Deri tri vite më parë, Magbule Novosella nuk e kishte menduar se do të bëhej me diplomë.

Por tash, si 60 vjeçare ajo është një psikologe e diplomuar.

Novosella është një rast i rrallë dhe shumë inspirues për të gjithë ata që janë në mëdyshje të marrin vendimin për t’u përcaktuar në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt realizimit të ëndrrave të tyre.

Ajo nuk pati rast të realizoj ëndrrën e saj të studimit të Psikologjisë në moshë më të hershme për arsye të ndryshme.

Fakti që në atë kohë në Kosovë nuk ekzistonte Psikologjia si degë studimi, ia kishte pamundësuar që të studionte pasi i duhej të shkonte në Beograd apo Sarajevë që të marrë një diplomë në këtë degë.

Kjo ishte e pamundur në kohën kur Novosella kishte ambicie studimi.

Mirëpo, tani që kjo degë e studimeve i është ofruar në Kolegjin AAB në Prishtinë, Novosella, nuk deshi të humbiste rastin që të realizonte ëndrrën e saj të kamotshme, raporton Insajderi.

Kësisoj, në moshën 57 vjeçare, ajo filloi ndjekjen e ligjëratave të para si studente e rregullt në AAB.

“Ishte vendim paksa i vështirë që në këtë moshë të bashkëngjitëm në një grup shumë të rinj të studentëve, mirëpo, afërsia e tyre më ka ndihmuar shumë në përkrahje të vendimeve të mija. Gjithashtu, i jam shumë mirënjohëse familjarëve dhe profesorëve për përkrahjen e pandalshme”, thotë Novosella.

Duke qenë adhuruese e librit dhe shkrimit, nuk ishte dhe aq e vështirë për të që t’i kthehej studimit të rregullt.magbule-copy

“Gjatë jetës jam marrë me probleme psikologjike dhe kam dashur t’ju ndihmoj të afërmve në zgjidhjen e problemeve. Kam qenë gjithmonë e gatshme për këshillime. Dhe, më dukej se kisha një aftësi më të veçantë në këtë aspekt”, thotë ajo.

Novosella nuk e fsheh lumturinë për hapin e marrë.

“Jam shumë e lumtur për hapin që kam marrë. Nuk i kam përfunduar studimet për të siguruar ndonjë vend të punës. Arsyeja e vetme është kënaqësia që kam marrë nga realizimi i ëndrrës sime. Përveç kësaj, kam krijuar shoqëri të re”, thotë ajo.

Madje e diplomuara në psikologji në moshën 60 vjeçare ka edhe një mesazh:Pavarësisht nga mosha apo pengesa të tjera në jetë, asnjëherë të mos dorëzohemi apo frikohemi që të realizojmë ëndrrat.

“Me përkushtim arrihet çdo gjë!”, thotë ajo. / Insajderi.com