Postuar më: 11 April 2017 09:47
Nga Pirro Prifti*
Në përplasjen konfliktuale dhe aspak normale të akuzave të opozitës të ngujuar në çadër prej disa javësh, krahas akuzave jo bindëse dhe retorikës aspak normale të kryetarit aktual të opozitës, po del në pah tendenca e radikalizimit të zgjidhjeve sa më shumë afron data e zgjedhjeve, e caktuar nga Presidenti i vendit-18 Qershori.
Kjo përplasje e madhe midis Mazhorancës qeverisëse dhe krerëve të Opozitës së sotme i ngjan fabulës së konfliktit të ujkut me gomarin. Gomari pëlliste dhe i thoshte ujkut se bari që hante nuk ishte i gjelbër por ngjyrë kafe dhe ujku i habitur nga ato që dëgjonte, e kundërshtonte dhe i thoshte: jo o gomar, bari është i gjelbër. Kaloi disa kohë me këtë grindje dhe konflikti u acarua aq shumë sa ujku e hodhi në gjyq gomarin. Në gjyq, kryetar i trupës gjykuese ishte luani. Pasi dëgjoi ankesat dhe akuzat e të dy palëve në të cilat gomari insistonte se bari ishte ngjyrë kafe ndërsa ujku insistonte se bari ishte ngjyrë të gjelbër, pasi mblodhi kolegët me në fund dha verdiktin: Ujku 1 vit burg sepse grindet me gomarin të cilin e njohin të gjithë se është gomar dhe si i tillë nuk duhet bërë debat me të. Ujku u ankimua por luani iu përgjigj, – fajtor je ti që diskuton me gomarin për këto problem, sepse a diskutohet me gomarin? A nuk e dimë që të gjithë që bari është i gjelbër?
Arsyet se një votëbesim i qeverisë mund të mbyllë një debat të panevojshëm nëse partitë duhet apo jo të marrin pjesë në zgjedhje, dhe se protesta opozitare e çadrës nuk është aspak e domosdoshme për Shqipërinë, konsiston në faktin se Parlamenti është ai institucion në të cilin bëhen dhe realizohen debatet dhe opsionet e ndryshme për projekt-vendimet, propozimet dhe argumentet pro apo kundër qeverisjes.
Problemet të cilat u diskutuan në të tria panelet e mediave televizive para disa ditësh, argumentonin tezën e gomarit, nëse opozita nuk merr pjesë ç’do të bëhet?; dhe së dyti nëse nuk pranohet qeveri teknike ç’do të bëhet? Të dyja tezat e ngritura nga moderatorët e televizioneve përkatëse janë të pabazuara në ligj e për pasojë nuk mund të insistohet në diçka antiligjore për të zgjidhur një problem ligjor.
Radikalizimi i ideve për të gjetur zgjidhjen sipas dëshirës së minorancës, jo vetëm nuk i shërben Shqipërisë dhe popullit shqiptar, por vepron në të kundërt, shton mosbesimin ndaj Opozitës dhe hedh hije të rënda dyshimi se disa drejtues të opozitës ngulin këmbë për shkak se u preken interesat personalë se sa preken interesat e popullit.
Një argument tjetër që po përforcohet gjithmonë e më shumë, është ideja se opozita e sotme, ka përmbushur rolin e vet në kalimin nga një Shqipëri diktatoriale në një Shqipëri demokratike dhe nuk ka ç`të japë më për të ardhmen, pra në fakt është duke mbyllur një cikël çerek shekullor. Për pasojë mos marrja pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit do të përfundonte zyrtarisht ciklin duke hapur horizonte për një cikël të ri betejash opozitare: integrimin në BE, nxjerrjen para përgjegjësisë të shkaktarëve të ‘97, ‘98, Gërdecin, 21 janarin, vjedhësit e floririt të thesarit të shtetit, dëmtuesit e ekonomisë nëpërmjet tenderimeve me shuma të mëdha, si dhe përgatitjen e Programeve serioze me anë të të cilave opozita mund të vijë përsëri në pushtet.
Një pyetje e rëndësishme mbetet: çfarë problemi ka me anëtaren bashkëqeverisëse të Koalicionit, e cila po luan me dy karrige, njëlloj si në fillimet parazgjedhore të 2013-s?
A ka të drejtë LSI të kritikojë, të hedhë mocion mosbesimi apo dhe besimi, ndaj qeverisjes ku ajo merr vetë pjesë?
Pyetja e dytë është, A ka të drejtë ajo të thotë: ne do të marrim pjesë në koalicionin e së majtës por nuk mund të marrim pjesë në zgjedhje nëse Opozita nuk merr pjesë?
Dhe pyetja e tretë e cila del nga deduksionet e mia është: a duhet të bashkëqeverisë dhe të qëndrojë më në pushtet LSI, e cila është prej 10 vitesh në pushtet me dy Koalicione diametralisht të kundërta për sa iu përket opsioneve të drejtimit të Shqipërisë, të cilat kanë programe dhe vizione të kundërta për Shqipërinë?
Këto pyetje të rëndësishme për një partner koalicioni mund të marrin përgjigje nëse ofrohet ky opsion, i cili ka dhe titullin e shkrimit.
Sipas Argumentimit logjik të fakteve dhe të historisë së politikës shqiptare që nga 2013 e më sot, Opozita edhe sot e kësaj dite nuk ka bërë një reflektim serioz për ato që ka menaxhuar gjatë tetë viteve kur ishte në pushtet, dhe për pasojë, nuk i pëlqen as Vettingu, dhe as e ardhmja e saj në zgjedhjet e 18 qershorit sepse me sa duket problemet me të cilat ajo i përdor në Protestën e çadrës janë probleme të cilat i ka brenda vetë partisë së saj:
– mungesën e transparencës së qeverisjes gjatë tetë viteve;
– mungesën e dëshirës për të paraqitur se kush janë shkaktarët e dështimit;
– mungesën e dëshirës për të vënë para përgjegjësisë autorët e Korrupsionit masiv dhe të shkelësve të ligjshmërisë;
– pa mundësinë për të ristrukturuar Partinë me elementë të rinj me perspektivë, pamundësinë për të bërë një Program të ri elektoral.
Të katërta këto elemente kanë krijuar një frikë ndaj Vettingut, dhe zgjidhja është gjetur ajo më e lehta `sulmo që të mbrohesh`, dhe `përça kundërshtarin- që të sundosh`.
Me sa duket kjo zgjidhje nuk është përherë fitimtare kur ke përballë një Parti që është mandatuar me votën e popullit, por më tepër është një qeverisje që përkrahet nga BE dhe SHBA, për sa iu përket masave që janë marrë e po merren me reformimin e vendit, luftën kundër Kanabisit; për të realizuar Vettingun dhe për të integruar Shqipërinë.
Së fundmi, del pyetja e shumëpritur: Atëherë përse kërkon një votëbesim të qeverisë dhe qeverisjes?
Mendoj se një votëbesim i qeverisë me ata anëtarë që ka Parlamenti do të asgjësonin gjithë retorikën armiqësore dhe kontrapedale të një udhëheqësi opozitar, i cili akuzon, artikulon radikalizëm, të cilat i shpreh thjesht për interesat e vetë personalë e jo për interesat- as të elektoratit që ai përfaqëson, dhe as të Sovranit.
Më 18 qershor, Sovrani do të votojë Partitë dhe jo Partitë do të votojnë Sovranin.
Cila Parti do të ofertojë Programe, Projekte, dhe njerëzit më të mirë, atë Parti do të votojë Sovrani dhe ajo Parti do të fitojë.
‘Asnjë gjë të ligë- çdo gjë me ligjë’ (Lumi i Vdekur- Jakov Xoxa).
Krijoni Kontakt