Nga Agron Gjekmarkaj
Të enjten, shumica politike e Edi Ramës vendosi përfundimisht të ndahet nga retorika e saj për transparencën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, duke shkelur ligjin që vetë ujdisën. Teksa ai, zoti Kryeministër “artist”, “estetizonte” krimin komunist, me një sërë nismash “artistike” gjatë këtyre tri viteve, më e fundit ditën e shtunë me bunkerin e ri, retorika paskësh qenë e ngrata, një tjetër përpjekje “estetizuese”, kësaj radhe duke përdorur viktimat. Me një arrogancë që tashmë ka krijuar traditën e vet të komunikimit i mohoi opozitës të drejtën e përfaqësimit në komisionin që do ta menaxhojë këtë proces, duke e deligjitimuar atë qëllimshëm dhe shndërruar dosjet në pronë qeveritare. Konsensusi mund të ishte karta morale e kësaj nisme.
Së pari, duhet thënë se këtij ligji i mungon një “perpetum mobile”, një paragraf themelor, më i dëshiruari i paragrafëve. Ai që pozicionohet pa urrejtje, por me sens drejtësie ndaj krejt hierarkisë së pushtetit të diktaturës, strukturës së Sigurimit, punëtorëve të tij, si akt ky reflektimi. Mbi ta nuk rëndon asnjë akuzë për t’u prishur pleqërinë apo “ndotur” biografinë fëmijëve dhe nipërve. Duhet thënë se në vitin ‘91 e deri nga gjysma e asaj dekade, shumë syresh të vetëdijshëm për tmerret që kishin kryer u fshehën skutave, disa ikën në emigracion për t’i shpëtuar një gjykimi hipotetik.
Në vitin 1997 u rikthyen vrullshëm, duke sfiduar Perëndinë, njeriun dhe ligjin. Bashkim Shehu, djali i Mehmet Shehut, diku në kujtimet e veta shkruan se i ati e porosiste shpesh të mos vërtitej natën rrugëve të Tiranës në zenitin e kohës së vet “sepse kemi vrarë e burgosur shumë njerëz e ndonjë i afërt i tyre mund të hakmerret”. Tanimë kjo pjesë është historia, ndaj së cilës vijon manipulimi. Më së shumti, ligji aktual merret me bashkëpunëtorët e Sigurimit, një shtresë kjo e treta për nga rëndësia.
Mbi ta bie e gjithë fatura e diktaturës. Kësaj ushtrie, që me zhargonin e përditshëm i thërrasim spiunë, nuk kemi ndonjë arsye t’i njohim “nderin e armëve”, por as t’i gjykojmë më rëndë se vetë Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Spiro Kolekën, Byronë politike, Komitetin Qendror, drejtorin dhe drejtorët e Sigurimit, kryetarët e Degëve, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët, këta përdhunues të individit dhe lirisë së tij, të cilët mbanin gjallë mekanizmin e tiranisë shqiptare.
Për këtë kotillë vrasësish duhej një gjykim sa penal, aq moral. Një shkrimtar italian, pak javë më parë në Tiranë, tha se “në fillim pakica vendosi diktaturën e vet mbi shumicën, por gradualisht ajo u shndërrua në shumicë bashkëpunuese kundër pakicës”. Kjo shpjegon arsyen pse këto procese në vendin tonë nuk funksionuan.
* * *
Meqenëse “transparenca” është feja e re pas katolicizmit e shefit të ekzekutivit, nuk ka praktikisht asnjë pengesë që të publikohen të gjithë punonjësit e Sigurimit të Shtetit me pagesë e bashkë me ta ata që punuan “falas”. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush ka punuar në atë “institucion” kriminal. Ata gjithashtu duhet të dinë sa prej tyre, funksionarëve të dikurshëm që vijnë prej aty, punojnë ende në Policinë e Shtetit, në Ushtri, në Prokurori dhe gjykata, në “Avokatin e Popullit” (ku paradoksalisht) mbrojnë të drejtat e njeriut, në universitet dhe botën akademike.
Kemi të drejtë të njohim gjithë atë “makineri” aktive që ka funksionuar pranë çdo bashkëpunëtori të Sigurimit. Kështu kemi elementë të mjaftueshëm për të gjykuar dy palët, “akcixhinjët” dhe “hyzmeqarët”. Po kaq grishës do të ishte një hulumtim shkencor për të ndjekur trajektoren e gjithsecilit sysh në politikë, ekonomi, diplomaci etj. Reforma e re e Drejtësisë nuk e pat këtë merak, që me Vetingun e saj t’i pengonte për të mbetur pjesë e sistemit “të pastër” që po presim.
Me simfoninë e atyre që thonë “ashtu ishte koha e mos na gjykoni pse bashkëpunuam”, nuk mund të bashkohem! Së paku, le të bëjmë dallimin me qëndrimin tonë, duke nderuar të gjithë ata që nuk u thyen, që nuk u dhanë, që refuzuan pa pranuar që të shndërrohen në të keqen e tjetrit, pavarësisht çmimit që paguan, duke këqyrur gjithashtu me lupën e dyshimit çdo dokument të serviruar nga arkivat e diktaturës. Ngritja morale fillon duke pasur ata si model e si shembull.
Të tjerët, rast pas rasti, duhen konsideruar sipas hallit, qejfit e rrethanave. Shpesh letrat e arkivave janë produkte të dhunës, gënjeshtrës dhe propagandës. Një sistemi që rrenën e kishte libër të shenjtë, nuk kemi pse i blatojmë besim të pakushtëzuar për trashëgiminë që na la. Kjo do të ishte një mënyrë për të legjitimuar krimet dhe banalitetin e tij, një mundësi rehabilitimi për mendjet dhe punëtorët e së keqes.
* * *
Personalisht kam parë me interes çdo nismë qysh në krye të herës në raport me këtë temë, duke mbetur përgjithësisht i zhgënjyer. Me gjithë mangësitë e mëdha që paraqet ligji aktual, gjithsesi mund të konsiderohej më mirë se asgjë, qoftë edhe si përpjekje e pjesshme mbi një realitet të pjesshëm. Vetëm hapja totale e dosjeve eliminon do ta qetësonte mikromjedisin tonë dhe pse jo do të shndërronte më në fund në njerëz të lirë vetë bashkëpunëtorët. Por të enjten, maxhoranca përsëriti të njëjtën pjesë teatrale që tenton mistifikim dhe jo të vërtetën.
Ajo thjesht caktoi aty disa “kukulla” të vetat për të kryer një punë të pisët me urdhër. Ky është komision i denjë për Partinë e Punës së Shqipërisë dhe jo për një vend demokratik. Mund t’ia besonin Zylyftar Ramizit ose Aranit Çelës, pse jo dhe na e kursenin kinse fjalorin demokratik! Keqardhje shkakton prania e Simon Mirakës në këtë farsë sepse janë me qindra vitet e persekutimit, që ai dhe fisi i tij mbajnë mbi shpinë. Mbiemri Miraka, nuk ka qenë kurrë fasadë dhe s’ka arsye të bëhet tani. Në këtë mënyrë, si u mbyll edhe kjo pjesë e serialit, mund të themi të pabrejtur nga frika se për të disatën herë u vra shpresa për hapjen e vonuar të dosjeve.
Edi Rama s’ka asnjë interes ta bëjë këtë, ka interes ta përdorë ashtu siç e la gjurmën në Parlament. Atij i duhet zhurma rreth tyre dhe jo lënda që përmbajnë. Zotërisë i duhen njerëz që t’i komandojë me telefon si kudo tjetër. Kjo ngjarje e sapokrijuar po merr formën e një fushate dhe jo të një procesi legal. Një trajtim i tillë Kryeministrit i shërben si propagandë për të tërhequr në rrjetën e vet kundërshtimin e ligjshëm të opozitës, mosnjohjen e saj të këtij komisioni dhe procesi për t’i rreshtuar ata kundër hapjes së dosjeve, nëpërmjet një operacioni mediatik, që do të përpiqet ta nxjerrë atë si të lidhur me të kaluarën.
Punë e vështirë ngjan boll! E kaluara është ende afër për ta harruar për t’ia lënë te dera forcërisht ndokujt. Kjo nismë duket e rreme edhe në një plan tjetër. Kjo është një qeveri, brenda së cilës rrinë disa pinjoj të ardhur nga rrethinat e “Bllokut”. Ata e dënojnë diktaturën sikur flasin për kometën “Hallej”, por secili veç e veç shpreh krenari për prindërit dhe gjyshërit, tezet e hallat. Ndokush mburret se i patën partizanë, por nuk turpërohen për dekadat që ata u shndërruan në kriminelë. Gjithsesi, kjo opozitë, e cila për 13 vite ka qeverisur Shqipërinë, ka përgjegjësi për mosmbylljen e kësaj “plage”, siç ka ndodhur në vendet e tjera të Lindjes ish-komuniste. Për shumë vjet disa shtresa sociale e pritën këtë nga PD-ja.
Ky formacion ka bërë disa tentativa, ligji i vitit 1996 ishte më seriozi të cilin e denatyruan ngjarjet e ‘97-s e më pas. Në vitet 1992-1996 pritej një ndarje e vërtetë nga e kaluara, pritej katarsis dhe dekomunistizim, nuk mund të pohojmë se ajo gjë ndodhi. Iniciativat e PD-së rezultuan të pamjaftueshme e ndonjëherë folklorike, ndonëse edhe rezistenca e PPSH-së e transformuar në PSSH, në aleancë me disa shtresa bashkëpunuese të shoqërisë ishte e madhe. Kjo nuk e justifikon një forcë që lindi si antidot i diktaturës, që gjatë mandatit 2009-2013 të emëronte në postet e larta të drejtësisë personazhe që i kishin shërbyer me devocion “drejtësisë” së regjimit punist. Po ashtu, nëse i kthehemi ligjit të lustracionit të vitit 2010, mund të konstatojmë se si në këtë vend mund të operohet me dy standarde. Ky ligj nuk ishte më i ashpër se Vetingu aktual, për të cilin Kushtetuesja e gjuan sa andej-këndej si patate të nxehtë.
* * *
Tani jemi në një moment paradoksal, kur dosjet e vjetra thirren në skenë për të dubluar dosjet e reja të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Kjo thirrje bëhet në mënyrë tejet meskine si spostim vëmendjeje, si zhurmë, si tallava, pa merakun e zbulimit të së vërtetave të rënda që mundojnë ndërgjegjen e këtij populli. Zukamat e saj nuk mbulojnë varfërinë, koncesionet, korrupsionin, kanabisin, ikjet masive, krijimin e madje as salcën. Për respekt ndaj opinionit publik, një gjë mund të thuhet me siguri, “bijtë e diktaturës” nuk mund të jenë shëlbyesit e demokracisë në rrafshin etik. Kjo është vrasje e etikës. Ata duhet të kërkojnë nominalisht falje.
Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët e veta me kandilin e arsyes dhe së drejtës. Por a është kjo rruga? A janë këtë kandilmbajtësit? Komisioni i sotëm të kujton ato të viteve ‘45-‘46, që tatonin tregtarët dhe kulakët. Ai i ngjan një dajreje në duart e Edi Ramës, së cilës i bie kur t’i duhet për të trembur tek-tuk ndonjë qyqar, por më tepër për të mbajtur në alarm timpanin e shoqërisë, për të mos i lënë kohë asaj të bëjë pyetje për dështimet e kësaj “organizate”. Nëse Rama dëshironte hapjen e dosjeve duhej të pranonte një komision, ku të gjitha palët të kishin të garantuar aksesin dhe për këtë duhej të punonte me logjikën e përfshirjes dhe jo të përjashtimit.
Pse i druhet ai përfaqësuesit të opozitës, vetë ligjit të tij? Para se të fillojë këtë “përpjekje purifikuese” me dosjet, Edi Rama ka detyrimin moral të shprehet se çfarë mendon për firmën e të atit për mosfaljen e jetës së poetit disident Havzi Nela. E pohon, e mohon, e gjykon, e justifikon?! Edi Rama s’ka asnjë faj për çfarë ka bërë i ati apo të tjerët, por sot, me petkat e Kryeministrit të Shqipërisë veshur, që të jetë i besueshëm në këtë operacion për të rikthyer të vërtetën mes nesh, duhet ta fillojë aty ku e ka provën publike më në sy, domethënë nga shtëpia e vet. Pas kësaj, mbase do të merrej më seriozisht. Nëse ajo firmë nuk do të ishte vënë, s’e di pse por do të kishim një motiv më tepër për t’i besuar Kryeministrit tonë.
Ajo çka ndodhi në Parlament me këtë sagë na thotë se Oficina, arsenali i veglave të tiranisë, do të mbrohen gjatë. Për ta po hapet një ankand i ri shërbimesh. Drejtuesi i këtij ankandi, ai që i bie çekiçit, është Edi Rama. Në bazë të shërbimeve ndaj tij njerëzit mund të ndahen në të “pastër”, ose të “pisët”. Certifikatat për këto cilësi pritet t’i shpërndajë “Komisioni i partisë”. Të enjten u lëshua thirrja spiunë të të gjithë Shqipërisë rreshtohuni përkrah Edi Ramës.