Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    INVESTIGIMI/ Historia sekrete e aferës ARMO dhe një tragjedi e paralajmëruar

    Më datë 4 nëntor kryeministri Edi Rama dhe ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, zbarkuan në Rafinerinë e Ballshit “Armo” dhe me pompozitet, inaguruan fillimin e punimeve pas marrjes së kësaj pasurie nga pronarë të rinj, prapa të cilëve qëndron sponsori dhe miku i tij i ngushtë biznesmeni Besnik Sulaj.

    Vetëm 6 ditë më vonë pas nisjes së punës në këtë biznes, të akuzuar nga media dhe opozita si një aferë e madhe korruptive ndodhi tragjedia, si pasojë e të cilës kanë mbetur një punonjës i vdekur, dhe 11 të plagosur, mes të cilëve katër në gjendje të rëndë.

    Kjo ngjarje e rëndë, mund të thuhet me plot gojë, se ishte e paralajmëruar. Sipas të dhënave që vijnë deri tani, mësohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të amortizimit të uzinës dhe kushteve skandaloze teknike. ARMO, që nga dita që qeveria Rama ja dha në përdorim kompanisë pas së cilës është Besnik Sulaj kishte më shumë se 6 muaj që nuk ishte vënë në funksionim. Edhe më herët punonjësit e saj dhe kryetari i bashkisë së Mallakastrës ishin ankuar, se amortizimi dhe kushtet skandaloze teknike përbënin rrezik për punonjësit e saj.

    Syri. net në disa shkrime ka denoncuar marrëveshjen sekrete të qeverisë me pronarët e rinj të ARMO, duke i mëshuar faktit se ajo asnjëherë nuk është bërë transparente. Nuk dihet asgjë se me çfarë kushtesh e kanë marrë pronarët e rinj në shfrytëzim, sa do të investohet, a do të ndërhyhet për të përmirësuar teknologjinë dhe eliminuar amortizimin e gjithë sistemit prodhues dhe përpunues në uzinë.

    Ajo që dihet deri më tani është nxitimi i kryeministrit dhe pronarëve të rinj, për ta futur sa më shpejt në punë. E gjitha kjo, me alibinë e zgjidhjes së problem sociale dhe të punësimit të naftëtarëve.

    “Megjithëse ky është një biznes privat, ne nuk mund të mbyllnim sytë ndaj një problemi të madh social. Kjo është detyra jonë dhe e kryeministrit Edi Rama që është investuar personalisht që rafinerisë të mos i mungojë nafta. Vetëm biznesi që është rreth kësaj rafinerie, zinxhiri që nga furnizimi dhe pjesa tjetër prodhimi janë disa qindra milionë dollarë që janë pjesë e ekonomisë shqiptare”, deklaroi krenarist ministri Gjiknuri, në datën 4 nëntor.

    Ajo që bie në sy në fjalët e tij është evidentimi i rolit personal të Edi Ramës në këtë biznes; kryeministrit Edi Rama është investuar personalisht që rafinerisë të mos i mungojë nafta.

    Pra Rama ka menduar dhe është investuar që pronarëve të rinj të mos u mungojë lënda e parë nga e cila do të vijnë fitime të mëdha, por se në çfarë kushtesh do të funksionojë ky biznes nuk thuhet asgjë.

    Kreu i opozitës Basha pas vizitës te të plagosurit pas ngjarjes së rëndë, deklaroi se janë është menduar, për nisjen e një hetimi parlamentar, për aferën e kryeministrit me “ARMO”. Ndoshta duhet ta kishin bërë më herët këtë gjë, përpara se uzina të niste punë me shpejtësi, pa asnjë kolaudim dhe investim, sepse denoncimet mediatike, nga punonjësit dhe pushteti lokal kanë qenë të shumta dhe ndoshta tragjedia e mbrëmshme, mund të ishte shmangur.

    Gjithsesi ky Komision Hetimor pas kësaj që ndodhi duhet të përshpejtohet, sepse ka gjasa që pas aferës “Armo” të zbulohet një lojë e madhe korruptive, qindra milion euro.

    Le ta rikujtojmë edhe njëherë historinë e re sekrete të ARMO.

    Pronarja e re e saj, përzgjedhur pa asnjë lloj konkurrimi dhe transparence nga qeveria Rama është Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC), një kompani internacionale pas së cilë qëndron biznesmeni Besnik Sula. Ajo e ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, e cila prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga, pa asnjë plan investimi të deklaruar.

    Që në fillim të kësaj afere ku është përfshirë personalisht Edi Rama nisën dyshimet, pasi asgjë nuk u bë transparente. Madje edhe lajmi për këtë marrëveshje u mësua më datën 1 shtator, jo nga qeveria, as nga kompania e sapokrijuar përfituese, por nga prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum.

    Kjo e fundit kishte hyrë në një pazar të leverdishëm me qeverinë me këtë rast, prandaj edhe pas mbylljes së tij nëpërmjet në një deklarate për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me pronarët e rinj të ARMO, në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhej efektive dhe në fakt tashmë është bërë, vetëm pasi Bankers të kishte disa përfitime nga qeveria Rama mes të cilave dhënien edhe të disa zona të tjera naftëmbajtëse për shpim, si dhe pas respektimit një marrëveshje me Albpetrol, për tërheqjen e pjesës së prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përkiste po Albpetrol.

    Pra pas plotësimit të kushteve që kërkoi Bankers nga qeveria, ARMO-s me pronarë të rij do ti mundësohej një furnizim i madh me naftë bruto.

    Pasi u kopsitën të gjitha këto, pra lënda e parë dhe sigurimi i shitjeve të prodhimit me garant kryeministrin, puna nisi urgjentisht me bekimin dhe prezencën në inagurim të vetë Ramës.

    Në çfarë kushtesh nisi ky aktivitet vërtet shumë fitim prurës, por edhe shumë specifik dhe i rrezikshëm për punonjësit, nëse teknologjia dhe kushtet teknike të uzinës nuk janë të paktën në parametra normal?

    Nisi në një uzinë tejet të amortizuar, ku nuk është investuar prej shumë e shumë vitesh, e cila vetëm është shfrytëzuar. Kryeministri dhe ministri i Energjitikës më datë 4 shtator, gjëja më minimale që duhej të bënin gjatë inagurimit të biznesit qindra milion euro, duhet të ishte një vizitë në repartet e saj, ku edhe do të konstatonin vetëm me sy të lirë amortizimin skandaloz.

    Por “lepuri” fle diku tjetër!

    Nuk bëhet fjalë për një projekt serioz të qeverisë për rehabilitimin, qoftë edhe nëpërmjet privatit të një prej pasurive më të çmuara të vendit, por për një shfrytëzim maksimal dhe të shpejtë nga klientët e oborrit të ngushtë të Edi Ramës.

    Ja çfarë ndodh. IRTC, ky krijim misterioz i Besnik Sulës, është një kompani me një kapital aksionerë prej vetëm 35 mijë dollarësh dhe tashmë ka në përdorim rafinerinë e ARMO-s në Ballsh, nga e cila priten të gjenerohen deri në fund të vitit tjetër, qindra milion euro fitim. Ajo është e regjistruar në një vend offshore, ishujt Vixhinia dhe përfaqësuesit e saj sipas shtypit në SHBA, më parë kanë mashtruar edhe vetë qeverinë amerikane.

    “ Ne kemi mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur disa çështje të komplikuara që kanë mbetur dhe për të rivënë në jetë uzinën”, është shprehur në të vetmen deklaratë për mediat Harry Seargent, përfaqësues i kompanisë që po administron ARMO-n.

    Cilat janë këto “çështje të komplikuara”, për të cilat kompania me buxhetin e një minimarketi ka mbështetjen e qeverisë Rama?

    Zhdukja e borxheve marramendëse që ka grumbulluar Armo ndaj taksapaguesve shqiptarë dhe të tretëve, apo shfrytëzimi i një uzine teje fitimprurëse, pa hedhur asnjë kokërr leku si investim?

    Por ajo që është më kryesorja në këtë aferë të dyshimtë është fakti, se në dorë të kujt është lënë nga Rama kjo pasuri publike.

    Kompania me kapital qesharak, ka edhe një këshill drejtues të përfaqësuar nga tre persona.

    IRTC menjëherë pas formimit këtë vit ka zgjedhur në krye të saj një shtetas dominikan të lindur në Jordani, i cili është edhe kryetar i Këshillit Drejtues të saj. Në statut, kompania kujdeset të shpjegojë se në aktivitetin e saj nuk e përjashton mundësinë e dhënies dhe marrjes me qira të pasurive të paluajtshme, edhe pse qëllimi kryesor është rafinimi i lëndëve hidrokarbure. Kjo pjesë e rëndësishme e statutit, vendos një pikëpyetje të madhe për qëllimin e vërtetë të investitorëve të rinj, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e dhënies në përdorim të aseteve për të cilat nuk kanë paguar asnjë qindarkë.

    Është edhe kjo një nga ato “çështje të koklavitura”, për të cilën kompania ka marrë mbështetjen e Ramës siç edhe e pranon pronari-kukull, Harry Seargent?

    Por në të gjithë këtë histori, “sekreti” më skandaloz dhe që shpjegon edhe tragjedinë e ndodhur natën e 10 shtatorit është ai që vetë Bankers Petrolium ka bërë publik; marrëveshja me pronarët e rinj të ARMO për tU shitur lëndën që nxjerr nga nëntoka shqiptare, zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm!!

    Duket hapur se në fazën e parë të kësaj afere Rama-Sulaj, kemi të bëjmë me një plan për shfrytëzim të shpejtë për një vit të kësaj pasurie publike, natyrisht me fitim maksimal pa bërë asnjë investim.

    Një ditë pas tragjedisë, ministrat e Ramës e drejtuan sërish gishtin e përgjegjësisë jo nga vetvetja, por te të gjithë ata që kërkojnë shpjegim për atë që po ndodh me ARMO.

    As atëherë dhe as sot, nuk jepet asnjë informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuake ka hyrë kjo kompani e re e Besnik Sulës me rafinerinë ARMO, ka plan investimi apo jo, a janë të siguruar punonjësit, cilat janë kushtet teknike të punës pas rifillimit… asgjë, terr plotë.

    Është e vërtetë që Rafineria ARMO, ka qenë një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, kreditori më i madh i keq në banka dhe me një mal detyrimesh ndaj shtetit dhe të tretëve (595 milion euro në total) dhe qeveria duhej me patjetër të ndërhynte, qoftë edhe me partneritet publik-privat siç preferon.

    Por për flakët dhe tymin që i dolën mbrëmë këtij “partneriteti”, me jetë të fikura e të përçudnuara, dikush duket të përgjigjet.

    Nga kush dhe pse u lejua nisja e punës urgjentisht dhe me kapacitet të plotë në një uzinë rrangallë? Nëse Besnik Sula dhe “pronari” i tij jordanez me nënshtetësi dominikane, ndoshta i kanë fshehur mirë gjurmët në offshoren Virxhina, Rama dhe Gjiknuri duhet të flasin dhe të japin llogari; jo thjesht për ngjarjen e rëndë, por për gjithë gjellën “Armo” që binte erë të rëndë që kur nisi të gatuhej në fshehtësi.

    Syri.net/
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  2. #2
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: INVESTIGIMI/ Historia sekrete e aferës ARMO dhe një tragjedi e paralajmëruar

    Shpërthimi në Ballsh/ Rama një javë më parë: E rilindëm rafinerinë (video)

    Rafineria e Ballshit kishte një javë që ishte rivënë në punë pas dështimit të privatizimit të parë. Për të trumbetuar këtë sukses, një javë më parë (4 nëntor) në Ballsh ishte Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i EnergjisëDamian Gjiknuri.

    Përpara naftëtarëve Rama do të shprehej:

    “Kjo rafineri ka një histori të dhimbshme, një privatizim të dështuar, një faliment të një kompanie private dhe lënia jashtë çdo lloj interesi, jashtë çdo lloj vëmendjeje të të gjithë njerëzve, të cilët e kishin lidhur fatin me këtë rafineri. Një nga sfidat që kishim si qeveri ishte rivënia në punë e përpunimit të naftës në vend, për arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha për punësimin e njerëzve dhe për ta mbajtur këtë aset strategjik që edhe Shqipëria, si shumë vende të tjera që kanë naftë, të ketë mundësi të prodhojë naftë”.
    https://m.youtube.com/watch?v=_bq_PL...ZP6fzGeH1c1ZnQ
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •