sugjeruat në atë kohë Ilir Metës?

    Unë nuk i sugjerova asgjë, vetëm e ndoqa atë nga pas.

    Ishte vendimi i tij?

    Nuk ishte vendimi vetëm i tij, por i një grupi njerëzish të cilët mendonin se kishte ardhur koha që të bëhej diçka tjetër. Sepse arroganca e politikës së vjetër, si nga njëra anë do të shkonte në anën tjetër. Do të ndryshonte ngjyrën, por arroganca do të mbeste gjithmonë. Shqipëria kishte nevojë për një forcë të re politike e cila solli një ndryshim faktikisht.

    Arrogancë është një term pak i papërcaktuar. Çfarë doni të thoni me arrogancë?

    Arroganca është kur ti nuk ke dëshirën ose je indiferent ndaj halleve dhe problemeve të njerëzve. Kur ti i shikon njerëzit sikur nuk kanë vlera, si shërbëtorët e tu, si skllevërit e tu dhe ti je mbreti i kësaj bote. Kur ti njerëzit nuk i vlerëson për çka ata janë: edhe nëse dikush është i varfër, ai mund të ketë shpirtin më të pasur, se sa një njeri që është i pasur materialisht. Kjo përbuzje që politika ose pushteti tregon ndaj njerëzve, është një arrogancë shumë e shëmtuar që ia parashkruan fatin vetvetes.

    Qenka sëmundje e asaj partie domethënë?

    Kam përshtypjen se të gjitha partitë njëlloj e kanë.

    Edhe në LSI ka arrogantë?

    Ta provojmë në pushtet, por unë jam e bindur që nuk ka. Ka shumë të rinj e të reja, të cilët nuk besojnë tek arroganca, por besojnë te solidariteti. Një parti politike që nuk ka në thelb të saj solidaritetin, e ka shumë të vështirë për të drejtuar. Unë jam e bindur që LSI-ja e ka këtë fat.

    Ti ke hyrë shumë e re në politikë….

    Më vjen keq për veten time, se kam hyrë shumë e vogël në politikë dhe kur bëj një retrospektivë të jetës sime, pyes veten vërtetë e kam bërë unë këtë gjë?

    Mbaj mend që ke qenë një nga njerëzit më të zëshëm të FRESSH-it bashkë me Ilir Metën, Pandeli Majkon, Ilir Zelën, Ndre Legisin. Janë disa nga emrat që më vijnë në mendje. Dhe kur shikon këta të rinjtë e forumeve rinore, çfarë krahasimi i bën me atë kohë?

    Mua do më quhet konflikt interesi të flas për LRI-në dhe ta krahasoj me forumet e tjera rinore. Sigurisht, që LRI-ja është një version shumë më modern shumë më “high-tech” se FRESSH-i i dikurshëm i yni i vitit 1992 sepse edhe situata e para 25 viteve me atë çka ndodh tani është tjetër për tjetër. Por në thelb të vetvetes është e njëjta gjë: solidariteti që kishte FRESSH-i i 92-shit, dashuria dhe mikpritja. Mbaj mend kur ishte Kongresi i parë i FRESSH-it rreth 25 delegatë të Pogradecit kanë fjetur në shtëpinë time. Vinin gati 400 delegatë nga e gjithë Shqipëria të cilët u shpërndanë në shtëpitë e socialistëve të asaj kohe. Sot ajo që më pëlqen më shumë është se shumë të rinj nga LRI-ja kur vijnë nga rrethet flenë nëpër shtëpitë e anëtarë të LRI-së që jetojnë në Tiranë. Kjo i lidh edhe më shumë dhe i forcon marrëdhëniet mes tyre.

    FRESSH-i ishte shumë i rëndësishëm atëherë jo vetëm sepse nxori dy kryeministra, por edhe për arsye të tjera. Përse?

    FRESSH-i ishte i rëndësishëm, sepse ishte një forum rinor që solli një mentalitet të ri në Partinë Socialiste. E përballi me realitetin, pra një parti që vinte nga një parti ish-komuniste me mentalitet të vjetër, që në thelb i transformoi idetë nga komuniste në social-demokrate.

    Por duhej një forcë rinore e brendshme që sillte risi, mentalitet të ri, frymë të re, gjak të ri, dhe që faktikisht e solli sepse po të kemi parasysh lëvizjet e FRESSH-it në vitet 1994-97 do të shikojmë që kemi një PS shumë më të re, shumë më aktive shumë më prezente. Do të kishim një PS që sillte një mentalitet shumë të ri, gjë që bëri ta sillte edhe në pushtet.

    Si ndodhi që u bëtë pjesë e FRESSH-it?

    Në fakt, në FRESSH ma ka ftuar një mikja ime që quhet Ilda Reka, që ka qenë “miss” dhe modele, e cila tashmë jeton në SHBA. Unë gjithmonë kam qenë “kontrapedal” shkoja në krah të kundërt me njerëzit, sepse mendoj që kur gjërat bëhen me populizëm e demagogji dhe tentohet të manipulohet opinioni publik për një gjë, unë them sa më shumë reklamë të ketë diçka, ki kujdes se këtu fshihet diçka tjetër më e madhe. Kjo mesa duket është pak gjenetike, të qenit skeptike për disa gjëra. Një njeri që të përqafon e të puth shumë, dihet se nuk të do aq shumë. ashtu sikurse një njeri që t’i thotë gjërat në sy dhe është i drejtpërdrejtë të do të mirën, sepse po të donte nuk t’i thotë fare dhe të lejon që të vazhdosh dhe të gabosh në rrugën tënde.

    Unë vajta për ta dëgjuar, isha gjimnaziste asokohe, dhe në fakt u revoltova, më erdhi edhe keq, sepse donim të bënim diçka ndryshe. Në fillim më erdhi keq për prindërit e mi, sepse të dy ishin anëtarë të PS-së, edhe pse me babanë kisha pasur një debat të madh për marrëdhëniet me Partinë e Punës, varfërinë, mungesave të mëdha, infrastrukturë e rënduar në shkolla, etj., dhe i thashë kur këta e duan kaq shumë, po unë pse mos të jap atë që kam mundësi për të dhënë. Ndoshta është edhe si një dëshirë e një adoleshenti i cili hyn në vorbull dhe nuk del më pasi të kap sedra.

    Aty u lidhëm me shumë miq e shokë, me vajza dhe djem, fillova të ngre strukturat e gjimnazeve në Tiranë, gjë që ishte shumë e vështirë. Mbaj mend që shkoja në këmbë nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” te shkolla “Bajram Curri” apo gjimnazi “Partizani”, pasi nuk ishte autobusë: ata ishin në grevë pasi u bënë zgjedhjet e 22 marsit. Ishte si një mosbindje civile dhe atëherë njerëzit ishin papunë dhe kërkonin përmbysjen e një sistemi dhe për të ndërtuar një sistem të ri që lutemi dhe shpresojmë çdo ditë e më shumë të jetë më i mirë.

    Kishte më shumë idealizma tek FRESSH-i, por ndërkohë ka shumë persona që thonë që të rinjtë sot futen në forumet e partive të mëdha për tu punësuar, për të pasur një mundësi…

    Vare nga mosha. Në qoftë se një i ri vjen në moshën 14-15 vjeçare nuk vjen për t’u punësuar. Por të shikojmë Kejdi Mehmetajn, ka ardhur gjimnaziste nga “Petro Nini Luarasi” dhe ka rreth 8 vjet që është në LRI.

    Erisa Xhixho është themeluese e LRI-së apo Endrit Braimllari. Pra njerëz që kanë 8-9 vjet që kontribuojnë dhe më pas kanë marrë pozicionet e tyre politike. Në LRI do të shikosh që 99% ka idealizëm. Sigurisht që vijnë edhe njerëz që provojnë edhe ikin. Por 99% të tyre janë idealistë. Të gjithë njerëzit e shohin mënyrën se si funksion LRI-ja si një strukturë qejfi.

    Në fakt nuk është një strukturë qejfi, por një strukturë e mirëfilltë politike. Po të shikosh programin politik që ka bërë LRI-ja sa i përket arsimit, të shikosh “memo” të këshilltarëve të Ministrave apo të drejtorëve që punojnë në Ministri apo institucionet shtetërore, do të dallosh që janë në nivelet të jashtëzakonshme. Sheh një nivel të jashtëzakonshëm shumë më të lartë se ajo çka përgatitet në zyrat e shtetit shqiptar. Ndonjëherë ndien dhimbje, ndien dhembshuri, por ndien edhe krenari, sepse gjithmonë kam qenë e pritur dhe kam nxitur, që nëse do të ecësh në politikë, nëse nuk je një nxënës i mirë, një student i mirë, që respekton dhe vlerëson vlerat e familjes, shkollës dhe vetvetes, do ta ketë shumë të vështirë për të qenë një politikan i dashur për njerëzit.

    Duke iu referuar asaj çka mbaj mend në atë periudhë, ju keni qenë një natyrë krejt tjetër nga natyra diskrete e Metës, por shumë impulsive. Duke qenë bashkëshortja e Metës e keni konceptuar si një këmishë force që nuk lë të zhvilloheni në politikë…

    Nuk e kam cilësuar si një këmishë force. Sigurisht që edhe mund të them që edhe më ka pëlqyer, ashtu siç mund të them që nuk më ka pëlqyer. Mund të kem dashur të bëj gjëra shumë më revolucionare, apo agresive, ose deklarata shumë më të forta sa i përket qëndrimeve politike…

    Për shembull?

    Për shembull kur ka qenë çështja e Ligjit për Arsimin e Lartë. Kur kemi bërë ballafaqimin me maturantët, të cilët nuk patën të drejtën për të shkuar në shkollë. Ilir Meta ka qenë një nga njerëzit që na ka trysnuar në kuptimin e mirë të fjalës.

    Nuk mbahen mend të gjitha, sepse ka shumë gjëra në jetën e përditshme tonën sa prioritet fillojnë dhe humbasin. Ato që kanë qenë dje prioritet, sot nuk janë, pasi fillojnë prioritete të tjera, që janë shumë më të rëndësishme se e shkuara. Por sigurisht që Ilir Meta ka ndikuar si për mirë ashtu edhe për keq.

    Për gjëra që ne mund t’i kishim zgjidhur shumë kohë më parë, për shembull në marrëdhënie me sjelljet të individëve të caktuar me njerëzit. Meta ka kërkuar të verifikohet një shqetësim i caktuar dhe ka kërkuar kohë, teksa problemi është zgjidhur por me vonesë.

    Ka pasur edhe raste kur përfaqësues të LSI-së në institucione kanë mbajtur qëndrime të gabuara dhe ne kemi qenë kundër atyre qëndrimeve. Ka ndodhur ose për shkak të paaftësisë ose për shkak të neglizhencës.

    A mund të parashikoni një bashkim të PS-së me LSI-në në të ardhmen?

    Unë them që janë dy gjëra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ndryshojnë te njerëzit që përbëjnë këto dy forca. LSI-ja ka një forcë rinore të jashtëzakonshme, e cila ka një energji të pashtershme dhe besoj që është fat për politikën shqiptare, sepse janë me qindra e mijëra të rinj, të cilët e duan vendin e tyre. Nuk duan thjesht LSI-në, por duan vendin e tyre.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Monika Kryemadhi: Burri mu bë president, Partinë LSI e drejtoj unë!

    Slogani juaj eshte me i miri shoqja Kryemadhi: Me parate e korrupsionit qe u vjedhim shqiptareve, te hane buke te gjithe ata votojne per ne! Sa do ta blejme voten ne zgjedhjet e ardhshme, me nje thes me miell apo me nje thes me patate apo me nje pune te mire si argat ne parcelat e hashashit?

    Albo

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Monika Kryemadhi: Burri mu bë president, Partinë LSI e drejtoj unë!

    Moj Monika Kryemadhja,

    Po sikur nuk shkon kjo pune qe po ben ti. Ta lesh burrin vetem ne presidence, e te dalesh e besh fushate ne zgjedhje. Do fillojne te flasin gojet e liga qe e ndau burrin Monika. Se na duhet jo vetem nje president, na duhet edhe nje grua per ate president te shkrete. Po nuk te pelqen qe te behesh gruaja e presidentit, gjej ndonje nga ato zockat e vogla qe Meta beri deputete, dhe verja si sekretare ne presidence, qe te mos ta leme presidentin pa grua fare...

    Albo

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •