Autori i masakrës së mbrëmjes së Vitit të Ri në Stamboll është identifikuar nga autoritetet turke. Ishte ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, ai që njoftoi këtë zhvillim të rëndësishëm të hetimeve për gjetjen e autorit të sulmit, që përgjaku ndërrimin e viteve në qytetin më të madh të Turqisë, por pa e bërë publik emrin e të shumëkërkuarit e pa sqaruar kombësinë e tij.

Vala e arrestimeve në lidhje me ngjarjen tronditëse është zgjeruar, e në mesin e të prangosurve rezultojnë edhe 5 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik. Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”, të pestë këta persona janë ndaluar në provincën e Izmirit.

Ashtu siç ka ndodhur edhe me sulmet e kohëve të fundit në Europë, ISIS-i nxitoi ta merrte përgjegjësinë e gjakderdhjes në klubin luksoz të natës “Reina”. Përmes një postimi në “Twitter”, grupi xhihadist njoftoi se masakra ishte vepër e një luftëtari të kalifatit.

Videoja e realizuar nga vet i dyshuari në një treg të sheshit simbol të Stambollit, “Maksim”, të ndodhur shumë pranë “Reina”-s, është postuar fillimisht në faqen pro-ISIS të një platforme sociale, përpara se të shpërndahej pastaj nga mediet turke, çfarë i shtyn autoritetet të mendojnë se sulmuesi mund të ketë qenë pjesë e ndonjë rrjeti mbështetës apo të lidhur me xhihadistët e dhunshëm.

Shkaktari i tragjedisë besohet të jetë stërvitur në Siri dhe dukej mjaft i përgatitur për luftën guerrile. Ai qëlloi për vdekje një roje sigurie dhe një civil përpara klubit luksoz, përpara se të hynte brenda e të hapte zjarr pa dallim mbi njerëzit që festonin dhe, sipas të mbijetuarve, dukej mjaft i qetë e gjakftohtë në veprimet e tij.

Gazeta “Habertürk” shkruan se, me vete ai ka pasur një automatik të tipit “Kallashnikov”, e për të mos humbur kohë me ndërrimin e municionit ka përdorur dy tytat. Gjithsej kanë qenë 120 goditje, ndërsa nuk ka ngurruar të qëllojë përsëri edhe mbi të plagosurit e shtrirë në dysheme.

Shteti Islamik deklaroi të hënën se gjakderdhja e Stambollit ishte shpagim ndaj përfshirjes turke në Siri.

/ Top Channel