Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Nishani apo Rama? Kush ka të drejtë?

    Nga Blendi Fevziu

    Vendimi i Presidentit të Republikës për të dekoruar 67 shqiptarë të pafajshëm, të vrarë padrejtësisht dhe të nëpërkëmbur për më shumë se 73 vjet ka rihapur edhe një herë një debat të nxehtë në vend. Atë që lidhet më luftën e dytë botërore dhe me rreshtimin e shqiptarëve në formacionet politike të saj. Për fatin tonë të keq, debati nis si gjithnjë nga personat më pak kompetentë dhe në vend të historisë i referohet filmave të kinostudios “Shqipëria e Re” dhe imazheve të socrealizmit. Pa dashur të hyjë në një debat që kërkon shumë më tepër thellim dhe shumë më tepër hapësirë se sa një editorial, dua të nënvizoj se vendimi i Presidentit ka dy anë: atë historike dhe atë morale.

    Konteksti historik, është ai që keqinterpretohet më shumë dhe që përdoret kryesisht nga ata që e shohin si politikë dite. Në këtë kontekst, Presidenti nuk ka gabuar aspak. Masakrimi i 67 pjesëtarëve të një formacioni të Ballit Kombëtar, por në realitet, një grup fshatarësh që as kishin vrarë njeri dhe qenë bashkuar për të luftuar italianët, më 21 tetor, ka qenë një akt i pastër kriminal. Ai u krye nga Brigada e Parë me një vendim të marrë nga Dushan Mugosha (Shihni kujtimet e Xhelal Staraveckës). Qëllimi ishte thjeshtë terrorizimi i mbështetësve të Ballit dhe marrja e pushtetit në një moment që në Shqipëri ishte krijuar vakum. Italianët kishin kapitulluar, ndërsa gjermanët qenë vendosur vetëm në disa qëndra dhe pika strategjike.

    Masakra e Lushnjës e kishte nismën në dështimin e Mukjes. Atje, ku Komunistët, Ballistët dhe nacionalistë të tjerë u bashkuan dhe firmosën për një luftë të përbashkët ndaj okupatorëve. Por ndërkohë Italia kapitulloi dhe pushteti i ardhshëm ishte më i rëndësishëm se sa lufta. Pavarësisht se firmosi, PKSH vendosi ta prishë marrëveshjen e Mukjes.

    “Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i tij“.

    Kjo frazë përbën thelbin e letrës që Enver Hoxha i nisi më 1 tetor të 1943-it Komitetit Qarkor të Gjirokastrës. Për mbështetësit e “Ballit Kombëtar” kjo është dita e fillimit të përplasjeve zyrtare ushtarake midis dy formacioneve politike që u shndërruan në dy forca armike. Edhe pse përplasje mes tyre kishte pasur edhe më herët, ato qenë në fakt sporadike. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes, qe jo vetëm humbja e një shansi për luftë të përbashkët kundër okupatorit, por edhe fillimi i përleshjeve të armatosura midis palëve. Përplasjet nisën në fillim të muajit shtator me vrasjen e 6 ballistëve në Ziçisht. Nga 1 shtatori deri më 1 tetor u numëruan dhjetëra viktima nga të dyja palët.

    Viktimat e Lushnjës u masakruan në këtë moment. Asnjë prej tyre, kurrë nuk kishte bashkëpunuar me italianët, kundër të cilëve ishin ngritur. Në vitet e fundit të jetës, vetë Mehmet Shehu, siç dëshmon djali i tij Bashkim Shehu në librin “Vjeshta e Ankthit”, shprehte pendesë për këtë akt. Ishin njerëz të pafajshëm që u vranë për të ngjallur frikë tek të tjerët. Dhe për të frenuar mobilizimin e mëtejshëm në forcat e Ballit. U vranë për pushtetin e ardhshëm.

    Më 26 tetor të 1943-it “Balli Kombëtar” lëshoi një “thirrje drejtuar Nacionalçlirimtares” me titullin: “Vëllavrasja ka fillue!”

    Mbështetësit e komunistëve kanë deklaruar gjithnjë se luftën vëllavrasëse e filloi “Balli Kombëtar”, se ishin pjesëtarët e tij që ju bashkëngjitën forcave gjermane dhe që sulmuan forcat partizane. Por asnjë historian deri më sot, nuk mund të thotë që Balli ka bashkëpunuar me okupatorët përpara Tetorit të vitit 1943. Ky është konteksti historik.

    Ai moral është tjetër. A meritonin këta 67 persona të dekoroheshin dhe cili ishte kontributi i tyre në këtë rast. Ata janë viktima të pafajshme të një lufte civile dhe një përplasjeje forcash, që për fatin e tyre të keq, qëlloi të kulmonte pikërisht në fshatin e tyre. Në fakt, Presidenti duhet të përgatisë një nderim më të denjë dhe më domethënës për Mithat Frashërin, kreun e Ballit Kombëtar, djalin e Abdyl Frashërit, firmëtarin e pavarësisë, anëtarin e kabinetit të Ismail Qemalit, krijuesin e Bibliotekës Kombëtare shqiptare, shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur dhe militantin antifashist. Askush deri më sot, asnjë historiograf komunist nuk ka dëshmuar ndonjë bashkëpunim të Frashërit me Gjermanët. Por ai është përbaltur pa të drejtë dhe sot, ende prehet në një varrezë në Long Island të Nju Jorkut. Ky njeri ka lënë një testament. Ai ka dorëzuar gjithë pasurinë e tij për Shqipërinë, me kusht, që ta varrosnin në oborrin e Institutit Albanologjik nëse ndonjë ditë do të ngrihej një i tillë. Ai vijon të prehet ende larg, vetëm si pasojë e një manipulimi historik.

    Sa i takon 67 personave, ka edhe një shikim tjetër. Vrasja makabre e atyre të pafajshëmve ishte vetëm një akt. Për 50 vjet me rradhë, familjet tyre janë persekutuar në mënyrë të tmerrshme. Familjet u izoluan, fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve që nuk i njohën kurrë ju mohua punësimi normal dhe shkollimi. Ata e vuajtën këtë si një njollë në biografi dhe ky dekorim është edhe një sadisfaksion moral për vuajtjet e tyre. Ata nuk ngjallen dot më; familjet nuk e shpërbëjnë dot persekutimin e padrejtë dhe të pamerituar; nuk i kthejnë dot mbrapsht vuajtjet që kanë hequr. Lërini së paku të ndihen krenarë me atë dekoratë simbolike, sa për t’i treguar të gjithëve, por edhe vetes, se e vërteta vonon, por humbet kurrë.

    Ke vepruar drejtë Zoti President, por është ende shumë pak. Historia nuk bëhet me filmat e kinostudios dhe e drejta nuk ka lidhje me politikën e ditës! /opinion/
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,489

    Për: Nishani apo Rama? Kush ka të drejtë?

    Te drejte ka Nishani,po te mos te futemi per arsyet dhe kohen qe e ben...,si te thuash qe e ben per interesa te tjera politike-partiake.Por sikur ta marim thjeshte se duhen dekoruar a jo,nuk diskutohet qe duhen dekoruar sepse eshte nje krim,nje ngjarje qe duhet kujtuar.
    Problemi i vertete eshte qe pse keto dekorime behen me 25 vjet vonese !

  3. #3
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: Nishani apo Rama? Kush ka të drejtë?

    Politika eshte omniprezente tek ne, s'e evitojme dot.
    Edhe po te duam, ne momentin qe Rama me Meten nderojne me perkulje-shall te kuq-brohoritje "Parti Enver" te gjithe xhelatet qe i vrane e masakruan dhe perdhunuan ne menyre makabre ata 67 persona, kunder efekti eshte i pashmangshem. Dhe me e bukura eshte se debati nxitet nga moralistet vetem kur vleresohen figura si Mbreti Zog apo te denuarit e komunizmin, nderkohe qe kalohen ne heshtje nderimet sebashku me dekorimet qe iu behen bashkepunetoreve te komunizmit!

    Nese ka apo jo te drejte Nishani, une personalisht e gjykoj disi te ekzagjeruar aktin e dekorimit. Ka plot menyra per t'i nderuar ata, nepermjet nje eventi apo perkujtimoreje me familjaret etj etj. Dekoratat, titujt apo medaljet i duhen ndare figurave me nje kontribut paksa me te veçante.
    Megjithate nahija Nishanit, ka bere diçka per shtresen e te persekutuareve. Sigurisht qe duhet te ishte bere shume me teper se kaq, por ama jane te vetmit qe ne menyre konstante, pergjate 25 viteve, ka dhene nje mini-kontribut per kete shtrese!

    PS: E rendesishme qe gjenden gjithmone kleçka per te kritikuar...
    Ndryshuar për herë të fundit nga Duke_Of_Arberia : 29-10-2016 më 06:54
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  4. #4
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: Nishani apo Rama? Kush ka të drejtë?

    Historiani: Mehmet Shehu e Dushan Mugosha i zhveshën lakuriq ballistët para se ti pushkatonin

    08:27, 30/10/2016
    Nga Valentina Madani*

    Historiani dhe ish-i përndjekuri politik, Agim Musta në 15 librat e tij ka dokumentuar tmerret e diktaturës komuniste. Ai vëren me shqetësim se ndërsa regjimet e tjera të japin të drejtën të varrosësh kufomën, diktatura komuniste nuk ta jepte këtë të drejtë minimale, pasi eshtrat e këtyre viktimave hidheshin në gremina, lumenj, ose digjeshin me acid. Z. Musta në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” hedh dritë mbi masakrën e 21 tetorit të vitit ‘43 në Lushnje nga brigada e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe serbi Dushan Mugosha. Z. Musta tregon se si i zhveshën ballistët për të ndarë myslimanët nga ortodoksët për t’i shpëtuar këta të fundit dhe identifikimi i bërë përmes synetllëkut, përgjigja e Shehut për masakrën dhe paralajmërimin e tij për masakra të tjera. duke thënë se kjo do të ishte si kafja para dasmës… Dhe rasti më i trishtë për Agim Mustën ishte pushkatimi në sy të tij i bashkëmoshatarit Duro Shehu në Gjirokastër në vitin 1944.

    Z. Musta si e konsideroni dekorimin e Ballit nga presidenti Bujar Nishani?

    Për mendimin tim, ai dekorim është i vonuar. Duhej të bëhej me kohë, ashtu siç duhet të dekorohen edhe shumë viktima të tjera të pafajshme, që u mori jetën komunizmi. Për rastin konkret dhe për shumë raste të tjera unë kam takuar dëshmitarë dhe kam bërë kërkime në Arkivën e Shtetit. Në këtë të fundit nuk gjenden as 80 për qind të dokumenteve që vërtetojnë krimet e komunizmit, pasi janë zhdukur qëllimisht që të fshihen. Nuk kam lënë gjë pa hulumtuar që nga koha e luftës e deri në rrëzimin e diktaturës. Kam shkuar në Spaç e në çdo vend për të folur me dëshmitarët, për të mbledhur sa më shumë fakte rreth krimeve barbare të kryera nga diktatura. Kam folur edhe me protagonistë të asaj kohe, me Bedri Spahiun, Tuk Jakovën e shumë të tjerë për të hedhur dritë mbi regjimin kriminal të diktaturës.

    Gjatë hulumtimeve tuaja çfarë keni mësuar për masakrën e 21 tetorit të ‘43-it ndaj Ballit?

    Ata që u pushkatuan ishin fshatarë të zonës së Myzeqesë, njerëz të pafajshëm. Nuk i ishin bashkuar vullnetarisht Ballit, por kishin qenë të detyruar nga Isa Manastirliu, i cili u tha banorëve që ose të bashkohen me ta, se do t’i vriste vetë ai. Vetë Manastirliu i shpëtoi masakrës dhe iku më vonë jashtë shtetit. Të gjithë drejtuesit e Ballit ikën. I vetmi njeri që luftoi ishte Hamit Matjani. Luftoi pa kompromis.

    A pati rezistencë nga ballistët?

    Fshatarët u dorëzuan që në përpjekjen e parë. Ata që u dorëzuan, u bënë viktima të brigadës së parë të drejtuar prej Mehmet Shehut e Dushan Mugoshës. Por ajo që ndodhi ditën e masakrës ka qenë e tmerrshme për faktin se Dushan Mugosha i mblodhi të gjithë dhe i detyroi që të zhvisheshin duke parë seksin e tyre se kush ishte bërë synet, ishte mysliman dhe duhej pushkatuar dhe i quajtën lafshëprerë, ndërsa lafshëpaprerët ishin ortodoksët që nuk ishin bërë synet dhe ata i nxorën nga rreshti dhe nuk i pushkatuan. Të gjithë myslimanët i vranë. Gjatë hulumtimeve të mia për atë ngjarje të rëndë kam mësuar se Rrahman Ruçi që ishte pjesë drejtuese e brigadës, pas pushkatimit i ka thënë Mehmet Shehut se nuk duhej të pushkatoheshin gjithë ata njerëz.

    Dhe si është përgjigjur Mehmeti?

    Mehmeti i ka thënë Rrahmanit: “Ti nuk ke parë sa lumenj gjaku janë derdhur në Spanjë dhe kjo është vetëm si një kafe para dasmës”. Duhet të dini një gjë, që Mehmeti gjatë luftës në Spanjë ka qenë komandant skuadre dhe jo batalioni. Këtë ma ka thënë vetë Bedri Spahiu, i cili ka qenë në Spanjë edhe ai gjatë luftës. Po ashtu më vonë kur u erdhi diktatura, Rrahmanin i cili ishte udhëheqës i Partisë Komuniste në Lushnje bashkë me dy djemtë e tij e dënuan si devijator të vijës së kuqe të partisë.

    Ky ishte një paralajmërim për masakra të tjera nga partizanët?

    Po, dhe në të vërtetë kanë kryer shumë vrasje të tjera masive, ku gjysmës nuk u gjenden as varret. Pas Lushnjës, kanë vrarë në Gjirokastër 14 veta. Në Kurvelesh janë pushkatuar 12 veta, mes të cilëve edhe një grua me dy fëmijë të vegjël. Po ashtu edhe në berat, në Tepelenë. Të gjitha pushkatimet janë bërë pa i gjykuar. Madje, në Gjirokastër ka ndodhur një krim çnjerëzor me një bashkëmoshatarin tim, Duro Shehu. Kam qenë dëshmitar i asaj çfarë ndodhi dhe ishim vetëm 14-vjeçarë. I ati i Duros kishte folur kundër komunizmit dhe vetëm për aq gjë, atë e morën bashkë me djalin dhe i pushkatuan. Erdhën e morën Duron nga mësimi dhe në oborr të shkollës e pushkatuan në sy të të gjithë ne. Ka qenë një ngjarje rrëqethës, pasi po vritej edhe një fëmijë i pafajshëm. Por, ka edhe shumë raste të tjera duke ngjallur kudo vëllavrasjen. Në hotel “Turizmi” në Pogradec kanë vrarë 40 xhandarë. Po ashtu, edhe në Dukaj të Tepelenës kanë pushkatuar në gusht të 1944-ës 40 xhandarë. Regjimi diktatorial zhvarrosi eshtrat e ish-kryeministrit shqiptar, Iliaz Bej Vrioni dhe i hodhi ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat e Iliaz Bej Vrionit vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende këtë personalitet të vyer të kombit shqiptar pa varr.

    Nisur nga këto masakra, a kërkohen nga presidenti të tjera dekorime në vijimësi të dekorimit të viktimave të 21 tetorit ‘43?

    Sigurisht. Janë vrarë njerëz të pafajshëm nga komunistët. Unë kam qenë dëshmitar i vrasjes së një nxënësi shkolle, vetëm 14 vjeç siç ishte Duro Shehu, ishim shokë në Gjirokastër. Ai duhet të dekorohet si dhe shumë të tjerë. Diktatura vrau barbarisht. Mund të them se terrori komunist e ka zanafillën e tij bashkë me formimin e PKSH. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore ai u ushtrua nga formacione partizane dhe njësitet guerile dhe skuadrat e vdekjes. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste, terrori e dhuna fizike në Shqipëri u ushtruan nga Sigurimi i Shtetit, “Divizioni i Mbrojtjes se Popullit” (D. M. B.) Policia Popullore, repartet e ndjekjes, repartet e kufirit, repartet që kishin në varësi burgjet, kampet me punë të detyruar dhe kampet e internimit. Terror e dhunë kanë ushtruar hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët, që kanë dhënë dënime politike. Janë 6000 vetë që nuk kanë varre, të cilëve nuk u gjenden eshtrat. Në Shqipëri deri më sot nuk është bërë asnjë analizë dhe denoncim zyrtar për krimet e kryera nga PKSH, qysh nga formimi i saj. “Harresa” ka për qëllim shkuljen nga kujtesa e popullit shqiptar të krimeve të diktaturës komuniste, që u kryen në Shqipëri për gjysmë shekulli. Për krime të tilla, duhet të alarmohet jo vetëm kombi shqiptar, por e gjithë bota. Të mos harrojmë kurrën e kurrës, se vendosja e komunizmit në Shqipëri, derisa ndodhi një herë, mund të ndodhë përsëri, jo në të njëjtën formë dhe nga të njëjtët njerëz, por nga personatë tjerë dhe me forma të tjera, me të stërholluara dhe më të rafinuara. Këtë s’duhet ta harrojë asnjë shqiptar.

    /Gazeta Shqiptare/
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2014
    Postime
    992

    Për: Nishani apo Rama? Kush ka të drejtë?

    Keto jane kuriozitete historike dhe jo principe historike. Po te kihet parasysh fakti i qarte qe komunistet ishin grupi i te forteve te shqiperise dhe komunizmin e kishin hixhab dhe fakti tjeter qe ballistet te cilet ishin vertet te interesuar per te rrokur nje ideologji nuk u genjyen dot nga idete e thjeshta dhe vullgare qe ofronte komunizmi teorik bashkekohor, kuptohet qe nuk do gjenim pergjigje tjeter te ngjarjeve qe ndodhen; ate te krimeve te komunisteve apo te forteve dhe mospajtimin e ballit me komunizmin.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •