Emri:  1484037907athine.jpg

Shikime: 1000

Madhësia:  84.1 KB

Persona të armatosur qëlluan me kallashnikov kundër një autobusi të policisë jashtë zyrave të partisë opozitare greke PASOK në Athinë.

Akti i cilësuar si një sulm terrorist nga policia ndodhi rreth orës 06:18 të mëngjesit, vetëm pak minuta pas ndërrimit të rojeve jashtë zyrave të partisë politike greke, në rrugën “Harilao Trikupi”, në qendër të Athinës.

Një polic u qëllua me dy plumba dhe u dërgua në spitalin ushtarak të Athinës. Në vendngjarje u gjetën të paktën 13 gëzhoja kallashnikovi. Dëshmitarët në vendngjarje treguan se kanë dëgjuar disa të shtëna dhe në vazhdim panë një person për të cilin dyshohet se është edhe atentatori, që të largohet me vrap në brendësi të lagjes “Eksarkia”.

Policia e ndoqi autorin, por pa arritur ta ndalojë. Policia dyshon se sulmi është vepër e një celule të mbetur ende aktive pjesë e organizatave terroriste marksiste që operonin në Greqi.

Një ditë para këtij sulmi, ministri i Mbrojtjes deklaroi se në Greqi nuk ka asnjë organizatë terroriste aktive, pas arrestimit të terroristes së shumëkërkuar, Pola Rupa javën e kaluar.

Sulmi u dënua nga i gjithë spektri politik. Por partitë e opozitës akuzojnë qeverinë e Aleksis Tsipras se u ka lënë dorë të lirë ekstremistëve të majtë që kontrollojnë lagjen rebele “Eksarkia”, një zonë në qendër të kryeqytetit grek në të cilën nuk mund të hyjë asnjë polic me uniformë.



/ Top Channel