Prokuroria e Korçës zbardh detajet e një sherri për trafik droge në fshatin Braçanj të Devollit, mbrëmjen e së shtunës. Sipas prokurorisë, nga të dhënat e para rezulton se viktima Zarif Alliu dhe i dëmtuari Mendar Burnazi transportonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër në zonën e rrethit të Devollit.




Nga marrja në pyetje e të dyshuarve të tjerë, prokuroria ka ndërtuar rrjedhën e ngjarjeve, sipas të cilave, më datë 18 mars, rreth orës 20.40, policia u njoftua nga banorët e zonës se në Braçanj janë lënduar tre persona, të cilët u kishin kërkuar ndihmë. Zarif Alliu, i cili humbi jetën më vonë në spital, Daniel Tole dhe Mendar Burnazi.

Tole ka rrëfyer në polici se i kishte gjetur shokët në këtë gjendje pranë varrezave të Braçanjit, pasi e kishin thirrur me telefon për ndihmë. Nga dëshmitë e shokëve, shënjestra ishte viktima Zarif Alliu që, sipas tyre, u rrah nga personat me sende të forta në duar që u kishin zënë pritë pranë varrezave.

Sipas tyre, Zarifi i kishte një detyrim të papaguar prej 12 mijë eurosh ndaj një personi që e quante Dajo, nga Shqipëria e mesme ose e veriut. Pas shoqërimit në polici të disa personave nga fshati Braçanj, Daniel Tole ka identifikuar një nga autorët e ngjarjes David Myrten, nga fshati Braçanj, me precedentë penale në Greqi për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Përveç 25-vjeçarit Myrte, është arrestuar edhe i plagsuri Mendar Burnazi, pasi është përpjekur të fshehë rrethanat e ngjarjes.

/ Top Channel