Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për luftën kundër drogës, korrupsionit e evazionit fiskal.

Në raportin që hartohet për të gjitha shtetet, Shqipëria paraqitet si një vend me probleme të theksuara të korrupsionit dhe kultivimit e trafikimit të drogës.

Sipas DASH, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave në Shqipëri përfitohen në mënyrë të paligjshme nga pastrimi i parave dhe nga droga. Kjo e fundit zë një vend të rëndësishëm në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke rënduar akoma më tej pozitën e Qeverisë që thotë se lufta ndaj trafikut të drogës është rritur.

Ky pretendim i Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri bie poshtë nga konkluzionet e DASH. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për kultivimin dhe shitjen e kanabisit, por edhe për drogëra më të forta siç janë kokaina dhe heroina. Vendi ynë është shndërruar në një pikë kyçe për grumbullimin e këtyre drogërave, për t’u trafikuar më pas në Evropën Perëndimore.

“Vendi vazhdon të jetë në rrezik të lartë për shkak të pastrimit të parave dhe korrupsionit të shfrenuar. Pjesa më e madhe e ekonomisë së Shqipërisë është informale, me prurje të mëdha të parave nga reminitancat. Të ardhura të konsiderueshme përfitohen edhe nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të mëdha të marijuanës, kryesisht në vendet evropiane, si dhe është vend tranzit për transportin e heroinës afgane dhe kokainës, duke shërbyer si portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Europën. Shqipëria shërben si qendër rajonale nga organizatat e krimit të organizuar. Të ardhurat e paligjshme pastrohen shumë lehtë”, thekson raporti i DASH, duke i kushtuar rëndësi trafikut të heroinës dhe kokainës, përveç kanabisit.

Po kështu, DASH flet edhe për korrupsionin në qeveri e institucione të tjera. Edhe pse janë miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, mbetet i ulët numri i procedimeve penale ndaj zyrtarëve si dhe referimet për rastet e pastrimit të parave.

Në raport janë bërë kritika edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke u bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë reformën në drejtësi në mënyrë që të luftojnë korrupsionin, krimin ekonomik dhe pastrimin e parave që vijnë nga aktivitetet e jashtëligjshme. /SYRI.net/

Emri:  IMG_7741.jpg

Shikime: 232

Madhësia:  33.4 KB
Emri:  IMG_7740.jpg

Shikime: 188

Madhësia:  41.4 KB